reklamë

Struktura narrative dhe semantika e konfliktit në romanin “Livia” të Mark Pashkut

Nga Begzad Baliu

1. Hyrje

Romani Livia i Mark Pashkut (Tuz, 2024) përfaqëson një krijim letrar me konfigurim të ndërlikuar tematik dhe strukturor, në të cilin drama e marrëdhënieve familjare, kriza e identitetit individual, kujtesa historike dhe transformimet e shoqërisë bashkëkohore ndërthuren brenda një sistemi narrativ me përbërës psikologjikë, alegorikë, filozofikë dhe satirikë. Në qendër të kësaj strukture qëndron marrëdhënia ndërmjet individit dhe bashkësisë, ndërmjet përvojës personale dhe rendit kolektiv të vlerave, ndërmjet lirisë si aspiratë ekzistenciale dhe përgjegjësisë si kategori etike. Këto marrëdhënie përcaktojnë jo vetëm horizontin tematik të veprës, por edhe mekanizmat e organizimit të saj të brendshëm. Në rrafshin e poetikës narrative, romani ndërtohet mbi bashkëpraninë e disa kodeve ligjërimore, ku rrëfimi realist ndërthuret me refleksionin filozofik, kujtesën historike, përfytyrimin fantastik dhe diskursin kritik mbi shoqërinë. Kjo ndërthurje e largon veprën nga modeli konvencional i romanit familjar dhe e orienton drejt një forme të prozës së ideve, në të cilën përvoja individuale shërben si strukturë ndërmjetësuese për trajtimin e problematikave të përgjithshme të ekzistencës njerëzore. Drama private nuk mbetet e mbyllur brenda marrëdhënieve bashkëshortore, por zgjerohet drejt një interpretimi të historisë, identitetit kulturor dhe transformimeve të sistemit të vlerave.

Identiteti estetik i Livias, megjithatë, nuk përcaktohet vetëm nga shumëllojshmëria e temave apo nga përmbajtja ideore, por nga mënyra se si organizohen marrëdhëniet ndërmjet njësive të rrëfimit. Në kuptimin e analizës strukturore të Roland Bartit, vepra mund të shqyrtohet si një sistem funksionesh narrative, ku ngjarjet, personazhet, përshkrimet dhe motivet fitojnë kuptim përmes pozicionit të tyre në tërësinë tekstuale. Ndërkaq, kategoritë narratologjike të Zherar Zhenetit, modeli aktancial i Algirdas Zhiljen Greimasit, poetika e fantastikes e Cvetan Todorovit dhe koncepti i dialogjizmit i Mihail Bahtinit krijojnë mundësi për një interpretim shumëplanësh të organizimit artistik të romanit. Një nga çelësat e këtij interpretimi gjendet që në prolog, ku marrëdhënia ndërmjet vetëdijes, gjuhës dhe veprimit artikulohet përmes formulimit “Shpirti është fjala, fjala është ideja e ideja pasohet nga vepra.” (f. 9). Kjo thënie ka karakter programatik, sepse e vendos fjalën në themel të marrëdhënies ndërmjet mendimit dhe realitetit. Ligjërimi nuk paraqitet vetëm si instrument komunikimi, por edhe si formë e ndërmjetësimit të përvojës, e organizimit të vetëdijes dhe e përcaktimit të marrëdhënieve njerëzore. Në këtë mënyrë, prologu funksionon si një kod paraprak interpretues, i cili orienton zhvillimin e konflikteve dhe të strukturave kuptimore në pjesët e mëvonshme të veprës.

Figura e Lekë Bardhit përbën qendrën mbizotëruese të perspektivës narrative, ndërsa Livia, e cila i jep titullin romanit, përfaqëson nyjën themelore të konfliktit dhe të organizimit semantik. Kjo marrëdhënie ndërmjet protagonistit si bartës i përvojës së rrëfyer dhe personazhit titullar si figurë përcaktuese e objektit të dëshirës krijon një asimetri funksionale ndërmjet qendrës së perceptimit dhe qendrës së domethënies. Pikërisht kjo asimetri përbën një nga veçoritë më interesante të arkitektonikës së veprës. Familja, si kategori themelore e këtij universi letrar, nuk paraqitet vetëm në dimensionin e saj institucional, por edhe si strukturë e përkatësisë, e kujtesës dhe e identitetit. Shpërbërja e saj shndërrohet në krizë të komunikimit dhe të vetëdijes, ndërsa përpjekja për rikthimin e marrëdhënieve merr karakterin e një kërkimi ekzistencial. Përmes kësaj marrëdhënieje, autori synon ta shndërrojë historinë e një familjeje në një model simbolik të gjendjes shpirtërore dhe morale të njeriut bashkëkohor.

