
Nga Ndue Ukaj
Poezia dhe letërsia në jetën time janë shfaqur në një kohë krize, një krizë që ishte personale dhe kolektive njëkohësisht. Ishte një kohë kur shtigjet për të jetuar një jetë normale ishin të mbyllura, dhe unë, si njeriu që mëson kur kërkon shtigje, siç këshillon Franz Kafka, shtigjet i gjeta te letërsia.
Në atë kohë, gjithçka në jetën time ishte e mjegullt, e pakët, e varfër. Njerëzit flisnin për varfri, luftë, vrasje, ikje, ndërsa letërsia hapte një shteg para meje, duke më ofruar ngushëllim. I tmerruar prej realiteti, zemrën ma rrëmbeu arti dhe ideja e parë që formova për artin lidhet pikërisht melirinë.Më vonë, si lexues e pastaj si krijues, te letërsia gjeta, përveç lirisë, dritën për ta zhbërë errësirën e madhe dhe dashurinë për ta mundur urrejtjen.
Dihet, prej kohëve, se letërsia është e lidhur me eksperiencat dhe lidhja ime me letërsinë në përgjithësi dhe poezinë në veçanti, lidhet pikërisht me eksperiencat personal: përpjekjet për ta gjetur lirinë shpirtërore në kohën kur ajo mungonte në vendin tim, Kosovën, dritën kur errësira ishte e madhe dhe dashurinë kur sundonte urrejtja.
Shpesh, kur kthehem prapa në kohë, i them vetes se letërsia ma ka shpëtuar jetën, dhe dëgjoj si më tingëllojnë në zemër dy vargje të shkrimtaritCzeslaw Milosz, laureat i Çmimit Nobel për letërsi, te poeziaDedikim:
Ç’është poezia që nuk shpëton
Kombet apo njerëzit?
Veç një sajesë e gënjeshtrave zyrtare.
Dhe i them vetes: poezia më ruajti mua, por edhe popullin tim. Sepse, në vitet e nëntëdhjeta, ne kishim një udhëheqës politik, që ishte shkrimtar, njeri i librave – Ibrahim Rugova – i cili përmes refuzimit estetik e krijoi një model të refuzimit politik. Ai vetë besonte te fuqia e fjalës, si arma e vetme në betejën për liri. Për një adoleshent si unë, ky besim ishte një forcë me përmasa pothuajse qiellore.
Dhe tani kur e pyes veten ose më pyet ndokush – si erdhi poezia e letërsia në jetën time?- kthehem në adoleshencën time dhe përpara më shfaqet romani “Kronikë në gur” i shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadare, ku ka një frazë goditëse: “Ju nuk mund ta kuptoni dot se ç’do të thotë qytet i lirë, sepse ju rriteni në robëri“. Jam vërtitë në këtë fjali si në një mjegull të madhe, duke ndie thellë peshën e tragjizmit që përcillte, dhe më dukej sikur Kadare më drejtohej pikërisht mua, duke më thënë – se isha unë ai që nuk e kuptoja ç’do të thotë liri se po rritesha në robëri. Kjo fjali më pikëlloi me pamasën e tragjizmit që ngërthente, por, në anën tjetër, romani i Kadaresë më magjepsi aq shumë sa e kam rilexuar disa herë.
Në këtë kohë, unë rashë në dashuri me poezinë e letërsinë, teksa përpiqesha ta kuptoja ose gjeja lirinë,që më mungonte në jetën reale.
Ishin vitet e nëntëdhjeta, gati një dekadë, kur unë kam jetuar pa liri fizike, por me lirinë që më jepte artit. Poezia, në ata tunel të pafund errësire m’u shfaq si dritë për ta orientuar vetveten që të mos vdisja në errësirë. Ishte një realitet i rëndë – fuqia shtypëse e kishte katandisë vendin tim në mjerim të madh, ku shtypeshin të gjitha liritë njerëzore. Asokohe, gjuha e urrejtjes dhe ndarjes, ishte e pranishme edhe në ajrin që e thithnim.
