reklamë

Neoromanticizmi: Një Lëvizje e “Re” Poetike

Ky shkrim i kushtohet profesorit Ilir Breca,
Edhe pse jam vetëm. . . s’jam vetëm” – At’ Donat Kurti, Zakone e Doke Shqiptare

Nga Albnor SEJDIU

I

Një Ndarje e Romanticizmit Britanik dhe Gjerman

Filologët e Oksfordit (inklings) kishin të drejtë: romanticizmi s’i takon moteve të epikës. Kur aioni i romancave mesjetare i mbylli sytë dhe fishkëllimat e shpatave kalorësiake të katolicizmit nuk jehonin për nderin e zonjave dhe mbretërive, poetika romantike erdhi jo për t’i rikthyer këto mote (sepse kjo ishte, mjerisht, krejt e pamundur). Ajo erdhi për ta pushtuar Europën si një poetikë e pikëllimit, e cila tregonte se ato gjëra s’ishin më dhe në vendin e tyre ishte ulur gjeniu romantik: i cili parakuptohej se do të na magjepste gjysmë me çmenduri dhe gjysmë me dehje, pa asgjë ndërmjet. Ishte njëky gjeni i njëjtë i cili e mësoi Europën të jetonte pak më ndryshe. Njeriu racional i moteve moderne, (të cilin Napoleoni e kurorëzoi duke e dalldisur nëpër Europë me shtirjen për të drejta, por me të njëmendtën e luftës dhe zgjerimit), po takonte kundërshtarin e tij. Dhe aty ku gjeniu romantik ishte në shtëpi (brenda besëtytnisë, mitit, çmendurisë, dehjes, errësirës): pikërisht aty njeriu racional ndihej unheimlich.

Kësaj kohe edhe piktori gjerman Friedrich Caspar-i, (megjithëse disa vite më vonë se daimoni i muzave të romanticizmit, Herr Bethoveni vetë, të griste copa-copa kushtimin e tij për Napoleonin), do të përfundonte pikturën – “Der Chasseur im Walde” [1814]. Piktura është e çuditshme, si çdo tjetër e Caspar-it, por në pëlhurën e saj e mban ndjenjën e njohur, tashmë të dëshpëruar, gjermane kundrejt Napoleonit. Volku gjerman thjesht ishte zhgënjyer me revolucionin. Piktura në fjalë e parashfaq një këmbësor ose gjuetar të ushtrisë napoleonike (Chasseur), të paraqitur si një Rückenfigur, i cili bën hapa para në thellësinë e një pylli gjerman. Sikur për të treguar dështimin e njeriut racional që tani takonte errësirën, të cilën ishte nisur ta kthente në iluminizëm: pamja e tij është e dëshpëruar, shpata e mprehur me revolucionin racional është e strukur dhe e padobishme para armikut të papritur dhe të dendur. Njeriu racional është i vetëm përballë një pylli më të lashtë dhe më të qëndrueshëm se jeta e tij dhe pak më mbrapa këtij njeriu të humbur, në një trung gjysmë-prerë, qëndron një korb. Si një ogur i vdekjes, korbi e bën të pranishëm Odinin, Hyjin gjermanik të dehjes, poetikës, dhe marrëzisë. Korbi aty është derëtari i një botë të “re”: shkruar ndryshe, në praninë e korbit dyert e zotave ishin hapur dhe romanticizmi ishte bërë karroca e tyre. I frikësuar, si Chasseur-i përball pyllit, njeriu racional tani kishte dëgjuar krrokun e një bote tejet të vjetër. Arsyeja, e cila i premtoi atij lirinë, i dha në fund vetëm nënshtrim dhe tjetërsim nga vetë vetja e vet për ta përjetuar jetën ashtu siç e kishte jetuar për mijëra mote.