2. Arkitektonika narrative, organizimi i kohës dhe struktura e konfliktit

Arkitektonika e romanit Livia mbështetet mbi një organizim të ndërthurur të niveleve narrative, ku rrjedha kryesore e ngjarjeve ndërpritet nga retrospektivat, digresionet historike, refleksionet filozofike dhe episodet me funksione të veçanta kompozicionale. Kjo mënyrë ndërtimi e vendos veprën ndërmjet rrëfimit linear dhe një strukture të zgjeruar, brenda së cilës e tashmja interpretohet përmes kujtesës, ndërsa përvoja individuale vendoset në marrëdhënie me historinë kolektive. Prologu, kapitujt e numërtuar dhe epilogu krijojnë kornizën makrostrukturore të veprës. Brenda kësaj kornize dallohen tri faza funksionale: gjendja fillestare dhe shfaqja e shenjave të krizës; shpërbërja e marrëdhënieve familjare dhe zgjerimi i konfliktit në planin shoqëror; procesi i njohjes, i vetëgjykimit dhe i rikthimit të mundshëm të harmonisë. Në terminologjinë e Greimasit, këto faza mund të interpretohen si kalim nga konjunksioni në disjunksion dhe, më pas, drejt një konjunksioni të ri. Kjo skemë nuk përfaqëson vetëm mekanizmin e zhvillimit të subjektit, por edhe parimin themelor të organizimit semantik të romanit.

Në gjendjen fillestare, familja e Lekë Bardhit paraqitet si një tërësi marrëdhëniesh të konsoliduara, ndonëse shenjat e çrregullimit janë tashmë të pranishme. Ndryshimi i sjelljes së Livias, ftohja e komunikimit bashkëshortor dhe zhvendosja e përparësive individuale paralajmërojnë një proces dezintegrues. Konflikti nuk shfaqet si ndërprerje e menjëhershme e ekuilibrit, por përgatitet përmes një vargu treguesish psikologjikë dhe simbolikë, kuptimi i të cilëve zbulohet gradualisht gjatë zhvillimit të rrëfimit. Marrëdhënia ndërmjet ndryshimit psikologjik dhe transformimit simbolik të hapësirës shfaqet në përshkrimin e shtëpisë pas largimit të Livias: “Shtëpia iu bë më e ftohtë. Iu duk madje edhe e huaj. Aty kishte derdhë secilën djersë e secilin kursim që kishte bërë në jetën e tij, por tashmë as muret, as orenditë e as pikturat që kishte në dhomë, nuk po i dukeshin të vetat.” (f. 25). Në këtë pasazh, hapësira familjare, nga shenjë e përkatësisë dhe e sigurisë, shndërrohet në shenjë të tjetërsimit. Objektet materiale mbeten të pandryshuara, ndërsa marrëdhënia e subjektit me to pëson një transformim rrënjësor. Për rrjedhojë, ndryshimi i hapësirës nuk ka karakter fizik, por semantik: shtëpia e humbet funksionin e saj të mëparshëm sepse është ndërprerë marrëdhënia njerëzore që ia përcaktonte kuptimin. Nga pikëpamja strukturaliste, ky episod dëshmon se hapësira letrare nuk është një realitet i pavarur nga personazhi, por pjesë e sistemit të marrëdhënieve që organizojnë përvojën e tij. Shtëpia nuk përfaqëson thjesht vendin ku zhvillohen ngjarjet; ajo merr funksionin e një shenje të identitetit familjar, ndërsa zbrazja e saj shënon njëkohësisht zbrazjen e botës emocionale të protagonistit. Kështu, transformimi i hapësirës funksionon si ekuivalent simbolik i transformimit psikologjik.

