reklamë

Halil Matoshi: Ni poet – ni poezi/ Ese për poezinë “Troja e kalit” të Shaip Emërllahut

Ni poet – Ni poezi

(Shaip Emerllahu: “Troja e kalit” – ni essay)

Me poezinë “Troja e Kalit”, Shaip Emerllahu , e ka bâ riseminimin e mitit të hiles dhe tradhtisë, përmes me inversionin sintaksor.
Nga “Kali” si mjet i pushtetit, tek “Troja” si truell i autodestruksionit.

“Troja” e sundueme nga kali

Me poezinë “Troja e kalit” Shaip Emërllahu, arketipin e hiles e tradhtisë që vjen nga jashtë, e kthen në ves që buron nga brenda.
Emërllahu e përmbys krejt kshtjellen mitike te “Troja e kalit”, tue na sjellë në mendje se mjeti i mashtrimit (kali) âsht tâshma zot i qytetit. Nuk ka mâ qytet si paradigmë e qytetnmit, ka vetëm qytetsa t’nënshtruem, prè e ni mashtrimi të madh, që njeriut i vjen në pamjen ma t’pafajshme animale, por që në thelb âsht maska e njeriut të fajshëm, si bajtës i stigmës së autodestruksiont. Simas këtij inversioni sintaksor te “Troja e kalit” i Emërllahut nuk kemi ma “Kali Troje” (mjeti që pushton qytetin), por “Trojë kali” që sugjeron se vendi asht “mjeti” me të cilin kali sundon njerëzit.
Toposi udhëhiqet nga ni kal (të jetë po ai i Kaligulës që u bâ Senator?) këtë s’e dimë me siguri, por dihet se kali e drejton tashmâ hapësinen njerëzore (Atdheun) që shpesh i japim karakter shejtnie.
Kali (fuqia e pushtetit) e ka kriju ni qytet/realitet të vetin paralel mrena nesh, para se me ndodh pushtimi, Pushtimi nuk âsht simptomë por gjendje e njeriut të râmë nër thundrat e ni mejanizmi pushteti (zoon politicon), si mendësi.
Hipotetikisht Trojën/Tetovën/Prishtinën poeti e paraqet si një vend ku njerëzit jetojnë brenda një “kali” modern (sistemi të izoluem), por Troja e tina poetke nuk âsht thjesht ni vend, por ni gjendje rrethimi të përhershëm mendor, që shfaqet si paranojë e pushtetit dhe kalbëzim etik i vlerave qytetëse të ni shoqnie.
Troja në këtë poezi âsht toposi ku ngjizet komploti, kur ni kali âsht zotnues i ni hapsine, qytet/shteti.
Poezia “Kali i Trojës” zbërthen tradhtinë dhe i bân autopsinë kësaj tradhtie (të vjetër sa politika ndërmjet kombeve.
“Karremi” dhe “Hilja” te poezia “Troja e kalit” janë shkak-pasoja e këtij kalbëzimi. Vargjet “si e hamë karemin/ kur hijet na e veshin trupin” flasin për ni shoqni t’paqëndrueshme që i bindet mashtrimit me ni naivitet grotesk por në thelb tragjik.
Autori përdor intertekstualitetin me tregu se si historia përsëritet spari si tragjedi, masanej si farsë. Personazhet e tina janë “trojanë” që besojnë se janë të lirë, por në fakt liria e tyne âsht “karremi” që u hidhet për skllavnim.
Hilja nuk vjen nga grekët e lashtë, por nga “grekët” tanë të përbrendësuem – demagogë e popullistë “tonë”.

“Shkuma e gojës” ose helmimi i vetes

Te poezia “Troja e kalit” kali nuk âsht kafsha po maska e pushtetit që: “tavolinat na i mbush / askush s’ia turbullon koklës së qejfit”.
Njeriu âsht i dehun dhe nuk digjon hingëllimat e kohës (flamujt e rrejshëm?) dhe për sa kohë ka ushqim e pije në sofër, nuk i bân përshtypje fakti se vendi po përçahet e po rrshet n’tirani, si parakusht për djegien e tina.
Emërllahu me mjete poetike e jep profilin e ni shoqnie që dehet me fraza patriotike e popullizëm (shkuma e gojës) ndërkohë që ajo shoqni âsht përfshi nga ni hedonizëm që e paralizon paravajtjën e t’menuemit të rrezikut real: vdirjës etike!

Çka mbeti? Hingëllimë dhe gërmadhë ose ulërimë estetike dhe autopsi

Pyetja retorike e autorit si dialog final i brendshëm ose përballje me veten e historinë “ç’na mbet nga Troja / përveç kalit” âsht dëshpëruese, sepse tradhtia âsht e vetmja trashëgimi.
Poezia e Emërllahut âsht nji ulurimë estetike për tradhtinë që i bâhet njeriut dhe që ia bân njeriu vetes), e nga kjo pikëpamje lihet mënjanë ushtria greke, tue u marrë me atë që poeti e quen “ajo e vockla mendje” – pra, paaftësia e njeriut për me identifiku rrezikun që vjen nga brenda, nga lakmia e injoranca, pa e hetu sindromën e ligshtimit nga lufta e ashpër për pushtet.
Kjo poezi bazohet në idenë se rreziku nuk vjen nga jashtë mureve të kshtjellave njerëzore, por ata i krijojmë “grekët e brendshëm” si psikologji rrethimi; kurse te Kadare (Përbindëshi) âsht brimë se ankthi i rrethimit âsht i përhershëm, sikur te Genti (Parisi modern) dhe Linda (Helena e kohës sonë) të komprometuem presin përbindëshin (totalitarizmin) pa asni mjet mendor me u mbrojtë.