Dyqind vite pas kësaj dhe në motet e sotme, ne e kemi parë se shumë nga romanticizmi nuk ishte vetëm një kundërpërgjigje: por erdhi të bëhej ajo kundër së cilës luftonte. Njëmend, kjo është sepse Iluminizmi dhe romanticizmi, në zanafillë, e ndanin një rrënjë të përbashkët: besimin në individin e pavarur. (Edhe pse, në anët e tjera, iluminizmi bënte bashkërrënjë me arsyen dhe mendimin, kurse romanticizmi me ndjenjat dhe përjetimin.) Dhe është pikërisht në shtegun sesi romantikët e trupndryshuan individin e pavarur, gjëja e cila dërgoi në ndarjen midis romanticizmit britanik dhe gjerman në përgjithësi; ku i pari e bëri romanticizmin më vete, kurse i dyti si një kundërpërgjigje enantiodromike ndaj iluminizmit. Me fjalë të tjera, përderisa Verteri i Gëtes bënte vetëvrasje pasi s’mund t’i përmbushte ndjenjat dhe të arrinte përjetimin e synimeve të tij vetjake: Keats-i, Shelley-i, dhe Wordsworth-i i hidhnin sytë tek Chatterton-i si një gjeni i përjashtuar dhe i pakuptuar (dikush që kishte bërë njëmend vetëvrasje, dhe nuk e kishte imagjinuar atë si Gëteja). Kjo mund të vërehet mandej edhe në kuptimin e “çmendurisë” romantike, Hölderlin-i kërkonte bashkimin e misterit të krishterë me grekët e lashtë: kurse William Blake-u krijonte botë dhe hyjni më vete, duke mos njohur krishterim tjetër përpos atij që i përdor “Artet Hyjnore të Imagjinatës.” Në çështjet jashtë kombit, në të cilën romantikët gjermanë dhanë Herder-in, Schleiermacher-in, dhe Schlegel-in, bashkë me çetën e filologjisë klasike: ata dështuan plotësisht të synonin arte të pastra sikurse romantikët britanikë. Edhe një filozof shpeshherë i quajtur romantik, sikurse Edmund Burke-u, i njohur ndryshe si ati i konservatorizmit modern, ndryshon mprehtësisht nga dikush si Herder-i, për shembull. Në fjalë të tjera, Sublime dhe Enchantment ndryshojnë plotësisht nga Bildung dhe Volksgeist, edhe pse të katërta janë organike dhe jo racionalo-mekaniciste. Ashtu siç ndryshojnë edhe Scruton-i apo Oakeshott-i, të cilët dolën prej Burke-ut: kundrejt çdo “konservatorizmi revolucionar,” të cilën Gjermania e trupoi në një mister të tërë në vitet e ndërmjetshme të luftërave botërore (Jünger, Heidegger, Schmitt etj.).

Në letërsinë shqipe, shumë më vonë dhe në rrethana kryekëput të mbijetesës kombëtare, ne s’kemi pasur romanticizëm të llojit britanik: por kemi pasur romanticizëm të llojit gjerman, të bashkëpërzier me ideale italiane (asaj dashurisë fëmijërore të pareshtur, të cilën e gjejmë te Petrarka apo Hipnoerotomakia e Polifilit). Naimi dhe Lasgushi, për shembull, mohuan t’i besonin vetësisë së imagjinatës dhe përjetimit si jetë më vete. Por kërkuan ose një pastërti të vargut përmes një manie të dashurisë (e gjitha lëvizja “gjuhë e pastër” është një ideal kombëtar gjerman): ose idealet e revolucionit francez, të ndërthurur kaq magjishëm me duart mistike të atij sufizmit të mrekullueshëm islamik. Kurse, vargmalet e letërsisë arbëreshe, De Rada e të tjera, janë përvetësime tërësore (të romantikes apo renesancës) italiane, të cilat qëndrojnë në të njëjtën vijë prej Varibobës e këndej. Edhe ajo që këtu do të quhet çmenduria e romantikes shqipe, të atillë që e gjejmë te vargjet magjepsëse nga Frederik Rreshpja, kemi të njëjtin ngatërrim dhe të njëjtat ëndrra që kishin filluar që nga moti në letrat shqipe, vetëm se tani të shërbyera njëkohësisht, dhe nganjëherë plotësisht të pakuptueshme. Kryeromanticizmi shqiptar, nëse dikush dëshiron të gjejë një fushëvetësi të dalluar, fillon dhe përfundon me Pashko Vasën. I cili, në një padurim që e duronte vetëm veten e vet, i dha një kombi të tërë, shqiptarisë, vetësinë e të qenit religjion. Asgjë më nderuese, dhe asgjë më e pamirëkuptuar, nuk ka buruar prej gurrës së Hyjit të poetikës shqipe për vetë shqiptarët, që prej ditës kur Vasa shkroi “feja e shqiptarit është shqiptaria.”

