
I thuaj diçka!
“Çfarë t’i them?”
Çfarëdo qoftë.
Vetëm drejtohu kah ajo!
Mos ia lër shpirtin
të presë në korridorin e heshtjes.
As ftohtësinë e vetmisë,
mos e lejo
t’ia ngrijë frymën,
se ka frikë…
një ditë do të marrë frymë
dhe prej saj do të dalë
vetëm avulli i një emri,
që dikur ishte prush i shpirtit t’saj.
“Gjërat thuhen kur ndihen.
Fjalët nuk duhen nxjerrë me zor
nga dhoma e zemrës!”
E di.
Mos flisni për ju,
flisni për çfarëdo qoftë,
qeshni… edhe qani fundja!
I mjafton vetëm pak.
Edhe gurët nuk shkëputen nga mali
pa e ndier plagën e vet.
Por, ndonjëherë
një gur i vogël në pëllëmbë,
është i vetmi dëshmitar
se një rrugë ka kaluar aty.
Nuk të kërkon fjalë të mëdha,
as premtime të gdhendura
mbi pllakat e së nesërmes.
Vetëm një shenjë të vogël,
që ura mes jush,
ende nuk është mbuluar
nga barishtet e heshtjes.
Ti e di, se ka heshtje
që janë të thella si urtësia,
por ka edhe heshtje
që e rrisin myshkun mbi dyer
dhe harrojnë çelësin brenda.
Disa lidhje nuk maten
me sa herë thirren me zë.
Disa rrinë si ujëra të fshehura nën tokë,
por edhe burimi më i thellë
ka nevojë ndonjëherë,
të dalë në sipërfaqe që udhëtari ta kuptojë,
se ende rrjedh.
Nuk pret prej teje një botë me fjalë.
Ndonjëherë mjafton
një fjali e vogël,
një gjurmë boje mbi një faqe,
që zemra të mos i ndihet,
sikur flet me një kujtim.
Se… njeriu nuk humbet
kur nuk dëgjon fjalë të bukura.
Humbet atëherë,
kur bëhet i padukshëm
për dikë që ende e sheh.
Prandaj… i thuaj diçka!
Jo për ta mbushur ajrin,
por që mes jush
të mos mbetet, vetëm jehona e asaj,
që të dy e dini,
e që heshtja po e mban larg.
ObserverKult
Lexo edhe:






