
Regjisori dhe aktori i njohur Gjergj Mena u nda nga jeta në moshën 41-vjeçare. Sipas informacioneve paraprake Mena prej disa kohësh vuante nga një sëmundje e rëndë. 41-vjeçari do të përcillet në banesën e fundit këtë të hënë në orën 14:00 në Sharrë.
Për shtatë vite me radhë, Mena drejtoi me pasion festivalin teatror për të rinj “TK RIN ART”, një projekt që u dha mundësinë qindra të rinjve dhe të rejave të njiheshin me skenën, të zhvillonin talentin dhe të krijonin lidhjen e tyre me teatrin.
Kontributi i tij në këtë festival është dokumentuar edhe në edicionet e zhvilluara ndër vite. Mena ka qenë pjesë e drejtimit artistik dhe organizativ të aktivitetit, duke bashkëpunuar me regjisorë të rinj dhe shkolla të ndryshme të Tiranës. Në edicionin e vitit 2025, ai u prezantua si drejtor ekzekutiv i festivalit, i cili përfshinte nëntë shkolla dhe rreth 120 gjimnazistë pjesëmarrës.
Shfaqja “Yerma”, e bazuar në veprën e dramaturgut spanjoll Federico García Lorca dhe me regji të Menës, ishte një nga punët e tij të fundit. E vënë në skenë në Teatrin e Kukullave, ajo solli në fokus një grup artistësh të rinj dhe dëshmoi përkushtimin e regjisorit ndaj krijimit të hapësirave për talentet e reja.
ObserverKult
Lexo edhe:
ReMusica shënon 25-vjetorin, Kurti vlerëson kontributin e festivalit në kulturë






