reklamë

Nji poet – nji poezi: Krijimi i vetes unike në poezi!

(Manjola Brahaj – Halili: “Na nuk jena t’ktuhit)

Nga Halil Matoshi

A munet me u thânë se qenia njerëzore përmes poezisë e “krijoi veten”? Po, sepse në poezi vetja âsht qeniesim n’tuebâmje, që nuk âsht kur âsht person.

Qeniesim n’tuebâmje!

    Ashiqarshëm njeriu “e krijoi veten” përmes poezisë. Kur thojmë se në poezi vetja âsht nji “qeniesim n’tuebamje” (nji qenie në proces bâmje apo transformimi), na realisht pranojmë nji fakt zbulese: njeriu në jetën e përditshme (si person) âsht i kufizuem me role sociale apo kode kulturore e shtrëngesa morale dhe sall në poezi ai bâhet i lirë me e rindërtue ekzistencën e tij, që âsht vetja.
    Manjola Brahaj përdor një evokim “të egër” dhe trupor të mosqenies jashtë fjalës, siç thotë Ludwig Wittgestein tek Tractatus Logico-Pholosphicus pika 5.6): “Kufijtë e gjuhës sime nënkuptojnë kufijtë e botës sime”.
    Poezia âsht mjet gjuhe me u shkoqë po nga gjuha, ose me u themelu si entitet autonom brenda saj, sikur ekstaza (deka e vogël simas Gerges Bataille) si përvojë paragjuhëse; rraskapitja e mahnitshme âsht mjet organik me u shkoqë nga truelli (nga realiteti i ksobotshëm), ku kufijtë e ‘un-it’ shoqnor të përditshmënisë banale shemben dhe ndjen që s’jena t’ktuhit, kurse poezia âsht ilaç (strukturë ose entitet i pavarun brenda nji gjuhe?) për me shmang buejtjen e qenies në gjuhë, pra mos me metë entitet brenda konvencës që e mytë qenien.
    Me u shkoqë dmth. çterritorializim (koncepti i Deleuze&Guattari) që shënjëzon largimin nga nji strukturë e ngurtë, pra thymje e kufijve, ose përthekon zhveshjen e nji objekti/ideje nga funksioni i tij parak e tradicional dhe nga konteksti i dhanun shoqnor.
    Tue refuzu gjeografinë dhe kodet e ngurta të “t’ktuhit” (përditshmënisë dhe gjuhës konvencionale), Brahaj përdor evokimin instinktiv deri në palcë të trupit dhe dëshirës si një vijë arratie. Kjo “shkoqje truelli” nuk âsht thjesht arratisje, por një çterritorializim absolut i Un-it shoqnor.
    Në poezi, nji “evokim i egër dhe trupor” mbështetet tek ajo mënyrë e shkrimit që nuk mbetet si mendim abstrakt por godet drejtpërdrejt shqisat dhe ndjesitë fizike të lexuesit.
    S. Eliot e cilëson si “Korrelativi Objektiv” për me shpjegu se si nji poet duhet me gjetë kode, sende, apo situata konkrete që shërbejnë si formula e asaj ndjenje të veçantë shqisore.
    P.sh. kur Rifat Kukaj u lexojke fëmijve të Prishtinës poezi të dhwisave (ose nga barku?) për akulloren në vapën e gushtit, ata lëpiheshin e përbiheshin sepse përjetojshin ndjesi fizike ose provokim të etjes tek digjojshin poezi.
    Kur një poet përdor këtë lloj evokimi, ai dëshiron që lexuesi jo vetëm me e kuptu poezinë, por edhe me e ndijue ose shijue fizikisht në trup.
    Sëkëndejmi tek poezia “Na nuk jena t’ktuhit) autorja shtron dilemën nëse vërtet ekziston si person (Manjola) apo âsht ende-jo-njeri, pra si entitet jashtë gjuhe – në kaosin parak – apo âsht në gjuhë, si konstrukt pushteti.
    Në poezinë “Na nuk jena t’ktuhit”, Manjola Brahaj ka bâ nji lëvizje, në kaosin parak dhe pa u themelu në gjuhë dhe poaq brenda saj, lëvizje kjo jashtëzakonisht interesante: ajo nuk zgjedh njânën apo tjetrën, por qindron piknisht në tensionin e tmerrshëm midis të dyjave.
    Manash apo midis -midisit?
    Brahaj ka zgjedhë heroizmin pesimist (Albert Camus), si nji ndër konceptet ma magjepsëse të filozofisë së absurdit.
    Megjithatë, nëse duhet të përcaktojmë pozicionin e saj ontologjik përmes lenteve të Nietzsche-s dhe Heidegger-it (pasi “gjuha si streha e qenies” âsht koncept i Heidegger-it), zbulojmë këtë raport:
    -Ajo âsht “ende-jo-njeri” në kaosin parak (jashtë gjuhës normative);
    Nga pikëpamja e roleve sociale dhe gjuhës që përdorim për me emnue botën (“t’këtushmen”), Brahaj âsht jasht kësaj emnese!
    Vargjet: “Jem’ sytë e nji universi t’largtë / që era i pruni këtu padashtë. / Jem’ hije për vështrimet vdektare…”
    dëshmojnë se ajo refuzon kodet e gatshme njerëzore. ‘’Po bota nuk e ka nji vend dhe për ne.‘‘
    Ajo nuk ka nji “t’shkume as t’ardhme” në këtë tokë, që do me thânë se refuzon kohën lineare dhe strukturën logjike të “njeriut” të randomt. Ajo i përket një amshimi të papërcaktuem plazmatik, kaotik dhe dionizian, ku format ende nuk janë ngurtësueme.
    -Ajo âsht në gjuhë, jo si “strehë”, por si “dritare drejt kaosit.”
    Martin Heidegger thoshte se gjuha âsht streha e qenies, por për njerëzit “t’këtushëm”, të arealit kulturor gegë, gjuha standarde dhe konvencat shoqnore, janë bâ burg i rehatshëm, që mshefë të vërtetën.
    Çfarë bân Manjola Brahaj?
    Ajo nuk e braktis gjuhën, sepse po shkruen poezi!
    Por, ajo përdor nji gegnishte të zhveshun, ekzistenciale, pothuajse trupore, tue shkatërru “strehën” komode, institucionale të saj, për me i bâ strehë (dritare) bijes së saj – poezisë!
    Për të, gjuha nuk âsht nji sh’pi ku ajo banon e qetë, si nji “njeri i përcaktuem” por nji trup brenda të cilës lind nji entitet i ri: poezia.
    Gjuha e saj âsht mjeti me të cilin ajo dëshmon vetminë jashtë botës.
    Siç thotë në poezi:
    “në nji dhé t’pangjyrë, në nji shpi pa dritare”.
    Sh’pia (gjuha tradicionale) nuk ka dritare, âsht e errët; pothuejse e shtyme n’margjina të kulturës etnike dhe Manjola e ka veç poezinë si armë vetmbrojtje për me ça rethimin (muret e ksaj sh’pie) e për me pa nga nji univers i ri: me dalë në botë!

