reklamë

Rikthimi i karnavaleve, populizmi dhe inxhinierët e kaosit

Të gjithë së bashku, këta “inxhinierët e kaosit” po e rishpikin propagandën për epokën e selfie-ve dhe të rrjeteve sociale dhe, duke vepruar kështu, po transformojnë vetë natyrën e lojës demokratike

Më 19 shkurt 1787, Gëte ndodhet në Romë. Pasi kishte mbërritur në qytet që në ditët e para të vjeshtës, ai ishte vendosur në një apartament të zakonshëm me pamje nga Via del Corso, prej të cilit mund të sodiste, pa u vënë re, gjallërinë e arteries kryesore të qendrës historike.

Në Qytetin e Përjetshëm, poeti kishte ardhur për të kërkuar gjithçka që deri atëherë i kishte munguar në jetën e tij si enfant prodige i letërsisë gjermane, këshilltar privat i Dukës së Vajmarit, përgjegjës për minierat dhe rrjetin rrugor të dukatit: para së gjithash, lirinë për ta përdorur kohën e vet siç dëshironte.

Për të mos u bezdisur nga adhuruesit e Verterit, të cilët prej vitesh e përndiqnin kudo që shkonte, ai kishte marrë identitetin e rremë të një piktori, njëfarë Jean Philippe Möller, i cili deri në atë çast i kishte garantuar qetësinë për të cilën ndiente një nevojë aq të madhe.

Por sot poeti dëgjon një zhurmë të madhe dhe, kur përkulet nga dritarja, para syve i shfaqet një skenë e papritur: në ballkonet dhe përpara portave të pallateve përreth, banorët kanë nisur të nxjerrin karrige dhe qilima, sikur befas të donin ta shndërronin rrugën në sallonin e shtëpisë së tyre.

Ndërkohë, në Via del Corso, drejtimi zakonisht i rregullt i lëvizjes së karrocave është përmbysur, duke shkaktuar kaos, ndërsa mes turmës kanë nisur të shfaqen disa personazhe të çuditshme.

“Djelmosha të maskuar si gra, të ngjeshur në kostume feste, me gjoksin zbuluar dhe të guximshëm deri në pafytyrësi, përkëdhelin burrat që u dalin përpara, sillen me gratë me familjaritet e pa kurrfarë konsiderate, si me të barabartat e tyre; me pak fjalë, i dorëzohen çdo lloj shthurjeje, ashtu siç ua sugjeron teka, humori apo vulgariteti.”

Në mënyrë të ngjashme, “edhe gratë kënaqen po aq duke u shfaqur me veshje burrash”, me rezultate të dykuptimta, të cilat poeti nuk ngurron t’i cilësojë “jashtëzakonisht interesante”.

“Madje, mes turmës gjendet edhe një personazh me dy fytyra: nuk kuptohet se cila është pjesa e tij e përparme dhe cila e pasmja, nëse po shkon apo po vjen”.

Është fillimi i karnavaleve, festës që e kthen botën së prapthi, duke përmbysur jo vetëm marrëdhëniet mes gjinive, por edhe ato mes klasave dhe të gjitha hierarkitë që rregullojnë jetën shoqërore në kohë normale.

“Këtu mjafton një sinjal”, shkruan më tej Gëte, “për të bërë të ditur që secili mund të bëjë të çmendurin sipas mënyrës së vet dhe se, me përjashtim të goditjeve me shkop dhe therjeve me thikë, pothuajse gjithçka lejohet. Dallimi mes shtresave, mes të mëdhenjve dhe të vegjëlve, duket për një çast sikur është pezulluar; të gjithë ngjeshen pas njëri-tjetrit, të gjithë e pranojnë pa e vrarë mendjen atë që u ndodh, ndërsa liria dhe shthurja mbahen në ekuilibër nga humori i mirë i përgjithshëm”.

Në këtë atmosferë, karrocierët maskohen si zotërinj dhe zotërinjtë si karrocierë, ndërsa edhe abatët me petka të zeza, të cilët zakonisht trajtohen me nderimin më të madh, bëhen shënjestra ideale e konfeteve prej gipsi dhe argjile. Kështu, shumë shpejt, të gjorët shfaqen të mbuluar nga koka te këmbët me njolla të bardha dhe gri. Askush nuk është i mbrojtur nga sulmet, aq më pak pjesëtarët e familjeve më të larta të shoqërisë, të cilët grumbullohen pranë Pallatit Ruspoli, pikërisht aty ku shpërthejnë sulmet më të egra dhe betejat më të përgjakshme.

Ndërkohë, qindra Pulçinela, të shfaqur nga çdo anë, mblidhen në një pikë të rrugës, zgjedhin një mbret, e kurorëzojnë, i vendosin skeptrin në dorë dhe, të shoqëruar nga muzika e britmat shurdhuese, parakalojnë përgjatë Via del Corso-s mbi një karrocë të vogël të zbukuruar”.

Gjithçka zhvillohet në një atmosferë gëzimi të përgjithshëm, ndonëse Gëte nuk lë pa shënuar edhe disa nota trazuese: “Jo rrallëherë”, shkruan në një çast, “përleshja bëhet shumë serioze dhe e përgjithshme; dhe atëherë të habit egërsia dhe armiqësia personale me të cilën shfryhen të gjithë”.

Dhe më tej, teksa përshkruan garën e kuajve që zhvillohet mes dy skajeve të Via del Corso-s, ai përmend aksidentet e rënda dhe “fatkeqësitë jo të pakta, të cilat, sidoqoftë, kalojnë pa u vënë re dhe të cilave nuk u kushtohet kurrfarë rëndësie”.

Kjo është ana e errët e karnavales: ndërthurja e pazgjidhshme e festës me dhunën, mbi të cilën mbështetet potenciali i vet përmbysës dhe që pothuajse gjithmonë lë tek ata që marrin pjesë në të, pasi është e pamundur ta vëzhgosh nga jashtë, një dyshim të fshehtë rreth natyrës së vërtetë të asaj që ka ndodhur realisht.

Sepse karnavalja nuk është një kremtim si gjithë të tjerët, por shprehja e një ndjenje të thellë dhe të papërmbajtshme, që zien nën hirin e kulturës së popujve. Nuk është rastësi që, siç vëren sërish Gëte, kjo nuk është një festë që autoritetet ia ofrojnë popullit, por “një festë që populli ia ofron vetvetes”.

Asnjë pushtet nuk ka arritur ndonjëherë të çlirohet plotësisht nga karnavalja dhe fryma e saj përmbysëse. Përgjatë shekujve, ajo pushoi së përshkuari rrugët për t’u zhvendosur në pamfletet dhe karikaturat e gazetave popullore, derisa u rishfaq në kohët më të fundit në satirën e komedianëve televizivë dhe në sulmet verbale të trolleve digjitale.

Por vetëm sot karnavalja e ka braktisur përfundimisht pozicionin e saj periferik, në skajet e ndërgjegjes së njeriut perëndimor, për të marrë një rol qendror të paparë më parë, duke u vendosur si paradigma e re e jetës politike bashkëkohore.

… 

Dhe sot, pas pamjes së çrregullt dhe groteske të karnavaleve populiste fshihet puna e ethshme e dhjetëra strategëve të komunikimit politik, ideologëve dhe, gjithnjë e më shpesh, shkencëtarëve dhe ekspertëve të të dhënave masive (Big Data), pa të cilët udhëheqësit nacional-populistë nuk do të kishin ardhur kurrë në pushtet.

Të gjithë së bashku, këta “inxhinierë të kaosit” po e rishpikin propagandën për epokën e selfie-ve dhe të rrjeteve sociale dhe, duke vepruar kështu, po transformojnë vetë natyrën e lojës demokratike.

Propaganda e inxhinierëve të kaosit është përkthimi politik i Facebook-ut dhe Google-it. Ajo është natyrshëm populiste, sepse, ashtu si rrjetet sociale, nuk duron asnjë lloj ndërmjetësimi dhe i vendos të gjithë në të njëjtin rrafsh, me vetëm një parametër gjykimi: pëlqimet. Është indiferente ndaj përmbajtjes, sepse, ashtu si rrjetet sociale, ka vetëm një objektiv: atë që gjenitë e Silicon Valley-t e quajnë “angazhim” dhe që, në politikë, nënkupton konsensus të menjëhershëm.

