
Frank Beard, bateristi i trios së famshme nga Teksasi, i muzikës boogie-rock ZZ Top, ka ndërruar jetë në moshën 77-vjeçare. Beard, i cili formësoi ritmin e hiteve më të mëdha ndërkombëtare të grupit si “Sharp Dressed Man”, “Gimme All Your Lovin’” dhe “Legs”, u nda nga jeta të martën në fermën e tij në Richmond të Teksasit, i rrethuar nga pjesëtarët e familjes.
Përmes një deklaratë zyrtare, bashkëthemeluesi i grupit dhe kitaristi Billy Gibbons e vlerësoi lart kontributin e tij gjashtëdekadash.
“Sot, unë dhe Elwood humbëm një mik dhe bashkëpunëtor të shkëlqyer, dhe bota humbi një nga bateristët më inovativë nga natyra dhe një bir të madh e të vërtetë të Teksasit. Ritmi i tij karakteristik ishte çelësi për ta mbajtur ZZ në krye. Grupi muzikor, pjesë e të cilit ai ishte për gjashtë dekada, do të vazhdojë të ecë përpara ashtu siç kishte dëshiruar ai”, tha Gibbons.
Pesë dekada në majat e muzikës botërore
I lindur në Frankston të Teksasit, Beard u takua me Gibbons përmes grupit The Moving Sidewalks dhe më pas prezantoi basistin Dusty Hill. Së bashku, ata formuan ZZ Top në vitin 1969, duke ndërtuar një karrierë të jashtëzakonshme me më shumë se 50 milionë disqe të shitura në mbarë botën, gjashtë këngë në vendin e parë të listës Mainstream Rock Airplay të Billboard dhe futjen në Rock & Roll Hall of Fame në vitin 2004.
Grupi u bë i njohur globalisht jo vetëm për hibridin e tyre unik të rock-ut, blues-it dhe funk-ut që nga albumi i tyre debutues në vitin 1970 dhe suksesi shpërthyes me “La Grange” më 1973, por edhe për imazhin ikonik me mjekra të gjata e syze dielli.
Humbja e Beard vjen pas tërheqjes së tij të përkohshme nga turnetë gjatë marsit 2025 për shkak të problemeve shëndetësore, si dhe anulimit të koncertit të grupit në Hollywood Bowl. Beard lë pas bashkëshorten e tij, Debbie Meredith, dhe tre fëmijët e tyre.
ObserverKult