    Ekzistenca pezull ose migrimi ontologjik

    Poezia brenda nji gjuhe âsht si sopata: e çan banalitetin e sh’pisë së qenies.
    Sëkëndejmi lind pyetja: a thu ku banon Manjola?
    Në atë midis – midisit lasgushian apo në t’banuemit poetikisht Heideggerian?
    Për me kapërcy këtë huejtsi, ajo përdor poezinë si strukturë fluide (plazmatke) brenda gjuhës, si të vetmen dritare ku hyn drita, tue mishnu idenë heideggeriane për t’vetmin banim të sigurt të njeriut, atë poetikisht!
    Ndryshe nga “midis-midisi” mistik dhe i pezullimit kozmik te Lasgush Poradeci, pezullia e Brahajt paraqet nji fakt ekzistencial të kryem dhe nji tjetërsim të pakthyeshëm nga qeniesia fizike.
    Poetja te “Na nuk jena t’ktuhit” âsht nji “ende-jo-njeri” nietzschean, (njeriu në gjendjen e tij parake dioniziane) ose âsht n’tuebâmje, në mësymjen me u rikthy në kaosin parak, tue përdor poezinë si një sopatë për me ça realitetin.
    Ajo nuk gjân strehë as te gjuha e globalizmit (në botën reale) dhe as tek shqipja institucionale, por e detyron gjuhën arbitearisht me folë për atë që ndodh jashtë saj – për t’qenit i pezullt – për t’qenit hije dhe për atë univers të largët prej nga vjen fillesa e saj poetike.
    Në këtë poezi thuhet:
    “Ti e di, na nuk jena t’ktuhit. E shijojmë kaq fort t’qenunit t’pezullt”.
    Kjo gjendje “e pezullt” – midis nji universi të largët dhe këtij realiteti ku subjekti ndjehet refugjat – âsht piknisht terreni i tranzicionit radikal të Nietzsche-s, si shndërrim ontologjik ose “vrulli vital i personazhit drejt vetë-tejkalimit.”
    Subjekti poetik i Brahajt nuk pranon me qenë nji “njeri i përfunduem” i kësaj bote, ajo do me metë n’tuebâmje kah vet-themelimi në poezi.