-IIOII-

Hyji i shpëtoftë të dashuruarit!” – Joseph Bédier, Romanca e Tristram-it dhe Iseult-ës

II

Neoromanticizmi dhe Letrat Shqipe

Neoromanticizmi ndan shumë gjëra me romanticizmin. E ndan me Sir Walter Scott-in, dashurinë për motet e mesjetës dhe kthimin në to, në ato mote ku nderi dhe qëllimi ishte dashuria e pakusht. E ndan dashurinë për arkitekturën e vjetër Europiane, e cila e dërgon shpirtin e vështruesit të saj drejt një ndjesie sublime dhe dehëse. E ndan me Tolkien-in dhe filologjinë klasike, dashurinë për romancat mesjetare dhe shkrimet qytetëruese të Greqisë së vjetër: më pak për ato të Romës, dhe akoma më shumë se shumë për ato të norvegjishtes dhe anglishtes së vjetër. E ndan me romanticizmin besimin liberal në individin e pavarur, po tani krejt degë-këputur nga besimi në revolucione: patjetër, besimin në individin e pavarur deri në atë pikë që individi lihet i lirë të ndjejë dhe të përjetojë për veten e vet nga turma, politika, politikëbërja, dhe shteti. Edhe pse kjo ndarje, mandej, e hedh poshtë liricizmin e romanticizmit, dhe ashtu siç ndodh me Tolkien-in, fantazisë i jepet rëndësia parake e epikës konservatore. Folklori bëhet parak, së bashku me mitet e zanafillës (Beowulf, proza dhe poetika Edda, Kalevala, Këngët Kreshnike, Nibelungenlied etj.). Pohime të tilla si “dashuria më goditi si shigjetë” hidhen poshtë, dhe pohime të tilla si “dielli është i gjelbër,” të besuara plotësisht që tregimi e përjetimi i fantazisë të bëhet i besueshëm, mbështeten.

Arti më i pastër dhe më i arritur neoromantik, njëmend, bëhet fantazia: jo sepse është “art për hir të artit,” por sepse nëse dështon të magjepsë lexues apo dëgjues, atëherë thjesht nuk është fantazi. Pra, kërkon që ars, apo techne, të bëhet (nëse më lejohet një tautologji etimologjike) shkathtësisht më magjepsëse se çdo bërje tjetër, dhe kur dështon të arrijë këtë, ashtu siç bëri “arti për hir të artit,” thjesht nuk është art apo fantazi fare. Mandej, ndahet nga ngatërresa e heshtur e romanticizmit britanik dhe e atij gjerman, duke e mbështetur krejtësisht atë britanik: kjo është, duke e mbështetur pikërisht atë ndjenjë të magjepsjes1 siç erdhi të argumentohej nga Scruton-i (shiko: England: an Elegy), Tolkien-i (Shiko: On Fairy-stories), apo Ursula (Shiko: The Language of the Night). Atë ndjenjën e cila e bën ngrehinën (house) tonë një shtëpi (home), kundrejt ngrehinës së dikujt tjetër (edhe pse të dyja janë objekte): dhe e magjepsë natyrën përreth kësaj shtëpie me Zana dhe gjuhë të vjetra, duke e bërë atë një homeland (që nuk është e njëjtë me atdheun dhe mëmëdheun). Një ndarje tjetër është bërja heraklitiane, me nënkuptime të filologjisë konservatore japoneze (koncepti i Norinagas “mono no aware”), e cila përqafohet si pajtim me përkohshmërinë e jetës përmes një gjuhe apo dialekti i cili i bën pasthirrmat dhe tingullin sërish të rëndësishëm për poetikën. Dhe krejt në fund dhe jo pa rëndësi, në ndryshim jo vetëm nga romanticizmi, por edhe nga moderna dhe postmoderna: “diskursi” ndryshohet nga kritika dhe intertekstualiteti, në atë se çfarë jeton dhe çfarë vdesë, (“diskurs” të atillë siç e gjejmë në zemrën e poetikës së Donika Dabishevcit apo Ali Podrimjes).

