“Si e nxorra nga galeria e shembur, trupin e pajetë të 19 vjeçarit nga Shkodra, vëlla i vetëm i shtatë motrave…”

Publikohen disa nga historitë e panjohura të Sajmir Malokut, ish-inxhinier ushtarak që ishte diplomuar me ‘Medalje Ari” në Universitetin e Tiranës, i cili u arrestua nga Sigurimi i Shtetit më datë 13 maj të vitit 1976, në prani të 600 vetave në një sallë të madhe kinemaje në qytetin Burrelit, me akuzën si “agjent i mundshëm i Zbulimit Britanik dhe për agjitacion e propaganda kundër pushtetit popullor si dhe ndaj regjimit komunist”.

Lidhur me shkakun e vërtetë të arrestimit të tij, Sajmir Maloku dëshmon: “Për arsye se Televizioni Publik Shqiptar transmetonte vetëm 4 orë emission televiziv në ditë, unë në vitin 1970 duke lexuar mjaft literaturë të huaj shkencore arrita të ndërtoja një pajisje të thjeshtë elektronike televizive (shndërrues të sinjaleve televizive të Bandës UHF në VHF). Kjo shpikja ime bëri të mundur që populli shqiptar në të ardhmen të shikonte lirisht emisionet e stacioneve televizive italiane dhe jugosllave të Bandës UHF sidomos në zonat malore dhe bregdetare të vendit tonë. 

Pyetja e parë që më bëri mua hetuesi në seancën e parë hetuesore ishte: “Ti je spiun i famshëm i Perëndimit, ashtu si Mata Hari. Na trego ore armik i poshtër veprimtarinë tënde agjenturore me Agjenturat e Fshehta të 17 Vendeve të Huaja Perëndimore dhe të Botës”. Kjo për arsye se Sigurimi i Shtetit kishte dyshime të mëdha për takimet e mia me turistët e huaj gjatë 8 viteve dhe të korespodencave të shumta postare me filatelista të vendeve të mësipërme. Sot ky hetues është i gjallë.

Gjatë kontrollit të shtëpisë tonë në Tiranë dhe të dollapit tim të hotelit në Qytetin e Burrelit, Sigurimi i Shtetit gjeti dhe mori Librat e Shenjtë të Biblës dhe të Kuranit në gjuhën angleze; shumë libra dhe revista të vjetra angleze; disa fjalorë dhe blloqe me skica antenash moderne televizive; pajisjen time elektronike televizive me dy tranzistorë dhe përforcuesin e sinjaleve televizive; etj”.

Të gjitha këto e të tjera ngjarje të jetës së tij, që nga: fëmijria, shkollimi, periudha e rinisë me jetën në Tiranën e fillimviteve ’70-të, ndjekjen dhe survejimin nga Sigurimi i Shtetit, diplomimi, emërimi si inxhinier ushtarak i Ndërlkidhjes në një repart të Burrelit, arrestimin, gjyqin e demaskimin publik, hetuesinë, burgun etj, Sajmir Maloku i ka përmbledhur në një libër me titull “SI MBIJETOVA NE FERRIN KOMUNIST” (Botim i EMAL në shqip dhe anglisht), pjesë prej të cilave ai i ka dhënë për botim ekskluzivisht për Memorie.al  

                                     

“Ngrita 230 kg. në kurriz dhe si shpërblim më falën 10 kg. marmalatë, që u’a ndava të burgosurve”!

Ndërsa sot mjaft nipër e mbesa të tij, kur i pyesin se ku e keni gjyshin, ata përgjigjen me lot në sy: “Na e vrau Komunizmi i pabesë”. Gjithashtu, unë isha i fortë edhe nga ana fizike, sepse pas afro 9 vitesh në burg, arrita të mbaja në supet e mia në prani të 700 të të burgosurve 5 thasë me ushqime me një peshë totale 230 kg., duke i transportuar në një largësi rreth 117 metra, në prani edhe të drejtuesve më të lartë të Rrethit të Mirditës dhe të Drejtorisë së Burgjeve të Shqipërisë si një lloj gare force sportive. Në këmbim të kësaj fitoreje sportive, si me shaka, më premtuan se do të lirohesha nga burgu.

