reklamë

“Pyka”, tregim nga Ndue Dedaj

– A. N. B. Prishtinë –

Nga Ndue Dedaj

E kisha rrëxue lisin, tue ra me rrapëllimë mbi dushqe, e kisha copëtue trungje – trungje me sharrë, në njanën anë unë e në tjetrën nji shoq, e tash më duhej me e ça çdo trung përmidis e pastaj katërsh, për me nxjerrë landët që më nevojiteshin për ngrefën e shtëpisë së re. Kishte qenë lisi ma i naltë e ma i fortë i pyllit, në shpatin sipër shtëpisë tonë, që shkonte deri te reza e vijës. Në fillim nuk kisha dashtë me e pre, por asnji tjetër nuk ishte ma i përshtatshëm se ai për ngrefën. Mirëpo trungu i tij nuk po çahej me latushën e madhe, që e kisha mpreh në farkë enkas për këtë punë. O e çan kjo sëpatë lisin e Qafë-Rrasës, ose asnji, me pati thanë farkëtari. Por mue po më shkuleshin krahët prej shpatullave e trungu nuk kishte marrë kurrëfarë krisje. As vend nuk kishte ba në të sëpata. Provova të ngulja nji pykë prej dru frashni, si ma i forti. Po me kë e ke? U përpoqa t’i fusja dy pyka njiherësh, që të shtynin njana-tjetrën, por jo e jo. Ishte bungë e fortë si gur. Ndryshe do të kishte qenë mbase po të ishte shpardh apo qarr. Më kishin mbulue djersët, a thue se kisha hy në ujë. Më shkoi gjithë paraditja pa ça asnji trung e ata ishin pesë a gjashtë. Mendova të thërras atë shoqin me të cilin i kisha trupue lisin, që ta zinim trungun njani nga kryet e tjetri nga kambët, por ai nuk ma kishte për borxh mbas gjithë asaj lodhjeje që kishte pasë për me e pre. U shtriva mbi grathtelin ermues, që edhe të pushoja pak edhe të më thaheshin djersët në trup. Ndoshta më vinte ma shumë fuqi. S’e kisha mendue kurrë kaq të vështirë këtë gja. Gjithmonë kisha ça trungje lisi më sëpatë, nuk ishte ndonji gja që nuk e dija, se fundja nuk donte ndonji mjeshtri. Më zuni gjumi aty mbi bar si të ishte dyshek leshi.

Kur u zgjova isha edhe ma i dërmuem. Por mbasi hangra sillë, bukë me djath, mish keci  e turshi, tue pi dhe nji kupë me raki, erdha disi në formë. Mbasditja ishte dhe ma e nxehtë. Zemra s’ma bante, por s’kisha rrugë tjetër, s’mund ta lija atë lis ashtu e të prisja nji tjetër. Ku i dihej, ndoshta dhe ai tjetri do të ishte gdhá si ky, që nuk hante pykë në asnji farë fejet. I mëshoja me latushë sa munda pykës së re, por ajo paf kërcente tej. Nji herë me ra kocit ta kambës e desh më sakatoi. Më kishte mbetun mundësia e fundit, nji pykë hekuri. O do ta çante ajo, o nuk kishte perëndi që më shpëtonte. Por nuk bani punë as pyka e hekurit, tue i mëshue me máj me sa fuqi kisha. Erdhi e iu shtyp kryet si kërpurdhë. Më vinte turp, si do t’i thosha grues e fëmijëve, se nuk qeshë i zoti me ça me latushë nji trup lisi? Le mandej kur ta merrte vesh lagjia. Si do t’ju dilja përpara do tallësve të pamëshirshëm. Nuk je i zoti me ça nji trung lisi, le ma për punë te tjera?… Po si kështu, bre Lukë?

I lodhun sa s’ka, kur po matesha të gjueja përsëri pykat që kërcenin tej, pashë nji burrë me çantë doktorash në dorë, që vinte shtegut të vijës. Nuk e njofta. Ndoshta vjen nga qyteti për me vizitue ndonji të semundë në katund. U habita si nuk ishte ndokush me të, që t’i dëftonte udhën, se i vendit ai nuk ishte. E vrojta nji çast si me inat atë njeri, pse ishte ai dhe jo ndonji burrë i fuqishëm i kësaj ane, që të më ndihmonte të dilja nga halli që më kishte zanë. Por pastaj mendova se po i bija në qafë, ç’faj kishte nji kalimtar i rastit, që nuk më banin punë pykët me ça lisin e rrëxue.

Puna e mbarë! A u lodhe? – foli ai simbas zakonit.

