
Nga Blerim Valla
Shkrimtari, akademiku, përkthyesi … i njohur Stefan Çapaliku ka mbajtur një takim me qytetarët, dashamirët e librit dhe lexuesit e veprave të tij në Gjakovë.
Stefan Çapaliku padyshim sot është një nga mendjet më të ndritura dhe krijuesit më elitarë të kulturës e letërsisë bashkëkohore shqiptare.
Takimi i Stefan Çapalikut me publikun dhe lexuesit në Gjakovë,, u organizua nën kujdesin e Shoqatës së Intelektualëve “Jakova” .
Ngjarja u zhvillua nën moton “Aty ku letërsia, arti dhe jeta takohen” dhe ky stacion letrar në Gjakovë vjen pas sukseseve të Stefan Çapalikut dhe në arenën ndërkombëtare (siç ishte prezantimi i librit të tij “Saga e Sarajevës ” në Londër disa ditë më parë).
Fillimisht në hapjen e këtij takimi letrar, kryetari i Shoqatës së Intelektualëve “Jakova”, Prof. dr. Ruzhdi Sefa, shprehu vlerësime të larta për figurën e Stefan Çapalikut, duke e cilësuar atë si një personalitet të shquar të letrave shqipe, me një kontribut të jashtëzakonshëm në letërsi, dramaturgji dhe studime kulturore. Ai theksoi se prania e akademikut Çapaliku në Gjakovë është një nder i veçantë për qytetin dhe një ngjarje e rëndësishme për jetën kulturore e intelektuale të rajonit, duke shënuar një urë lidhëse të rëndësishme mes krijuesve dhe lexuesve.
Si shenjë respekti, mirënjohjeje dhe mikpritjeje tradicionale gjakovare, në emër të Shoqatës së Intelektualëve “Jakova”, prof. Sefa i dhuroi shkrimtarit Stefan Çapaliku një mirënjohje të veçantë, duke vlerësuar lart krijimtarinë e tij dhe rrugëtimin e tij ndërkombëtar letrar.
Kurse takimi u udhëhoq nga prof. Teuta Lama-Hoda, e cila bëri një prezantim të thellë të figurës së Çapalikut si shkrimtar, dramaturg dhe studiues.
Në fillim të takimit ajo tha se bashkëbisedimi me Stefan Çapalikun, mendimtar kritik dhe një zë i spikatur i letërsisë bashkëkohore shqiptare, përmes fjalës sfidon të zakonshmen dhe zgjeron horizontet e mendimit. Bashkëbisedimi me të ështe një udhëtim përmes kujtesës, qytetit, humorit, poezisë dhe historive njerëzore që kapërcejnë kohën.
Përmes veprave të tij shpalosen mënyra të ndryshme se si letërsia e kthen përvojën personale në reflektim mbi njeriun dhe shoqërinë. Nga kujtesa e Shkodrës te ironia që zbulon paradokset e jetës, nga imazhi poetik te gjurmët familjare që kapërcejnë kufijtë, krijimtaria e Çapalikut dëshmon se e shkuara vazhdon të jetojë brenda së tashmes..
Lama-Hoda u ndal tek universi elitar letrar i Çapalikut, duke e pyetur se si arrin të lëvrojë me aq sukses zhanre të ndryshme – nga romani dhe poezia, e deri te drama dhe studimet akademike. Një pjesë e madhe e bisedës u fokusua në pyetjet rreth mënyrës se si letërsia e tij shërben si një mjet për të luftuar harresën, duke dokumentuar tranzicionin dhe të kaluarën tonë historike (përfshirë figurat si Gjergj Fishta).
Ajo e pyeti autorin edhe për urat shpirtërore dhe kulturore që bashkojnë trevat tona, sidomos lidhja kulturore mes Shkodrës e Gjakovës, duke parë gjuhën e përbashkët shqipe si hapësirën ku arti dhe jeta takohen natyrshëm.
Ndërkaq Stefan Çapaliku në hyrje të bashkëbisedimit ka thenë se ky takim në Gjakovë, shënon një tjetër ndalesë në rrugëtimin ndërkombëtarë të veprës së tij, përkatësisht një takim të ri të letërsisë bashkëkohore shqipe me lexuesin. Ai ka vequar vizitën e posa realizur në Londër ka ka bërë promovimin e librit të tij të fundit “Saga e Sarajevës. Shkrimtari dhe studiusi shqipëtar, Çapaliku ka folur edhe për një arsye të dytë të ardhjes së tij në Gjakovë, përkatësisht përpjekjet e tij për gjetjën e varrit të axhës së babait të tij, Padër Gjon Çapalikut një prift franqeskan i cili ka vdekur si misionar në Gjakovë më 1937.
