reklamë

Gene Sharp: Pushteti jetëgjatë është diktaturë

Nga Gene Sharp

DIKTATURAT KANË PIKA TË DOBËTA

Diktaturat në përgjithësi duken të paprekshme. Agjencitë e inteligjencës, policia, ushtria, burgjet, kampet e përqendrimit dhe skuadrat e pushkatimit kontrollohen të gjitha nga një dorë e fuqishme. Financat, burimet natyrore dhe kapaciteti prodhues i një vendi shpesh plaçkiten nga diktatorët dhe përdoren për të mbështetur vullnetin e tyre.

IDENTIFIKIMI I THEMBRËS SË AKILIT

Miti i Greqisë Antike supozohej thoshte se Akili ishte i paprekshëm. Asnjë goditje nuk mund ta dëmtonte atë luftëtar, asnjë shpatë nuk mund ta depërtonte lëkurën e tij. Sipas këtij miti, e ëma e paskësh zhytur në ujërat e lumit magjik Stiks, dhe kështu trupi i tij ishte i mbrojtur nga të gjitha rreziqet. Megjithatë, kishte një problem. Meqenëse e ëma e kishte mbajtur nga thembra e këmbës për të mos u rrëmbyer nga rryma, uji magjik nuk e kishte prekur atë pikë të trupit të tij. Kur Akili u rrit dhe u bë burrë, të gjithëve iu duk se ai ishte i paprekshëm ndaj armëve të armikut. Por në Betejën e Trojës, një ushtar armik, i udhëzuar nga dikush që e dinte dobësinë e tij, e goditi atë me një shigjetë në thembrën të këmbës dhe e plagosi. Plaga ishte fatale. Edhe sot, fraza “thembra e Akilit” i referohet pjesës së cenueshme të një personi ose institucioni ku, nëse sulmohet, është i pambrojtur.

I njëjti parim vlen edhe për diktatorët sado të fuqishëm qofshin ata. Kësisoj, edhe ata mund të mposhten.

DOBËSITË E DIKTATURAVE

Ja cilat janë dobësitë e diktatorëve:

1. Bashkimi i shumë njerëzve, grupeve dhe institucioneve.

2. Kërkesat dhe efektet e politikave të mëparshme të regjimit, deri në një farë mase, kufizojnë aftësinë e tij për të miratuar dhe zbatuar politika kundërshtare.

3. Sistemi mund të bëhet rutinë në metodat e tij dhe më pak i aftë të përshtatet shpejt me situatat e reja.

4. Personeli dhe gjithë burimet e fuqisë së tij nuk i përgjigjen më nevojave të tij.

5. Vartësit, nga frika apo pakënaqësia, mund të mos i japin të gjitha detajet e informacionit që diktatorët kanë nevojë për të marrë vendime.

6. Kur ekziston një ideologji e fortë që ndikon në perceptimin e realitetit, një respektim i vendosur i saj mund të çojë në neglizhencën e kushteve dhe nevojave aktuale.

7. Rënia e efikasitetit të burokracisë, ose e kontrolleve dhe rregulloreve të tepërta, mund t’i bëjnë politikat dhe operacionet e sistemit joefektive.

8. Konfliktet e brendshme institucionale dhe rivalitetet personale dhe armiqësitë mund të dëmtojnë, ose edhe të prishin, operacionet e diktaturës.

9. Kur intelektualët dhe sidomos studentët bëhen të paduruar me kushtet ose kufizimet, qasjen doktrinare dhe shtypjen.

10. Kur publiku i gjerë, me kalimin e kohës, bëhet apatik dhe madje armiqësor ndaj regjimit.

11. Kur dallimet rajonale, klasore ose kombëtare mund të intensifikohen.

12. Kur hierarkia e pushtetit të një diktature është gjithmonë, deri në një farë mase, e paqëndrueshme, dhe nganjëherë jashtëzakonisht e tillë; individët nuk mbeten të pandryshueshëm në pozicionet dhe gradat e tyre, por mund të ngrihen ose të bien në nivele të tjera, ose të hiqen tërësisht dhe të zëvendësohen nga personel i ri.

13. Kur sektorët e forcave policore ose ushtarake mund të veprojnë për të arritur objektivat e tyre, madje edhe kundër vullnetit të diktatorëve në pushtet, dhe madje mund të organizojnë një grusht shteti.

14. Meqenëse në një diktaturë shumë vendime merren nga një person i vetëm, gabimet në gjykim, politikë ose veprim janë të pashmangshme.

15. Nëse qeveria kërkon të shmangë këto rreziqe duke decentralizuar kontrollet dhe vendimmarrjen, kontrolli i saj mbi pikat kryesore të pushtetit përkeqësohet edhe më tej.

SULMI I DOBËSIVE TË DIKTATURAVE

Duke ditur dobësi të tilla të brendshme, opozita demokratike mund të kërkojë qëllimisht të përkeqësojë këto “thembra të Akilit” në mënyrë që të ndryshojë në mënyrë drastike sistemin ose edhe ta shpërbëjë atë.

Përfundimi është i qartë. Pavarësisht pamjes së tyre të forcës, të gjitha diktaturat kanë dobësitë e tyre të brendshme që janë rivalitetet personale, funksionimi i gabuar institucional dhe konfliktet midis organizatave dhe departamenteve. Këto dobësi, me kalimin e kohës, kanë tendencë ta bëjnë regjimin më pak efektiv dhe më të prekshëm ndaj kushteve në ndryshim dhe rezistencës së qëllimshme. Jo gjithçka që regjimi synon të bëjë do të arrihet, të paktën jo plotësisht. Ndonjëherë, edhe urdhrat e drejtpërdrejtë të Hitlerit mbetën të pazbatuar sepse ata që ishin poshtë tij në hierarki përmbaheshin nga zbatimi i tyre. Një regjim diktatorial mund të shembet me shpejtësi, siç e kemi vërejtur tashmë.

Kjo nuk do të thotë që diktaturat mund të shkatërrohen pa rreziqe ose viktima. Çdo veprim i mundshëm për të arritur çlirimin mund të përfshijë rreziqe dhe vuajtje të mundshme, dhe do të kërkojë kohë për t’u zbatuar. Dhe, sigurisht, asnjë veprim nuk mund të garantojë fitore të shpejtë në çdo situatë. Megjithatë, llojet e luftës që synojnë dobësitë e diktaturës kanë një shans më të madh suksesi sesa ato që kërkojnë të luftojnë diktaturën aty ku ajo është qartësisht më e fortë. Pyetja është: si duhet të zhvillohet kjo luftë?

(Gene Sharp, shkencëtar politik amerikan, 1928)

Në shqip: B. Karabolli

ObserverKult


Lexo edhe:

Rexhep Qosja, portreti i tij përmes ditarit “Dëshmitar në kohë historike I-IX (1966-2008)”