Në letërsinë e shqipes, neoromantikja do të thotë një kthim në romancat mesjetare dhe në ato çështje të cilat romanticizmi i la përgjysmë. Një kthim pas dhe seriozisht te filologjia e vjetër shqipe: Gjon Buzuku, Imzot Pjetër Budi, Imzot Pjetër Bogdani dhe Luka Bogdani marrin një rëndësi të lart si për nga gjuhë, ashtu edhe për nga tema e tyre. Gegnishtja merr hov si një dialekt i cili i përgjigjet, siç ka bërë gjithmonë, në mënyrë më të denjë Hyjit poetik të shqipes: qoftë edhe nëse pjesërisht, siç ndodh me Ag Apollonin dhe Ridvan Dibrën. Koka kthehet nga ajo kulturë e ruajtur e Malësisë së Madhe, e cila sa e sa herë e paragjykuar jo me të drejtë, nuk mund të mohohet se e përkufizon kulturën tonë me fiset, nderin, besën, mikpritjen, dhe dokninë (kanunin). E pohon një kthim në konservatorizmin e françeskanëve: At’ Harapit për të ruajtur historitë e përditshme; At’ Kurtit dhe At’ Palajt për të ruajtur këngët kreshnike; At’ Gjeçovit dhe At’ Kurtit për të ruajtur doket; At’ Pllumit për të ruajtur historinë e atyre që janë pa fat nga marrëzitë botërore. Dhe mbi të gjitha, një nuhatje se kryepoeti i nderit dhe i gegnishtes është At’ Fishta, qoftë ai i lahutës apo ai i luleve të vjeshtës: i cili në varrin e tij të gurëzuar me kryq, ndihej i përmbushur vetëm atëherë kur nderi i fiseve dhe Zanat i endeshin në krye, duke e kurorëzuar atë me gërsheta prej zambakut e trëndafilit. Kjo degë e katolicizmit me folkun shqiptar s’është e atillë sikurse krishterimi me folkun Grek të Hölderlin-it, për aq sa kjo degë katolike vetëm e ka ruajtur (si një metafizikë zgjatimi të “Hyji është dashuri”) dhe nuk e ka kërkuar zbehjen e njërës kundrejt tjetrës. Në këtë kuptim, ajo degë katolike e cila ruan e i ka ruajtur Zanat tona (prej 1685 deri në futjen e tyre edhe në Bibël), është veçanërisht katolike dhe e tëra me ndjesi neoromantike. Më tej, e kaluara jonë fisnore dhe folklorike merr një rëndësi tejet të madhe, duke i hedhur poshtë demonizime të tilla siç bën Nazmi Rrahmani apo pothuajse çdokush tani që është helmuar me idenë se ajo kohë ishte demonike. Ngrihen studime të tilla të kanuneve e fiseve tona sikurse nga Kazuhiko Yamamoto, Gjovalin Shkurtaj, Eqrem Çabej apo Robert Elsie e shumë, e shumë të tjerë. Kultura jonë përmblidhet jo duke u kthyer në një religjion romantik apo mote para-moderne, por në disa fjalë të përgjithshme, të cilat kanë qenë doknore për kulturën e veriut: Zanat e Verit, Lekënia, apo Gegnia.

