reklamë

Naxhije Gashani: Më vjen shpesh në ëndërr

Motër,

Ti vjen shpesh
Më ulesh ëndrrave me atë shikim
bojëdielli
Nuk flet. Nuk ankohesh
E re je si atëherë

Ti më e plagëta plagë, re që pikon qiellit

Të shoh
Të kundroj mallshëm
Çuditem se si fytyrës nuk t’i ra pesha
e 28 stinëve të vdekura
Flokët e zeza akoma krahëve valë-valë të bien
Sytë i ke të mbushur plot e përplot mall jete

Ti që kurrë s’u bëre për ne
portret i dhimbjeve të fjetura

Desha t’i them ca fjalë por ike
Të të flas se si bërtet kupës së qiellit
mungesa jote
Qëkur vdekja anëpërtej shpoi
trupin tënd nusëror

Sytë e nanës u bën dy kroje të lotëve

Desha të të them
Se ne nuk mbetëm të rinj njësoj me ty
Reshën dimrat e jetës çdo ditë flokëve tanë
Babai nxitimthi iku atje diku,
ndofta tek ti

S’e di në e ke pranë

Ti prapë vjen në ndonjë tjetër ëndërr
Ulesh qetas ashtu siç ishe e lehtë –
si flutur
Shikon lehtas. Nuk flet. Nuk ankohesh
Nuse shkove
Ëndrrash nuse më kthehesh

Ashtu siç ishe – e re, e bukur

Në ëndrrat tjera kurdo që do të vish
Merr me vete Valmirin* tënd
Së paku ëndrrave riosh të më shfaqet

Fëmijë të ishte këtu s’i lanë vend

Desha të të them por shpejt flatrove
Ashtu si atëherë qiellit vjeshtak pa lamtumirë
Nga ai shtator këndej s’pushuan shirat

Liria erdhi

E, pa ty na gjeti
Oh, sa vështirë

*Valmir Deliu – nipi im 2 vjeçar, i biri i motrës sime Mihanes; të dy të vrarë në Abri të Drenicës

ObserverKult


Lexo edhe:

Naxhije Gashani: Kur të flasësh për dashurinë