Buqetë poetike nga Xhevahir Spahiu: Shembja e një nate dashurie!

xhevahir spahiu urim për vitin X

Ju ftojmë të lexoni disa nga poezitë më të njohura nga Xhevahir Spahiu:

KOKA IME, ÇUDITEM ME TY

Koka ime,
çuditem me ty.

S’t’u shurdhuan ata veshë?
S’t’u verbuan ata sy?

Si të mban qafë e hollë?
je mbi shpatulla ende?
S’u mërzite aty?

Koka ime,
çuditem me ty.

Të të merrja në duar
të t’i prekja pak okët,
ballin bërë për plumba;

Të të rrokja nën sqetull,
gurë e drurë të këndonin:
shkon njeriu kokëprerë.

Në një këngë të moçme
kjo ka ndodhur njëherë.

Po ti prapë si mushka
mizorisht rri aty.

Koka ime,
çuditem me ty.

 I THANË FJALËS: TANI JE E LIRË…

I thanë fjalës: tani je e lirë.
Po fjala s’kish fuqi t’u thosh: nuk më duhet.
E ç’më duhet
kur s’u thashë atëherë kur duhet?!
Kam mbetur pa krahë,
kam mbetur pa qiell,
jam jetë pa ëndërr,
jam ëndërr pa jetë.
I thanë fjalës: je e lirë;
pasi ke ngrënë rrokjet e tua,
pasi ke mbetur cung
dhe liria bëhet burg.
I thanë fjalës: liria jeton.
Fjala ua ktheu:
s’jam Konstandini që pa vdekjes udhëton.
I thanë fjalës: ti je liria;
për ta kuptuar këtë të duhet fare pak.
Ajo e besoi,
ajo hapi gojën,
po në vend të tingujve
prej saj
doli gjak.

 TË JESH ME TY…

Të prekësh heshtjen tënde siç prek një send,
të shohësh thellë në ata sy,
ku dashuria hepohet si anije
e të mos duash të jesh përherë me ty?

Të ecësh me krahun mbi supet e tua
e të harrosh oshtimën e kaltër,
limonët mbi krye,
peshkarexhat si zjarre të natës?

Të jesh me ty,
tok me ty të qeshësh
e mos kuptosh se si përpiqet deti
të dalë jashtë guaskës së vetvetes?

Të jesh me ty?
Të jesh me ty!

EJA TË VDESIM, E DASHUR!

Eja të vdesim, e dashur,
shpenzimet e varrimit i merr përsipër shteti,
a s’e dëgjove në TV si kryelajm?
Eja të vdesim, e dashur,
s’ka rëndësi në rron si rob a zot,
arkivoli është gati,
dy metra vend gjithashtu,
makinë e funeralit,
kurora me lule artificiale: të kuqe, të bardha, blu.
Eja të vdesim, e dashur,
ç’na duhet kjo jetë,
e rëndësishme është të vdesësh si zotni;
mbylle TV-në,
të vdesim qysh tani.

 TI S’PO VJEN…

Ora 6
Akrepat si dy krahë të hapur që presin
dhe ti s’po vjen
ti s’po vjen as në 6 e një minutë
në 6 e dy minuta vetmia ish me mua
unë isha me vetminë në 6 e tre minuta
në 6 e katër bota ishte po ajo
6 e pesa i ngjante 6 e gjashtës si dy pika uji
6 e shtatë, 6 e tetë, 6 e nëntë, 6 e dhjetë
Ti s’po vjen
S’po vjen
S’vjen
në 6 e pesëmbëdhjetë
hodha sytë si dy vetëtima në fushën e orës së qytetit
akrepat u thyen si dy krahë te një zogu
që s’ekziston
Unë mora pikëllimin për dore
dhe ika.

TË MBAJ NË DUAR, DASHURIA IME

Të mbaj në duar, dashuria ime.
Krijesë prej qelqi
më shkëndijime yjesh.
Kam frikë…
Kam frikë se mos më bie dhe
thyhesh.

SHEMBJA E NJË NATE DASHURIE

Ktheva kokën, mbajta hapat:
binin tjegullat, binin trarët,
binte qielli i një nate dashurie.

Atje mbi papafingo, pranë yjeve e pata puthur,
shemben yjet tani, bëhen pluhur.

Dritare s’ka, ka sy të zgavërt,
s’ka mure me plasaritje të etshme,
skelete fjalësh në gjysmerrësirë,
skelete ëndërrash, premtimesh të nesërme.

Ngrihet tymi si një mjegull e bardhë,
një grusht eshtrash të një nate gërmadhe.
Në cep të rrënimit
dy burra po pinë qetë-qetë cigare.

Ej, ju atje!
Nuk dëgjoni si ulërijnë brenda meje xhindet,
edhe pak e llava do të dalë jashtë meje si tek vullkanet.

Mos u kthe në kujtim, i thashë
mos u kthe në harrim, më tha;
botës i falëm një natë dashurie
dhe kjo s’është pak.

Një natë. Dhe çfarë nate!

Dora mbi sup,
hëna mbi mal,
qielli i kaltër i botës mbi krye…

Mbajeni, mbajeni!
Ajo po bie…po bie….

Dhe ishte një natë e paemër,
siç ishin të paemërt yjet.

Kini mëshirë, mos e shembni atë natë!
është rënkimi im apo klithma e saj?
Kini mëshirë, kini mëshirë!

Ajo ishte një natë dashurie
që kurrë s’duhej të kish gdhirë.

Kini mëshirë,
në mos po atje nën gurë,
nën peshën e natës së shembur do të shembem,
i vrarë jo nga urrejtja, po nga dashuria,
që, përjetësisht quhet dhembje…

DO TË VDES I MBYTUR NË BORXHE…

Do të vdes,
do të vdes i mbytur në borxhe,
s’është asgjë mbytja në lum a në dhomat e gazit.
I kam borxhe nënës që s’ia ngrita varrin,
i kam borxhe lisit që s’ia hodha pjergullën,
i kam borxhe dashurisë qe ia vodha të dielën,
i kam borxhe krimit që s’i vura emër.

Do të vdes,
do të vdes i mbytur në borxhe.
I kam borxhe fjalës që s’e pashë në ëndërr
i kam borxhe korbit që s’ia zbardha pendët,
i kam borxhe vitit ’13 që s’ia mbylla plagët
i kam borxhe ardhmërisë që ia lashë tek pragu
terrin e një kohe të largët.

Do të vdes,
do të vdes i mbytur në borxhe.
U kam borxh të gjallëve,
u kam borxh të vdekurve;
Gurin e varrit e shes
të laj borxhet.
Dhe vë pikën këtu.

Tani mund të flisni
për borxhet që më kini ju.

ObserverKult


Lexo edhe:

“DO TË VIJ TË TË VIZITOJ ME HELIKOPTER”, ÇFARË SHKRUANTE DRITËRO AGOLLI NË DITAR PËR XHEVAHIR SPAHIUN

“NE U NDAMË”, POEZINË E XHEVAHIR SPAHIUT E LEXON ENGJËLLUSHE ALLA

XHEVAHIR SPAHIU, KY BIR I DIELLIT…

XHEVAHIR SPAHIU: KOSOVARJA