Përbindëshi si topografi e njeriut emocionalisht t’dekt

Teksti poetik sugjeron se “Troja” ka ra nga kalbëzimi mendor (fanatizmi u vërboi sytë e s’panë hilen që po u hynte në sh’pi), ajo nuk ra se ishte ushtarakisht inferiore por pse ishte mendësisht e tillë!
Në kontekst të njeriut modern, i cili shpesh nga përpjekja për ruejtjen e rehatisë individuale bjen në letargji ose e zvetnon lakmia (që shpesh âsht terpi?) pra bâhet imun dhe nuk e ndien nën lëkurë, as nuk sheh në horizont se heroizmat deklarativë e flamujt e rrejshëm po ia turbullijnë sytë dhe para hundëve po i vendoset tirania, si “topografi” e shpirtit emocionalisht t’dekun, ngase ma para i ka besu ni dogme se racios.
Në letrat shqipe, këtë njeri të dehun nga mburravecnia dhe ‘vullneti për fuqi’. të tillë e gjâjm tek “Përbindëshi” i Ismail Kadaresë.
Ky monstrum biçim kali, nuk âsht ni mjet antik druni po ni mekanizëm i sofistikuem ushtarak (si ni autoblindë) që qarkullon në Tiranën e viteve ’60, sikur sod, në vjeshtë të vjetit 2026, kur po shkruhet ky tekst!?

Lament për kontrollin e mendjes

Motërzimi âsht çelës i kontrollit të mendjes njerëzore dhe ajo rikthehet herë si nacionalizëm e herë komunizëm, porse mjetet e frigës, tejqyrat e përcjelljes e veshët e përgjimit si dhe barku plot komando i ni mjeti t’blinduem, janë po ato: ndrron teknologjia, friga âsht po ajo që përsoset!
Tashti, Inteligjenca artificiale âsht Kali (mjeti) e shoqnia që beson âsht Troja (qëllimi); Mjetet kanë marrë kontrollin e drejtimit linear të progresit historik si qëllim. Ato mund ta orientojnë subjektin drejt theqafjes.
Njeriu me Kalin si drejtues (mjeti ka pësuar një mutacion ontologjik) ngrihet kundër vetes – sepse nuk munet me bâ mâ dallimin e të mirës vs të keqes.
Mendimi kritik âsht topitë. Njeriu demel, i ligshtuem mas “dhuratës” (teknologjisë, IA-së) po e shti brenda mureve të shpirtit të ni kombi ni forcë që në heshtje po e zhbân autonominë dhe aftësinë e tina për me gjyku botën – porse e pranon gjykimin e dhânë, si ni deep fake për të vërtetë.
Thjesht tek Emërllahu “hija” të vesh trupin (të tjetërson), anmiku nuk âsht ma rreth mureve të qytetit, por kamkryq në sofrën e shtrueme, me furde, ndërkohë që njerëzit e hajnë “karremin” e mondanes dhe kapërdisjës.

“Hingëllima e hiles” si gjuhë zyrtare

Autori thotë: “kur hijet na e veshin trupin” e këto hije janë anmiku i padukshëm, ni lloj katranosje morale që njeriut ia mlon pamjën ngadalë.
Poezia mbyllet me “hingëllimën e hiles”.
Kjo âsht onomapoteja e vetme që ende jehon derisa qytetnimi po bjen.
Autori me tekstin poetik nuk e shfajëson viktimën, porse shtron pyetje para ndërgjegjeve (në veten e parë shumës): “si e hamë karemin?” – që nënkupton ni lloj autodestruksioni (njeriut i ofrohet ajo që e ka për qefi me e digju, jo e vërteta që dhèm) ndërkohë që “kokla e qejfit” (nji rr e alternueme në l, për efekt loje bizare) e dehë njeriun dhe ai nuk âsht ma në gjendje për sjellje racionale.
Porse, ashiqare te poezia e Emërllahut reagimi âsht visceral (shkuma e gojës, kafshimi i thikave), âsht nji dhimbje që ndihet në mish; me tahmin “shkuma e gojës” përfaqëson ma shumë zemërimin e humbun dhe gjendjen letargjike mas zemërate, po ky âsht ai lloj fanatizmi i verbët.
Vargu “na bëhet më e bardhë se bora / shkuma e gojës” rrfen se tëhuejsimi vjen si ni imazh trishtimi, sepse shkuma random del ose nga tërbimi ose nga helmimi.
Në kontekstin e “Trojës së kalit”, kjo bardhësi mashtruese (si bora) mshefë njat kalbëzimin e grupit që, duke hangër “karemin”, nisë me e kashu trupin e vet, me i besu rrenat që vet i krijon!
Simas autorit me bâ me thânë se “Kali âsht bosh” sikur “kali âsht plot me njisi speciale”, turmat nisoj të linçojnë, sepse nuk ka ma matës se çka âsht e mira dhe e keqja, nga vjen rreziku e nga jo.
Poezia thotë se “askush s’ia turbullon koklës së qejfit”, që përthekon rehatinë në fanatizëm, ku nuk duhet me mendu.
Ashiqare në këtë poezi njeriu fanatik âsht trup i dekt emocionalisht që shkumon nga helmimi.
E hangrëm!
Jemi t’rrethuem!?
Ndonëse viktima edhe bashkëfajtorë!
Njeriu zbulon armë të hatashme kundër tjetrit/tjeres por harron me i riprodhu ato, kur i duhen me e mbrojtë vetën.

ObserverKult