Gëzimi i 700 të burgosurve që e panë nga afër këtë manifestim timin ishte i jashtëzakonshëm. Ata, gjithë gëzim, brohorisnin në adresë time sikur të ishte një fitore e tyre sportive kjo garë e papritur dhe e paparashikueshme! Ndërsa unë, me sytë e mbushur me lot falënderoja Jezu Krishtin që më dha një trup tepër të fortë dhe një zgjuarsi të jashtëzakonshme, si dhe dashurinë e madhe për njeriun dhe popullin e demokracinë. Në ato momente brohoritjeje, unë i’u luta drejtuesve të lartë të mësipërm që të më dhuronin një arkë druri me 10 kg. marmelatë dhe 5 bukë gruri të mëdha, që ishin pranë meje. Të gjithë këta ushtarakë me mjaft kënaqësi e plotësuan njëzëri kërkesën time dhe unë i falënderova ata. Pastaj unë këto ushqime ia ndava në mënyrë të barabartë 40 të burgosurve më të varfër dhe më të sëmurë të Burgut të Spaçit. Edhe Komanda e Burgut të Spaçit dhe të gjithë të burgosurit më falënderuan për këtë gjest timin human. Ishte Zoti që më nxiste t’i ndihmoja shokët e mi bashkëvuajtës.

“Vdekja aksidentale në galeri e 19 vjeçarit nga Shkodra, V. Xhaferri”!

Sa herë që aksidentoheshin në minierë gjatë punës shumë nga të burgosurit, kur ndodhesha pranë tyre, unë i ndihmoja dhe i transportoja, duke i mbajtur në kurriz deri në Ambulancën e Burgut. Raste të ndihmës të kësaj natyre kanë qenë me dhjetëra here, ku unë u kam ofruar ndihmën time mjekësore. Vlen për t’u përmendur një aksident tepër i rëndë në galerinë e Bakrit të Minierës së Spaçit, ku një nga të burgosurit politikë, një djalë i ri shkodran, V. Xhaferri, 19 vjeç, (i cili ishte vëlla i vetëm i shtatë motrave), vdiq aksidentalisht nga shembja e papritur e galerisë. Policia prej 24 orësh nuk lejonte asnjë njeri të hynte në galeri nga ky rrezik aksidental për të nxjerrë trupin e të vdekurit, derisa të vinte Ekipi i Shpëtimit të Minierave nga Tirana.

Gjithë natën unë isha tepër i shqetësuar dhe më dukej si në ëndërr, sikur ky djalosh fatkeq pa pushim më lutej dhe më thoshte: “Të lutem Saimir, më shpëto dhe më nxirr nga gurët!” Unë, në prani të burgosurve, i’u luta Komandës së Burgut të Spaçit që nën përgjegjësinë time, ta nxirrja trupin e të aksidentuarit nga galeria. Pasi më lejoi Policia, unë, i vetëm dhe duke zbatuar ligjet e Arkimedit, me anë të levave metalike dhe atyre të drunjta, arrita t’i zhvendosja blloqet e mëdha të gurit dhe nxora trupin e tij nga gurët përmes lotëve, duke e mbajtur në duart e krahët e mia.

Ishte Jezu Krishti që më dha forcë dhe kurajë të madhe që të bëja këtë akt tepër të guximshëm dhe human, duke rrezikuar mjaft edhe veten time nga shembja e galerisë. Galeria e Minierës së Bakrit, që ndodhej qindra metra nën tokë, më dukej sikur ishte në Ferrin e botës. Gurët e mëdhenj të galerisë kishin dëmtuar kokën dhe trupin e tij, të cilat ishin tepër të gjakosura. Unë u lebetita dhe u trondita shumë kur i vetmuar, pashë këtë skenë makabre nën dritën e zbehtë të kandilit tim të minierës. Lotët dilnin pa pushim nga sytë e mi dhe u bëra si i çmendur.