Realiteti ishte i ashpër. Një regjim shtypës e kishte katandisur atdheun tim në mjerim të thellë, ku, të gjitha liritë njerëzore ishin të cenuara dhe gjuha e urrejtjes dhe përçarjes ishte edhe në ajrin që e thithim. Gjatë kësaj kohe të vështirë, ne shqiptarët e Kosovës, ishim të privuar prej mundësisë që të shkonim në shkolla, gjimnazet dhe universiteti u kidnapuan dhe ne filluam një sistem mësimi paralel nëpër shtëpi-shkolla. Pikërisht në këtë kohë, unë u arratisa në një realitet tjetër paralel, në botën e letërsisë, që më magjepsi: se ishte një botë shumë e pasur, krahasuar me atë realen, shumë të varfër. Dhe në këto kushte, u kurorëzua lidhja ime me letërsinë, si martesë nga një dashurie e madhe, në të cilën poezia mbetet kurora e kësaj lidhje.
Gjithmonë e mendoj poezinë si një aktivitet shëlbues njerëzor, si hapësirën më e bukur ku njeriu zhvillon betejat për liri të njëmend, një liri, që shfaqet në trajtat më sublime, përmes gjuhës së bukur e kohës pambarim.
Pse ky besimi te letërsia?
Arsyet, me siguri janë shumë dhe enigmatike, siç është vetë ekzistenca artit, por ka edhe një lidhje reale me fuqinë e poezisë dhe letërsisë në jetën e kombit shqiptar, në të cilin, ky aktivitet njerëzor, dhe gjuha, u bënë paradigma të kërkimeve për liri, të identitetit, kurse shkrimtarët shqiptarë, prej mesjetës së vonshme, përgjatë Rilindjes e deri në kohët moderne, ngjanin me role profetike. Shumë vjet më vonë, kur ne fituam lirinë fizike dhe unë u bëra shkrimtar, e lexova fjalën e shkrimtarit dhe nobelisti Isaac Bashevis Singer, të mbajtur në ceremoninë e Nobelit, ku ndër të tjera thoshte se “në historinë e letërsisë së vjetër hebraike kurrë nuk kishte pasur ndonjë dallim themelor midis poetit dhe profetit. Poezia jonë e lashtë shpesh bëhej ligj dhe një mënyrë jetë.” Në fakt, unë kisha jetuar me këtë përftyrim për poezinë, përpara se ta njihja në thellësi, dhe arti që herët u bë një mënyrë jetese ku gjeja shëlbimin, një mënyrë jetese ku forma ishte e rëndësishme po aq sa përmbajtja.
Poeti i amerikan Walt Whitman – kërkon prej nesh si lexues e poetë – që kurrë të mos pushojmë së besuari se fjalët e poezisë mund ta ndryshojnë vërtet botën, prandaj ai i këshillon lexuesit që kurrë të mos pushojnë së ëndërruari, sepse ëndrrat na shpijnë kah një botë më e mirë dhe më e vërtetë. Një kërkesë e tillë në kushte sociale, kur vriten ëndrrat njerëzore, duket si një dritëz shprese.
Këtë lloj besimi kisha për poezinë, që kur u ngjiz ajo në mua – ndoshta kishte lindur bashkë me mua – si një dashuri e madhe drite, për ta ndriçuar errësirën, atë kohë, kur unë jetoja në terr e frikë të madhe dhe ankthin e sfidoja me armën e vetëm që kisha në dorë, letërsinë. Kështu, në rininë time, poezia u bë shprehje e lirisë dhe bijë e dritës, një përkufizim që atëkohë nuk e bëja, por e jetoja.
Atëherë kur koha reale duket se është ndalur, e vetmja kohë që ka kuptim është koha e letërsisë. Duke jetuar në një kohë shumë të vështirë, të varfër, ku izolimi është kryegjëja e jetës dhe gjuha e urrejtjes një barrierë që njerëzit i dehumanizon, është poezia një hapësirë lirie, drite e dashurie, por edhe një mundësi për t’i tejkaluar këto vështirësi. Unë besoj te forca e letërsisë dhe te mjetet e saj, që përherë më bëjnë të besoj se mund të kapërcehen atë pengesë. Dhe siç na thërret të kujtojmë shkrimtari Thomas S. Eliot, derisa gjuha përbën një barrierë, është vetë poezia ajo që na jep një arsye për të provuar ta kapërcejmë atë pengesë. Përmes fuqisë së poezisë, unë kam kapërcyer pengesa të shumta dhe e kam gjetur lirinë në formën më sublime të mundshme, një dritë rrezatuese dhe një dashuri të madhe, që më ka mundësuar të udhëtoja nëpër udhët e Firences me Danten e të Pragës me Kafkën.
