
Essay
Nga Halil Matoshi
Poezia “Apostle Town” (Qyteti i apostujve) e autores kanadeze Anne Carson, që fitoi Nobel për Letërsi 2026, e botueme në përmbledhjen e saj Plainwater (Uji i thjesht) 1995, âsht nji meditim i fellë i shtangies para deket, që nisë me ni brimë (vaj) e përfundon me nji mahnitje nga drita (nuri i t’dekunit) sikur flaka që shkrumon nji pallat!
1.
Vargjet e Carson janë t’thyeme si njisia matëse me të cilën shqipja matë 24-orëshin e ditës, që kur ajo kalon pjesën e parë, thojnë dita u thye!
Kjo âsht matja e gjendjes para dhe mas dekes kur ja çatis zia tue kriju nji bosh t’rânë si muri ndërmjet dy britmave, tue kriju distancë njerëzore që kurrë ma nuk afrohet.
Ky âsht fundi i guhës dhe i kohës.
Siç ndodh distanca kur thehet dita, e bjen terri në fund të saj, drita krijon boshin që brenda tij ka zjarrin e kujtesës që sapo shemb nji pallat.
Anne Carson i shtynë kufijtë e poezisë manej Wislawa Szymborska-s e Tomas Tranströmer-it: Në nji kând gjeometrik të territ të përjetshëm, ku megjithatë depërton drita.
2.
Poezia e madhnishne dhe e bukur âsht ajo që kur e lexojmë thojmë: Uh, e kam menu njâjt po pse s’e kam shkru unë?
Me nji guhë minimaliste e me strukturë p’ej frakture eshnash, poetja ka zânë momentin e ligshtimit tèm kur kam marrë kumtin për dekë t’nânës: nji ditë ma parë ulun në cepin e shtratit të saj, tek ish spitali i veremit, bri hekurudhe, kam folë qetë me nânën, ajo po m’thojke se po bân ma mirë; e tashti si zâ po m’doket se çan qjellën, kurse unë po thras me lot e brimë, oj nânë, manash jo përballë (dmth pa u pâ ndërvedi) e kjo gjendje, ashiqare e ndryshon fizikalitetin e botës, bota jeme si njeri i gjallë u shndrru në jehonë, brimë tue nie qe edhe nâna po më bret, pse shkove dje e nuk nèjte me mue;
Nashta ka dashtë me m’thânë rri der’ në frymën e mramë!?
Deri sa t’thehet dita!?
Dhe s’e ngova. Ika, me pamjen e saj t’gërmuçun në atë shtrat t’rjepun kohnash e zori për me u que me çelë dritaren, për ma shumë ajr t’paçtë, me marrë ma let’frymë…
Masanej u que nji erë – që m’përplaset në gjyks tek lshohem shpatit teposhtë vendlindjes, e s’më lën me fluturue, si n’thmini.
Kjo erë që frynë asht perde-muri që ka me m’pengu me u zatetë me nânën der në fun t’kohës.
Kamtë m’ranohen plum.
Era e përditshme e ngurtsuet, si metaforë, difton se si ndjenja e humbjes na nalë me ecë, neve apostujve, tue pas manash dikë me të cilin flasim ps u pa e pa u marrë vesh ndërvedi.
A ju ka ndodhë me folë me praninë e mungesës.
Me nânën e dekun?
Me zâ. Me brimë.
Ofaaa.
Si përpjekje e shkretë njerëzore me e mushë boshin.
3.
Poetja sygjeron se hapsinat bâhen t’forta (nji tis mjegulle e ngrime?) e t’ngurta dhe sa ma e madhe zbraztësia aq ma i trashë akulli, saqë dikur terrohet e s’sheh përtej tina.
Terr i ftoftë.
E për me e thânë këtë trishtim, autorja përdor nji imazh tronditës dhe intim: hapsinat ndërmjet dhsmve të nji plake: Kjo âsht gjendja e shkërmoçjes së padamshme të nji bukurie para syve tonë, nji shëmtim si kategori estetke, nji peshymosje (pshtymë oxhaku?), degradimin e ngadalshëm e të sigurt të së bukurës, që bâhet gërdhâjë nga kafshimi i nji plotnir p’ej kohës.
Porse poezia nuk përfundon në terr.