Ajo pjesë e galerisë rrezikohej të shembej përsëri, duke rrezikuar mjaft jetën time. E tërhoqa trupin e tij dhe e vendosa në një vend jashtë rrezikut të shembjes së galerisë. Unë grisa përnjëherësh këmishën time dhe lidha me rripa lecke kokën e tij të thyer keqas, si dhe i lava e i pastrova fytyrën e nxirë dhe të gjakosur. Pastaj i vura dy duart e tij para gjoksit dhe i’a mblodha të dyja këmbët. Unë Saimir Maloku, në Burgun e Spaçit, u ula në gjunjë dhe me të dyja duart lart, e duke bërë herë pas here kryqin, i lutesha Jezu Krishtit për këtë viktimë të pafajshme.

Lotët nuk më pushonin. Mallkoja diktatorin dhe komunizmin si fajtorët kryesorë të kësaj tragjedie të tmerrshme, të cilët kishin burgosur dhe sjellë në Burgun e Spaçit ajkën e rinisë properëndimore të vendit tonë. Pas lutjeve fetare, lajmërova infermierin Flamur Mullaj, i burgosur politik edhe ky, që të më ndihmonte ta zbrisnim përmes furnelave të galerisë, trupin e tij të vdekur. Ne të dy ishim të burgosurit që i dhamë lamtumirën e fundit, duke e puthur në ballë dhe duke i’u lutur Zotit, që ai të prehej i qetë në jetën e tij të amshueshme. Me shpejtësi unë bëra një kryq të vogël prej druri dhe i’a kalova te qafa. Pastaj, me disa të burgosur të tjerë dhe të mbuluar në çarçaf, e transportuam me një barelë kufomën e tij te Komanda e Burgut.

“Komanda e Burgut, s’ia dha familjes trupin e vdekur të djalit të tyre”!

Një “engjëll i rinisë shqiptare” u shua në lulen e jetës pa shijuar dhe provuar as dashurinë, as familjen e tij të ardhshme dhe as të bëhej prind. Komanda e Burgut dhe të gjithë të burgosurit politikë, më falënderuan për këtë akt timin tepër human dhe të rrezikshëm, që falë ndihmës dhe besimit te Zoti, arrita me mjaft vështirësi ta realizoja. Prej asaj dite, Policia më lejonte të mbaja ndonjë fashë, pak pambuk, një shishe të vogël peniciline me alkool dhe me jod, për të mjekuar shokët e mi kur aksidentoheshin në minierë gjatë punës.

Kjo ndjenjë humane ishte në shpirtin tim, sepse shokët e mi bashkëvuajtës, u bënë si familja ime e dytë. Ishin ligjet e fizikës që më ndihmuan të bëja një akt të tillë human dhe tepër të rrezikshëm, duke fituar respektin e qindra të burgosurve politikë. Komanda e burgut nuk i lajmëronte asnjëherë familjet e viktimave. Një muaj pas kësaj ndodhie fatale, në burg erdhi familja e djaloshit nga Shkodra, i cili vdiq në lulen e rinisë. Por kufoma e këtij djaloshi, sipas ligjeve komuniste, nuk i’u dha familjes së tij. Ai duhet të kryente vuajtjen e dënimit edhe i vdekur deri në aq vite sa ishte dënuar. Ja deri ku arrinte mizoria dhe arroganca komuniste!

“Si ma falën pjesën e mbetur të dënimit, pas asaj ngjarje”?!

Falë akteve të mia humane në këtë burg, si punëtor i dalluar i minierës, si dhe të padrejtësive të mëdha juridike që ishin bërë në gjyqin tim, me propozim të Ministrisë së Mbrojtjes, të Drejtorisë së Burgjeve të Shqipërisë, të Prokurorisë së Përgjithshme, si dhe të banorëve të lagjes ku unë banoja në Tiranë, më datën 31 janar të vitit 1985, Kryesia e Kuvendit Popullor të Shqipërisë, më fali pjesën e mbetur të dënimit. Propozimi për faljen e dënimit tim, u bë edhe nga Komanda e Repartit 303, pra e Burgut të Spaçit më datë 17 dhjetor të vitit 1983, firmosur nga Xh.Z. komisar dhe M.M. komandanti i repartit.

