reklamë

Gjithçka gati për “Akordet e Kosovës”, tri net me spektakël muzikor

Katër ditë para ndezjes së dritave të Festivalit të Këngës “Akordet e Kosovës” organizatorët kanë shpalosur detaje nga edicioni i katërt, që tash e disa muaj ka filluar të merr formë për t’u shpalosur para publikut në datat 30 e 31 tetor dhe 1 nëntor në Prishtinë.

Boshnjaku: Me “Akordet” vlerësojmë historinë

Drejtori artistik i katër edicioneve radhazi, Florent Boshnjaku, ka thënë se përmes emërtimit të Festivalit të Këngës në RTK si “Akordet e Kosovës” po vlerësohet historia muzikore.

“Jemi duke vazhduar sivjet me një emërtim të ri, ‘Akordet e Kosovës’, po duam të vlerësojmë historinë, gjithë ata njerëz që kanë kontribuar në realizimin e Akordeve, kompozitorët dhe të gjitha ata që kanë kontribuar me vite e dekada”, ka thënë ai.

Boshnjaku ka cilësuar si veçanti të këtij viti mbrëmjen e fëmijëve, gjatë së cilës skena u takon talenteve të reja.

“Përveç dy mbrëmjeve të mrekullueshme të muzikës moderne, kemi për herë të parë edhe mbrëmjen e fëmijëve. Prapa nesh qëndron një skenë fantastike e punuar nga Vesë Kraja, që veç sot kur e kam parë emocionohem kur e mendoj se të gjithë ata talentë të rinj do të ngjiten në këtë skenë, do të këndojnë live, do të përcjellën me Orkestër dhe nga të gjithë mekanizmat e Radiotelevizionit të Kosovës”, ka thënë ai.

Boshnjaku më tej tha se përveç që artistët mysafirë janë emra eminentë muzikor e të dashur për publikun, përgjatë këtij edicioni do të dëgjohen edhe këngë që i përkasin periudhës kur mbaheshin “Akordet e Kosovës”.

 “Një prej këngëtareve që jam jashtëzakonisht i lumtur që do të jetë pjesë e Festivalit është Deniza Begolli – Gjini. Ajo ka marrë pjesë në Akorde, e ka pasur një këngë të jashtëzakonshme ‘Dëshirat’, sivjet e kemi në festival pas sa e sa viteve”, tha ai. Boshnjaku ndau edhe një emër që do të ngjitet në skenën e festivalit, grupin që vjen nga Gjermania enkas për këtë ngjarje: “Telex”.

Avdiu: Mesazhi i ‘Akordeve’ – e kaluara takon të tashmen

Drejtoresha e “Akordeve të Kosovës”, Arta Avdiu tha se kjo ngjarje do të nxjerrë në pah shpresën për krijimtari të mirë artistike.

“Çdo natë ka një mesazh të veçantë përmes interpretimeve dhe performancave të ndryshme. Mirëpo mesazhi i tre netëve është se e kaluara takon të tashmen dhe përmes fëmijëve na jep shpresë se ka një të ardhme të ndritshme,. ‘Akordet’ po takohen me talentet e rinj tashmë dhe fëmijët janë ata që po na japin shpresë se po vazhdojmë me krijimtari të mirë artistike”, tha ajo.

Krasniqi: Kjo është ngjarja kulmore kulturore në Kosovë

Dy prezantuesit e edicionit të katërt, moderatori i RTK-së Agron Krasniqi e aktorja Flaka Latifi ndanë detaje nga përgatitjet e tyre si dyshe e përbashkët për skenën e madhe të “Akordeve të Kosovës”.

“Për një prezantues televiziv të profilit tim, nuk ka ngjarje më të mëdha se kjo. Unë jam në programin e mëngjesit tash e disa vjet dhe kam provuar gjithçka që mund të provohet në TV…por paralelisht kam udhëhequr edhe koncerte, evente dhe ngjarje të ndryshme. Është ngjarja kulmore kulturore që organizohet në Kosovë, duke qenë prezantues i këtij profili normalisht që ke dëshirë të jesh prezent aty dhe të japësh dinamikën e ‘shpirtin’ tënd. Është përgjegjësi e privilegj i jashtëzakonshëm të japësh shpirtin tënd edhe aty…”, ka thënë Krasniqi.  

Latifi: Mirënjohëse për besimin që të jem moderatore e ‘Akordeve’

“U jam mirënjohëse për besimin që me keni dhënë për të qenë moderatorja e këtij festivali. Unë vij nga bota e aktrimit, për mua skena është pjesë shumë e rëndësishme e jetës sime mirëpo moderimi ka një dinamikë tjetër”, tha në anën tjetër aktorja Flaka Latifi.

Pula: Këndova në këtë sallë në vitin 2000, rikthehem pas 26 vitesh

“Një ndjenjë tejet e veçantë. Për herë të parë jam ngjitur në skenë pikërisht në këtë sallë në vitin 2000. Pas 26 vitesh do të ngjitem sërish në skenë për të prezantuar festivalin për fëmijë. Nuk mund ta përshkruaj këtë emocion. Ftesën e kam pranuar pa menduar dy herë”, tha prezantuesja e natës së fundit, mbrëmjes për fëmijë në kuadër të “Akordeve të Kosovës”, Adea Pula./rtklive

ObserverKult


Lexo edhe:

Rexhep Qosja, portreti i tij përmes ditarit “Dëshmitar në kohë historike I-IX (1966-2008)”