Duhet kuptuar këtu se neoromanticizmi, pra, është një “gjendje” (për aq sa është një përjetim), por është edhe një qëllim për të përjetuar ndjenjën (magjepsjen) e kësaj gjendjeje. Megjithatë nuk është një ideologji: ajo është një “metodë” apo shteg për të përjetuar jetën. Nëse i bashkohet ndonjë ideologjie, në dy prej tyre është krejt e pamundur: komunizmit dhe nazizmit. Të dyja këto prodhime moderne, dashuria dhe idealiteti i të cilave tani janë një përzierje bakeqe e ironisë dhe mospërfilljes postmoderne për qëllime tërësisht moderne. Neoromantizmi dallon plotësisht prej trupimeve parake apo të tanishme të këtyre dy ideologjive, sepse është një “metodë” kundërpërgjigjeje si ndaj ironisë dhe mospërfilljes postmoderne (edhe pse mund të pajtohet me të në kritika ndaj modernes): po aq edhe ndaj idealeve dhe standardeve të dyfishta të modernes (sidomos në imagjinatën e saj të “gjendjes natyrore,” njeriut racional, apo edhe aromatizimin e revolucioneve). Kundërshtimi i këtyre ideologjive bëhet i mundur vetëm sepse rrënjët e neoromantikes janë britanike dhe jo gjermane. Dështimi i Heinrich Mann-it dhe Hermann Bahr, për shembull, për të drejtuar neo-romanticizmin kundër natyralizmit dhe materializmit, dështoi sepse romantikja gjermane ishte e mbushur tashmë ose me nazizëm, ose duhej të përqafonte një materializëm i cili nuk i përgjigjej shpirtit të saj. Çdokush me mend, përfshirë Mann-in dhe Bahr, do të hiqnin dorë në kushte të atilla. Ja pse, për çdo neoromanticizëm shqip duhet pasur kujdes filozofikisht dhe filologjikisht. Nëse sjellja e ndjenjës së magjepsjes dështon të jetë ashtu siç duhet edhe për kulturën e Malësisë dhe veriun e saj fisnor edhe, veçanërisht, për gegnishten në lidhje me ndershmërinë ndaj të gjithës (përfshirë këtu nderin ndaj religjioneve) dhe rrethanave, është shumë e lehtë që politikisht të mbillet diçka tepër e rrezikshme.

-IIOII-

Zâna jem e Zâna kojshim.” At’ Kurti dhe At’ Palaj, Kangë Kreshnike dhe Legjenda

III

Europa dhe Neoromanticizmi

            Kur postmoderna dhe moderna kishin humbur në intertekstualitet dhe rrjedhje të vetëdijes, si kokë më kokë “përparime” letrare: sytë dhe veshët e lexuesve, edhe pse fillimisht të tërhequr, dështuan të qëndronin të pajtuar. Në shekullin XXI askush nuk e merr seriozisht as romanin modern, e aq më pak romanin postmodern, i cili ka dështuar prej fillimit: “Princi i Vogël” nga Antoine de Saint-Exupéry dhe “Për Kë Bien Kambanat” nga Hemingway janë botuar shumë afër, vetëm njëri prej tyre lexohet përgjithësisht dhe e ka kapur shpirtin e botës. Për mos të thënë asgjë mbi dështimin postmodern mbi romanin, sikurse është “Ylberi i Graviteti” nga Thomas Pynchon-i. . . prit, prit, “Ylberi” i çfarë dhe “Thomas” kush? Pikërisht, asnjë vlerë trashëguese e cila njihet. Një vepër letrare, patjetër, nuk duhet të gjykohet vetëm sepse nuk shitet apo sepse nuk është e famshme. Megjithatë “standardi” i modernes dhe postmodernes ishte, të paktën në qëllimet e tyre, një une pertinence culturelle. Ato ose u shitën si qëllime, ose si gjendje që janë duke ndodhur. Por pse akoma s’e arritën qëllimin (janë bërë gati treqind mote nga revolucioni francez!) dhe, nëse ajo gjendje ishte kaq e pranishme, ku është ajo tani (janë bërë vetëm pesëdhjetë vite!)?