Me këtë rast unë falënderoj të gjithë personat që propozuan për faljen e pjesës së mbetur të dënimit tim pranë Parlamentit të Shqipërisë, që në atë kohë quhej Kuvendi Popullor. Vlen të përmendet se gjatë kohës që unë u lirova nga burgu, të 700 të burgosurit politikë që kishin mbetur aty, pas Amnistisë së vitit 1982 që shpalli Kuvendi Popullor, më uronin dhe më përqafonin sikur të ishim vëllezër apo shokë të ngushtë. Kur dola nga dera e madhe e Burgut të Spaçit, thashë me vete: “O Zot, as hasmi mos ta shikojë kurrë derën e burgut. Ju lutem, lirojini sa më shpejt shokët e mi bashkëvuajtës, të cilët ishin njerëzit më të dashur të vuajtjeve të mia, që ndihmonim dhe i’a qanim hallin njëri-tjetrit”. M’u mbushën sytë me lot, kur shikoja 700 të burgosur që kishin jetuar e vazhdonin të rrinin në burg. Ishte Fatos Lubonja, shoku im i ngushtë, i cili, në mos gaboj, ishte personi i fundit që më përcolli deri te porta, tek “Ura e miqësisë”, siç e quanim ne atë, duke më thënë: “Je njeri i mrekullueshëm, me arsim të lartë dhe duhet të të përshëndes i fundit, edhe unë me arsim të lartë”. Ai ishte gjithashtu, personi i fundit që më përqafoi dhe më përshëndeti kur u lirova. Duke përfituar nga rasti, e falënderoj shumë atë edhe sot e kësaj dite së bashku me Spartak Ngjelën, të cilët përmes mediave, mbrojnë dinjitetin dhe reputacionin e Shtresës së të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë.

Sipas traditës, unë tërhoqa zvarrë te dera e burgut këmbën e djathtë. Kjo simbolizonte atë, që mbas meje të liroheshin edhe shokët e tjerë të burgut. Unë zbatova traditën apo zakonet e të burgosurve politikë ndër vite. Lirimi, m’u duk si diçka e pabesueshme. Kjo sepse kur më futën në Burgun e Burrelit, oficerët e Sigurimit të Shtetit, më drejtoheshin mua dhe popullit të Burrelit, duke thënë: që Saimiri do të hyjë në burg dhe nuk do të dalë prej andej. Por ndodhi e kundërta. Hyra në burg si njeri, u trajtova si kafshë dhe dola si njeri, me një personalitet dhe dinjitet njerëzor e me karakter të fortë, i cili u krijua nga jeta ime e vështirë në burg. Kjo gjë më kujtonte fjalët e njerëzve të moshuar që thoshin: “Kur të merr polici kthehesh prapë, ndërsa kur të merr hoxha dhe prifti nuk kthehesh më në shtëpi”.

“Privilegjet që u ‘kërkoja’ policëve, pasi u rregulloja radiot”!

