
METAMORFOZA E NJË SHPIRTI FRYTNOR, I KATARZUAR PËRMES ZJARRIT ESKATOLOGJIK TË FJALËS NJERËZORE, DREJT PORTËS HYJNORE
Reflektim për librin poetik “Grue prej zjermi” të autores Donika Dabishevci

Nga Vilson Culaj
Dikur një murg pati thënë: “Syri është porta e mëkatit, kurse trupi banesa e shpirtit”. Kjo ishte fraza e parë që më erdhi në mendje posa shfletova librin poetik “Grue prej zjermi” të poetes dhe studiueses Donika Dabishevci, me theks poezinë “Adami jem”. Është kjo kryemetafora e njeriut të dheut, por jo e shpirtëzuar, që endet në kohën infinite rreth dilemës bioinstinktive, ku paqja e trazuar dhe harmonia e gjakojnë dashurinë në vepër e jo kultin e harresës dhe posesivitetit… Është Golgota shpirtërore e gruas që shtegëton shtigjeve të amshuara, ku ikja, dilema dhe Itaka zhyten në beteja e dilema ekzistenciale për të mbetur grua e lirë, por pa qenë e robëruar dikur…
Krijuesja Donika Dabishevci aq natyrshëm komunikon me personazhet dhe receptuesit, duke shkrirë pjesën më të mirë të jetës në art poetik e letërsi të mirëfilltë, me personazhet që ndriçojnë shtigjet e errëta të ekzistencës sonë. Autorja, fund e krye në reflektimin poetik, e ka brengë shpirtin që nuk fal, por as nuk është peng i mallkimit. Ky diskurs universal letrar e poetik e madhështon opusin e saj krijues, ku sakralja e heshtur gjykon profecitë e ngurtësuara, të veshura me kanone absurde, fenomen të cilin e shpreh përmes poezive: “Asgjaja na rrethonte”, “Përndezje”, “Syn, ti më çmend”, “Mos u ndal, syn”, “Pak gjumë”, të cilat poezi infiltrojnë fenomenin Eros dhe spiritualitetin përtej Erosit e omnipotencës përbrenda strukturës poetike, si një lloj guximi titanik letrar e psikologjik i thyerjes së tabuve dhe eklipsit që neutralizon egon e burrit përbrenda dashurisë dhe posesivitetit absurd. Donika nuk lufton për të qenë grua, sepse ka lindur e tillë, bashkë me fisnikërinë, talentin, intelektin, intuitën, racionalitetin e vizionin e saj, dhe gjakimi e guximi i saj janë ndryshe, pra për të mbjellë te gratë e vajzat guximin për të dëshmuar rolin dhe madhështinë e tyre në këtë botë.
Jo rrallë autorja thekson “syn” për të dhënë mesazhin metaforik se “syri është organi ku njeriu sheh dhe ndien shtatin mëkatar të botës, qenësinë e tij dhe të të tjerëve, për të detektuar më pas vogëlsinë e tjetrit brenda nesh dhe madhështinë tonë subjektive, të shpërfaqur e të refuzuar nga të tjerët”. Është dashuria tridimensionale, trup, shpirt, mendje, që e karakterizon këtë libër poetik. Është busulla e kujtesës që krijesën e shndërron në zjarr katarsisi, si një lloj pengu i lirisë e përgjegjësisë njerëzore, por edhe etje ekzaltuese e imagjinare për ta bërë gruan farkëtare të vetë fatit të saj…
Ky lloj platonizmi letrar dhe në dashuri e karakterizon këtë vëllim poetik fund e krye, si një projekt unik letrar që gjakon çlirimin e individit të të dy gjinive nga pengu i kufizimeve në dashuri dhe vullnetin për të dashur lirshëm aty ku troket mendja e shija njerëzore.
