reklamë

Troja Bicurri fituese e “Akordet e Kosovës 2026”, ndërsa Dalina Haxhiu e “Akordeve për fëmijë”

Dalina Haxhiu është fituese e edicionit të parë të “Akordeve për Fëmijë”, pjesë e Festivalit të Këngës në RTK “Akordet e Kosovës”. Ajo fitoi çmimin e parë, Okarinën e Artë për Fëmijë, me këngën “Ëndrra ime s’fle”.

Mbrëmja e tretë e festivalit, kushtuar fëmijëve, solli në skenën e sallës “1 Tetori” në Prishtinë 15 artistë të rinj, të cilët interpretuan këngët e tyre drejtpërdrejt, të shoqëruar nga orkestra.

Çmimin e parë, Dalinës ia ndau kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu.

E pyetur për mesazhin që dëshironte t’ua përcillte fëmijëve që po e ndiqnin festivalin, fituesja tha se ata duhet të vazhdojnë të ëndërrojnë. “Duhet të ëndërrojnë gjithmonë dhe mos të dorëzohen kurrë, siç thotë edhe teksti i këngës sime”, u shpreh Dalina Haxhiu.

Çmimin e dytë, Okarinën e Argjendtë për Fëmijë, e fitoi Rita Krasniqi me këngën “Soprano”, ndërsa çmimi i tretë, Okarina e Bronztë për Fëmijë, iu nda Marin Kerit për këngën “Ëndrrat s’kanë kufij”.

Ndërkaq, çmimi për tekstin më të mirë iu nda Aksa Sulejmanit për këngën “Lëshoni pëllumbat”, me tekst të autorit Valon Gashi.

Çmimin për tekstin më të mirë ia dorëzoi aktorja dhe gazetarja e Redaksisë së Fëmijëve në RTK, Anisa Ismaili. E emocionuar pas marrjes së çmimit, Aksa tha se mesazhi i këngës së saj është që njerëzit të kënaqen në çdo moment të jetës.

Në garën e këtij edicioni morën pjesë 15 artistë të rinj. Festivalin e hapi Kori Okarina me këngën “O vendi im”, ndërsa në skenë më pas u paraqitën garuesit e parë me Shega Krasniqin me këngën “Vajza e Okarinave”, pastaj Afrona dhe Androna Thaqi me këngën “Për çdo fëmijë”, Alika Ajeti me “Jemi bota vetë”, Marin Keri me “Ëndrrat s’kanë kufij” dhe Nuar Llapashtica me “Fitorja akullorja”.

Pjesë e programit ishte edhe Orkestra Amadeus me interpretimin e këngës “Malësorja”.

Në vazhdim performuan Dalina Haxhiu me “Ëndrra ime s’fle”, Aksa Sylejmani me “Lëshoni pëllumbat”, Afrina Macula me “Superstar”, Luana Duli me “Ëndrrat” dhe Blin Tufa me “Magji”.

Në program u prezantuan më pas Aelia Berisha me “Kjo jam unë”, Rrita Krasniqi me “Soprano”, Kenza Pllana me “Buzëqeshi jetës”, Kanarinë Kovanxhiu me “Jam vetvetja” dhe Mia Muçaj me “Lart e më lart”.

Një nga momentet e veçanta të mbrëmjes ishte rikthimi i divës Adelina Ismajlit në skenën e “Akordeve të Kosovës”. Dyzet vjet pas debutimit, ajo interpretoi këngën “Ne jemi bukuria e atdheut”.

Në program u përfshinë edhe performancat e Uran Hamitit me këngën “Zemra flet”, si dhe Adea Pula dhe Kori Okarina me “E duam lumturinë”.

Anëtarja e jurisë, Orjeta Lero Kelaj, vlerësoi organizimin e festivalit dhe paraqitjen e fëmijëve, duke theksuar se secili prej tyre meriton të konsiderohet fitues për guximin dhe talentin e treguar në skenë.

Edicioni për fëmijë u organizua për herë të parë në kuadër të Festivalit të Këngës në RTK “Akordet e Kosovës”, duke u dhënë hapësirë talenteve të reja për të prezantuar krijimtarinë dhe aftësitë e tyre artistike në një skenë të madhe muzikore.

Ndërkaq këngëtarja e re 15-vjeçare, Troja Bicurri është fituese e edicionit të katërt të Festivalit të Këngës në RTK “Akordet e Kosovës”, me këngën “Mali dhe Hana”. Kënga, të cilën Bicurri e ka shkruar dhe kompozuar vetë, është orkestruar nga Valon Gashi. “Mali dhe Hana” sjell një histori dashurie mes një vajze nga fshati dhe një djali nga qyteti. Me këtë interpretim, Troja Bicurri ka rrëmbyer çmimin kryesor të festivalit, duke u shpallur fituese e “Akordeve të Kosovës 2026”./rtk

ObserverKult