Ruaje gjuhën si vendin tënd

Nga Fatmir Sulejmani

Viteve të fundit është rritur shqetësimi për rrezikimin e gjuhës shqipe dhe identitetit tonë kombëtar. Sipas albanologëve, rreziku vjen nga shumë anë, por, para së gjithash, nga prirja jonë levantine për të shfrytëzuar gjatë komunikimit fjalë/ shprehje të huaja, nga mungesa e kujdesit shtetëror dhe institucional, nga  pakujdesia e atyre që duhet ta ruajnë atë nga bastardimi, nga ekspansioni/ ndikimi i gjuhëve të mëdha të botës, si puna e anglishtes a gjermanishtes, po dhe nga hegjemonizmi gjuhësor e kulturor i ca të tjerëve që na imponohet pandërprerë nëpërmjet medieve në shërbim të djallit…

Në një emision special televiziv kushtuar tkurrjes shkallëzore të gjuhës sonë, u tha se, gazetarët, artistët, politikanët… flasin në masë të madhe me terma të huaj, kurse gjykatat shqiptare dhe institucionet tjera lëshojnë vendime e publikojnë dokumente me gjuhë skandaloze. U tha gjithashtu se janë mijëra fjalë të huaja, që tani më janë futur pa doganë në gjuhën shqipe, duke rrezikuar thesarin gjuhë pa të cilin ne jemi askushë.

Rrezik më vete për gjuhën paraqet dhe shpërngulja e madhe e të rinjëve në kërkim të ekzistencës, sepse gjuha nuk mund t’i rezistojë vdekjes kur mbetet pa folësit amë. Këtë e kanë dëshmuar dhe e dëshmojnë vdekjet/ zhdukjet e ditëpërditshme të gjuhëve që fliten nga etni të vogla si puna jonë, të cilët nuk arrijnë t’i mbrojnë ato (gjuhët dhe kulturat) nga hegjemonizmi dhe neokolonializmi bashkëkohor.

Në kësi rrethanash mjeti i vetëm që mund ta shpëtojë gjuhën nga shkërmimi është arsimimi cilësor në të gjitha nivelet e shkollimit dhe mbrojtja e saj nga institucionet përkatëse që funkcionojnë me buxhete shtetërore, përkatësisht me taksat e qytetarëve.

Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, përkundër miratimit të Ligjit për avncimin e përdorimit të gjuhëve të bashkësive etnike, duhet të jenë në veçanti të brengosur për të ardhmen e gjuhës shqipe, të cilën  pushteti maqedonas e ka futur me paramendim në mesin e gjuhëve të minoriteteve të mirëfillta (romëve, boshnjakëve, turqëve…) dhe e njeh, jo si gjuhë shqipe, po si gjuhë e 20 përqindëshit të popullatës së vendit.

Për t’mos i përsëritur të dhënat për të cilat kam shkruar herëve të tjera (të dhënën se jemi etni autoktone, se shqipja është shumë e vjetër dhe e veçantë në mesin e gjuhëve indoevropiane, se shqiptarët e popullojnë gati gjysmën e territorit të Maqedonisë së Veriut, se ata padrejtësisht trajtohen si pakicë…), më duhet t’ju drejtohem përvojave të të tjerëve, fjala vjen serbëve, të cilët, bashkë me pushtues të tjerë kanë ushtruar hegjemonizëm të hapur ndaj shqiptarëve. Shi për këtë, për lexuesit e PortAlb-it po e sjell në shqip testamentin/ amanetin e Stefan Nemanjës (1113-1199) – njërit prej sundimtarëve më të mëdhenj të Serbisë, për ta njohur kuptimin që kanë pasur ata (serbët) për rëndësinë/ rolin e gjuhës, që në periudhën e Mesjetës, të cilin, mjerisht, ne s’e kemi as në shekullin e XXI.

Biri im i dashur: ruaje gjuhën si vendin tënd. Fjala mund të humbet si qyteti, si vendi, si shpirti. Po çfarë mbetet prej popullit nëse e humb gjuhën, vendin, shpirtin? Mos e shfytëzo kurrë fjalën e huaj. Nëse e marrish një fjalë të huaj, dije se nuk e ke pushtuar, vetëm e ke tjetërsuar veten. Më mirë është të humbasish qytetin më të fortifikuar, se sa fjalën më të vogël dhe më të papërdorshme të gjuhës tënde. Vendet dhe shtetet nuk pushtohen vetëm me shpata, po edhe me gjuhë. Dije se i huaji të ka pushtuar e nënshtruar, aq sa të ka vjedhur fjalë dhe aq sa t’i ka imponuar të tijat.

Populli që humb fjalët e tij pushon së qeni popull. Biri im, ekziston sëmundja që sulmon gjuhën si infeksioni trupin. Unë i mbaj mend infeksionet dhe murtajat e tilla. Ato ndodhin më shpesh në skajet e popullit, aty ku ai ka prekje me popujt tjerë, aty ku gjuha e një populli përzihet me gjuhën e një populli tjetër. Dy popuj, biri im i dashur, mund të luftojnë dhe mund të pajtohen. Dy gjuhë nuk mund të pajtohen kurrë. Dy popuj mund të jetojnë në paqe e me dashuri të madhe, por gjuhët e tyre mund vetëm të luftojnë. Kurdo që bashkohen dhe përzihen dy gjuhë, ato janë si dy ushtri në luftë për jetë a vdekje. Gjersa në atë luftë dëgjohen të dy gjuhët, lufta është e barabartë, po kur gjuha e njërit popull nis të dëgjohet më shumë se e tjetrit, ajo do të fitojë. Kur më në fund dëgjohet vetëm njëra gjuhë, beteja ka përfunduar. Pas humbjes së gjuhës populli nuk ekziston. Dije biri im se beteja ndërmjet gjuhëve nuk zgjat një ditë a dy, si beteja ndërmjet ushtrive, as një vit a dy vite, su lufta ndërmjet popujve, por një apo dy shekuj, që për gjuhën është masë aq e vogël matëse e kohës, siç është për njeriun një moment i vetëm.

Shi për këtë, biri im, është më mirë të humben të gjitha betejat dhe luftërat, se sa të humbet gjuha. Pas betejave dhe luftërave të humbura mbetet populli. Pas humbjes së gjuhës populli nuk ekziston më. Gjuha, biri im, është me e fortë se çdo beden kalaje. Kur armiku t’i thyen/shkatërron të gjithë bedenat dhe kalatë, mos u dëshpëro, por shiko e dëgjo çfarë po ndodh me gjuhën. Nëse nuk është prekur gjuha, mos u frikëso. Dërgo spiunët dhe tregtarët që të dalin nëpër fshtra e qytete dhe vetëm le të dëgjojnë.

Atje ku kumbon fjala jonë, ku flitet akoma gjuha jonë dhe ku, si monedhë e vjetër ari, rrotullohet fjala jonë, dije, biri im, se ai është ende shteti ynë, pavarësisht të dhënës se kush qeveris me të. Mbterërit ndërrohen, shtetet gremisen, po gjuha dhe populli janë ata që mbeten, kështu që, pjesa e pushtuar e vendit, një ditë prej ditësh do të kthehet gjithsesi tek ëma e saj gjuhësore, te populli ëmë.

Kështu pra mendojnë dhe veprojnë fqinjët tanë dashamirës, kështu kujdesen për gjuhët e tyre, madje edhe atëherë kur flasin për tokat e pushtuara të të tjerëve. Prandaj, tek ata nuk kanë qasje mediatike levantinët që ia vënë kazmën gjuhës dhe kombit bashkë./ ObserverKult