Gjatë takimit të tij mbresëlënës në Gjakovë, shkrimtari dhe akademiku Stefan Çapaliku u ndal në disa mesazhe të rëndësishme për letërsinë, kujtesën kolektive dhe trashëgiminë tonë kulturore.
Çapaliku vuri theksin te domosdoshmëria e rikthimit te kolosët e letërsisë sonë, duke deklaruar posaçërisht për Gjergj Fishtën: “Prandaj, Fishtën duhet ta lexojmë, sepse kështu luftojmë harresën, e freskojmë kujtesën dhe e pasurojmë mendjen.”
Gjatë bashkëbisedimit mbi romanet e tij të fundit, ai shpjegoi se si ngjarjet jetësore dhe tranzicioni i shoqërisë shqiptare gjejnë pasqyrim të natyrshëm në prozën dhe dramaturgjinë e tij, duke e parë gjuhën shqipe si një hapësirë të përbashkët shpirtërore.Ky dialog letrar u vlerësoi lart nga të pranishmit si një mundësi e shkëlqyer për të shpalosur universin e tij elitar krijues.
Në mbyllje të këtij takimi të ngrohtë në Gjakovë, Stefan Çapaliku u ndal te roli jetik që ka letërsia dhe leximi në formimin shpirtëror dhe emancipimin e shoqërisë, duke lënë disa porosi të rëndësishme për të pranishmit. Kështu ai i këshilloi lexuesit, veçanërisht brezin e ri, që t’i rikthehen leximit të vëmendshëm dhe të thellë. Sipas tij, në një botë të mbingarkuar me teknologji dhe informacion të shpejtë, letërsia mbetet kështjella e fundit e ruajtjes së mendimit kritik dhe imagjinatës.
Ai theksoi se leximi i autorëve shqiptarë nuk është thjesht argëtim, por një akt dashurie ndaj gjuhës shqipe dhe trashëgimisë sonë shpirtërore.
Ai e mbylli takimin me falënderime të përzemërta për mikpritjen gjakovare, duke shprehur kënaqësinë e madhe që në Gjakovë gjeti një publik aq të vëmendshëm, bashkëbisedues dhe që e njohin letërsinë dhe veprat e tij.
Stefan Çapaliku është autor i rreth 76 veprave të botuara në zhanre të ndryshme si romane, drama, poezi, monografi dhe ese studimore. Ai është një nga shkrimtarët dhe dramaturgët më produktivë e më të spikatur të letërsisë bashkëkohore shqipe. Veprat e Stefan Çapalikut dallohen për përdorimin me mjeshtëri të gegnishtes, pastaj për stilin postmodern, ironinë e hollë dhe ruajtjen e kujtesës kolektive.
Krijimtaria e tij e pasur ndahet në disa shtylla kryesore:
1 Romane ( Novela) : që janë përkthyer edhe në disa gjuhë të huaja si:
“Secili çmendet sipas mënyrës së vet” (1, 2, 3), “Një engjëll veshë me frak“, “Mbyllur për pushime“, Saga e Sarajevës” , “Një javë në Purgator“, “Shkodra Express”, “Dyqani i helmeve” etj
2. Drama (Krijimtaria Teatrale):
Çapaliku ka shkruar mbi 20 drama, duke u shpallur disa herë “Dramaturgu më i mirë i vitit” në Shqipëri. Pjesët e tij janë përkthyer dhe vënë në skenë edhe në teatro ndërkombëtarë. Ndër përmbledhjet dhe dramat më të njohura janë:
“Pesë drama dhe një korn anglez“ (përfshin pjesët: Tri këngë dashurie, Ftesë për darkë, Kulla e Babelit, Utopos, Këpucët)“Allegretto Albania“ “Gishti” etj.
3. Tregime dhe Poezi:
“101 tregime të shkurtra”, “Darkave, nga nji mbas buke” , “Albumi i thashethemeve“ , “Camera Obscura”, “Kohë e ndalur” etj.
4. Ese, Monografi dhe Studime Akademike:
“Qyteti dhe letërsia”, “Barcaletat e komunizmit”, “Fishta satirik”, Kolana “Imago et verbum” (monografi kushtuar figurave të njohura të artit si Serafin Fanko, Renzo Collura, dhe mjeshtrit të humorit shkodran Shtjefën Palushi ) etj.










