reklamë

Kujtesë për një kohë që mos u harroftë!

Nga Gani Mehmetaj

Filmi artistik “Era”, sipas skenarit dhe regjisë së Parta Kelmendit, me Zana Berishën, Alban Ukajn, Armend Smajlin, Irena Aliun May-Linda Kosumoviq, Melihate Qena, Kumrije Hoxha, Lum Veseli etj.

Drejtor i fotografisë Naum Doksevski.

Asnjë film i prodhimit më të ri në Kosovë nuk ta kujton të kaluarën e zymtë, gjendjen e depresionit dhe rezistencën e heshtur se sa filmi artistik “Era” i regjisores Parta Kelmendi. Është ndër filmat e pakët dhe më të realizuar për kohën dramatike të viteve të nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, atëherë kur na paralizuan, i mbyllën shkollat, e kufizuan lirinë e qarkullimit, e suprimuan autonominë dhe na shkëputën nga qytetërimi. Ishte vështirë të lëvizje, të merrje frymë, sepse dhuna, urrejtja dhe qarku i mbyllur të bënte neurotik, të deprimonte, të bënte të dilje nga lëkura, por njerëzit i qëndruan, e përballuan.

Është një atmosferë e nderë, që i ngjanë kohës ashtu si ishte, është një tension që të mbanë pezull, të duket sikur ngjarjet po zhvillohen para teje, ashtu si i ke përjetuar ti, ose fëmijët tuaj. Një familje nga rrethanat e kohës kalon nga qyteti në katund, lufton për mbijetesë dhe për dinjitet.

Regjisorja Parta Kelmendi, autore e disa filmave dokumentar, i takon atij brezi të te rinjve që e përjetuan në palcë terrorin dhe pafuqinë e kundërvënies. Përmes protagonistes Era, autorja rrëfen për brezin e saj që e jetuan jetën, por nuk e gëzuan si brezi i tw rinjve në vendet e tjera.

“Era” të emocionon, të bënë që të kujtosh gjërat që duhet të kujtohen dhe s’duhet të kujtohen, sepse po i kujtove të shtangin, po harrove te përsëritën.

Zana Berisha, në rolin e Erës është mishëruar me protagonisten, lëviz lirshëm në ekranin e madh, është dinamike. Alban Ukaj ka potencial aktori që e shfrytëzon mirë, ndërkaq Armend Smajli, duket i përqendruar. Interpretuan mirë edhe Irena Aliu, May-Linda Kosumoviq, Melihate Qena, Kumrije Hoxha, Lum Veseli.

Kamera e drejtorit të fotografisë ka nuanca të errëta, të zymta të kuadrit, ashtu si ishte koha kur zhvillohet ngjarja.

Producentë janë Afërdita Saraçini -Kelmendi, RTV 21, Marija Dimitrova, Belma Bajrami. Filmi është mbështetur edhe nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Agjencia e filmit e Maqedonisë së Veriut.

ObserverKult


Lexo edhe:

Dramat e luftës në një film dinamik