reklamë

Një kontribut i rëndësishëm ndërdisiplinar për studimin e politikave serbe ndaj Kosovës

(Recension i librit të Sylë Ukshinit, Plani “Patkoi” – vazhdimësi e doktrinës serbe për spastrimin etnik të Kosovës, “Artini”, Prishtinë, 2026, 368 f.)

Nga Prof. assoc. dr. Haxhi Ademi

Monografia “Plani ‘Patkoi’ – vazhdimësi e doktrinës serbe për spastrimin etnik të Kosovës”, e historianit Dr. Sylë Ukshini, përbën një kontribut të rëndësishëm ndërdisiplinor në studimin e historisë bashkëkohore të Kosovës. Duke ndërthurur perspektivën historiografike, politike dhe juridike, vepra trajton vazhdimësinë e projekteve dhe politikave shtetërore serbe që synonin transformimin e strukturës etnike të Kosovës përmes shpërnguljes dhe dëbimit të popullsisë shqiptare. Duke ndërthurur analizën historike me atë politike dhe juridike, autori përpiqet të dëshmojë se politikat e zbatuara gjatë luftës së viteve 1998–1999 nuk ishin produkt i rrethanave të momentit, por kulmimi i një doktrine shtetërore të ndërtuar dhe të zhvilluar përgjatë më shumë se një shekulli.

Nga pikëpamja metodologjike, studimi është ndërtuar në mënyrë të qartë dhe të organizuar, duke trajtuar temat në mënyrë sistematike dhe të argumentuar. Autori mbështetet në një bazë të gjerë burimore, duke shfrytëzuar dokumente arkivore, memorandume politike, raporte diplomatike, vendime të gjykatave ndërkombëtare dhe literaturë relevante vendore e ndërkombëtare. Kjo i jep studimit një bazë të fortë shkencore dhe e bën atë një kontribut me vlerë jo vetëm për historiografinë shqiptare, por edhe për studimet mbi spastrimin etnik, gjenocidin dhe konfliktet në Ballkan. Përtej bazës së gjerë dokumentare, një nga risitë kryesore të kësaj monografie qëndron në mënyrën se si autori ndërton argumentin e tij shkencor. Në vend që ta trajtojë Planin “Patkoi” si një episod të izoluar të luftës së viteve 1998–1999, ai e vendos atë në një vazhdimësi historike, ideologjike dhe shtetërore që fillon me Naçertanijen e Ilija Garašaninit (1844) dhe vazhdon përmes projekteve të kolonizimit, shpërnguljes së shqiptarëve dhe doktrinave politike serbe deri në fund të shekullit XX. Pikërisht kjo qasje afatgjatë e dallon këtë studim nga një pjesë e mirë e literaturës ekzistuese, e cila zakonisht fokusohet vetëm në ngjarjet e luftës së fundit në Kosovë.

Gjuha e përdorur është e qartë dhe e kuptueshme, jo vetëm për studiuesit, por edhe për lexuesit e interesuar për historinë bashkëkohore të Kosovës. Argumentet paraqiten në mënyrë logjike dhe mbështeten në dëshmi të shumta, çka e bën librin një burim të besueshëm për njohjen dhe interpretimin e proceseve historike që trajtohen në të.

