reklamë

Aty ku rrugët harrojnë të bien dakord, por të bëjnë të ndihesh i lirë

Nga Resul Jusufi

Në çdo qytet ku shkon, sapo mbërrin, e ndien se ekziston një kod i pashkruar. Askush nuk ta thotë, por e ndien. Pas disa ditësh fillon të kuptosh se si funksionojnë gjërat dhe cili është ritmi i jetës. Në Berlin është krejt ndryshe: veç ndihu vetvetja. Ndoshta kjo është gjëja e parë që të huton. Berlini ose të pëlqen shumë, ose të lë të hutuar. Ndonjëherë të dyja bashkë, gjatë gjithë kohës.

Kontrastet janë kudo. Ka rrugë ku ndërtesat duken sikur kanë ardhur nga kohë të ndryshme dhe kanë harruar të bien dakord me njëra-tjetrën. Ka ndërtesa elegante pranë mureve të vjetra, fasada të rregulluara pranë atyre që duken sikur nuk kanë pasur shumë interes për t’u rregulluar. Ka rrënoja, tulla, xhama, grafite dhe hapësira moderne. Dhe, çuditërisht, asgjë nuk duket se shqetësohet shumë nga kjo. Gjithçka rri aty pranë.

Kam njohur qytete të ndryshme. Secili ka ritmin, karakterin dhe sharmin e vet. Disa të flasin përmes arkitekturës, disa përmes rregullit, disa përmes elegancës e disa përmes atmosferës. Pas pak kohe fillon ta kuptosh ritmin e tyre. Berlini nuk ta jep aq shpejt atë ndjesi. Në disa lagje, pas disa kthesash, të krijohet përshtypja se nuk je më në Gjermani. Jo sepse ke hyrë diku tjetër, por sepse Berlini është kthyer në një magnet për mendjet krijuese, një stacion ku ka vërshuar dhe vazhdon të vërshojë arti nga e gjithë bota.

Gjuhë të ndryshme shkrihen natyrshëm përmes diskutimeve për artin. Muzika dëgjohet nga baret dhe dyqanet e vogla, ndërsa veshjet duket sikur nuk duan t’ia dinë fare për rregullat e modës apo për uniformitetin. Dhe askush nuk duket shumë i shqetësuar për këtë. Kjo dyndje artistike, ku shumë identitete krijuese jetojnë pranë njëri-tjetrit pa pasur nevojë të shpjegohen, është pikërisht vendi ku fillon ajo ndjesi e lirisë.

Berlini nuk është i qetë në kuptimin klasik të fjalës. Ka metro, S-Bahn, biçikleta, makina, njerëz që ecin shpejt dhe të tjerë që duken sikur nuk kanë asnjë nxitim. Ka lokale që vazhdojnë deri vonë dhe rrugë ku gjithmonë të krijohet përshtypja se diçka sapo ka ndodhur ose është duke ndodhur. Por ka një lloj mungese stresi që e ndien kudo. Njerëzit ecin me ritmin e tyre, pa atë nxitimin e vazhdueshëm për t’i provuar kohës se duhet të arrijnë diku. Në Berlin mund të jesh elegant dhe krejt i çrregullt në të njëjtën kohë.

Mbrëmjet e së premtes e tregojnë këtë shumë mirë, kur pasditja shkrihet në mbrëmje dhe qyteti fillon të ndryshojë ritëm. Në trotuar, në U-Bahn apo në S-Bahn, sheh një person me veshje krejtësisht elegante, por me një birrë në dorë, dhe kjo gjë të premteve në mbrëmje është krejt normale. Është pikërisht ky kontrast që nuk përbën asnjë kontradiktë për qytetin. Dikush tjetër duket sikur sapo ka dalë nga një koncert. Berlini të premten në mbrëmje nuk duket sikur po fillon natën. Duket sikur nata ka filluar vetë dhe qyteti thjesht po i bashkohet.

Edhe shiu atje ka një lloj karakteri. Kur bie shi në Berlin, qyteti nuk duket sikur kërkon strehë. Shiu bie mbi tulla, mbi grafite, mbi biçikleta të lëna keq, mbi trotuare dhe mbi njerëz që vazhdojnë të ecin. Asfalti laget. Dritat shpërndahen mbi rrugë. Dikush vrapon pak. Dikush tjetër ecën normalisht. Qyteti vazhdon. Nuk duket sikur po pret që dikush t’i japë leje.

Një nga vendet që ka lënë gjurmë tek unë ishte një strehë e vogël boheme në Kreuzberg, Café degli Artisti, e cila, fatkeqësisht, tashmë është e mbyllur. Nuk kishte asnjë pretendim për luks apo estetikë komerciale dhe pikërisht kjo zhveshje nga pompoziteti e përbënte bukurinë e saj autentike.

Ishte një hapësirë ku mund të ekzistoje jashtë çdo programi apo plani. Çdo të enjte në mbrëmje aty takohej një grup i vogël artistësh, pjesë e të cilit u bëra edhe unë.

Flisnim për koncepte, diskutonim për ekspozitat, lëvizjet e reja teartit, dhe dinamikat kulturore të javës. Nuk kishte kuratorë apo skenarë të parapërgatitur. Ishte thjesht arti i pastër i bashkëbisedimit rreth një tavoline druri dhe kjo mjaftonte për të krijuar një epokë të vogël.

Ndoshta një nga gjërat më interesante në Berlin është se arti nuk është i mbyllur në galeri. E gjen në rrugë, në mure, në oborre, në lokale, në bodrume dhe në hapësira të vogla ku një natë mund të ketë një ekspozitë, një koncert ose një diskutim. Pastaj hapësira mbyllet dhe gjithçka ndryshon. Grafitet janë kudo. Disa janë të bukura, disa agresive, disa të pakuptueshme e disa thjesht të dobëta. Por Berlini i mban të gjitha mbi vete. Nuk duket sikur ka një komision që kontrollon nëse qyteti është mjaftueshëm i bukur. Dhe kjo i shkon për shtat.

Berlini jep përshtypjen se është gjithmonë duke u krijuar: një artist largohet e një tjetër shfaqet; një ekspozitë mbyllet për t’u hapur diku tjetër; një lokal ndryshon dhe një mur mbulohet me një grafit të ri. Asgjë nuk është plotësisht e përfunduar dhe, pikërisht kjo, përbën karakterin e qytetit.

Njerëzit janë në lëvizje jo vetëm fizikisht, por edhe idetë lëvizin. Dikush kërkon diçka të re, dikush po krijon, dikush po ndryshon punë e dikush sapo ka ardhur dhe ende nuk e di mirë se ku është. Ndoshta kjo është një nga arsyet pse fjala liri të vjen ndërmend kur mendon për këtë qytet.

Jo liri në kuptimin romantik, por liri praktike: të dalësh si të duash, të ulesh ku të duash, të shkosh në një koncert që e ke zbuluar rastësisht apo të hysh në një lokal të vogël pa e ditur se çfarë do të gjesh. Të kalosh nga një lagje në tjetrën dhe të ndihesh sikur ke ndërruar qytet. Pa shumë shpjegime.

Kjo është ajo që e bën Berlinin të veçantë. Ai nuk përpiqet të të tregojë se çfarë duhet të mendosh për të, as nuk të jep një pamje të vetme si përmbledhje. Të jep thjesht fragmente: një rrugë me grafite, një kafene e vogël, një tren në shi, një tavolinë ku flitet për artin apo një njeri me një birrë në dorë që ecën në trotuar sikur kjo të jetë gjëja më normale në botë. Një ndërtesë elegante pranë një muri që ka refuzuar të plaket me dinjitet.

Janë pikërisht këto kontradikta që e bëjnë Berlinin ky që është. Nuk ka nevojë që gjithçka të përputhet. Rrugët, ndërtesat, njerëzit, stilet dhe gjuhët nuk përputhen gjithmonë. Por të gjitha bashkëjetojnë aty pranë njëra-tjetrës dhe funksionojnë. Mbi të gjitha, ky qytet të mëson, pa të mbajtur leksion, se bashkëjetesa nuk kërkon që të gjithë të jenë njësoj; mjafton të ketë hapësirë për të qenë ndryshe.

Kjo është përshtypja që më lë Berlini. Një qytet që nuk të kërkon të përshtatesh me të, por të lë hapësirë të gjesh vendin tënd brenda tij.

Aty ku rrugët harrojnë të bien dakord, por të bëjnë të ndihesh i lirë.

ObserverKult


Lexo edhe:

Si jepet Çmimi Nobel i Letërsisë: një vështrim pas perdeve