Një rol të rëndësishëm në organizimin e subjektit luan koha narrative. Autori ndërthur kohën e ngjarjeve me kohën e kujtesës, duke krijuar një strukturë retrospektive, ku përvoja e së kaluarës ndërhyn vazhdimisht në interpretimin e së tashmes. Në kuptimin e Zhenetit, këto zhvendosje përfaqësojnë analepsa, përmes të cilave rendi kronologjik i historisë ndryshon në raport me rendin e paraqitjes së saj në rrëfim. Në prolog, ndërkaq, paraqitja e Lekës gjatë udhëtimit me anije krijon një efekt proleptik, duke i dhënë lexuesit një perspektivë paraprake mbi një gjendje të mëvonshme të personazhit. Kujtimet e Lekës për njohjen me Livian, për fëmijërinë, nënën dhe periudhat e lumturisë bashkëshortore ndërtojnë një kundërstrukturë ndaj realitetit të krizës. E kaluara shfaqet si hapësirë e plotësisë, ndërsa e tashmja si hapësirë e mungesës. Kjo marrëdhënie prodhon tensionin emocional dhe përcakton mënyrën se si protagonisti e përjeton humbjen. Retrospektiva, pra, nuk është vetëm mjet për plotësimin e informacionit, por mekanizëm për ndërtimin e kontrastit ndërmjet dy gjendjeve të vetëdijes.

Veçanërisht domethënëse është lidhja ndërmjet kujtimit të njohjes me Livian dhe historisë së qytetit të braktisur Kayaköy/Livissi. Dy emërtimet e së njëjtës hapësirë, historia e shpërnguljes së banorëve dhe kujtesa e katastrofës krijojnë një paralelizëm simbolik me krizën e marrëdhënieve bashkëshortore. Qyteti i braktisur mund të interpretohet si figurë paraprake e braktisjes emocionale, ndërsa kujtesa e tij si metaforë e një marrëdhënieje që vazhdon të ekzistojë në vetëdije edhe pas humbjes së formës së saj të dikurshme. Në këtë rast, toponimia nuk e përmbush vetëm funksionin referencial, por fiton vlerë në sistemin e përgjithshëm të shenjave të romanit. Emërtimi i dyfishtë i qytetit, historia e migrimit dhe kujtesa e hapësirës krijojnë një marrëdhënie ndërmjet identitetit topografik dhe identitetit personal. Kjo analogji i jep materialit historik dhe gjeografik një funksion të dallueshëm kompozicional. Një strukturë e ngjashme zhvillohet përmes historisë së Holtës, migrimeve të banorëve dhe rrëfimeve mbi prejardhjen. Hapësira e vendlindjes nuk paraqitet si mjedis i palëvizshëm, por si kronotop i kujtesës historike, i përcaktuar nga ciklet e largimit dhe të rikthimit. Në këtë drejtim, drama individuale e Lekës vendoset në marrëdhënie analogjike me përvojën kolektive të bashkësisë. Kundërvëniet qëndrueshmëri/shpërngulje, përkatësi/tjetërsim dhe kujtesë/harresë funksionojnë në të dy nivelet e rrëfimit, duke krijuar një koherencë tematike ndërmjet historisë familjare dhe historisë së vendit.

Në planin e ritmit narrativ, romani karakterizohet nga alternimi i skenave dialogjike me pauzat përshkruese dhe refleksive. Dialogët ndërmjet Lekës dhe Livias, sidomos në momentet e ndarjes dhe të ballafaqimit, krijojnë intensitet dramatik, ndërsa digresionet mbi historinë, politikën dhe moralin shoqëror e ngadalësojnë zhvillimin e veprimit. Sipas kategorive të Zhenetit, kjo marrëdhënie mund të shqyrtohet përmes dallimit ndërmjet skenës, përmbledhjes dhe pauzës narrative. Megjithatë, ndërthurja e këtyre formave nuk realizohet gjithmonë me të njëjtën ekonomi kompozicionale. Digresionet historike dhe filozofike fitojnë nganjëherë një autonomi të tillë, sa e dobësojnë marrëdhënien funksionale me konfliktin qendror. Në kuptimin e Bartit, njësitë që kryejnë funksione informuese ose karakterizuese nuk e zhvillojnë domosdoshmërisht veprimin, por mund të kontribuojnë në ndërtimin e atmosferës dhe të kodeve ideologjike. Problemi estetik shfaqet kur këto njësi e tejkalojnë funksionin e tyre plotësues dhe fillojnë ta zëvendësojnë rrëfimin me komentim. Pavarësisht këtyre ndërprerjeve, struktura ciklike e konfliktit ruan koherencën e përgjithshme të veprës. Ndarja, vetmia, zbulimi i së kaluarës dhe përpjekja për pajtim përbëjnë nyjat funksionale që e mbajnë të bashkuar subjektin. Kalimi nga gjendja fillestare drejt krizës dhe prej saj drejt një ekuilibri të ri realizon atë që, në kuptimin e Todorovit, mund të përcaktohet si transformim i gjendjes narrative. Ekuilibri përfundimtar nuk është rikthim i thjeshtë i së kaluarës, por një gjendje e ndërmjetësuar nga përvoja e fajit, e humbjes dhe e njohjes.

