
Nga Emin AZEMI
Fati i Gjergj Fishtës mbetet ndër dëshmitë më rrëqethëse se si politika mund ta gjymtojë trashëgiminë shpirtërore të një kombi. Kur shfletojmë arkivat ndërkombëtare, ballafaqohemi me një të vërtetë sa tronditëse aq edhe iluminuese. Bota e jashtme, përfshirë shtypin e hershëm klerikal slloven, e shihte klerikun françeskan përmes thjerrëzës së një admirimi të pakushtëzuar shkencor e kulturor. Kjo jehonë dokumentohet saktësisht në faqet e revistës fetare sllovene “Kraljestvo Božje” (Mbretëria e Perëndisë), e cila shërbeu si organ zyrtar i Apostolatit të Shën Cirilit dhe Metodit. Në numrin e saj të tretë të vitit 1941 (Viti XV, Nr. 3), nën rubrikën “Albanija”, ky organ botonte nekrologjinë e plotë për vdekjen e poetit Gjergj Fishta:
“Më 30 dhjetor vdiq në Shkodër nga një sulm në zemër shkrimtari i njohur shqiptar atë Gjergj Fishta. Ai studioi në Kreshevë të Bosnjës, ku thuri një dashuri të përhershme për popullin kroat. Në Bosnjë ai u shugurua gjithashtu në vitin 1894 si një françeskan 23-vjeçar, pas së cilës u kthye në atdhe, ku ra në kontakt me inteligjencën më të lartë shqiptare. Si drejtor i shkollave françeskane në Shkodër, ai futi i pari në to gjuhën shqipe, me gjithë ndalimin nga autoritetet turke. Falë meritës së tij, shqiptarët pranuan alfabetin latin si shkrim zyrtar, ndërsa më parë në këtë drejtim mbretëronte një rrëmujë e madhe, pasi përveç alfabetit latin dhe qirilik, përdorej edhe shkrimi grek dhe ai arab. Ai u afirmua veçanërisht si shkrimtar. Me vlerë të madhe janë poezitë e tij, si dhe veprat dramatike. Për meritat e tij të mëdha, shpejt pas pushtimit të Shqipërisë, ai u bë anëtar i Akademisë Italiane.”
Në këto rreshta të shkruar në kohë lufte, ai përshkruhej si arkitekt i kulturës shqiptare që i dha fund kaosit të shkrimeve dhe që unifikoi kodin grafik të gjuhës shqipe përmes alfabetit latin. Për botën erudite perendimore, Fishta ishte urëndërtuesi ballkanik që kultivonte miqësi kulturore dhe që nderohej në akademitë më prestigjioze evropiane.
Krejt ndryshe rrodhi historia në tokën që ai e këndoi me vargje kushtrimi. Ardhja e regjimit komunist pas vitit 1945 ngriti një mur të hekurt harrese mbi Homerin shqiptar, duke e shpallur poetin e lirisë si armik të klasës dhe duke tentuar t’i fshijë madje edhe varrin. Ky ndyrshim hapi një kapitull inkuizicioni kulturor ku shteti investoi të gjithë mekanizmat e tij propagandistikë për ta fshirë poetin kombëtar nga kujtesa kolektive. Lahuta e Malcís u shndërrua në një anatemë politike dhe posedimi i saj dënohej me burgim. Nuk mjaftoi censura mbi tekstet apo tjetërsimi i meritave të tij në Kongresin e Manastirit. Urrejtja ideologjike e kaloi kufirit e jetës biologjike, duke arritur deri te dhunimi makabër i varrit të tij në Shkodër dhe hedhja e eshtrave në lumë, një akt që synonte zhdukjen përfundimtare të çdo gjurme fizike.
Ky paradoks midis vlerësimit jashtë kufijve dhe persekutimit brenda tyre merr përmasa akoma më komplekse kur analizohet përmes dëshmive të vetë bashkëkohësve të tij më të mëdhenj. Madje edhe një zë kaq rebel dhe ideologjikisht i ndryshëm si Migjeni, nuk mund ta mohonte peshën specifike të autorit të Lahutës. Edhe pse përfaqësonte një frymë krejtësisht novatore e sociale, Migjeni e çmonte madhështinë e stilit dhe forcën shprehëse të gegërishtes fishtiane, duke e parë atë si një shtyllë të palëkundur të identitetit tonë letrar. Për Migjenin, Fishta mbetej një pikë referimi e pashmangshme me të cilën duhej të matej çdo krijues që guxonte të shkruante shqip.
Në te njëjtën linjë të vlerësimit absolut, por nga një këndvështrim më estetik, pozicionohej edhe shkrimtari Ernest Koliqi. Ai e sintetizoi këtë përjetësi në mënyrë lapidare kur deklaroi se Fishta heshti, por këngët e tija do të tingëllojnë të gjalla deri sa të flitet shqip nën kupën e qiellit. Koliqi e shihte poetin si një institucion shpirtëror që i kapërcente kufizimet kohore dhe regjimet politike, duke e projektuar veprën e tij si një pasuri të përjetshme të kombit.
Ky ballafaqim epokash na tregon se diktaturat mund të kontrollojnë përkohësisht tekstet letrare dhe të dhunojnë varret, por nuk kanë asnjë pushtet mbi gjenin kulturor të një populli. Trajtimi i Fishtës jashtë vendit si një figurë me përmasa homerike, i pasqyruar lartazi në dëshmitë e shkruara të vitit 1941 në shtypin slloven, dhe dënimi i tij i mëvonshëm brenda atdheut si një reaksionar, mbetet dëshmia më e pastër e asaj se si një regjim mund t’i shpallte luftë vetë palcës kulturore kombëtare. Koha provoi se vlerësimi i botës dhe profecia e Koliqit ishin më të forta se inati i diktaturës, duke e rikthyer Fishtën aty ku e kishte vendin, në altarin e letrave shqipe.
ObserverKult


Lexo edhe:






