Bardhyl Zaimi: Në kthetrat e kiçit

bardhyl zaimi

Nuk është në fakt prania e kiçit kaq fatale. Më fatale duket gjithë ai replikim shoqëror që përjashton diferencimin më të vogël. Një lloj ripërsëritje shoqërore që kërkon rreshtin, uniformën dhe së fundmi apatinë dhe kotësinë që e ofron kiçi. Të tradhëtosh rreshtin është shkalla e parë e emancipimit të subjektit, shkalla e parë e lirisë krijuese përtej kthetrave të kiçit të kudondodhur.

Shkruan: Bardhyl Zaimi

Kiçi gjithnjë pretendon të shfaqet si një iluzion përkryerje, si uniformë, si shkëlqim elitar që duhet ta përqafojmë. Për më tepër siç e definon edhe Kundera te ”Lehtësia e padururshme e qenies” kiçi kërkon ta përthith qenien tonë përmes dukjes, duke asgjësuar çdo gjë që mbrun individualitetin tonë.

Kiçi synon sipërfaqësoren, ripërtypjen e vetes sonë. Kiçi na sugjeron të bukurën plastike, ngjyrat e forta, kontrastin krupënjellës, maskën e ftohtë dhe tê lëmuar të realitetit ngjashëm si një lule plastike në njê zyrë të stërngarkuar me dekorime.

Kiçi synon një estetikë joshëse me subjekt të asgjësuar në korridoret shkëlqyese tê njëjtësisë brutale. Kiçi e do ekspozimin frontal nën prozhektorët e spektaklit dhe fjalamanisë. Kiçi me një fjalë kërkon mungesën tonë si një qenie e përveçme në skenën e rregulluar nga duar mediokre për t’i shërbyer kështu ekzaltimit plastik dhe melodramës estetike!

Dhe po ta shtjellojmë në një kontekst kulturor lehtësisht mund të vërejmë se gjatë tërë kohës ne jemi nën presionin e kiçit si dukuri e gjithëpranishme që manifestohet në të gjitha fushat e jetës sonë. Në letërsi, ku kemi ripërsëritje paradigmash të ngime dhe shfaqje brutale të një produksioni mediokër që synon të zë vend si letërsi e mirëqenë vlerash kulmore. Ndodh kështu për shkak se është shembur moti kohë sistemi i referencave dhe gjithkush mund të botojë pa asnjë kriter. Në këtë djerrinë mungon tërësisht kritika letrare si një mekanizëm qê qëmton vlerat dhe afirmon atë që përfaqëson vlerë të mirëfilltë.

Dhe kjo djerrinë bjerrakohëse nuk mbaron këtu po shtrihet si shije e injektuar me kiç produksion letrar dhe provon ta dominojë hapësirën letrare të fshirë nga referencat.
Kjo dukuri vërehet në arkitekturë, në ato ngjashmëri brutale kopjimesh që ngriten si ambient urban, si habitus i gjallnimit tonë në jetë kulturore dhe sociale. Në muzikë gjithashtu, si dukje komerciale, si një plaçkê në shitje prej nga vinë edhe vetë etimologjia e fjalës kiç.

Pastaj spektaklet e pafundme televizive, ajo hekurosje estetike që kërkon gjithëpërfshirjen uniforme, që kërkon ngjashmërinë, mimezisin antik qê do të thotê replikimin e realitetit, replikimin e jetës pa asnjë ndryshmëri të përveçme.
Kiçi kërkon pjesëmarrje, por për më tepër kërkon të ngjashmën, të gatshmën që ofrohet si model identifikimi pa shqisa të stërvitura estetike që duhet të ripohohen në shpirtin e përveçëm të çdo idividi.

Dhe përsëri vijmë te Kundera, te trajtimi i tij që na jep përmes personazheve dhe që në fakt shpalon të bukurën përtej stuhive të kiçit.
“Bukuria është një botë e tradhëtuar. Mund ta ndeshësh vetëm kur përndjekësit e kanë harruar diku gabimisht. Bukuria fshihet pas dekoreve të parakalimit për 1 Maj. Për ta gjetur duhet shqyer bezja e dekorit”, shkruan Kundera te ”Lehtësia e padurueshme e qenies”.

Dhe sigurisht për ta shmangur njê “gjykim mizor”, siç thoshte Konica për kritikën, ne duhet ta pranojmë se tashmë jemi rrethuar me kiçin dhe se padiskutueshêm është pjesë e jona e përditshme. Na ofrohet si dozë ditore spektakli, si politikë, si shkencê, si produksion kulturor.
E kishte paralajmëruar Oruelli me romanin 1984, atë gjithëprani syshë nê jetën tonë që sot po shfaqet në forma tjera gjithëpranie spektakli që vjen si një realitetit i shtrembëruar, argëtues dhe acarues njëkohësisht.

“Të jetosh me të vërtetën, të mos gënjesh as vetën as të tjerët, është e mundshme veçse po të jetosh pa publik. Sa kohë ka një dëshmitar për veprimet tona, duam apo s’duam ne u përshtatemi syve që na vëzhgojnë dhe asgjë nga ato që bëjmë, s’është më e vërtetë”, shkruan Kundera.

Dhe pak më tej përmes përsiatjeve të personazhit trajton raportin individ-publik.
“Të kesh një publik, të mendosh për një publik, do të thotë të jetosh me gënjeshtra.
Kush humb intimitetin, ka humbur gjithçka”.

Ne jetojmë tashmë me këtë gjjithëprani publiku dhe nën trysninë e kiçit. Është një kufi i hollë dallues që pak shpirtra arrijnë ta rrokin. Do të duhen shkrime më të thelluara për ta interpretuar këtë realitet kompleks në të cilin gjallnojmë si shoqëri.

Nuk është në fakt prania e kiçit kaq fatale. Më fatale duket gjithë ai replikim shoqëror që përjashton diferencimin më të vogël. Një lloj ripërsëritje shoqëror që kërkon rreshtin, uniformën dhe së fundmi apatinë dhe kotësinë që e ofron kiçi.

Të tradhëtosh rreshtin është shkalla e parë e emancipimit të subjektit, shkalla e parë e lirisë krijuese përtej kthetrave të kiçit të kudondodhur!

ObserverKult


Lexo edhe:

BARDHYL ZAIMI: GJITHÇKA DUHEJ RIBËRË NGA FILLIMI… EDHE DASHURIA