
(Xhavit Beqiri, Një dhimbje për vete, Drita, 2026)
Ka libra poetikë që e shpallin temën e tyre në titull dhe ka të tjerë që, përmes titullit, ndërtojnë një problem. Një dhimbje për vete i Xhavit Beqirit i përket llojit të dytë. Sintagma mund të lexohej fillimisht si mbyllje në përvojën individuale: secili me dhimbjen e vet. Por poezia titullore e përmbys këtë pritje. “Duhet ta kesh një dhimbje / Një dhimbje të fortë të përqendruar / Një plagë të denjë për t’u dashur” (“Një dhimbje për vete”, f. 43), shkruan poeti, duke e kthyer dhimbjen nga gjendje pasive në provë të autenticitetit. Dhimbja nuk kërkohet për t’u ekspozuar; duhet të jetë “vetëm tënden”, e brendshme, e papërvetësueshme nga tjetri. Në këtë kuptim, titulli nuk propozon kultin e vuajtjes, por kundërshton patosin e huazuar: njeriu duhet të ketë një marrëdhënie të vetën me plagën, ashtu siç duhet të ketë një marrëdhënie të vetën me dashurinë, besimin, kohën dhe vdekjen.

Nga Sarë Gjergji
Ky parim shtrihet mbi një arkitekturë të menduar me kujdes. Vëllimi ndahet në shtatë cikle : Molla e jetës, Alterego, Vallëzimi i fundit, Portreti i dashurisë, E diel, Roma dhe Njeriu i kohës dhe secili prej tyre përmban shtatë tekste. Pra, kemi një strukturë 7 × 7, dyzet e nëntë poezi, ku numri shtatë vështirë se mund të konsiderohet rastësi kompozicionale. Siç ka vërejtur edhe Vehbi Miftari në leximin e tij për këtë vëllim, kjo strukturë sjell në sfond shtatë ditët biblike të Krijimit. Beqiri, megjithatë, nuk e riprodhon Zanafillën; ai ndërton një lloj kundër-Zanafille poetike, në të cilën bota, pasi është krijuar, shihet nga brenda historisë njerëzore, me ndarjet, mëkatin, vrasjen, dashurinë, qytetin, besimin dhe vdekjen e saj. Rruga nis me “mollën”, shenjën arketipale të njohjes dhe rënies (në mëkat), dhe përfundon te “fjala”, koha dhe njeriu.
Që në “Prolog”, poeti vendos një marrëdhënie jo të zakonshme me lexuesin: “o lexues / shêjti im / mëshirë mos kërko / për këtë herezi” (“Prolog”, f. 11). Lexuesi quhet “shêjt”, ndërsa poezia “herezi”; kështu përmbyset raporti tradicional ndërmjet autoritetit dhe atij që gjykohet. Poeti nuk kërkon falje dhe as mirëkuptim: “falënderoje atin / gjyqi më bëhet mua” (“Prolog”, f. 11). Libri hapet, pra, nën shenjën e gjyqit. Por ky gjyq nuk zhvillohet vetëm mes poetit dhe botës; në vazhdim ai bëhet gjyq i njeriut me vetveten. Kjo është arsyeja pse leksiku biblik e liturgjik në vëllim nuk duhet lexuar thjesht si shenjë besimi: ai është njëkohësisht gjuhë e pyetjes, e fajit dhe e vetëprovës.
Te cikli i parë, Molla e jetës, bota ndërtohet mbi kundërvënie: gazi dhe helmi, parajsa dhe errësira, drita dhe terri, vetja dhe hija. Kjo strukturë binare bëhet një nga mekanizmat kryesorë të poetikës së Beqirit. Ai nuk i pajton të kundërtat me lehtësi; i lë të qëndrojnë përballë njëra-tjetrës, sepse pikërisht midis tyre krijohet drama e subjektit. Njeriu i kësaj poezie nuk është qenie e përfunduar. Ai dyzohet, kërkon vetveten, humbet në hijen e vet dhe e sheh ekzistencën si një territor ku parajsa dhe ferri nuk janë vetëm vende eskatologjike, por gjendje të njëkohshme të vetëdijes.
Kjo vetëdije zhvendoset në hapësirën urbane te Alterego. Në “Shiu i qytetit të hirtë”, Prishtina nuk është sfond gjeografik, por hapësirë shpirtërore. Poezia nis me ekuacionin lakonik “shiu / simbol i jetës / simbol kaosi”, ndërsa më vonë një pikë shiu shndërrohet në një pikë jete dhe, në këtë botë, në “një humnerë kaosi / pa fund!” (“Shiu i qytetit të hirtë”, f. 23). Qyteti merr ngjyrën e gjendjes së njeriut: është “i hirtë”, i dënuar nga “përënditë e hirta”. Hiri këtu është ngjyrë, por edhe mungesë ngjyre; është zona ndërmjet të bardhës dhe së zezës ku identiteti, shpresa dhe kuptimi humbin konturet.