Librat më të shitur dhe relevant tani, përtej librave religjiozë që është e kuptuar, janë librat e fantazisë (që në vete janë neoromantikë në estetikën e tyre). Vetë rrënjët e këtij zhanri letrar janë të kristalizuara me vetëdijen e kontinentit të vjetër, se hyje të reja mund të krijohen pa u besuar (Lord Dunsany) dhe kjo nuk do të thotë të biesh ndesh me religjionin (Tolkien-i). Kulturalisht, veriu europian që moti është duke u kthyer në rrënjët e veta gjuhësore dhe religjioze: dhe është vetëm kohë deri kur anije të ngjashme të zbarkojnë në brigjet e vetëdijes tonë, duke na dëshmuar se shekulli XXI, është shekulli në të cilën mund dhe duhet të thuash “unë dashuroj [. . .]” pa kritikuar gjëra dhe pa e fshehur dashurinë përmes një intertekstualiteti të plogësht. Dashuri e atillë siç vërehet qartë në vargjet e Donikës, për shembull:

Misitike.
“Hyjnore.
“Joshëse.
“E papërballueshme.”2

Neoromantikë, disa herë me të drejtë dhe disa herë me pa të drejtë, janë quajtur edhe Lewis Carroll-i, i cili i dha botës Lizën në botën e çudirave; kompozimet e Edward Elgar-it apo Richard Strauss-it; arkitektura neo-gotike; lëvizjet neo-folk dhe neo-pagane; gjeni të tillë si Yeats apo Knut Hamsun (i cili nuk i tejkaloi gabimet e kohës). Por mbi të gjitha, erdhi për t’u bërë pjesë e shekullit tonë me Donna Tartt, e cila përdor estetika të errët për të gjalluar ndjesi gotike në librat e saj, dhe na tregon që në faqe të para se çfarë ka ndodhur. Vetëm për të na magjepsur më pas se pse ka dhe si ka ndodhur ajo gjë (shiko: The Secret History). Gjë që është krejt ndryshe nga romani i realizmit (për shembull, “Krim dhe Ndëshkim” nga Dostojevski), ku përparimisht gjëja kryesore që ndodh nuk është vrasja në faqet e para, por faji, ballafaqimi, dhe pendimi (i Raskolnikovit).

Neoromantikja pikërisht këtu është më ndryshe nga gjithçka deri më tani, sepse nuk merret me qëllime apo me të papritura: qëllimi i saj parak është t’ju magjepsë nga bërja se pse ka ndodhur ajo të cilën ju tashmë e dini se ka ndodhur. (Ja pse krijimi i Hyjnive të reja, edhe kur jemi të “krijuar,” tregimi i gjëra se pse ka ndodhur, edhe pse e dimë që ka ndodhur etj.) Në shtegun filozofik, neoromantikja, pra, e mistifikon qëllimshëm botën, sepse çdo demistifikim i saj (nga qeveritë pagane, monoteistët abrahamikë, iluministët: Freud-i, Marx-i apo kushdo tjetër) ka përfunduar vetëm duke e mistifikuar atë më tej. Në botë s’ka ndonjë gjë të atillë, e cila është e kulluar apo e pa ndikuar apo e pa mistifikuar deri në një masë nga ajo që ishte; neoromantikja vetëm e pranon dhe e bën me vetëdije këtë gjë. Pra, neoromantizmi është një emërim, apo më mirë të thuash, një përpjekje filozofike për të nuhatur një lëvizje të “re” poetike në letërsinë botërore, e cila synim e ka magjepsjen, dehjen, mistifikimin dhe marrëzinë (në kuptimin e të qenit i marr prej një gjëje) prej bërjeve të pastra të fantazisë. Dhe kur mungon kjo magjepsje, sidomos në rrjedhën e teorisë perëndimore, atëherë një tmerr shpirtëror bëhet i pranishëm. Në një mënyrë apo në një tjetër, kushdo që mban ndjenja neoromantike jashtë magjepsjes ndjen atë se çfarë ndeu At’ Fishta, kur ia lejoi vetes të vajtonte, të paktën një herë, vdekjen. Për t’i përdorur fjalët e Ilir Brecës:

Sa “Oh” dhe “Mjer(ime)” pas çdo kreshendoje, sa kthime në një pozicion sedimentar “mbi letra dhe libra,” sa imagjinatë parajsore plot dritë dhe dashuri, sa aspekte të virtytshme nuk e qetësojnë luftën e Fishtës me vetveten.”3

Dhe nëse për At’ Fishtën ngushëllimi i vetëm ishte “kanga,” atëherë për neoromantikët është magjepsja e këngës së tij dhe e çdo gjëje që vjen nga i njëjti terror animi. Dhe çfarë tjetër kanë shkaktuar moderna dhe postmoderna për mendjen e njeriut të moteve të pranishme?

