reklamë

Tri vepra të Kadaresë botohen për herë të parë si libra më vete

Në dyvjetorin e ndarjes nga jeta të Ismail Kadaresë, Shtëpia Botuese Onufri nderon kujtimin e shkrimtarit të madh me një lajm të rëndësishëm për letërsinë shqipe. Për herë të parë botohen si libra më vete tre krijime të tij “Lamtumira e së keqes”, “Komisioni i festës” dhe “Legjenda e legjendave, duke shënuar një kapitull të ri në ruajtjen dhe përcjelljen e trashëgimisë së Kadaresë.

Më poshtë, gjeni njoftimin e botuesit Bujar Hudhri:

Sot, në dyvjetorin e kalimit në përjetësi të Ismail Kadaresë, shtëpia botuese Onufri, ka nderin të ndajë me lexuesit një lajm të veçantë.

Në këtë ditë kujtese dhe nderimi, Onufri sjell për botim tre krijime të Kadaresë, të cilët nuk janë botuar më parë si libër më vete. Ky botim shënon njëkohësisht edhe marrëveshjen e parë botuese me të tria trashëgimtaret e shkrimtarit, duke çelur një kapitull të ri në ruajtjen dhe përcjelljen e mëtejshme të veprës së tij.

Për ne, ky nuk është vetëm një botim i ri. Është një akt mirënjohjeje ndaj një autori që i dha letërsisë shqipe përmasë botërore, si edhe një përgjegjësi e veçantë ndaj lexuesve që vazhdojnë ta lexojnë dhe ta rizbulojnë Kadarenë, sidomos brezi i ri.

“Lamtumira e së keqes”, ‘Komisioni i festës”, “Legjenda e legjendave” janë tre krijimet QË BOTOHEN PËR HERË TË PARË LIBËR MË VETE:

“Lamtumira e së keqes”

Novela “Lamtumira e së keqes” është shkruar në vitin 1987 dhe u përfshi në përmbledhjen me tregime dhe novela “Ëndrra mashtruese”, në vitin 1990. Ngjarja zhvillohet në kohën kur Perandoria Osmane e ndjeu se sundimi i saj mbi Ballkanin po shkonte drejt fundit dhe se Shqipëria, si një nga territoret e fundit të mbetura, po bëhej shqetësim i veçantë për sulltanin, se si të ruhej në të ardhmen ndikimi i tyre shpirtëror, mendor dhe kulturor. Pikërisht këtu qëndron thelbi i novelës: e keqja nuk largohet gjithmonë bashkë me ushtrinë, ligjet apo administratën; ajo mund të mbetet në mendësi, në zakone, në frikë, në nënshtrim dhe në mënyrën si një popull fillon ta shohë vetveten.

“Legjenda e legjendave”

“Si një shtjellë e marrë vërtiten sipër nesh shtrigat, engjëjt dhe djajtë, Gilgameshi i asirëve, Tristani me Izoltën, Prometheu, Atridët e përgjakur, don Zhuan Tenerio e don Miguel Manara, të shkrirë e të bërë një në fytyrën e Don Zhuanit, Abrahami, profetët biblikë, studenti pijanec Faust, vdekur më 1543, bashkë me Mefistofelin e vet, fytyra të reja që janë në përpunim e sipër, Merilin Monro, Hitleri, ndoshta Ajnshtajni, që mund të shfaqen në kush e di ç’trajtë befasuese. Jeta jonë, e rrethuar nga kjo shtresë e dendur, njëlloj si globi tokësor nga atmosfera e tij, ndihet disi më e mbrojtur nga pashpirtësia e gjithësisë.”

Për Ismail Kadarenë, i cili e ka njohur nga afër, bota komuniste, me mizorinë dhe tmerret që mbart, shfaqet si një enë e jashtëzakonshme ku përpunohet pandërprerë alkimia e legjendës. Vetë Kadareja vjen nga një tokë legjendash: Shqipëria. Fuqia e tij evokuese bën këtu mrekulli, duke na ndihmuar të kuptojmë mekanizmat që lindin legjendat dhe duke na zhytur në këtë univers ku, që prej fillimit të kohëve, bashkëjetojnë të gjithë popujt dhe të gjitha brezat.

“Komisioni i festës”

“Komisioni i festës” është botuar si interlud midis tre romaneve në librin “Ura me tri harqe”, më 1978.

Kjo vepër është bazuar mbi një nga ngjarjet më tragjike të historisë shqiptare, plojën e Manastirit, ku u masakruan me pabesi prej ushtrisë osmane rreth pesëqind prijës shqiptarë. Kritika shqiptare e paskomunizmit ka kërkuar një lidhje simbolike midis kësaj vepre dhe tre romaneve që përbëjnë “Urën me tri harqe”. Në të vërtetë, sipas pohimeve të autorit, bashkimi i katër veprave nën të njëjtin titull është bërë thjesht për të mos tërhequr vëmendjen me shumë botime

ObserverKult