
Ditën kur ndërroi jetë Nana
Ama u dha urdhër bletëve
Ikni se iku Zoja e Shtëpisë.
Se si u mbush pylli përplot bletë
Si ré të zeza fluturonin rretheqark
Askush guxonte të avitej pranë tyre
U agraisën tmerrshëm, sëmbonin gjithkah…
Atë ditë papritur ndryshoi jeta
Si n’teatrin bosh ra perdja e zisë
Çikat nga pikëllimi prenë gërshetat
Vaji tmerronte trarët e shtëpisë.
Ditën kur ndërroi jetë Nana
Nuset hoqën unazat, byzylykët
Nga arkat e tyre edhe dashuria u arratis
Krejt papritur nga shkundullima e mortit
Qielli u murrëtua, gjithçka u përmbys.
Pastaj nisi të bjerë shi si me shtambë
Lotët me shiun bashkoheshin nën qepalla
Përroi i pikëllimit rritej ditë e natë.
Në Drekë të Mortit mëlmesë kishim mërzinë
Bletët nga pylli s’u kthyen që s’u kthyen
Pa Nanën thoshte Ama, nuk kthehemi në shtëpi.
Ditën kur ndërroi jetë Nana
Shpirti u mbështoll me rrëzëllim qiellor
Zoti ynë, sot e atë ditë ndryshoi gjithçka
Ndryshe tash e ndjej edhe Valsin Pranveror.
ObserverKult
Lexo edhe:
Bajram Mjeku: Shiu i përlotur