3. Sistemi i personazheve, fokalizimi dhe semantika e marrëdhënieve njerëzore

Sistemi i personazheve të romanit organizohet rreth figurës së Lekë Bardhit, i cili përfaqëson protagonistin dhe qendrën mbizotëruese të perceptimit narrativ. Pozita e tij si historian, mësimdhënës dhe intelektual përcakton një pjesë të rëndësishme të karakterit të ligjërimit, sepse përvoja individuale ndërthuret vazhdimisht me refleksionet mbi historinë, shoqërinë, kulturën dhe institucionet. Personazhi ndërtohet njëkohësisht si subjekt i veprimit dhe si bartës i një vetëdijeje interpretuese, përmes së cilës realiteti fiton kuptim. Në modelin aktancial të Greimasit, Leka mund të përcaktohet si subjekt i kërkimit, ndërsa objekti themelor i vlerës është rivendosja e marrëdhënies me Livian dhe rikthimi i unitetit familjar. Objekti i kërkimit nuk ka natyrë materiale, por ekzistenciale dhe etike, sepse lidhet me nevojën për rikuperimin e një gjendjeje të humbur të përkatësisë dhe të ekuilibrit shpirtëror. Në këtë konfigurim, personazhet e tjera marrin funksione të ndryshme ndihmuese ose kundërshtuese, ndërsa pengesat nuk mishërohen vetëm në individë konkretë, por edhe në paragjykime, heshtje, konflikte dhe mekanizma shoqërorë.

Livia, si personazh titullar, përfaqëson nyjën themelore të organizimit semantik të veprës. Në fazën e parë të konfliktit, ajo shfaqet si bartëse e një programi individual të pavarësisë, të afirmimit profesional dhe të vetëpërcaktimit. Qëndrimi i saj artikulohet në dialogun e ndarjes përmes formulimit “Unë rilinda sepse arrita të dashurohem përsëri. Unë dua të jem e lirë. Kaq kërkoj unë e asgjë më shumë.” (f. 31). Liria paraqitet si objekt-vlerë i programit narrativ të Livias, në kundërvënie me objektin-vlerë të Lekës, që është ruajtja e bashkimit familjar. Konflikti bashkëshortor merr kështu karakterin e një përplasjeje ndërmjet dy programeve ekzistenciale. Megjithatë, kjo kundërvënie nuk duhet reduktuar në një ndarje të thjeshtë ndërmjet individualizmit dhe familjes. Zhvillimi i subjektit zbulon se kriza është kushtëzuar edhe nga veprimet e protagonistit, prandaj shpërbërja e marrëdhënies kërkon shqyrtimin e përgjegjësive të ndërsjella, të mekanizmave psikologjikë të heshtjes dhe të pamundësisë së komunikimit. Kjo përmasë e largon konfliktin nga një skemë e ngurtë morale dhe i jep atij një karakter më të ndërlikuar psikologjik.

Në këtë kontekst merr rëndësi organizimi i fokalizimit. Ndonëse rrëfimi zhvillohet kryesisht në vetën e tretë, perspektiva narrative lidhet ngushtë me vetëdijen e Lekës. Në terminologjinë e Zhenetit, mund të flitet për mbizotërimin e fokalizimit të brendshëm të lidhur me protagonistin, të ndërthurur me segmente ku narratori zotëron një horizont më të gjerë informacioni. Motivimet dhe veprimet e Livias shpesh ndërmjetësohen nga perceptimi i bashkëshortit, duke krijuar një asimetri ndërmjet rëndësisë së saj strukturore dhe autonomisë së saj ligjërimore. Kjo asimetri përbën një nga marrëdhëniet më domethënëse të poetikës së romanit. Titulli Livia krijon pritjen për një figurë qendrore femërore, ndërsa organizimi i rrëfimit e vendos Lekën në qendër të përvojës së perceptuar. Livia është qendër e konfliktit, por jo gjithmonë qendër e vetëdijes narrative. Kështu, titulli dhe fokalizimi ndërtojnë një marrëdhënie të tensionuar ndërmjet objektit të rrëfimit dhe subjektit që e përjeton atë.

