
Nga: Blerim Valla
Organizuar nga Drejtoria për Kulturë e Gjakovës dhe Galeria e Arteve e këtij qyteti u hap ekspozita personale e piktorit Kamuran Goranci.
Në ceremoninë e hapjes mori pjesë edhe Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini,, së bashku me kuratorin e ekspozitës, Zeni Ballazhi.
Z. Ardian Gjini shprehu kënaqësinë e veçantë që Gjakova po pret një emër si Kamuran Goranci. Ai theksoi se Gjakova ka një traditë jashtëzakonisht të pasur kulturore e artistike, dhe se artistë të këtij kalibri, përmes punës, krijimtarisë dhe talentit të tyre të spikatur, po pasurojnë ndjeshëm jetën shpirtërore dhe kulturore të qytetit.
Ndërsa kuratori dhe njohësi i njohur i artit pamor Zeni Ballazhi e vlerësoi ekspozitën si një “takim të fuqishëm me artin, ngjyrat dhe emocionet”.Ai tha se pikturat e Gorancit sjellin një koncept unik artistik ku teksturat e pasura plot jetë ndërthuren për të krijuar “kode” mistike. Secila vepër fton shikuesin të bëhet pjesë e një dialogu të hapur, duke zbuluar mesazhet e koduara dhe kuptimet e fshehura pas kompozimeve abstrakte. Stili ekspresivo-abstrakt i autorit u mundëson artdashësve gjakovarë të eksplorojnë dimensione të reja estetike, ku çdo shtresë e ngjyrës në telajo përfaqëson një fjalëkalim personal apo gjendje emocionale të veten..
Kurse në fjalën e tij para publikut të mbledhur në Galerinë e Arteve në Gjakovë, autori Kamuran Goranci u shpreh tepër i emocionuar për rikthimin e këtij cikli në Kosovë.
Edhe pse koncepti i pikturave të tij është kryesisht abstrakt, ai e zbërtheu filozofinë e krijimeve të veta duke u ndalur në disa pika kyçe: Pse titulli “CODE” ekspozitës? Goranci shpjegoi se ky titull vjen sepse pikturat e tij në brendësi mbajnë një shqetësim të vetin të brendshëm. Çdo vepër funksionon si një kod i hapur që pret të deshifrohet nga shikuesi. Ai theksoi se pikturat janë të punuara me disa shtresa të njëpasnjëshme ngjyrash. Secila prej këtyre shtesave përfaqëson një shpjegim të vetin imagjinar dhe joreal të botës, duke reflektuar momente, ndjesi dhe faza të ndryshme të jetës dhe krijimtarisë së tij. Ai u shpreh se qëllimi i tij kryesor është që arti pamor të kthehet në një dialog të lirë, ku secili vizitor mund të gjejë një kod – “fjalëkalim personal” ose një kuptim unik që rezonon me shpirtin e tij. K. Goranci falënderoi përzemërsisht artdashësit e Gjakovës për mikpritjen e ngrohtë, duke vlerësuar traditën e lartë kulturore që ky qytet ka pasur gjithmonë në fushën e arteve pamore.
Ekspozita personale “CODE” e artistit Kamuran Goranci sjell para publikut një koncept të veçantë artistik të kuruar nga Zeni Ballazhi. Përmes gjuhës pamore dhe teksturave me ngjyra plot jetë, veprat e Gorancit zbërthejnë kode e mesazhe vizuale që sollën tek artdashësit në një përvojë të veçantë estetike.
Kjo espozitë paraqet një koncept abstrakt ku gjuha pamore, teksturat e shumëslhtresuara dhe ngjyrat përcjellin kode, mesazhe vizuale dhe botën e brendshme ekspresive të autorit.
Cikli i ekspozitave “CODE” i piktorit Kamuran Goranci ka një rrugëtim të gjatë ndërkombëtar dhe kombëtar. Si psh fillimisht është hapur në Këln, (Gjermani), më 2022, pastaj në Tiranë, më 2023. Në Shkodër, më 2024. Dhe tash më 2026 ekspozita CODE vjen në Gjakovë, që është rikthimi i këtij cikli në Kosovë, në bashkëpunim me kuratorin Zeni Ballazhi.
Kamuran Goranci është piktor i rrymës së ekspresionizmit abstrakt. Ai njihet për qasjen e tij moderne dhe përdorimin e strukturave të pasura vizuale në pikturat e tij. Kreu Akademinë e Arteve në Universitetin e Prishtinës, në Degën e Pikturës. Studioi në klasën e profesorit të mirënjohur kosovar, Muslim Mulliqi. Përveç krijimtarisë së tij si artist, Goranci ka pasur një rol të rëndësishëm në udhëheqjen e institucioneve të artit e kulturës në Kosovë. Ishte themelues dhe Drejtues i Galerisë së Arteve “Vizioni i Ri 2000” në Gjakovë. Pastaj Drejtor i Departamentit të Kulturës në Ministrinë e Kulturës së Kosovës. Aktualisht është kryetar i Asociacionit të Artistëve Vizualë të Kosovës (AAVK).
ObserverKult











