reklamë

Pal Ndrecaj: Bota me motrën në qendër

Pal Ndrecaj

Persiatje eseistike rreth librit “Motra”, të poetit Shani Pnishi.

Nga Pal Ndrecaj

Nuk dua ta shtjelloj kuptimin e titullit që i kam dhënë kësaj persiatjeje. Ai ka dalë nga mënyra ime e të lexuarit të poezisë dhe nga mënyra ime e të përjetuarit të saj, ndonëse kjo na çon në terrenin e kritikës implicite, e cila bart me vete disa rreziqe, në rend të parë rrezikun që objektin e trajtuar t’ia nënshtrojë paksa tepër shijes e metodës krijuese të kritikut, çka e bën analizën mjaft subjektive. Po, fundja, i tillë është arti, jo vetëm në procesin e bërjes, por edhe në mendimin për të. Në këtë kuptim, Umberto Eko thoshte: “Teksti është një makinë e krijuar për nxjerrjen apo reflektimin e mendimeve mbi të”.
Le ta provojmë një vështrim për këtë libër përmes metodës së inerpretimit (jo interpretimit). “Me interpretim kuptohet ejzegjeza (eisegesis),kur kritiku ia atribuon kuptimin tekstit, kurse me inerpretim kuptohet egzegjeza (exegesis), kur kritiku nuk e shpik kuptimin, por e gjen kuptimin e tekstit… Interpretuesi që në fillim e di ku do të dalë, ndërsa inerpretuesi e kupton në fund. Kjo është e bukura e avanturës” (“Comentum 1”, Ag Apolloni, fq. 6,7).

TË KEMI BESIM NË HAPJEN E ZEMRËS

Libri “Motra”, i poetit Shani Pnishi, është një portret fizik, shpirtëror e moral i Motrës. Një portret që pikturohet pak nga pak, pothuajse, në të gjitha faqet e këtij libri, duke hedhur në secilën ngjyra të ndryshme, për ta bërë figurën e saj më të bukur, më të veçantë e më tërheqëse.
Poezia është pjesa më e bukur e Qenies Njerëzore. (Se ajo është pjesë e Qenies, nuk rrezikon gjë ta thuash). Bile, pjesa më e brishtë e saj. Ndaj poeti ka zgjedhur me kujdes mënyrën si të sillet me të: me dashuri, me butësi e me paqe të patrazuar, sepse ajo është portreti i gjerë e i gjithanshëm i Motrës, sepse është vetë Motra. Dhe, kështu, mes faqeve të këtij libri, krijohet një paqe e lehtë, do thosha, e cila ndihet në secilin shfletim. Është ajo paqe që frymon mes një bote të trazuar, mes një jete të egër që ka jetuar Motra, një paqe që ajo e krijon dhe e nxjerr nga shpirti i saj si dhuratë për vëllanë, për motrën e vogël, për nënën, për babanë, për gjyshin, për të gjithë. Jashtë kësaj bote, është bota e krimit, e të keqes, e cila na tundon në çdo fushë të jetës, çdo ditë e në çdo vend. Është krimi, pra, janë vrasjet, është mashtrimi, është urrejtja. Mirëpo, Motra ka gjetur mënyrën për ta mbrojtur botën që ka krijuar për ne – ka shpikur derën, e cila:

rri e mbyllur
si një sekret i heshtur
në murin e shtëpisë.

I gjithë libri të duket si një notim mes dallgëve të këtyre dy botëve: mes asaj të jashtmes, që karakterizohet me brutalitetin e egërsinë dhe asaj të brendshmes, që është paqja shpirtërore, e cila vjen si një traktat dashurie mes motrës dhe pjesës tjetër të familjes, por edhe pjesës tjetër të botës.
Motra, në poezinë e Shani Pnishit është një figurë që shtrihet përtej horizonteve të reales dhe, me përmasat e saj shpirtërore, përfshin të gjithë hapësirën, në të cilën zhvillohet jeta. Ajo është kujdestarja, është nëna, është mikja, është mësuesja që

“Na mëson të kemi besim në hapjen e zemrës,
sepse kurimi fillon veç nga një prekje e butë në të”.

Një diagnozë e bukur, padyshim!