Ashtu si algoritmi i rrjeteve sociale është programuar për t’i ofruar përdoruesit çfarëdo lloj përmbajtjeje që mund ta mbajë pak më shpesh dhe pak më gjatë në platformë, edhe algoritmi i inxhinierëve të kaosit e shtyn atë të mbështesë çfarëdo qëndrimi, qoftë i arsyeshëm apo absurd, realist apo ndërgalaktik, mjafton që të prekë aspiratat dhe frikërat – mbi të gjitha frikërat – e zgjedhësve.

Për këta “Dr. Strangelove” të politikës, loja nuk konsiston më në bashkimin e njerëzve rreth një emëruesi më të vogël të përbashkët, por, përkundrazi, në ndezjen e pasioneve të sa më shumë grupimeve të vogla, për t’i mbledhur më pas të gjitha së bashku, madje edhe pa dijeninë e tyre. Kundërthëniet e pashmangshme që përmbajnë mesazhet drejtuar njërit apo tjetrit grup mbeten gjithësesi, në pjesën më të madhe, të padukshme për publikun e gjerë.

Në një sistem të tillë, shumica nuk fitohet më duke u afruar drejt qendrës, por duke bashkuar skajet. Dhe barrierat e vjetra ideologjike ia lënë vendin ndarjes së re mes “popullit” dhe “elitës”. Nga Brexit-i te zgjedhja e Trump-it e deri te rasti italian, suksesi i nacional-populistëve matet me aftësinë për ta hedhur në erë ndarjen e djathtë–e majtë, me qëllim që të kapin zemërimin dhe frustrimet, ngado që ato vijnë.

Ashtu si rrjetet sociale, propaganda e re ushqehet kryesisht me emocione negative, sepse janë pikërisht ato që garantojnë përfshirjen më të madhe. Megjithatë, ajo ka edhe një fytyrë gazmore e çliruese, shpesh të pavënë re nga ata që theksojnë vetëm anën e errët të karnavales populiste.

Përqeshja ka qenë gjithmonë mjeti më i efektshëm për të përmbysur hierarkitë. Gjatë karnavaleve, një e qeshur çliruese varros pompozitetin e pushtetit, rregullat dhe pretendimet e tij. Asgjë nuk është më shkatërruese për autoritetin sesa një i pacipë që e shndërron atë në objekt përqeshjeje.

Përballë seriozitetit programatik të teknokratit në pushtet, mërzisë dhe arrogancës që burojnë nga çdo gjest i tij, palaçoja rebel, në stilin e Trump-it apo Grillo-s, jep një goditje kamxhiku që çliron energji. Tabutë, hipokrizitë dhe konvencionet gjuhësore shemben mes brohoritjeve të turmës në festë.

Në karnavale nuk ka vend për spektatorin: të gjithë marrin pjesë në kremtimin e shfrenuar të botës së përmbysur dhe asnjë fyerje, asnjë shaka nuk është tepër vulgare për të kontribuar në rrëzimin e rendit mbizotërues dhe në zëvendësimin e tij me një dimension lirie dhe vëllazërie.

Karnavalja krijon tek ata që marrin pjesë në të një ndjesi të fortë përmbushjeje, uniteti, metamorfoze dhe rilindjeje; ndjesinë se janë pjesë e një trupi kolektiv që përtërihet vazhdimisht. Secili, nga spektator, shndërrohet në aktor, pa asnjë diskriminim të bazuar në të ardhurat apo nivelin e arsimimit. Mendimi i kalimtarit të parë vlen po aq sa ai i ekspertit, madje edhe më shumë.

Transferimi në Internet i karnavales prodhon efektin e çlirimit nga frenimet, i cili dikur lindte nga akti i veshjes së një kostumi. Trollet janë Pulçinelët e rinj që i hedhin benzinë zjarrit çlirues të karnavale populiste.

Në këtë klimë, asgjë nuk është më e dëmshme sesa të luash rolin e atij që prish festën. Verifikuesi i fakteve, që nënvizon gabimin me lapsin blu; liberali me vetullën e ngritur, që indinjohet nga vulgariteti i barbarëve të rinj.

