reklamë

Flurans Ilia: Sinqeriteti

flurans ilia

  Tërë jetën e kam interpretuar sinqeritetin me të gjithë forcën e sinqeritetit tim. Shpesh nuk kam pasur dinamikën e duhur për ta nxjerrë jashtë vetes ashtu si duhet dhe ai është ngujuar aty brenda meje në vazhdën e stinëve si një kokërr e vdekur gruri që pret mbjelljet e ardhshme. Disa herë ka qenë aq e thjeshtë sa e gjithë ajo masë sinqeriteti është hedhur dorazi natyrshëm jashtë meje si vet gjeneza e fjalëve mbjellë enkas për njeriun dhe që besoj se është pasqyra jonë identike. Ajo çka kullon brenda nesh, nektari i fjalëve të zhveshura nga autocensura e ashpër e vëzhgimit të jashtëm. Nuk e kam vrarë mendjen se si kjo performancëështë pritur nga të tjerë, apo se si është interpretuar ky lloj interpretim i imi nga ata. Secili ka të drejtë të ketë gjykimin e vet. Me të vetmin ndryshim që na përket të gjithëve në realitetin e sotëm, ku i madh dhe i vogël, ushqyer me dije biologjike apo ushqimin e shpejtë që ofron inteligjenca artificiale, pa e kuptuar krijon një identitet mekanik të vetin ku dallohen qartë njollat e murrme të vdekjes kolektive.

  Sot, ndërsa po kthehemi me kolegun tim të punës nga veriu drejt qytetit në jug, trafiku dendësohet dhe ngadalësohet papritur në një segment të udhës ku zakonisht automjetet rrjedhin lirshëm. Në krahun e kundërt vëzhgojmë se nuk qarkullon asnjë makinë. Ky është konstatimi i parë. Më tej, po në krahun e kundërt, vëzhgojmë një kamion të madh të ndalur xhami i përparshëm i të cilit është i ciflosur në atë formë sa duket sikur një qenie mitologjike e ka goditur me një forcë mbinatyrore me një shkëmb të shkulur nga toka.

Ou, ky është krim jo i ndërgjegjshëm, i them kolegut tim, me siguri dora e ndonjë fëmije çapkën?

Ndoshta, por objekti që ka goditur xhamin duket më i madh se dora e një fëmije, thotë kolegu im.

Një makinë policie me drita të ndezura alarmi gjendet mu në mesin e udhës. Pak metra larg saj një kuvertë ngjyrë portokalli mbështjell diçka të panjohur mbi asfalt. Akoma më tej gjendet një urë sipër auto rrugës që lidh dy fshatra pothuajse të vdekura mes malesh për të cilat një e vetme pyetje të përshkon mendjen, çfarë bëjnë banorët e kësaj zone përgjatë dimrit të gjatë dhe të egër ku papunësia është një subjekt i thepisur social në këto treva? Ndoshta janë pensionistë të pashpresë që krejt jetën e tyre jetojnë këtu dhe nuk kanë vend tjetër ku të shkojnë? E gjithë kjo skenë e cila ka bllokuar krahun e kundërt të udhës ka krijuar një trafik të pashpjegueshëm në krahun tonë ku po lëvizim ngadalë dhe e kuptoj përse. Sepse njerëzit janë kureshtarë. Soditja e tyre ka prekur shpejtësinë e zhvendosjes në kohë dhe hapësirë në këtë krah të botës ku po lëvizim. Ndërkohë që krahu tjetër për kilometra të tëra pas vendit të aksidentit është krejt bosh pa asnjë makinë që qarkullon në të. Një skenë surrealiste për një realitet si ky i yni ku është e pa kuptueshme pamja pa praninë e automjeteve të pafundme që zukasin në të.

  Është pragu i fund javës. Nata e të premtes zhytur thellë muzgut që vjen nga pemët dhe toka e lagësht e shtatorit kur fundi i verës troket pa bujë në xhamat e makinave të stacionuara buzë udhës. Bota bëhet gati të shkojë drejt shtratit të ëndrrave në këtë orë si për të sfiduar udhën e një tjetër jave të sapo përfunduar dhe që sinqerisht, për të cilën askush nuk mendon më, sepse një tjetër javë qëndron atje tej në horizontin e auto rrugës. Në këtë çast ajo që mbështjell njeriun është natyrë. Ritmi i ndalur. Natyra lëviz me tjetër ritëm që nuk përkon me automjetin e time machine.

  Jam një teknokrat ndërtimi që e siguron jetën nëpërmjet formave të derdhura në beton. Janë forma të cilat konfigurojnë modernitetin në të cilin nuk e di përse këto vitet e fundit refuzoj të trokas sepse kam kaluar gjithë fëmijërinë dhe rininë time të hershme duke jetuar gjysmë në qiell e gjysmë në tokë brenda mureve të ndërtesave ku përvoja e mbyllur e pamjes më ka shtyrë drejt një bote ndryshe, asaj të kopshtit tim jo të rehatshëm të thyerjes së moshës ku këmbët e zbathura shkelin mbi bar dhe kryet kurorëzohen nga pemë mes të cilave shfaqen kafshë të egra në kërkim të një strehe. E premtja nuk është vetëm simbol i Krishtit në kohën kur qytetërimi perëndimor ishte në kërkimin e identitetit të vet. E premtja është kulti i njeriut individualist në shoqërinë tonë. Nuk ka të ngjashme ditë si e premtja ku argëtimi dhe nevoja për alkool, drogë, nikotinë, shpërthen brenda dëshirës së eksituar të individit se sa ura midis dy javëve. Makineria punon në të gjitha drejtimet edhe atëherë kur nuk je i detyruar, për një natë të vetme, të jesh pjesë e saj.

  E ndez një cigare kundra të gjitha rregullave dhe propagandës së njeriut të ri të porsa kthyer nga palestra. E kam të vështirë të kuptoj botëkuptimin tatuazh të një brezi muskulor përvoja e të cilit nuk kalon veç përpos dhe përtej ekranit. Me cigaren e ndezur, shishen shoqëruese të birrës dhe gotën profetike të një single malt whisky – vështroj degën e një peme që në pak javë do jetë e veshur tërësisht në të kuqe. Një manifestim i përndezur përpara zhveshjes së plotë dhe dimrit të thellë. Një vend ideal për ta vrarë veten. Ndaj të them: Mos e vrit veten këtë natë, miku im. E di që egoja jote është më e fortë se natyra. Kështu të thanë. Kështu duhet. Kështu të edukuan. Individualizmi është çelësi i suksesit. Bota ka nevojë vetëm për njerëz të suksesshëm që sinqerisht nuk besojnë te sinqeriteti, kjo vegje e vjetruar. Mos e vrit veten këtë natë, miku ynë. Lëre për javën tjetër.       

ObserverKult

Lexo edhe:

Flurans Ilia: Katër palë flatra

Tregim nga Flurans Ilia: Telefoni i prishur

Cikël poetik nga Flurans Ilia: Tempovarkë