Në hyrje të librit, autori paraqet argumentin qendror të studimit, sipas të cilit politika e spastrimit etnik ndaj shqiptarëve të Kosovës nuk ishte produkt i rrethanave të luftës së viteve 1998–1999, por rezultat i një projekti afatgjatë shtetëror serb. Sipas tezës së Ukshinit, koncepti i një “zgjidhjeje përfundimtare” për Kosovën nuk lidhet vetëm me periudhën e fundit të shekullit XX, por përfaqëson kulmin e një vazhdimësie ideologjike dhe politike që fillon me Naçertanijen e Ilija Garashaninit (1844), vazhdon me dëbimet e shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit dhe Toplica gjatë viteve 1877–1878, kolonizimin sistematik të Kosovës, projektet e Vasa Çubriloviqit dhe Memorandumin e Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve të vitit 1986. Në këtë kuadër, autori argumenton se dhuna ndaj shqiptarëve nuk ishte episodike, por pjesë e një strategjie të përsëritur shtetërore që synonte zgjerimin territorial dhe krijimin e një shteti etnikisht homogjen përmes eliminimit të pranisë shqiptare si faktor politik. Ky interpretim përbën boshtin konceptual të gjithë veprës dhe shërben si pikënisje për analizën historike, politike dhe juridike të zhvillimeve që kulmuan gjatë luftës së Kosovës.Një nga tezat qendrore që autori synon të argumentojë është se spastrimi etnik në Kosovë nuk mund të kuptohet vetëm brenda kontekstit të luftës së viteve 1998–1999. Rëndësia e kësaj teze qëndron në faktin se autori e vendos spastrimin etnik në Kosovë në një trajektore historike më shumë se njëqindvjeçare, në të cilën ndërthuren projektet ideologjike, politikat e kolonizimit dhe të inxhinierisë demografike, represioni institucional, dëbimet dhe, në fazën përfundimtare, dhuna masive e organizuar shtetërore. Në këtë perspektivë, synimi për serbizimin dhe homogjenizimin etnik të Kosovës nuk paraqitet vetëm si politikë e ndryshimit të strukturës demografike, por si një proces që, sipas argumentimit të autorit, në faza të caktuara përmbante edhe elemente të një dinamike gjenocidale. Këtë interpretim monografia e lidh edhe me retorikën e udhëheqjes së atëhershme serbe mbi një “zgjidhje përfundimtare” të çështjes së Kosovës, duke e analizuar atë në raport me praktikën konkrete të dëbimeve, vrasjeve, shkatërrimeve dhe operacioneve të koordinuara të forcave shtetërore serbe. Në këtë mënyrë, autori e zhvendos analizën nga shqyrtimi i krimeve si episode të veçuara drejt interpretimit të tyre si pjesë e një procesi historik kumulativ, në të cilin spastrimi etnik dhe elementet e dhunës gjenocidale shfaqen si faza të ndërlidhura të një politike afatgjatë të transformimit etnik të Kosovës.

Kapitulli i parë përqendrohet në analizën historike të doktrinave dhe projekteve serbe për zgjerim territorial dhe ndryshim demografik. Autori ndalet te Naçertania e vitit 1844, e cila konsiderohet si platforma themelore e nacionalizmit serb modern. Më tej trajtohen dëbimet masive të shqiptarëve gjatë viteve 1877–1878, proceset e kolonizimit të Kosovës pas pushtimit serb të vitit 1912, Memorandumi i Vasa Çubriloviqit i vitit 1937, Konventa Jugosllavo-Turke e vitit 1938 dhe Memorandumi i Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve i vitit 1986. Duke i analizuar këto dokumente në mënyrë kronologjike, autori dëshmon se politika e spastrimit etnik nuk ishte episodike, por pjesë e një strategjie afatgjatë shtetërore, e cila, ndonëse ka ndryshuar format e veprimit në periudha të ndryshme historike, ka ruajtur të pandryshuar objektivin e ndryshimit të strukturës etnike të Kosovës.

Një nga vlerat më të mëdha të librit është mënyra se si autori arrin të lidhë projektet ideologjike me zbatimin praktik të tyre në terren. Në këtë kuptim, kapitulli i dytë, i titulluar “Plani ‘Patkoi’, në vijimësinë e projekteve serbe për ‘zgjidhjen përfundimtare’ të Kosovës”, përbën boshtin kryesor të veprës. Ukshini argumenton se operacioni “Patkoi” nuk duhet parë si një plan i izoluar ushtarak, por si përpjekja më e avancuar për transformimin demografik të Kosovës përmes dëbimit sistematik të shqiptarëve. Një aspekt tjetër që e veçon këtë monografi është fakti se autori nuk mjaftohet me rindërtimin kronologjik të ngjarjeve, por propozon një interpretim analitik të vazhdimësisë së politikave shtetërore serbe. Në këtë mënyrë, libri tejkalon karakterin përshkrues dhe ofron një kornizë interpretative që mund të shërbejë si bazë edhe për studime të tjera mbi marrëdhëniet ndërmjet ideologjisë, politikës shtetërore dhe dhunës së organizuar në Ballkan.