Në sytë e populistit, progresisti është një pedant që e mban gjithmonë gishtin tregues të ngritur. Pragmatizmi i tij është bërë sinonim i fatalizmit, ndërkohë që mbretërit e karnavales premtojnë ta kthejnë përmbys realitetin ekzistues.

Jeta nuk përbëhet vetëm nga të drejta dhe detyrime, nga shifra që duhen respektuar dhe formularë që duhen plotësuar.

Karnavalja e re nuk përkon me mendimin e zakonshëm, por ka logjikën e vet, më të afërt me atë të teatrit sesa me atë të auditorit akademik; më të etur për trupa dhe imazhe sesa për ide dhe tekste; më të përqendruar te intensiteti i rrëfimit sesa te saktësia e fakteve. Një arsyetim, pa dyshim, shumë i largët nga abstraksionet karteziane, por që megjithatë nuk është i zhveshur nga një koherencë e papritur, qoftë edhe vetëm për sistematicitetin me të cilin përmbys të gjitha kriteret e konsoliduara, për të afirmuar të tjera me kah të kundërt.

Pas absurditetit në dukje të lajmeve të rreme dhe teorive të konspiracionit, për shembull, fshihet një logjikë shumë e qartë. Nga këndvështrimi i udhëheqësve populistë, faktet alternative nuk janë thjesht një mjet propagande. Krahasuar me informacionet e vërteta, ato kanë avantazhin se janë një mjet i jashtëzakonshëm kohezioni.

“Në shumë aspekte, absurditetet janë një mjet organizativ më i efektshëm se e vërteta”, ka shkruar Mencius Moldbug, bloger i së djathtës alternative amerikane. “Çdokush mund ta besojë të vërtetën, ndërsa të besosh tek absurdi është një dëshmi e mirëfilltë besnikërie. Dhe kush ka një uniformë, ka një ushtri”.

Nga ana tjetër, udhëheqësi i një lëvizjeje që i përfshin lajmet e rreme në ndërtimin e vizionit të vet për botën, dallohet nga të tjerët. Ai nuk është një burokrat pragmatik dhe fatalist si shumë të tjerë, por një njeri i veprimit, që ndërton realitetin e vet për t’iu përgjigjur pritshmërive të mbështetësve.

…Gënjeshtrat kanë sukses sepse janë të përfshira në një narrativë politike që prek frikërat dhe aspiratat e një pjese gjithnjë e më të madhe të elektoratit, ndërsa faktet e atyre që përpiqen t’i kundërshtojnë ato janë pjesë e një rrëfimi që nuk konsiderohet më i besueshëm.

Në praktikë, për ndjekësit e populistëve nuk ka rëndësi vërtetësia e secilit fakt më vete, sepse ajo që është e vërtetë për ta është tërësia e mesazhit, e cila përputhet me përvojën dhe ndjesitë e tyre. Përballë kësaj, grumbullimi i të dhënave dhe i korrigjimeve do të vlejë pak, nëse vizioni i përgjithshëm i qeveritarëve dhe i partive tradicionale do të vazhdojë të perceptohet nga një numër gjithnjë e më i madh zgjedhësish, si pak i lidhur me realitetin.

Për ta luftuar populizmin, duhet ta kuptojmë atë dhe jo thjesht të mjaftohemi duke e dënuar. Apo duke e hedhur poshtë si “epoka e mosarsyes», siç bën George Osborne, ish-ministri i Ekonomisë i David Cameron.

Karnavalja bashkëkohore ushqehet nga dy përbërës që nuk kanë asgjë të paarsyeshme: nga njëra anë, zemërimi i shtresave popullore, i cili mbështetet në shkaqe reale ekonomike dhe shoqërore; nga ana tjetër, një makineri e fuqishme komunikimi, e konceptuar fillimisht për qëllime tregtare dhe e shndërruar më pas në mjetin e parapëlqyer të të gjithë atyre që duan ta shumëfishojnë kaosin./(bota.al)

*Shkëputur nga libri “Inxhinierët e Kaosit”, i Giuliano Da Empoli

ObserverKult


Lexo edhe:

Inteligjenca Artificiale/ Kemi filluar të humbasim kontrollin. Është koha ta ndalim