reklamë

Ndue Dedaj: Njeriu që ngjiti në shtyllë vdekjen e vet

(Pjesë nga romani)

Nga Ndue Dedaj

Në kryeqytet, atë mesnatë, nuk pipëtinte asgjë. As lakuriqët e natës nuk e shponin ajrin siç e kishin zakon. Heshtonte gjithçka. Dajti, si një dinosaur i lodhur, kishte rënë në gjumin dimëror, për t’u zgjuar në pranverë. Por nuk kishte gjumë një njeri. Prokop Vrana. Ai doli vjedhurazi si hije nga shtëpia e tij, duke shmangur dritat që ndriçonin zbehtë, eci një rrugice qorre deri sa këmbët e çuan në “Rrugën e Dibrës” dhe u gjend ballë për ballë me shtyllën e drunjtë të lajmërim-vdekjeve, ku shpejt e shpejt ngjiti njoftimin e vdekjes së vet.

“Lajmërojmë vdekjen e papritur të Prokop Vranës. 31 dhjetor 1948. Familja”.

E kishte shkruar vetë ai, robi dhe zoti i asaj vdekje, me bojë të zezë, me kaligrafi shtypi, pa iu dridhur dora, as zemra.

Kishte pasë herë pas here njerëz që kryenin vetëvdekjen, duke i dhënë fund gjalljes, kurse ajo e tij ishte e pashpjegueshme, edhe kishte vdekur, edhe ishte gjallë!…

Pa i hedhur më sytë nga ajo shtyllë e mistershme, Prokopi ishte zhdukur nëpër natë, kah sytë – këmbët, me vdekjen e vet mbi supe. Të fshehtën do ta përpinte terri, si të gjitha fshehtësitë natësore të kësaj bote. A nuk kishte zgjedhur natën dhe Makbethi për krimin e tij mbretëror? Nata ishte pusi ku tjetërsoheshin të gjithë njollat e njerëzimit, kinse duke u gdhirë të nesërmen të bardha. Në mos krejtësisht të bardha, të larme. Aq më tepër për vdekjen, nata ishte si një perde e trashë, e errët, mistike, e padepërtueshme!…

Atë mëngjes njerëzit nuk po kuptonin asgjë.

Ku?…

Si?…

Pse?…

Dikush tha se Prokopi ishte mbytur në det dhe se vetëm setra e tij kishte dalë në breg si leshtërik. Me detin e kishte pas nisur. 17 vjeç kishte kërcyer mbi anije si peshkatar, duke u endur Adriatikut, herë kah Ulqini e herë kah Sazani. Dikush kishte thënë se i ndjeri atë ditë kishte shkuar në Durrës dhe ishte parë në port të sillej si djerraditë. Ndoshta kishte dashur t’ia besonte vdekjen e tij detit, mendonin ata që ishin mbledhur në ceremoninë e tij mortore, që po zgjaste me ditë e me net. Po të ishte për të vdekur se për të vdekur, pse duhej të shkonte aq larg dhe për më tepër ta humbsite rrashtin atje? – bluanin me mend të tjerë.

Nuk zgjati as 24 orë historia e tij vdekëtare, jo më tri ditë, sa thuhej se zgjaste dhe çudia më e madhe, pasi njerëzit e kishin mendjen të ndërrimi i viteve dhe, sido që vendi ishte i varfër, në familjet e reja të regjimit kishte plasur gjeli i detit. Kurse familjet borgjeze, të shpronësuara nga gjithçka, “agjëronin” jo vetëm në ditët e motmotit. Boll kishin festuar ato, duke ia pirë gjakun fukarasë si të ishte shampanjë! Ishte kjo gjuha e agjitpropit të kohës.