Klithja poetike “KU ISHE GJATË TANË JETËS TEME, SYN?” është një dimension tjetër transcendental i shprehjes poetike, ku një botë e kujtesës, e shkrirë në kohë e mister, krijon abstraksionin e subjektit lirik, ngjashëm me rrathët e Dantes, ku realiteti i trupit mistik të gruas korrespondon me shpirtin e botës metafizike e të mpirë nga mungesa e dashurisë. Është akti i kërkimit shpirtëror përballë së kaluarës, është trupi mistik i gruas që ndien e përjeton të gjitha dimensionet e ndjesisë, jo si akt fizik, por transcendental i kujtesës: “GRUA” e shndërruar në zjarr, si element i parë i këtij planeti pas shpirtit të Zotit që endej mbi ujëra para se ta krijonte botën e qenien njeri.
Këtë zjarr kozmogonik e ka përftuar në vete edhe poetja Dabishevci, e cila komunikon me lexuesit herë si prekje reale e herë si abstraksion poetik që të katapulton deri në kufijtë e misterit për të receptuar interidenë e intertekstin letrar. Ky akt i kërkimit të vetes në dykohësi e bën unik këtë libër poetik përbrenda letërsisë shqiptare, sepse protagonistja Eva nuk numëron humnerat kohore dhe mëkatet e Adamit posesiv, por lumturitë e imagjinuara dhe të mohuara dikur…
Ky muzg drite e reflektimi letrar e poetik e bën Donika Dabishevcin flamurtare të mendimit të lirë poetik e ideoartistik, estetik, por edhe të atij ontologjik, për gratë që ia mohuan vetes ëndrrat nga frika për të thënë: Dashuroj!
Ky ngacmim e guxim letrar shpreh përmasën e një guximi e intuite intelektuale që instalon një letërsi unike dhe pa maska, ku mjeshtëria poetike ngulfat shabllonet e kufizimet letrare, duke gjakuar që gruan ta katapultojë si qenie të brishtë, të guximshme dhe farkëtare të vetë fatit të saj. Dikur një poet që po lexon para jush pati thënë:
Zot, kam frikë nga dashuri,
është deti i vetëm në të cilin mbytem,
nëse vala më kthen në breg,
prapë do ta dua atë dhimbje,
edhe pse e trishtueshme.
Në këtë rast, Donika shpërfaqet si gardiane e guximit shpirtëror, ku gruaja e shndërruar në zjarr jep zjarrin e dashurisë dhe guximit për të tjerët. Kjo është dashuria metaforike përtej Erosit, që e pariron atë Agape dhe platoniken. Në poezitë e saj edhe trupi flet si zjarr i kujtesës, si një skulpturë kujtese që pret shtegtarin e panjohur t’i rikthehet në një kohë tjetër të parimit heraklitian: “Nuk mund të lahesh në të njëjtin lumë dy herë njëkohësisht”, kthim i burrëruar si një lloj imazhi dionisian në kohë e hapësirë.
Poetja Dabishevci, përmes kujtesës që katarzon dhe e evoluon qenien, herë pas here përjeton edhe “kthjelltësi hyjnore”, ku pritja e shndërruar në kult personal, bekim e urti gruaje, porsi një zjarr i heshtur që pret erën për ta rindezur dhe si anija marinarin për t’u rinisur shtigjeve të vjetra. Kjo vjetërsi e kujtesës, vetëdijes e logos-it në veprim shkrin lotët e akullt në qenie zjarri, rrit intuitën, shton pjekurinë e mjeshtërisë letrare dhe dhuron mesazhin terezian: “Vetëm dashuria do ta shpëtojë botën”.
Është mendja logjike e mosha e pjekur që flet për adoleshencën e ëndrrat rinore. Është gruaja e rritur që agjëron ndaj mëkatit, është ndjesia që ushqen frymën gjallëruese dhe zjarri i një brezi të kufizuar që flet me zjarrin e një gruaje intelektuale në këtë vëllim poetik.

Kjo lloj dashurie pa masë, skema, dilema, kufizime e akujsh e zjarresh rinore, ku “dashuria të ban me dhurue gjithçka pa u zbrazë”, thotë poetja. Është libri për orët e rinisë e pjekurisë, të një kohe infinite dhe, si zjarri heraklitian që dominon qenien, ashtu efekti estetik i këtyre poezive pushton mendjet e ndjesitë e lexuesve vertikalë dhe me intuitë të duhur letrare.
