
Migena Aleksi
Në epokën e rrjeteve sociale, kufiri mes letërsisë së mirëfilltë dhe romantizmit populist digjital është bërë gjithnjë e më i pakuptueshëm. Një nga shembujt më tipikë të këtij fenomeni është shprehja e famshme që qarkullon në dhjetëra gjuhë të botës: “Mos rresht kurrë së buzëqeshuri, madje as kur je i trishtuar, sepse kurrë nuk e di se kush mund të dashurohet me buzëqeshjen tënde”.
E shpërndarë me mijëra herë nën emrin e gjigantit të realizmit magjik, Gabriel García Márquez, kjo frazë në të vërtetë nuk është shkruar kurrë prej tij.
Origjina e një mashtrimi letrar: “13 frazat për jetën”
Në maj të vitit 1999, kur autorit të “Njëqind vjet vetmi” iu diagnostikua një kancer limfatik, në rrjet nisi të qarkullonte një letër lamtumire e titulluar “Letra e lamtumirës” (La Marioneta ose 13 frases para vivir).
Letra përmbante një sërë këshillash melodramatike mbi jetën, miqësinë dhe dashurinë, mes të cilave edhe frazën mbi buzëqeshjen..Teksti u përhap me shpejtësi marramendëse në mbarë botën. Megjithatë, e vërteta doli shpejt në dritë. Teksti origjinal i përkiste në të vërtetë një ventrilokisti dhe artistit meksikan të kukullave, Johnny Welch, i cili e kishte shkruar si pjesë të një monologu për kukullën e tij të quajtur “M thinko”.
Vetë García Márquez ndërhyri publikisht për të përgënjeshtruar autorësinë, duke deklaruar me ironinë e tij karakteristike: “Ajo që mund të më mbysë është se njerëzit mendojnë se unë vërtet shkruaj aq keq. E vetmja gjë që më dëshpëron është se do të doja të vdisja pa u analizuar nga të tillë kritikë”.
Kulti i thënieve të rreme në internet
Pavarësisht përgënjeshtrimit zyrtar nga vetë autori dhe nga Fondacioni Gabo, faqet e internetit, portalet e kulturës popullore dhe imazhet virale vazhdojnë t’ia atribuojnë këtë thënie fituesit të çmimit Nobel.
Kjo nuk është një dukuri e izoluar. Emra të mëdhenj të letërsisë botërore si Jorge Luis Borges, Pablo Neruda, Ernest Hemingway apo Albert Camus bien vazhdimisht “pre” e citateve të thjeshtëzuara që krijohen nga përdoruesit e internetit për të tërhequr klikime.
García Márquez njihet për gjuhën e tij të pasur, komplekse dhe thellësisht njerëzore, por kjo frazë mbetet thjesht një produkt i përditshmërisë digjitale, një kujtesë se në internet, jo çdo gjë që shkëlqen me emrin e një kolosi është letërsi e vërtetë.
ObserverKult
Lexo edhe:
MBANI MEND: Markezi nuk ka shkruajtur “Letër lamtumirëse”, Johnny Welch është autori!
Me tituj tejet patetik si: “Letra e lamtumirës”, apo “Letra prekëse e Markezit pasi doli me kancer”, apo edhe ” Ah Zoti im, sikur të kisha një copëz jetë”, po vazhdon të bëjë xhirot e saj nëpër botë, duke ja mveshur autorësinë të madhit Gabriel Garsia Markez, monologut “Kukulla” të shkrimtarit Johhny Welch .
Dezinformimi nisi fillimisht nga mediat meksikane, duke u shpërndarë tutje në Amerikën Latine, për të vërshuar pataj edhe në SHBA dhe Evropë.
As mediet shqiptare nuk kanë shpëtuar nga kjo zallamahi ngatërresash. Si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri, Gaboja i madh vazhdon edhe sot e kësaj dite “të recitoj” vargje Welchiane çastesh të fundme, pavarësisht se autorësia e saj ka kohë që është sqaruar, transmeton ObserverKult.
Është publicisti Albert Vataj, ai i cili ishte ndër të parët trajtoi autorësinë e këtij teksti tek ne, duke shkruajtur dhe publikuar edhe trajtesë ku flet gjërë e gjatë për ngatërresën.
“Autori i poemës “Kukulla”, i kësaj krijimtarie që ka përçuar kaq shumë energji, që ka motivuar shumë e shumë njerëz në mbarë rruzullin është e shkrimtarit, komedianit dhe ventriloquist-it meksikan, Johnny Welch”, shkruan Vataj duke sqaruar tutje se edhe e shumënjohura, “La Republica”, bashkë me portalet e ndryshme, për një dhjetëvjeçar kanë dezinformuar opinionin dhe admiruesit, kanë abuzuar duke i atribuuar gabimisht autorësinë e kësaj poeme, e këtyre vargjeve monumentale, nobelistit Gabriel García Márquez (1927-2014).
“Megjithëse autori i pretenduar, Gabriel García Márquez, sa ishte gjallë u përpoq të bindte lexuesit se “Kukulla” nuk ishte shkruar prej tij, “se unë nuk jam kaq shumë i djathtë”, e pati të pamundur të ndalte vërshimin e këtij keqkuptimi. Edhe pse ai e bëri përmes një deklarate shtypi, sërish këto vargje e kishin të pamundur t’i riktheheshin autorit të vërtetë të tyre, ventriloquist-it, Johnny Welch.
Edhe pse Welch e ka interpretuar disa herë në emisionet televizive meksikane, bota e madhe zgjodhi të ishte e ndarë në mes, në ata që besojnë në autorin e rrem dhe në ata që besojnë të vërtetin.
Kur Gabo u shua më 17 prill 2014 fama e këtij krijimi mori përmasa përmbytëse, ripublikuesit dhe promovuesit e kësaj poeme as që donin t’ia dinin se këto vargje nuk i përkisnin Markezit që kishte marrë udhën e përjetësisë.
Mediat prestigjioze, përfshi dhe BBC e kanë trajtuar këtë dezinformim, duke e konsideruar si të rëndësishme atribuimin e këtyre të drejtave, të kësaj fame, autorit të vërtetë. Gjithsesi, historia botërore, ka patur, ka dhe do të ketë gabime të këtilla.
Teknologjia, e drejta e publikimit pa lejen e autorit dhe neglizhenca të kësaj natyre, bëjnë që kjo epidemi të jetë e shumëfishtë dhe më e rrezikshme, kjo edhe për një fakt shumë të thjeshtë se lexuesi i interesave të përcipta nuk është kureshtar për autorin e atij mëkimi që atë e mbush, e motivon, e ushqen me çfarë ai ka kaq shumë nevojë“, thekson Vataj.
Ua rikujtojmë se ngjashëm interneti dhe rrjetet sociale e kanë vendosur një monolog të fuqishëm në gojën e aktores Meryl Streep, gjë për të cilën ObserverKult ka shkruajtur kohë më parë.
Në vazhdim para se t’ua risjellim edhe njëherë tekstin “Kukulla” të Johnny Welch, thjesht sa për t’i thirrur kujtesës, se nuk është Markezi autori të cilin mund ta gjeni duke klikuar në link:
ObserverKult






