reklamë

Nji poet – nji poezi: Unikja që nuk coptohet!

(Essay per poezinë “Hije të ikjes” të Flutur Mustafës)

Poezia “Hije të ikjes” përpara se nji vepër letrare, âsht nji manifest estetik për ankthin dhe dilemat e krejt botës tek nji grue e brishtë dhe pandehun e ngathtë, kurthue në gjânat që “veç çka me lëkurë mundesh me bajtë”…, porse ajo âsht e realizueme në totalitetin e saj, në unicitet me botën.

Nga Halil Matoshi

1.
Qysh palohet nji univers në nji kuti?

A munet me u palue nji flutur në nji libër?
Ti mènon se ke me e pasë për vete por ti sapo e shkatrove nji univers, tue ta lânë vulën në gishta.
Qaq munet me u palu dashtunia në nji valixhe!?
Personazhi lirik që nuk di si me u largu nga nji e tashme në unicitet (lidhje dashtunie) âsht gjetë para dilemës ekzistenciale: qysh me e ndrydh e paketu nji dashtuni në nji valixhe, sëkëndejmi, me zâ kureshtar pyet, “qysh e paloni dashninë”!?
Âsht kjo klithmë hamletiane kundër shpërbâmjes, vdirjes së frymës ma siblime njerëzore, dashtunisë.
Kjo pyetje retorike merr kuptimin filozofik të ikjes, arratisë; çamjes së tânsisë, unikes.
Me e palu dashtuninë âsht si me palu frymën, shpirtin, ândrrat…, thjesht totalitetin njerëzor, megjithë sh’pinë e qenies, gjuhën që flet dhe peizazhin ku ndodh drama, si çarje e unitetit njerëzor.
Tânsia unike e njeriut nënkupton qenien e pandashme dhe funksionale, ku çdo pjesë përbâmse (trupi, mendja, fryma, identiteti dhe peizazhi) ndërveprojnë.
Pra poezia e Flutur Mustafës kundërshton idenë se njeriu munet me u kuptu (studju) tue e coptu në pjesët e tij, psh. kur ‘id-i” të flet me ikë, por ti je shtangë si trup, sepse nuk po munesh me e zgidhë enigmën se si me e palue dashtuninë!?
Tânsia unike e njeriut, në filozofi âsht qenia holistike që lidhet me konceptin e vetëdijes, kurse në poezi âsht thjesht ‘e kânmja’ në tuebâmje!
Koncepti i tânsisë unike në poezinë “Hije të ikjes”
i kundërvihet “çamjes” së saj, ngase Energeia aristoteliane të çon përtej, dashtunia metet substancë unike.


  1. Çamja e tânsisë (dilemat e ndamjes)

    Në historinë e menimit racional, kjo tânsi shpesh thehet ose përballet me kriza e dilema ekzistenciale, porse në rrafshin imagjinar të poetes, qenia mbetet unike për hirë të nji qëndrim naiv: ‘nuk di qysh me palu dashtuninë”!?
    Egzistencialistët si Jean-Paul Sartre mbajnë pozicionin se njeriu e hupë tânsinë e tij, kur shkrihet në masë dhe përfillë konventat, normat tue u shndrru në qenie të fragmentueme.
    Tek Martin Heidegger-i koncepti i “çamjes” së tânsisë së njeriut nuk lidhet me nji ndamje fizike mes trupit dhe shpirtit, por në situatën kur njeriu nuk âsht mâ vetvetja.
    Për Heidegger-in, njeriu âsht Dasein (Qenia-aty) kurse tânsia e tij unike âsht “Qenia-në-botë”, ku njeriu mbërrin unicitetin me botën, identitetin, peizazhin dhe Zeitgeist-in (frymën e kohës), porse ky unitet çahet përmes ramjes
    në “Ata” (Das Man), kur Dasein braktis veten e tij unike për me u bâ pjesë e masës anonime, që Heidegger e quan “Das Man” (Ata); I shpërndamë: Në jetën e përditshme, vëmendja e Dasein-it është e shpërndame në shqetësime të shumta që teknikisht thejnë gzhojen tue fragmentu thelbin, deri tek harresa e qenies, që hap hendekun mes mënyrës se si jetojmë dhe botëkuptimit tonë njohës.

    3.
    Uniteti në artin poetik

    Në estetikë, çamja përkufizohet më së shpeshti, si “gjurmë gishtash” në nji vepër arti, si vulë ose vurratë autenticiteti, si gjuhë dhe stil.
    Kjo poezi mban vulen e autores, si unicitet, masi i ka pshtue thymjes, megjithë tundimit të ikes.
    Flutur Mustafa përdor dendun imazhet si pikturë mentale si “kafshimet e çarçafëve”, “pështymen e jargavitjen”, “afshin”, “gjumin”, “ndjenjën” që në thelb âsht ADN-ja e saj estetike.

    4.
    Poezia si lament për me u mbrojtë përballë ndryshimit dhe humbjes.

    Metafora e ikjes tek Flutur Mustafa vërtet âsht metonimi.
    Ajo shpesh tue përdor nji pjesë përfaqson tânsinë si psh. “veç çka me lëkurë mundesh me bajtë” ose me buzë, duer, gjuhë, dhâm…
    Metonimia e ikjes âsht çdo gjâ që bânë lëkura, sjo nuk munet me u ndrru.
    Ikja nuk përfaqson veç ndamjen nga dikush e diçka,
    por nji marrdhabje me botën a gjendje komplekse emotive ndaj tjetres/tjetrit në botë.
    Kritiku letrar e teoriticienti Edward Said, e cilëson ikjën si “exile” të anglishtes “mërgim” por edhe “arrati” ang. “escape” ose “flight.”
    Në veprën e tij “Reflections on Exile” (2000), Said argumenton se arratia âsht nji formë e lirisë, por poashtu edhe nji formë e humbjes.

Autorja Flutur Mustafa mâhet fort mas buejtjes së qenies, tue i rezistu arratisë, qe për të âsht çamje, pra humbje.

———————–

Hije të ikjes

Flutur Mustafa

Unë nuk du me shku.
Me të thanë të drejtën nuk e di
as çfarë shije ka ikja.

Asnjëherë nuk ia kam mbathë.
Të tjerë janë largu,
e rrugët e ikjes jo gjithmonë lajnë vend për kthim.

Unë nuk di qysh iket.
A i nxen krejtë nji valixhe lëkure
apo duhet me marrë
veç çka me lëkurë mundesh me bajtë?

Me buzë,
mbase me duar?!
apo me gjuhë?
mbase me dhëmbë.

Tregomni si me marrë me vete:
kafshimet e çarçafëve,
pështymen e jargavitjen,
si të paketoj afshin, gjumin, ndjenjën?
si të paloj pasthirmat, zanin,
dorën që ma mbyll gojën
kur çoejmë dashni …

Nuk e kam ndërmend me ikë
askund, asnjiherë.

Thjesht deshta me iu pyetë
juve që i praktikoni ikjet,
të më rrefeni
qysh e paloni dashninë?

ObserverKult


Lexo edhe:

Halil Matoshi: Koncert për violinë. Elegji