Duke e vendosur këtë operacion në vazhdimësinë e projekteve të mëhershme shtetërore serbe, ai përpiqet të dëshmojë se ekziston një vijë e pandërprerë ideologjike ndërmjet dokumenteve programore të shekujve XIX dhe XX dhe veprimeve të ndërmarra gjatë luftës së viteve 1998–1999. Në analizën e tij, autori thekson se interpretimet që mohojnë ekzistencën e një strategjie të planifikuar shpërfillin jo vetëm operacionet e koordinuara të ushtrisë dhe policisë serbe, por edhe retorikën politike dhe deklarimet publike të regjimit të Slobodan Millosheviqit lidhur me një “zgjidhje përfundimtare” të çështjes së Kosovës. Në këtë aspekt, libri nuk kufizohet vetëm në analizimin e dokumenteve historike, por trajton edhe debatin politik dhe akademik që ka shoqëruar Planin “Patkoi”, duke u mbështetur në burime gjermane, austriake dhe ndërkombëtare. Përfundimi i autorit është i qartë: “Plani Patkoi” nuk paraqet vetëm një operacion ushtarak, por kulmin praktik të një doktrine të gjatë shtetërore, ku spastrimi etnik shërben si mekanizëm operacional për realizimin e një projekti më të gjerë të eliminimit të pranisë shqiptare në Kosovë. Po ashtu, studimi shquhet për karakterin e tij ndërdisiplinor, duke ndërthurur analizën historike, juridike dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare në një kornizë të vetme interpretative, përmes së cilës shqyrtohen jo vetëm zhvillimet historike, por edhe mënyra se si ato janë interpretuar në diskursin politik dhe në praktikën e drejtësisë ndërkombëtare. Viteve 1998Veçanërisht i rëndësishëm është përdorimi i dokumenteve diplomatike gjermane dhe austriake, krahas burimeve arkivore dhe literaturës ndërkombëtare, të cilat i japin analizës një dimension krahasues dhe e vendosin çështjen e Kosovës në një kontekst më të gjerë evropian. Kjo e bën monografinë të vlefshme jo vetëm për historiografinë shqiptare, por edhe për studimet mbi konfliktet, spastrimin etnik dhe politikat shtetërore të dhunës.

Në tërësi, monografia “Plani “Patkoi” – vazhdimësi e doktrinës serbe për spastrimin etnik të Kosovës” përfaqëson një kontribut të rëndësishëm në historiografinë shqiptare dhe në studimet bashkëkohore mbi konfliktin e Kosovës. Vlera e saj nuk qëndron vetëm në pasurinë e burimeve dhe në argumentimin e kujdesshëm, por edhe në qasjen origjinale që lidh historinë, politikën dhe të drejtën ndërkombëtare në analizën e një prej çështjeve më të debatueshme të historisë moderne të Ballkanit. Përmes një metodologjie të qartë, përdorimit të burimeve të shumta vendore e ndërkombëtare, si dhe analizës krahasuese të doktrinave politike serbe, autori arrin të ndërtojë një argument koherent mbi vazhdimësinë historike të politikave të spastrimit etnik ndaj shqiptarëve. Për këtë arsye, kjo vepër meriton vëmendjen e historianëve, juristëve, studiuesve të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të gjithë atyre që merren me historinë bashkëkohore të Kosovës dhe të Ballkanit.

ObserverKult