Në këtë shkrim, neoromanticizmi, posaçërisht, është përdorur për të shënuar disa prej rrjedhave në shpirtin e letrave shqipe. Por nëse shtyhet të argumentojë deri në atë pikë se ku janë fillimet e neoromantikes në gjuhën shqipe: atëherë, në letërsi, ato janë në vijën e hollë midis jetës dhe vdekjes, Zanave dhe përbindëshave, te poetika e Ali Podrimjes; te disa vepra të Ridvan Dibrës (për nga gjuha dhe për nga magjepsja me At’ Fishtën); te horrori folklorik i veprave të tilla si “Lulehëna” nga Kim Mehmeti. Për nga gjuha e shprehja, mandej, pothuajse e gjithë poetika “feministe” e veriut tani shkruhet në gegë: e cila as në temperament dhe as në erotikë nuk është e njëjtë me ideale romantike italiane të pranishme në gjuhën shqipe deri më tani. Në çetën akademike, në kushtimet e Gjovalin Shkurtaj (për shembull, fjalori i Malësisë së Madhe); te mediavilizmi i Albert Bikaj (te libri mbi humanistët arbënorë); te disa vepra që magjepsjen e kulturës e përkthejnë si dashuri të pjekur dhe pothuajse mistike (edhe pse tërësisht shkencorë), sikur të atillë nga antropologu Arsim Canolli (libri Flija) apo Dom Fatmir Koliqit (te Kulturë e krishterë). Nëse këta pajtohen apo jo me shënimin e pranishëm, i lutem të mbajnë durim sepse është vetëm një i përgjithshëm, i cili ose do të fundoset ose do të lulëzojë me kalimin e moteve. Krye kësaj, dhe për t’ia mbyllur thesit me grurë grykën, në fundin e secilit fillim, çdo shpirt neoromantikë është sikur një dredhkë e cila përdridhet, si një boçë e pishës, rreth-më-rreth një lisi të madh me degë të vjetra, të quajtur kultura e shtëpisë tonë. Nëse përfundon duke u ngritur shumë lart dhe synon trupime të kryqit apo hënës, këto janë vetëm përfytyrime të pritshme dhe të pranueshme. Por në fillimin e secilit fund, këta shpirtra ngjitës dhe tejkalues, siç kanë lindur, ashtu edhe kanë dëshirë të vdesin duke përqafuar vetëm lisin, atë trungun e madh të lisit dhe tamlit, i cili i dha jetë.

-IIOII-

E tillë është vetë vdekja e qenies së krijuar. Ne vdesim deri në pikën që s’arrijmë të dallojmë. Për këtë arsye, impulsi natyror i qenies së krijuar synohet drejt dallimit dhe drejt luftës kundër gjendjes së lashtë dhe të dëmshme të njësimit. Prirja natyrore quhet Principium Individuationis (Parimi i Individuimit).” Carl Jung, Shtatë Sermone për të Vdekurit

SHËNIME.

Asnjë pjesë, përfundim, argument apo citim i këtij shkrimi s’është bërë duke përdorur ndonjë program të inteligjencës artificiale. Përfshirë këtu, edhe ndihmën gramatike.

1. – Edhe pse kjo ndjenjë nuk është e panjohur për romanticizmin gjerman. Novalis. (1997). Novalis Philosophical Writings (përk. & edit. nga Margaret Mahony Stoljar). New York: State University of New York Press. F. 106; 109; 158.

2. – Dabishevci, D. (2026). Grue prej Zjermi: poezi. Prishtinë: Littera. F. 18.

3. – Breca, I. (2026). “Or se’ tu quel Virgili. . .” (On the dedicatee of the elegy An Autumn Flower by Father Gjergj Fishta). Književna smotra, 58 (219(1)), 59-86. Marr nga revista (linku) https://hrcak.srce.hr/349033.

ObserverKult