Një nga arritjet e vëllimit është pikërisht aftësia për ta kaluar vazhdimisht përvojën personale në një rrafsh më të gjerë pa e humbur konkretësinë. Te poezia “I ikuri”, figura e një plaku të zhdukur, të cilin familja dhe bota e kanë humbur ndërsa policia e kërkon, përfundon në një imazh të ftohtë: nga bora e mbuluar, ai “heshtjen rrëfim” (“I ikuri”, f. 24–25). Njeriu këtu është njëkohësisht individ dhe emblemë e humbjes: ekziston në kujtesë, në hetim, në rrëfim, por mungon fizikisht. Beqiri është më bindës pikërisht kur nuk e shpjegon dhimbjen, por i gjen një figurë.
Në ciklin Vallëzimi i fundit, vdekja hyn në tekst jo si abstraksion filozofik, por si ligj i materies. Te poezia me të njëjtin titull, njerëzit e zverdhur bien “nga degët e vjeshtës”, ndërsa kërcitja e trupit nën këmbë “jehon gjithë jetën e lume si një trokëllimë morti” (“Vallëzimi i fundit”, f. 35). Pamja është e rëndë, por jo dekorativisht makabre. Vjeshta, vallëzimi dhe vdekja futen në të njëjtën lëvizje, deri sa gjethet e kuqërremta dhe njerëzit e zverdhur bashkohen në një koreografi të fundit.
Në të njëjtin cikël gjendet edhe bërthama semantike e librit. “Një dhimbje për vete” nuk kërkon dhimbje të shumëfishta: kërkon një të vetme, të përqendruar, aq sa “të shndërrojë” qenien. Ky minimalizëm është i rëndësishëm. Beqiri shpesh punon me pak vargje, me formula gati aforistike, ku poezia rrezikon vetëdijshëm kufirin me sentencën. Ndonjëherë kjo prirje e ngjesh vargun deri në tezë filozofike; megjithatë, në poezitë më të realizuara, aforizmi thyhet nga imazhi dhe fiton trup. Dhimbja, për shembull, nuk përkufizohet thjesht: ajo është “therje thike” dhe humbje “në terrin e pambarim të detit” (“Një dhimbje për vete”, f. 43).
Portreti i dashurisë e ndryshon regjistrin pa e ndryshuar thelbin. Dashuria nuk paraqitet si strehë e sigurt, por si territor i kujtesës dhe i humbjes. Te “Zana”, gruaja “kridhet n’kujtime”, ndërsa deti dhe largësia shndërrohen në mënyrë të përjetimit të mungesës (“Zana”, f. 47).Dialektalizmat — shkujdesun, n’lojnat, asht, dashunisë, vrarun i japin poezisë një regjistër intim, shpesh më të ngrohtë se abstraksionet filozofike që e rrethojnë. Beqiri lëviz ndërmjet shqipes standarde dhe gegërishtes pa e kthyer këtë në program gjuhësor; ndryshimi i regjistrit ndjek shpesh ndryshimin e afërsisë emocionale.
Por cikli ku dimensioni biblik dhe ai etik ndërthuren më fuqishëm është E diel. Në poezinë “Meshë”, rituali i kungimit kthehet në një skenë vetëgjykimi: “çdo të diel / marrim korpin tënd / dhe gjakun”, ndërsa në fund “me gurin e mëkateve / qëllojmë vetveten” (“Meshë”, f. 60). Sakramenti nuk paraqitet si akt qetësues; ai është pasqyrë morale. Guri që në traditën biblike mund të hidhet kundër fajtorit, këtu kthehet ndaj vetes. Poezia i heq subjektit privilegjin e pafajësisë: të marrësh pjesë në rit nuk do të thotë automatikisht të jesh i pastruar.
Ky mekanizëm i rishkrimit arrin një shkallë tjetër në ciklin Roma. Beqiri e lexon qytetërimin përmes binomit themelues vrasës–viktimë. “Hyji e pranoi dhuratën e Abelit / Kaini ziliqar e vrau të vëllanë”, pastaj miti biblik lidhet me mitin e themelimit të Romës dhe poezia përmbyllet: “Kjo botë e shenjtë nisi me flijim / Dikush në fron, dikush viktimë” (“Vëllezër e vrasës”, f. 67). Kaini dhe Abeli, Romuli dhe Remi nuk vendosen pranë njëri-tjetrit për erudicion. Ata formojnë një matricë të historisë: themelimi i rendit shoqëror bart brenda vetes kujtesën e dhunës.
