reklamë

Filmi i animuar “Zemërimi i shkronjave” i nënshtrohet restaurimit

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit i Shqipërisë bëri të ditur se një tjetër film i dashur nga publiku do t’i nënshtrohet restaurimit.

Kjo ndërhyrje vjen në kuadër të nismës së ndërmarrë nga AQSHF për të shpëtuar dhe restauruar filmat e trashëgimisë kinematografike shqiptare që rrezikojnë të degradojnë. Drejtori i AQSHF, Eljan Tanini, bëri të ditur se filmi i animuar shqiptar “Zemërimi i shkronjave” do të restaurohet nga shkrimtarja dhe përkthyesja Albana Nexhipi, të cilës ai i shprehu falënderimet dhe mirënjohjen.

Filmi i animuar “Zemërimi i shkronjave” është realizuar me skenar të të mirënjohurit Luan Rama, regjinë nga Boris Ikonomi, operator Tomi Vaso si dhe mban muzikën e kompozitorit Agim Krajka. Filmi është vepër e vitit 1981.

Shkronjat zemërohen me Artanin sepse ai dëmton vazhdimisht librat e shkollës. Për këtë arsye, shkronjat largohen nga librat e tij për në qytetin e tyre. Artani i ndjek, bie rob dhe i bëhet gjyqi nga shkronjat. Dënimi i tij është të lexojë me shkronja të shkarravitura, gjë që e bën të kuptojë rëndësinë e ruajtjes së librave dhe gjuhës

Albana Nexhipi, si shkrimtare dhe përkthyese e librave për fëmijë, thotë se vendosi të ndihmonte në restaurimin e këtij filmi sepse i do shumë fjalët dhe se beson tek fuqia e tyre.

“Ndryshe nga shumë të tjerë, që ndonjëherë i shohin gërmat edhe si panevojshme, unë besoj me shpirt se rëndësia e tyre është thelbësore në ruajtjen e gjuhës tonë të vyer. Dëshira ime është që brezi i ri, ngecur tashmë në rrjetën e internetit, ta kuptoje këtë gjë dhe t’i ruajë ato dhe fjalën shqipe si sytë e ballit”, shprehet Nexhipi, me shpresën se fëmijët do e kuptojnë rëndësinë e shkronjave në ruajtjen e gjuhës sonë./atsh

ObserverKult


Lexo edhe:

Shqiptarët bëhen bashkë, këngë, valle dhe tradita në festën e madhe të komunitetit në Gjermani