Autori e zbut këtë asimetri përmes përfshirjes së ditarit të Livias, i cili krijon një perspektivë plotësuese mbi historinë bashkëshortore. Në një nga pasazhet e tij, Livia rrëfen: “Ndoshta edhe e kam lënduar, por dhimbja qenka e madhe. Kam një botë në këtë njeri. Kam gjithë jetën në këtë njeri. Falë tij jam e fortë dhe krenare. Në krahët e tij jam e lumtur. Por përsëri, po dhemb. Lutem që mos të shembem!” (f. 99). Ky fragment realizon një zhvendosje të rëndësishme të perspektivës narrative, sepse personazhi që është perceptuar kryesisht përmes ndërgjegjes së tjetrit fiton përkohësisht autonomi ligjërimore. Konflikti nuk paraqitet më vetëm si kundërvënie ndërmjet dy qëndrimeve, por si përvojë e përbashkët e lëndimit dhe e heshtjes. Në aspektin narratologjik, ditari funksionon si dokument i brendshëm dhe si mekanizëm i rishpërndarjes së informacionit. Ai zbulon të dhëna që protagonisti nuk i zotëronte dhe e detyron ta rishikojë interpretimin e së kaluarës. Njohja nuk realizohet përmes ndryshimit të realitetit, por përmes transformimit të informacionit mbi të. Ky është një nga momentet më të realizuara të karakterizimit psikologjik, sepse ndërgjegjësimi i Lekës buron nga ballafaqimi me përvojën e tjetrit dhe jo nga një deklarim abstrakt moral.

Arlina, Hera dhe Luani plotësojnë strukturën familjare dhe përfaqësojnë vazhdimësinë ndërbreznore. Arlina, në veçanti, zhvillon një linjë narrative paralele me historinë e prindërve. Përvoja e saj mbështetet mbi përplasjen ndërmjet dëshirës për vetëpërcaktim dhe pasojave të zgjedhjeve personale, duke e zgjeruar motivin e krizës së identitetit në një dimension tjetër brezor. Në këtë kuptim, personazhi i saj nuk është thjesht pjesë plotësuese e konfliktit bashkëshortor, por bartëse e një strukture narrative që përsërit dhe njëkohësisht ndryshon problematikën themelore të veprës.

Një pozitë të veçantë në sistemin e personazheve zë A-I-ja, figura misterioze që ndërpret rendin realist të rrëfimit. Përmes pamjes së pazakonshme dhe prejardhjes së pashpjeguar, kjo qenie krijon fillimisht efektin e së jashtëzakonshmes, ndërsa ligjërimi i saj e orienton episodin drejt alegorisë. Në takimin me Lekën, ajo deklaron: “Unë nuk ha njerëz, madje as nuk i kam bërë keq askujt në këtë botë, edhe pse kam kaluar të gjitha kontinentet, prandaj, eja, afrohu pranë meje e të bisedojmë bashkë si dy njerëz, sepse i tillë jam edhe unë edhe pse kam lindur ndryshe nga ti në çdo aspekt.” (f. 14). Këtu realizohet një përmbysje e marrëdhënies ndërmjet dukjes dhe qenies: pamja e jashtme provokon frikë dhe refuzim, ndërsa ligjërimi synon komunikimin dhe pranimin. Në kuptimin e Todorovit, shfaqja e kësaj figure krijon fillimisht lëkundjen karakteristike të fantastikes, ndërmjet një shpjegimi të zakonshëm dhe pranimit të së jashtëzakonshmes. Megjithatë, zhvillimi i episodit e zhvendos personazhin drejt funksionit alegorik dhe profetik. A-I-ja nuk mbetet vetëm objekt i frikës apo i habisë, por shndërrohet në bartëse të një mesazhi mbi tjetërsimin, paragjykimin dhe krizën e marrëdhënieve njerëzore.