Në poezitë e Donikës nuk ka muzg letrar as dritë të përjetshme, por vetëm të tashmen që dominon kohërat e breznitë me artin e kulluar poetik. Kjo kalimtare, shkallë e mallit dhe shpresës në dashuri, edhe kur trupi, mendja prej zjarri veniten përmes reminishencash herë pas here transcendentale, të drithërojnë gjatë aktit të leximit të poezive, si “Tuj shku rrugës për Üsküdar”, poezi që reflekton përkushtimin pothuajse hyjnor të gruas në dashuri. Po të njëjtin nivel të lartë poetik e meditativ e shpreh edhe poezia “A ban”, ku krijesa grua, e shpirtëzuar në zjarr, mall e kujtesë, kërkon një çast të amshuar lirie, heshtjeje, rikthimi në kohë, për t’u bërë frymë lirie e vetvetes dhe siluetë e padukshme për botën. Kjo mungesë imagjinative dhe ky vakum kohor, porsi një litar i zgjatur në dykohësi, tundon substancën apo gruan prej zjarri, zjarrin që nuk prek, nuk lejon shuarjen e tij, por katarzon veten dhe lexuesit njëkohësisht. Kjo mungesë e aktçlirimit imagjinar e frymë lirie e bën kryepersonazhin të padukshëm e të padetektuar, si një lloj siluete e padefinuar për botën. Pra, mbetet fjala e shkruar dhe leximi vertikal kushti primar për t’i kuptuar këto mesazhe të poezive, herë pas here edhe metapsikologjike.
Ky libër e transformon lexuesin pas aktit të leximit, kalit plagët dhe ushqen idealet e paepura në dashuri. Kjo rritje letrare, personale e letrare përmes heshtjes e meditimit është edhe rritje e jona, nëse e lexojmë me vëmendje këtë libër të mrekullueshëm, sepse të gjithë ne, në përvojat tona personale, fshehim Hënën dhe yjet në lëkurat tona, por na mungon guximi për të dëshmuar dashurinë, jep mesazhin poetja Dabishevci.
Këta yje e Hëna e varur mbi murin e kujtesës sonë janë e kaluara dhe ngadhënjimi ynë në kohë, reflekton poetja Dabishevci.
Ky libër i moskufizimit është mesazh dritëlargët për zjarret tona të fshehura, për lirinë shpirtërore, për të mos u bërë hija e askujt, por zjarri që, edhe kur duan të na prekin, kanë frikë nga ne.
Të gjitha këto nënshtresime psikike janë për të një taban dhe tabloid i fortë për shtytje letrare, të cilat derdhen në mendjen e saj si një gurrë oqeani.
“Në dhimbje e në dashuri të mëdha lindin letërsitë e mëdha”, thuhet diku në ligjin universal të këtij planeti. I asaj bote dhe i kësaj bote, në dy kohësi, në dy hapësira të të njëjtit nënqiell shqiptar, reflekton edhe Donika, që çdo ditë gjallon letrarisht me dijet dhe horizontet e saj të pamasë dhe pa mbarim.
“Grua e paprekur” do ta titulloja në mënyrë alternative këtë libër të mrekullueshëm…
Gjakovë, më 03.09.2026
ObserverKult
Lexo edhe:
Ag Apolloni: Revolucioni i trupit në librin “Grue prej zjermi”
Mërgim Bekteshi: Arkitektura poetike e qenies te libri “Grue prej zjermi”
Rami Kamberi: Poetika e trupit, identitetit dhe lirisë në librin “Grue prej zjermi” të Donika Dabishevcit
Sarë Gjergji: Trupi, pushteti dhe rezistenca në “Grue prej zjermi” të Donika Dabishevcit
Vilson Culaj: Zjarri katarzues i fjalës/ Reflektim për librin “Grue prej zjermi” të Donika Dabishevcit
“Grue prej zjermi” nga Donika Dabishevci, një himn poetik për gruan, dashninë e lirinë
Donika Dabishevci: Grue prej zjermi