Besa boll! E me gjasë nuk kam me ia dalë me këto pykat e mia, thashë sikur ai ta dinte se ç’kisha hequn unë më pykat e shumta gjithë ditën e ditës. Njëna shtypej me të parën. Tjetra çahej për vete. Nji tjetër kërcente sa nuk më nxirrte sytë.

Njeriu me çantë e kuptoi se si e kisha hallin, që sa herë atë ditë më ishte tha djersa në trup. I bindun se ai ishte doktor, mezi po prisja të largohej, që të nisja sërish ritualin e pashpresë, të rrasjes së pikave, sa të banin pak vend, se atëherë do t’i sulesha lisit si dragua, derisa t’ia hapeshin brinjët. Apo nuk ishte aq e kandshme era e drunit të premë, po dhe ato vijëzimet e tij përmbrenda si damarë. Nji mendje më thoshte se të kishte qenë shkamb ai lis, do ta kisha ça me gjithë ato të rame…

Mirëpo doktori, që rrinte përballë meje, si ndonji qenie mistike, nuk po shkulej. Edhe kjo më duhej. T’i thosha të ikte, nuk ishte në nderin e nji malësori. Ndoshta ai mund t’më thotë se do të vinte në shtëpinë time me bujtë, apo nuk kishin nis me ra hijet e mbramjes.

Por doktori nuk më la ma gjatë në udhëkryqin tim mendor.

E ke nji zgjidhje, – tha, si të fliste nga nalt. Gjithmonë ma kishin shpifun tipa të tillë, që i zgjidhnin punët e ngatërrueme me nji të rame të sëpatës.

Unë? Mos u fut pykë në punët e hueja. E si? Nuk kam lanë pykë pa provue: lisi, shkoze, frashni, kërcune shqope. A di ti drunj ma të fortë se këto? Edhe pykë hekuri kam përdor. Më vjen keq, por!…

Desha me të ndihmue, asgja tjetër.

E si mund të më ndihmosh ti? A vjen e kap latushën me mue? Nuk mundesh, je doktor.

Doktor? Si ta marrësh! Jo doktor me shëndosh gjindjen.

Atëherë je doktor berresh?

Jo, as ashtu, si me të thanë…

E po doktor tjetër nuk ka! – ia preva unë fjalën i inatosun me të, që po ma djerrte kohën.

Ka, ka, por ç’randësi ka kjo tani. Ty të duhet me ça këtë trung lisi sa nji tinar.

E si, pra, me qe ti e ditke? – u përpoqa ta vija në lojë sadopak. E kishte hak.

E di dhe ti. Kujtohu! Unë prej të vjetërve të këtyne anëve e kam mësue.

Çfarë ke mësue, se si futet pyka në lis? Po kjo asht më të vërtetë me qesh. Aman, zotni, çfarë po thue! Sa pykë kam ngulun unë, ti nuk i ke pasë lapsa…

Pikërisht… nuk ka asnji lis që nuk e çanë pyka! Edhe sikur të jetë i fortë si çeliku. Por ti je aq i lodhun sa mezi po më ndigjon…

Heshta. Ç’të baja. Vjen dikush nga udha dhe don t’më tregoj mue pykët. Po kjo asht të zashë kryet me duer. Jo, jo, o më ka lanë mendja mue, ose ky njeri me çantë asht nji i marrë. Ma shumë ka mundësi kjo e dyta, a nuk po i thotë, edhe jam doktor, edhe s’jam doktor?! Ky vetëm në qoftë doktor për mizat!…

Njeriu me çantë e kapi gjendjen time, thuej në dash neverinë, që ndieja atë çast për gjithçka: lisin, latushën, pykët, atë njeri që se nga mbiu me më trazue ma shumë se ç’isha.

M’u drejtue tue këqyrë latushën e hedhun përdhe si ajo pushka që nuk bante bam:

Lisin e çan pyka e vet! Vetëm ajo! Kuptove? Hiqja nji copë blloshkë a ashkël këtij trungu dhe baje pykë, të shohish si do ta çaje me të parën!

Mbeta pa fjalë. Si më kishte dalë nga mendja? E kisha ndigjue kaq herë këtë që sapo më tha ky shtegtar i panjoftun, që nuk arrija të kuptoja se çfarë doktoriishte.

Post scriptum. Ku ta dija, atë mbramje, se mbrenda asaj çante meshini ngjyrë kafe, në qinda fletë, ishin regjistrue me shkrimin e tij të imët, fjalët e popullit tonë, edhe ato të arbneshëve matanë detit. Doktori i tyne ishte ai njeri shtatimët, i pashëm e me tipare të gdhenduna, me fjalën si një etje të gurëzueme…

ObserverKult


Lexo edhe:

Ndue Dedaj: Njeriu që ngjiti në shtyllë vdekjen e vet