“Roma” e ngjesh këtë ambivalencë në një seri kundërvëniesh: “Roma është shushurimë / Roma është uturimë”; më tej ajo është qyteti i thikës dhe njëkohësisht qyteti i dritës (“Roma”, f. 73). Qytetërimi nuk idealizohet dhe as dënohet në bllok. Madhështia e tij është e pandashme nga dhuna që e ka prodhuar. Pikërisht këtu libri del nga rrëfimi personal i dhimbjes dhe arrin te një antropologji poetike e historisë: njeriu ndërton tempuj, amfiteatro, qytete dhe perandori, por në themelet e tyre vazhdon të dëgjohet zëri i viktimës.
Cikli i fundit, Njeriu i kohës, e çon librin drejt formës më të zhveshur filozofike. Në tekstin “Njeriu i kohës”, figura moderne shfaqet e rregullt, elegante, harmonike, pothuajse e denjë për adhurim; megjithatë, në të ka “diçka të ftohtë, diçka që të rrëqethë si morgu” (“Njeriu i kohës”, f. 79). Është një nga portretet më të goditura të librit, sepse frika nuk vjen nga shëmtia, por nga përsosmëria e tepërt. Njeriu bashkëkohor është i rregulluar deri në çnjerëzim: buzëqeshja e tij është e ngrirë, harmonia e tij mekanike, eleganca një maskë që fsheh ftohtësinë.
Prandaj përfundimi me “Koha” nuk është rastësor. Libri që ka nisur me mollën , pra me figurën e njohjes, zgjedhjes dhe rënies mbyllet me një rishkrim radikal të Fjalës: “Koha doli nga fjala e para fjalës nuk ishte asgjë”, dhe më pas njeriu lind “ferrin, purgatorin e parajsën” (“Koha”, f. 85). Në fund, Hyji mbetet i shtangur përpara krijesës së vet dhe i drejtohet Fjalës. Këtu poezia kthehet në pikën prej nga ishte nisur, por tashmë pas një udhëtimi nëpër dashuri, humbje, qytet, liturgji, histori dhe vdekje. Nuk është më Zoti ai që ndan ferrin nga parajsa; është njeriu që i prodhon ato në historinë e tij.
Kjo arkitekturë e bën vëllimin Një dhimbje për vete më shumë se një përmbledhje poezish të bashkuara nga motivi i dhimbjes. Është një vëllim i ndërtuar mbi një gramatikë të kundërshtive: dritë–terr, parajsë–ferr, trup–shpirt, dashuri–humbje, shenjt–mizor, qytetërim–vrasje, njeri–kohë. Forca e Beqirit nuk qëndron te prodhimi i një sistemi filozofik, por te aftësia për t’i bërë këto kundërshti të banueshme poetikisht. Vargu i tij është më i fuqishëm kur koncepti përfundon në figurë dhe mendimi mishërohet në shi, mollë, gur, trup, gjethe, det, qytet ose varr.
Edhe prirja aforistike, e cila në disa tekste e afron poezinë me sentencën, është pjesë e identitetit të këtij libri. Ajo mund ta zvogëlojë herë pas here ambiguitetin poetik, sepse mendimi thuhet më drejtpërdrejt sesa sugjerohet, por në tërësinë e vëllimit kjo prirje balancohet nga një imagjinatë e pasur biblike, historike dhe urbane, si dhe nga alternimi ndërmjet poezisë së shkurtër dhe poemës në prozë. Pikërisht ky tension midis figurës dhe mendimit, midis lutjes dhe herezisë, midis intimitetit dhe historisë, i jep librit individualitet.
Në fund, “dhimbja për vete” rezulton të jetë paradoksalisht mënyra më e fortë për të dalë prej vetes. Duke kërkuar një dhimbje që të mos jetë e huazuar, Xhavit Beqiri mbërrin te pyetjet që nuk i përkasin vetëm individit: çfarë bën njeriu me lirinë, çfarë ndërton mbi viktimën, si e përjeton besimin, çfarë humbet në kohë dhe çfarë mbetet prej tij. Dhimbja është personale vetëm në pikënisje; poezia e shndërron atë në ndërgjegje për njeriun.
ObserverKult






