reklamë

Ndue Ukaj shpallet “Autori i Javës” nga Versopolis

Ndue Ukaj


Ndue Ukaj përzgjidhet si “Autori i Javës” nga Versopolis, një nga platformat më të rëndësishme evropiane kushtuar promovimit të poezisë bashkëkohore dhe dialogut letrar ndërkombëtar.

Me këtë rast, Versopolis ka publikuar esenë e tij “Poetry – a Space of Freedom, Light and Love” (Poezia – një hapësirë lirie, drite dhe dashurie), së bashku me një përzgjedhje poezish dhe profilin biografik të autorit. Në këtë rrëfim të thellë personal, Ndue Ukaj tregon se si letërsia u bë strehë në një nga periudhat më të errëta të jetës së tij dhe të historisë së Kosovës. Për të, poezia shfaqet jo vetëm si formë artistike, por edhe si një forcë e lirisë shpirtërore, shpresës dhe dinjitetit njerëzor.

Në ese, Ukaj ndalet te fuqia transformuese e letërsisë, duke dialoguar me autorë si Ismail Kadare, Czesław Miłosz, Dante Alighieri, Walt Whitman, T. S. Eliot, Mario Vargas Llosa dhe Jorge Luis Borges. Ai e paraqet poezinë si një gjuhë universale që kapërcen frikën, urrejtjen dhe izolimin, duke ruajtur kujtesën, bukurinë dhe humanizmin.

Ndue Ukaj është autor i gjashtë vëllimeve poetike, dy përmbledhjeve me tregime, një romani dhe tre librave me ese e kritikë letrare. Veprat e tij janë përkthyer në shumë gjuhë dhe janë botuar në antologji e revista letrare ndërkombëtare. Ai është gjithashtu anëtar themelues i Forum 26.

Tekstin e botuar në Versopolis e gjeni në këtë link

ObserverKult

————

Lexo edhe:

Universi letrar i Ndue Ukajt: Ndërgjegjja në kohë krizash