    Jashtgjuha si armë

    “Nuk jena t’ktuhit” tregon nji subjekt që refuzon me u rrâjnosë ose me u dyzue me realitetin e dhânun empirik, shoqnor apo gjuhësor, e kjo përputhet në mënyrë të përsosun me vargjet:
    “Jem’ sytë e nji universi t’largtë që era i pruni këtu padashtë… nuk kem’ t’shkume as t’ardhme”.
    Me gegnishten e saj “parake” si mjet rezistence, Brahaj krijon nji lloj “jashtgjuhe” brenda vetë strukturave të gjuhës, nji shtrojerë mes nji pylli në shtrëngatë.
    Me ‘jashtgjuhën’ e saj, ajo kthehet në gjendjen e kaosit primar, sepse simas Nietzsche:
    “Duhet me pasë hala kaos brenda vetes, për me lindë nji yll vallëzues”.
    Që dmth. në kontekstin krijimit, nji poezi lind nga kaosi i tuebâmjës, brenda gjuhës.
    Ky kaos paragjuhe âsht piknisht toka e çterritorializueme e “ende-jo-njeriut”, që nuk krijon me fjalë të gatshme, por me impulse të pastra ekzistenciale (dioniziane) tue kërku ekzistencën e qenies së kullueme.

    Hermeneutika si zbulim i tëhuejtjes: Migrimi ontologjik

    Në dritën e hermeneutikës, ky pohim godet saktësisht në shèj, tue prekun thelbin e tensionit ekzistencial të poezisë së Manjola Brahajt. Mosqenia “t’ktuhit” (e këtushme) buron piknisht nga kjo dybujtshmëni: refuzimi i rregullave dhe roleve sociale të kodifikueme në gjuhën e pushtetit (dhe si pushtet) dhe tjetërsimi nga nji gjeografi e ftoftë e cila tenton me e tehuejsu e mshelë subjektin lirik, në nji monadë leibniziane, pa dritare. Gottfried Wilhelm Leibniz thotë se monadat “nuk kanë dritare nga të cilat mund të hyjë ose të dalë diçka”.
    Hermenautika e poezisë “Na nuk jena t’ktuhit” eksploron ndjenjën e huejtjes ekzistenciale dhe përkatësinë në nji hapsinë tjetër metafizike, tue u nisë nga Rilke, Brahaj i bân nji përdorim ontologjik dhe zbulues gegnishtes.
    “E fundja çka na duhet ktuhja?/ Kur me pi nuk mundemi shpirtin e njani – tjetrit, / kur zgjedhim me qenë larg, / kur zgjedhim mos me u pa, / kur zgjedhim mos me u bashkue kurrë…’’
    Shktimi shfaq nji luhatje të vendbanimit ku njeriu gjallnon pezull, mes botës fizike të
    normave e ndalesave dhe gjakimit për liri absolute. Kuptimi përfundimtar nuk âsht arratia imagjinare, por nji çlirim shpirtnor që mbron njeriun nga banaliteti i përditshmënisë. ‘’Edhe ti e ke kuptue që nuk ke pse duron/ shkumën e dritës së zezë që t’shpërhapet trupi;/ tue dashtë me t’marrë shpirtin,/ tue dashtë me t’marrë andrrën,/ tue dashtë me t’fshi ekzistencën tande t’veçueme.’’
    Këto janë shtresat e mshefta të tekstit të autores, që kodohet brenda nji gjuhe dhe hermeneutika âsht “çelësi” për me i zhblloku kuptimet.

    Teleologjia e krijimit të vetes në poezi: Estetika e vetes parësore dhe imazhi i mosqenies t’ktuhit, por t’atjehit

    Në universin poetik të Manjola Brahajt veçansisht në vëllimin e saj ‘’Na nuk jena t’ktuhit’’, gjuha pushon me qenë nji mjet komunikimi dhe shndërrohet në nji areal të koduem zbulese.
    Teleologjia – kuptmi i qenies përmes qëllimit apo synimit të saj përfundimtar – në poezinë e Brahajt nuk i drejtohet nji entiteti të jashtëm, por autokrijimit të vetvetes. Subjekti lirik e kupton se qenësia e tij në botën materiale âsht e paplotë, e copëtueme dhe jo unike, pra ndihet që s’âsht në lëkurë të vet, porse në nji “lëkurë të shkyeme“.
    Qëllimi i fundmë i poezisë këtu âsht restaurimi i nji ikone brenda Katedrales së djegun, si nji qenie e thyeme. Krijimi i vetes në poezi bâhet nji ‘vepër e hapun’ (Barthes), ku çdo varg âsht identitet dhe entitet i lirë e i pakufijshëm, monadë e pamvarun. Nëse qëllimi final i poezisë âsht mbrrijtja e lirisë absolute, natyrisht se kjo kalon përmes flijimit, dhimtes dhe vetmisë.Vetëm në dhimtën e kullueme ndërtohet estetika e vetes autentike. Nji estetikë e intensitetit (në dashje) dhe e tensionit të skajshëm, ngase e bukura nuk buron nga harmonia vis major, porse nga vërtetësia e brendshme e vuajtjes në dëshirim, e me këtë sfidohen nocionet e ngurta kantiane për estetikën bazike. Maja filozofike e kësaj poezie qindron në refuzimin e gjeografisë, habitatit pra, strehës së qenies (gjuhës) brenda monadës.
    Ndajfolja e emërzueme „t’ktuhit‘‘ (të këtushëm) shndërrohet në një koncept të huej dmth. kur thu „na nuk jena t’ktuhit“ sapo deklaron nji mërgim ekzistencial të shpirtit, që kërkon pafundësinë.
    E këtë veç poezia munet!

    Mërgimi poetik

    Në terma heideggerianë, kjo âsht ndjesia e të mos qenit „te sh’pia“. Megjithatë, subjekti i Brahajt nuk bie në nihilizëm apo dëshpërim pasiv. Pozicioni sizifian “pezull“ âsht piknisht ura ndërmjet të “këtu-hit“ (botës ku jemi të dënuem me jetu, me e shty gurin drejt majës) dhe të “atje-hit“ (atdheut metafizik, ideal, që âsht mjeshtria mânash) që e parandiejmë përmes artit dhe dashunisë.
    Në këtë dokotomi, “t’atjehit“ nuk âsht toponim gjeografik, por nji gjendje shpirtnore.
    T’ktuhit âsht smundje. Synimi final âsht shërimi, mèjtja e dhimtave, vendi ku kufijtë fshihen, ku lëkura e shkyeme nuk dhêm e vetmia kthehet në mjet bashkimi me mitrën e nânës; dëshirimi i kthimit në mitër (Nirvana) sipas Norman O. Brown.
    Poezia âsht artefakt i vetëm si zâvendësim për… mitrën e nânës; dhe për ende-jo-njeriun që del në udhën e madhe, i vetëm dhe i pasigurt, tue bâjtun nji traumë të fellë të pavetëdijshme nga ndamja e tina e parë: lindja fizike dhe shkëputja nga mitra.
    Brahaj na jep nji çelës për njatë bashkim, poezinë që na bân të plotë, kurse gegnishtja âsht placentë e poezisë shqipe.
    Poetikisht banon njeriu e Heideggerit âsht toposi i vetëm i njeriut në liri.

    ObserverKult


    Lexo edhe:

    Nji poet – nji poezi: Boshi i ngurtë i humbjes dhe zisë tek “Qyteti i apostujve” nga Anne Carson