Trupi i Prokopziut nuk u gjet, varri i tij nuk u hap. Ai varr duhej të ishte në fund të detit. Vajtimoret nuk dinin si ta qanin. Folklori i tyre, i ngjizur me shekuj, nuk kishte këngë për të vdekurit që nuk ishin. A thua se “Shën Prokopi” i mëhalles së tyre ishte i pari njeri në këtë rruzull që edhe kishte vdekur, edhe nuk kishte vdekur, përderisa nuk qendronte i shtrirë para tyre. Apo, ashtu, në atë gjendje të ndërdyzët, kishte fluturuar në botë të tjera?…

Në të shtatën ditë të vdekjes së tij, erdhi në jetë i biri. I ungji i djalit, i vuri emrin e atit të vdekur, domethënë Prokop Vrana vogëlith. Ishte kjo një traditë e vjetër, që i ikuri të vazhdonte të rronte në filizin e njomë të kërthinit. Njëlloj si lisat e moçëm që të stërplakur rrëzoheshin përdhé, po nga rrënjët e tyre bleronin degëzat e njoma të lisave të rinj.

Në njërën dhomë qanin vajtojcat për të atin e pakallur ende në tokë, në dhomën tjetër këndoheshin ninullat e para për birthin foshnje, me lutjen që i sapolinduri të mos kishte fatin e të atit, domethënë të Prokop Vranës së parë.

Ishte ndër rastet e rralla, që njerëzit luteshin që biri të mos i ngjiste të atit dhe të mos kishte fatin e tij.

Kishin kaluar tri javë dhe trupin e pajetë të “Shën Prokopit” deti nuk e nxori në breg. Kishte dhe deti huqet e tij, sipas atyre mortarëve.

Le të dërdëllitnin sa të donin ata, varrmihësit e tij llafazanë, ai, robi dhe zoti i vdekjes së vet, i kundronte nga larg e jo nga lart.

Nga toka e jo nga qielli…

Në atë vdekje të mistershme, për çudi, bënin hoka tre djem tironas, që ishin habitur me atë njoftim, që nuk po dinte të binte nga shtylla ku ishte ngjitur, ngaqë i vdekuri nuk ishte gjetur. Kushedi sa ai njeri do të qendronte ashtu mes qiellit dhe tokës.

Njëri prej tyre, Arsen Petrela, guxoi e bëri shaka duke iu thënë shokëve se fqinji i tij hokatar, që ai e quante kumbarë, nuk kishte ditur të vdiste!

Ata ia kishin dhënë të qeshurës duke mbuluar fytyrën me duar. Si mund të dinte, apo të mos dinte njeriu të vdiste?

“Ndoshta e ka pasur për hërë të parë!” – ia këputi Feriku, njëri nga çunat e treshes rinore.

“Jo, po, nëse do të kishte ditur të vdiste, tash do t’i kishte mbirë bari mbi varr”, – e kishte vazhduar atë dialog batutash i treti i tyre, Odisea.

“Djema, mos bëni gallatë! Shoku Prokop ka qenë korrieri i Komandantit!” – tha Arseni si për t’i vënë kapak.

Dy të tjerët nuk e kishin vazhduar më tej, thjeshtë se ajo frazë i kishte zënë në befasi. Si për të dalë nga ajo atmosferë, Arseni kishte kërcyer në një tjetër degë:

“Hem, pa më thoni pak, ç’dini për Henrikun V?…” – i habitur dhe vetë se nga i vetoi në kokë atë çast mbreti i famshëm anglez. Mbase kishte qenë thjeshtë një shoqërim idesh, ngaqë ato ditë ishte dhënë marrëzisht pas Shekspirit. Mbase silueta e atij mbreti vinte prej mugëtirave të mesjetës e i përhihej me atë të Komadantit…

Arseni, i përfshirë në leximet e gjimnazit, ishte hutuar nga ajo shpurë mbretërish, perandorësh e papësh, që mbanin numra në ballë e në kurriz: Ferdinandi II, Rikardi III, Filipi IV, Karli V, Henri VIII, Luigji XIII, Urbani VIII etj.

ObserverKult


Lexo edhe:

Ndue Dedaj: “Shkrim e këndim” në shekullin XXI