reklamë

Shuhet aktori dhe regjisori i njohur gjirokastrit Osman Buzo

Osman Buzo, aktori, regjisori dhe drejtuesi i Teatrit të Kukullave në Gjirokastër, është ndarë nga jeta këtë të premte.

Gjirokastra ka humbur një nga figurat që lanë gjurmë të rëndësishme në jetën kulturore dhe në ruajtjen e kujtesës qytetare.

Osman Buzo, regjisor, aktor dhe drejtues i Teatrit të Kukullave në Gjirokastër për më shumë se 40 vjet, u nda nga jeta duke lënë pas një kontribut të çmuar në art, kulturë dhe publicistikë.

Përgjatë rrugëtimit të tij, Buzo u shqua jo vetëm si artist dhe drejtues, por edhe si kronikan dhe publicist i njohur, veçanërisht për Libohovën dhe Gjirokastrën.

Një pjesë të rëndësishme të punës së tij ia kushtoi promovimit të historisë, traditave dhe vlerave të Libohovës, duke u përpjekur të ruante dhe t’ua përcillte brezave pasurinë e saj kulturore dhe historike.

Me shkrimet, kujtesën dhe pasionin e tij, Osman Buzo u bë një zë i rëndësishëm i jetës kulturore të Gjirokastrës dhe një promovues i palodhur i vendlindjes së tij.

Përmes punës së tij, ai dokumentoi njerëz, ngjarje, tradita dhe vlera që përbëjnë një pjesë të rëndësishme të kujtesës së kësaj treve.

Osman Buzo do të prehet në vendlindjen e tij, në Libohovë, aty ku la edhe gjurmët më të forta të lidhjes së tij me historinë, kulturën dhe traditat e qytetit.

Me ndarjen e tij nga jeta, Gjirokastra dhe Libohova humbin një figurë të përkushtuar të artit dhe kulturës, ndërsa kujtimi dhe kontributi i tij do të mbeten pjesë e trashëgimisë kulturore të kësaj treve. 

ObserverKult