Pas shumë viteve, unë besoj më shumë si atëherë te kjo forcë e poezisë, por tash për arsye tjera: besoj se ky aktivitet njerëzor shërben si një mundësi për t’i tejkaluar pengesat e barrierat që i vendos gjuha, dhe në përkim me atë që thotë Mario Vargas Llosa, “jam i bindur se një shoqëri pa letërsi, ose një shoqëri në të cilën letërsia është lënë – si një ves i fshehur – në margjinat e jetës shoqërore dhe personale, dhe është transformuar në diçka si një kult sektar, është një shoqëri e dënuar të bëhet shpirtërisht barbare, dhe madje të rrezikojë lirinë e saj ”, pra, besoj se letërsia mund ta nxisë ndjesinë e vëllazërisë, që ta njohim më mirë tjetrin dhe të gjejmë të pasuria e saj, të përbashkëtën humane.
Pra, lidhja im i parë me poezinë lidhet me idenë e lirisë, pastaj të dritës dhe në këtë mes, hyn kryegjëja, poezia, duke qenë një muzikë e jetës, dashuri dhe eros, në kuptimin edhe mitologjik dhe si agapizimi, në kuptimin kristian, një dashurie që nuk njeh kufizime.
Kështu, elementi i tretë, ndoshta motori që e vë në lëvizje njeriun, në kërkimet e tij për liri dhe dritë, është dashuria, dhe ashtu si drita që është burim i ekzistencës, dashuria është oksigjeni kryesor që i mirëmban krejt këto raporte, duke qenë jetëdhënëse, si dashuria ashtu edhe poezia.
Kështu, më duket sikur letërsia dhe dashuria njëjtësohen.
Ndoshta, ideja jonë për dashurinë, në kuptimin si e njohim atë, si ndjenjë sublime, ka burimin te Psalmet, ato Këngë të Këngëve, që i kanë mundësuar njerizimit t’i fisnikërojë ndjesitë për të bukurën dhe dashurinë, t’i njoh ëmbëlsinë e jetës dhe hidhërimin që shkakton humbja e saj.
Një poet i madh, poeti model, siç e kanë quajtur, Dante Alighieri, te Kënga 33 e Parajsës ka këtë varg: “Dashunia, që lëviz diell e yje të vezullueshëm.”
Shpesh mendoj për këto vargje dhe i analizoj në përkim me marrëdhëniet që ka krijuar ndër vite arti, letërsia e poezia shqipe, me ekzistencën shqiptare. Me ekzistencën time. Dhe kthehem në fillimet e letërsisë në gjuhën shqipe, që i përkasin mesjetës së vonshme, shekullit XVI, me disa priftërinj, që shkruan për dashuni ndaj botës shqiptare.
Mund të jetë si në fillime e kohëve është titulli i librit tim të fundit me poezi, që është botuar në Tiranë, vitin e kaluar. Sa herë shkruaj për poezi ose krijoj poezi, ndihem disi si në këtë kohë. Në zanafillë, në fillimet e kohëve, kur gjërave pa formë, imazheve të përfytyruara, ëndrrave e ndjesive, duhet t’iu jap jetë, gjallëri, formë, në realitetin estetik.
Dhe shkruaj poezi sa herë një forcë misterioze brenda meje kërkon t’i nxjerrë jashtë mendimet e mia. Për shembull, shoh një gjethe të bukur vjeshte që këputet prej një degë dhe era e hedh në baltë dhe mendoj për atë ekzistencë. Është një ekzistencë misterioze, njëherësh magjike, sepse e di se në pranverën e re që e pres, ajo pemë sërish mbushet me jetë, me gjethe të reja. Por çfarë ndodh me gjethet që bien nga jeta e një njeriu? Kjo pyetje më shtang dhe mu këtu ndodh të lindë poezia.