Pasi u hoq feja në vitin 1967, po këta njerëz të nderuar thoshin: “Burgu për burrat është”. Pa viktima në komunizëm, nuk do të kishte demokraci të sotme. Unë e kisha ndërgjegjen të pastër dhe tashmë në jetë duhet të ecja me kokën lart. Zemra dhe truri im jetonin me shpresë se çdo gjë në të ardhmen do të bëhej më mirë. Kjo sepse pas shtrëngatës dhe furtunës së mallkuar komuniste, do të dilja dhe do të shikoja së shpejti diellin e Demokracisë. Dhe ashtu ndodhi. Kot nuk thonë: “Kush shpreson, ai jeton”. Atë ditë i’u fal dënimi 20 personave të dënuar politikë në Burgun e Spaçit, të cilët vërtet fituan lirinë, por shumica ishin të sëmurë rëndë, apo me sëmundje të pashërueshme, në jo pak raste me trauma psikike. Të gjithë u liruan atë pasdite bashkë me mua. Unë bëra gjithsej 8 vite 10 muaj e 20 ditë burg politik. Për të rritur moralin tim dhe për të bërë shaka, unë shpeshherë kur më pyesnin se sa vjeç isha, u përgjigjesha, duke ulur 9 vjet nga mosha. Vlen për t’u përmendur sërish, se krahas punës time të vështirë në minierën e Spaçit, në një dhomë të vogël 300 metra larg Burgut, arrita të krijoja një laborator pune radioteknike, ku fshehurazi riparoja edhe radiot e dorës, apo ato të shtëpive të punonjësve të policies, si dhe të punonjësve të lirë të minierës. Gjithashtu montoja dhe i bëja atyre shumë pajisje të thjeshta elektronike televizive. Në shkëmbim të punës që bëja, u kërkoja atyre privilegje, si zgjatje të orareve të takimeve të shokëve të mi me familjarët e tyre, apo të nxirrja nga qelitë ndëshkimore të Policisë, për shokët e mi të arrestuar dhe të ndëshkuar për mosrealizim të normës ditore të punës.

“Ndëshkimi me një muaj në biruc, për 7 radiot e dorës që më gjetën gjatë kontrollit”!

Me anë të këtyre radiove, unë fshehurazi dëgjoja muzikë dhe lajmet kryesore të stacioneve italiane dhe ato në gjuhën angleze. Kjo më ndihmonte shumë mua, që të informoja shokët e mi bashkëvuajtës për situatën e vërtetë në Shqipëri dhe në botë. Por dy të burgosur politikë, që ishin spiunë të Policisë, kishin informuar fshehurazi Komandën e Burgut të Spaçit, për të gjithë veprimtarinë time të mësipërme. Për këtë “Laborator radioteknik” të fshehtë, Komanda e Burgut më futi në qeli si ndëshkim, duke më dënuar me 1 muaj izolim. Këtë gjë e vërtetojnë dy shkresat përkatëse, si Raporti i Shërbimit dhe Fletë – dënimi, të datës 4 Qershor të vitit 1982, firmosur nga P.C. – komisar dhe A.M. – oficer i rojës të repartit 303 të Burgut të Spaçit.

Aty shkruhej se: “Gjatë kontrollit në magazinën e veshmbathjes brenda minierës, Saimir Malokut i’u gjetën 7 radio dore, që i’a kishin çuar për t’i rregulluar persona të jashtëm ndaj të cilëve u mbajt qëndrim. I dënuari Saimir Maloku ka riparuar sende personale në kundërshtim me urdhrin e Komandës së repartit dhe dënohet me 30 ditë izolim në birucë”. Fatmirësisht, disa kuti elektronike televizive, apo kanaçe televizive UHF që i kisha ndërtuar unë aty, i’a kisha dhënë personave të jashtëm të minierës dhe të Policisë disa ditë përpara kontrollit. Falë ndërhyrjes së punonjësve të minierës dhe të Policisë, m’u fal dënimi ndëshkimor. Isha i gëzuar se kështu vura shkencën dhe profesionin tim në ndihmë të të burgosurve politikë, të cilët i konsideroja si shokë të ngushtë apo vëllezërit e mi.

Koha e Demokracisë ka treguar se shumë nostalgjikë apo spiunë të komunizmit edhe sot e kësaj dite kërkojnë të hedhin baltë dhe vrer nëpër media për të burgosurit politikë të Spaçit, që ishin si heronj të vërtetë që kundërshtuan regjimin komunist./Memorie.al

ObserverKult

—————————-

Lexo edhe:

ANTON ÇETTA: DO TË VIJ PRAPË, POR PËR NJË PUNË TJETËR, EDHE MA TË MADHE SE KJO