Rrëfimi për motrën në poezinë tonë është ndër rrëfimet më të bukura, por kur ai rrëfim vazhdon kështu:

Ajo shihte ëndrra
për të gjithë ne.
(…)
Mbante në supet e saj
peshën e karizmës së nënës,
dhe frymën e urtësisë së babait.
Gjithmonë vetvetja,
e njëkohësisht
të gjithë ne brenda saj,

atëherë kemi hyrë në atë botën që shtrihet përtej të përditshmes tokësore.

Motra është një figurë që ditenatë bën roje në portën e kopshtit vleror të jetës sonë, që ta mbajë atë përherë të pastër e të patjetërsuar. Ajo është kudo që është një anëtar i familjes, duke shërbyer e edukuar me dashurinë e saj dhe me sakrificën prej motre, gjithmonë e palodhur, e paepur e pamërzitur. E, pra, është po ajo motra, të cilës “ e nesërmja i vinte
si një kopje e zbehtë e së djeshmes”. Dhe nëse ndokund, qoftë në jetë a në vargjet e këtij poeti e shohim paksa të kërrusur nga shërbimi, shpjegimin e kësaj gjendjeje do ta gjejmë në vargje si këto:

Nuk ishte drama ajo që të mundi,
por njerëzit e pabesë,
që kapërcenin murin personal,
me terrin e mendjes së tyre

Shani Pnishi

KUPTOJMË VETEN DUKE I NJOHUR ZOGJTË

Poeti Shani Pnishi ka jetuar që nga rinia e hershme në mërgim. E, mërgimi është një
moment i gjatë meditues për gjithçka që i mërguari ka lënë mbrapa. Një meditim i pafund e i mbushur plot dhembje. I zhytur në këtë lloj meditimi, autori i librit poetik “Motra”, ka nxjerrë një përvojë si kjo:

Tani që edhe unë ika
për një jetë më të mirë,
arrij ti kuptoj zogjtë…

Nga mërgimi poeti e ndien shumë mungesën e asaj bote që e mbështjell atmosfera e dashurisë që krijon familja. Këtë mungesë ai e ka shprehur aq bukur në poezinë “Valixhet e atdheut”. Rrëfimi poetik na vë përpara imazhit të një mërgimtari, i cili sa herë që shkon në atdhe “mbush aeroplanin me valixhe” me sende për të dashurit e tij. Por, kur kthehet nga atdheu valixhet janë tjetërfarë. Ato kanë brenda zemrat e njerëzve të poetit, janë valixhe të mbushura me mallin e vendlindjes, me kujtimet.

Çdo valixhe
është një copëz e imja,
e mbushur me mungesat –
me dashuritë e munguara;
një atdhe vendosur në valixhen e kujtimeve,
që struket vetëm brenda meje
sa herë që largohem…

Poeti kthehet thellë në fëmijëri. Aty gjen kujtimet e çiltëra të një jete të padjallëzuar. Dhe me ato kujtime ai krijon imazhe interesante:

…A të kujtohet
kur mendonim
se vetëm njerëzit
që nuk i njihnim
vdisnin?

Pastaj vdekja
hyri në shtëpinë tonë,
dhe qielli na u duk
sikur u shtri përdhe…

Autori është një vrojtues i ngjarjeve më interesante të jetës, është një eksplorues i përvojave që dalin nga ato ngjarje dhe një njeri që, pasi ka vjelur mësimet e duhura, nxiton të lë testamentin e tij.
Libri mbyllet me poezinë “Testament”. Testamenti poetik është diçka që e kanë dashur, pothuajse, të gjithë poetët. Ata kanë parë në atë testament vazhdimin e tyre. Udhën që shtrihet pas ndërprerjes së hapave të tyre. Atë udhë që hyn në kujtesën e të ardhmes si vetëdije humane e qenies. Si identitet shpirtëror e artistik.
Ja cili është ai. Po e sjell të plotë:

Testament

Nesër
dielli do të ngjitet sërish
mbi ëndrra të kërrusura bredhjesh.

Do jem aty
duke ua dëgjuar me vëmendje
ritmin.

Në dorë do mbaj një laps
si të vetmin testament.

Do ta shihni vetë
si arrihet një fitore

ObserverKult


Lexo edhe:

Pal Ndrecaj: Poezia si mënyrë të jetuari