Prandaj, vazhdoj te besoj se ne kemi nevojë për poezi, për arsye të pafundme, por paragjithash për të ruajtur të bukurën dhe humanizmin tonë. Sepse, një shoqëri që e heq poezinë, rrezikon të bëjë vetëvrasje shpirtërore, porositë Octavio Paz. Thënë ndryshe, shoqëria sa herë nuk ajroset prej bukurisë së poezisë, jeton në një atmosferë të tymosur dhe lëngon. Se poezia është oksigjen për mendjen e zemrën, se ajo ka ndriçon shumë errësira njerëzore, shpreh ndjesi të pashprehshme, regjistron në repertorin e vet të vërtetat më të mëdha se ato që i regjistron historia, sipas Aristotelit, dhe i jep mundësi njeriut përherë që të ëndërrojë për një botë më të mirë e më të lirë.
Në këtë drejtim, shkrimtarë të ndryshëm, në kohë të ndryshme, kanë përmendur dobi të shumta që jep poezia për njeriun, duke thënë se ajo e zhvillon aftësinë për të soditur dhe për të jetuar me kujtesën dhe “nuk mëson asgjë, përveç domethënies së jetës” Henry Miller).
Ka ndodhur shpesh që lexues të më pyesin:
Si ishte e mundur të besoje te letërsia, kur jeta reale ishte aq e ashpër?
Dhe sa herë përpiqem të artikuloj një përgjigje, më duket se fjalitë mbesin të varfra dhe nuk mund të këmbehen me të vërtetën e madhe me të cilën më mbështolli poezia atë kohë të pakohë, një kohë kur arti m’i dha sytë ndriçues që ta zhbëja errësirën ku jetoja, m’i dha krahët të fluturoja përtej kohës time e matanë kufijve dhe të përjetoja shumë realitete e jetë njerëzore, të ecja rrugëve të ferrit, duke ndjekë shenjat e poezisë, që kryenin për mua ato detyra që kryente Virgjili në ferrin e Dantes.
Secila kohë e shkruan poezinë e vet, që merr jetë përmes realitetit, duke shprehë gjakimet, ëndrrat, të pamundshmet e të mundshmet, duke dëshmuar njëherësh fizionominë reale të secilës kohë. Koha jonë letrare, ka detyra, që t’i përtërijë lidhjet e bukura që i krijon letërsia mes njerëzve dhe ta ushqej botën me të bukurën jetëdhënëse të artit. Poezia është ajo që e bën jetën më të bukur, më të vlefshme dhe edukon njeriun me ndjenjat e lirisë. Ne kemi nevojë për këtë edukim, si për ajër të pastër. Dhe unë vazhdoj të besoj se poezia mund të jetë shprehje e shpresës në një kohë apokaliptike, në një kohë kur cektësia tenton t’ia zë vendin thellësisë dhe gjuha e varfër e skematike, gjuhës së pasur të poezisë.
Shkrimtari Jorge Luis Borges, te ligjërata e famshme për poezinë, thotë se “estetika është aq e qartë, aq e drejtpërdrejtë dhe aq e papërcaktueshme, sikurse dashuria, sikur shija e një fryti, sikur uji. Ne ndjejmë poezinë, ashtu sikur e ndjejmë afërsinë e një femre ose sikur e ndjejmë aromën e maleve apo thellësinë e detit.”
Secili lexues i poezisë e ndien këtë përmasë të hatashme të estetikës. Më e rëndësishmja, poezia e mëson njeriun të kërkojë shtegdalje, dhe shtegdaljen më të mirë prej amullisë shpirtërore e dehumanizimit, e mëson arti. Këtë derë, si lexues e poet, përpiqem ta mbaj të hapur përherë. Se poezia më ka mësuar të gjej shtegdalje në momente errësire, më ka mësuar të gjej brigjet e qetësisë, kur kishte dallgë të mëdha të jetës.
Kësaj force të letërsisë i blatohem përgjithmonë.
(Ky tekst është botuar si ese i javës në Versospolis – European Review of Poetry, Books and Culture – një revistë letrare paneuropiane që botohet online.)
ObserverKult