Ndizen do gacrria tfillue n’sy, masanej nji zjarr. vargu i fundit, e then ritmin e shkurtë të pikave dhe lshohet në nji zgjatim, si nji frymëmarrje e lirë.
Nânë, ta çela dritaren!
4.
Carson si në kaleidoskop kujton rininë e grues t’bukur e me dhâm t’shpeshtë e t’pa grimcuet, me ato hapsinat ndërmjet dhamve – si tarabat e Hajkobilles – nëpër të cilat depërton era: “Kur ajo ishte. / E bukur, e nervat i vlojshin si zjarr pallati.”
Ra zjarri! Ngani.
Terri po zhdaravitet po bâhet dritë.
Porse pallati (e madhnishmja) po bjen, po bâhet gërmadhë.
A âsht ky nuri i dekes?
Ky imazh i “zjarrit të pallatit” shpërthen plot jetë e madhështi, siç na vjen në mendje nâna, se kujtesa ka aftësi me e ruejt dritën dhe jetën intensive para se me çatis boshi, edhe kur gjithçka rreth e rrotull âsht shndrru në nji gërmadhë të ngurtë, t’hirnosun si pshtymë oxhaku: ia beh heshtja.
Kujtimi i qetë e i dritsuet nga fenerat e memories njerëzore.
5.
Qyteti i apostujve âsht nji kryevepër, memento mori, shpërfytyrumin që sjell kjo mandatë, deka, nurin dhe mahnitjen me njat qetësi humnerore.
Zia nuk âsht veçse mungesë e dikujt, por nji botë e re, fort e shtirë dhe e ngurt, ku të gjallët duhet me e msu ecjen tue shty me gyks njat mur t’padokshëm ere: Trishtuem.
6.
Në anët tona, gratë në zi mâjnë shamj t’bardha për me diftu po atë dritën që shpërthen mas secilles natë.
Deri në natën e përjetshme.
PS për nji mendje të bukur ose Drita e Plagës: Dhimbja si udhërrëfyes
Në librin e saj me poezi dhe ese The Beauty of the Husband: A Fictional Essay in 29 Tangos, Carson shkruan:
Nji plagë lëshon dritën e vet / thonë kirurgët. /Nëse të gjitha llamat e shtëpisë kishin me u shukë / ti do të mundesh me e mjeku këtë plagë / me atë që shndrit prej saj.
Carson përdor këtë metaforë kirurgjikale si nji prerëse diamantesh (ose filigraniste) për me dëshmu nji të vërtetë fellsisht emocionale: plaga (dhimta apo hupja e nji personi t’dashtun) nezë mrena boshit nji dritë zbuluese.
Kur bota jote thehet si dita tue u errsue gradualisht dhe “të gjitha llamat shymen”, âsht vetë dendësia e dhimtes ajo që të difton të vërteten: Prek plagën!
Ajo dritësohet
Kjo lidhet me vargun e fundit: “zjarrin e pallatit” që vlon brenda plakës. Edhe pse monumentalja (e bukura e plotë) ka psue nji degradim (shndërrohet në nji plagë të fellë e të zezë), ajo “dritë” ose ai “zjarr” i brendshëm mbetet dëshmia e vetme e gjallë.
Ai nur si zgjatim i jetës.
Për Carson-in, plaga nuk âsht thjesht stacioni i mramë i shpërbâmjes, por nji burim njohje krisëse, nji tuebâmje në trajtën e dritës që të verbon, por dyzash edhe t’mahnitë, tue ta kriju mundsinë me pa n’errsinën ma t’fellë.
Përtej atina akullit të trashë që difton boshin.
Të ftohtit n’shpirtë.
Thikën e harreses.
Qyteti i apostujve
Mas deket tâne.
Frynte era çdo ditë.
Çdo ditë.
Na doli përpara si një mur.
Ecem.
Tue i britë anash njâni-tjetrit.
Bitevi rrugës.
Ishte e kotë.
Hapsinat ndërmjet nesh.
U ngurtësuan.
Janë hapsina t’zbrazta.
E megjithatë janë të ngurta.
Dhe të zeza e të randa.
Si boshi mes dhâmve.
Të nji plake.
Që e ke njoftë me vjet.
Kur ajo ishte.
E bukur, dhe nervat i vlojshin
brenda si zjarri që kaplon pallatin.
ObserverKult
Lexo edhe:






