
Jam grue që nuk njeh kufi.
Jam egërsinë që nuk zbutet.
Nuk pyes. Nuk pres. Nuk ndalem
për asgja e prej asgjaje.
S’njoh ligj e rregull.
S’kam as vend t’paracaktuem.
E çaj çdo mburojë,
e çdo pengesë që m’del para
m’ndez ma shumë.
2.
Jam grue që merr.
T’ndjeki,
e kur t’za s’t’lëshoj.
T’joshi,
e kur t’pushtoj,
t’shtrëngoj deri n’pikën
ku nuk e dallon ma
a po m’don a po digjesh.
3.
Buzët e mia nuk t’puthin.
T’kafshojnë.
Dhe… t’lajnë shenja për tan’ jetën.
Masnej t’hi n’trup, t’hi n’gjak,
t’hi aty ku nuk mun’ m’nxjerr kush.
T’hi për kadaldale.
Nuk e kam për ngut, syn,
as s’kam frikë prej kohës.
Ti e di, s’jam grua që t’kalon.
Unë rri. Vendosem. Mbetem.
Nën lëkurë.
N’trup.
N’kry.
N’mendje.
Derisa t’bahem frymë e jotja.
4.
Jam grue prej zjermi!
Përhapem e rritem
derisa gjithçka që preku
fillon me marrë trajtën teme.
Me marrë flakë.
Nuk kam mëshirë as për ty,
as për veten.
T’djegi e digjem krejt.
E prej hini çohem prapë.
Ma e randë.
Ma e thellë.
Ma e etun.
Ma e pamëshirshme.
5.
Mos kujto që m’njeh!
Asht nji vend n’mue
ku as vetë s’hyj shpesh.
Nji errësinë që s’ka emën.
Aty s’ka dashni. S’ka shpirt.
S’ka zemër. S’ka as trup.
Aty jam heshtje e randë.
Heshtje që pret…
E nëse m’prek aty,
nuk t’djegi,
t’zhduki!
*shkëputur nga libri “grue prej zjermi”, Littera, 2026

ObserverKult
Lexo edhe:
Ag Apolloni: Revolucioni i trupit në librin “Grue prej zjermi”
Mërgim Bekteshi: Arkitektura poetike e qenies te libri “Grue prej zjermi”
Rami Kamberi: Poetika e trupit, identitetit dhe lirisë në librin “Grue prej zjermi” të Donika Dabishevcit
Sarë Gjergji: Trupi, pushteti dhe rezistenca në “Grue prej zjermi” të Donika Dabishevcit
“Grue prej zjermi” nga Donika Dabishevci, një himn poetik për gruan, dashninë e lirinë