Personazhet dytësore, si Selimi, Ilda, Luigji, Orinela dhe Ante, përmbushin funksione të ndryshme në procesin e njohjes dhe të transformimit të protagonistit. Në konfigurimin aktancial, disa prej tyre marrin funksionin e ndihmuesit, duke ndërmjetësuar zbulimin e së vërtetës ose duke ndikuar në riorganizimin e vetëdijes së Lekës. Funksioni i tyre përcaktohet më shumë nga pozita që zënë në zhvillimin e konfliktit sesa nga hapësira që u jepet në rrëfim. Megjithatë, këto personazhe nuk zhvillojnë gjithmonë një autonomi të barabartë psikologjike dhe ligjërimore. Disa figura shërbejnë kryesisht për të përforcuar sistemin aksiologjik të veprës, duke e kufizuar potencialin e saj polifonik. Në kuptimin e dialogjizmit të Bahtinit, shumëzërësia kërkon që perspektivat e ndryshme të kenë mundësi të zhvillojnë vetëdije relativisht të pavarura. Në Livia, zërat kundërshtues ekzistojnë, por shpesh organizohen rreth një qendre mbizotëruese vlerësimi, çka e afron rrëfimin me një model monologjik të diskursit ideologjik. Megjithëkëtë, zhvillimi përfundimtar i marrëdhënies ndërmjet Lekës dhe Livias e tejkalon pjesërisht këtë kufizim. Zbulimi i fajit dhe pranimi i përgjegjësisë e zhvendosin konfliktin nga gjykimi i tjetrit drejt vetëgjykimit. Ky transformim përbën një nga mekanizmat më të rëndësishëm të zhvillimit psikologjik të protagonistit dhe krijon parakushtet për zgjidhjen e subjektit.

4. Semantika strukturore, sistemi simbolik dhe poetika e ligjërimit

Organizimi semantik i romanit mbështetet mbi një sistem kundërvëniesh të përsëritura: familja dhe vetmia, kujtesa dhe harresa, drita dhe errësira, dashuria dhe interesi, liria dhe nënshtrimi, e vërteta dhe gënjeshtra. Këto opozicione përbëjnë boshtet themelore të strukturës aksiologjike, përmes së cilës autori organizon marrëdhëniet ndërmjet personazheve, zhvillimin e konfliktit dhe interpretimin e realitetit shoqëror. Një formulim i përqendruar i kësaj strukture shfaqet në ligjërimin paralajmërues të A-I-së: “Gjithçka do të ketë një çmim dhe trinia – dashuri, familje, paqe – do të ndryshoj me formulën pasuri, vetmi dhe kaos.” (f. 16). Dy triadat organizohen sipas një marrëdhënieje kundërshtie: e para përfaqëson rendin e dëshiruar të vlerave, ndërsa e dyta rendin që teksti e paraqet si kërcënim ndaj ekzistencës njerëzore. Kjo kundërvënie krijon një strukturë themelore të kuptimit, e cila përshkon zhvillimin e konfliktit dhe përcakton orientimin aksiologjik të veprës. Në terminologjinë e semantikës strukturore të Greimasit, familja, dashuria dhe paqja ndërtojnë një izotopi të qëndrueshmërisë, ndërsa vetmia, kaosi dhe shpërbërja një izotopi të krizës. Përsëritja e këtyre njësive semantike në kontekste të ndryshme siguron kohezionin tematik dhe e orienton interpretimin drejt marrëdhënies ndërmjet rendit të dëshiruar dhe realitetit të përjetuar. Kjo strukturë mund të shqyrtohet edhe përmes modelit të katrorit semiotik, ku marrëdhëniet e kundërshtisë, të kontradiktës dhe të nënkuptimit ndihmojnë në dallimin e pozicioneve kuptimore të veprës. Megjithatë, opozicionet letrare nuk përbëjnë domosdoshmërisht marrëdhënie logjike të plota; ato funksionojnë para së gjithash si organizime aksiologjike të universit romanesk.

Funksionimi estetik i këtyre kundërvënieve nuk qëndron vetëm në formulimin e drejtpërdrejtë të tyre. Ato fitojnë vlerë artistike kur materializohen përmes objekteve, situatave dhe marrëdhënieve konkrete, duke u shndërruar nga kategori abstrakte në shenja të organizuara brenda rrëfimit. Pema e gdhendur në pllakën që A-I-ja ia lë Lekës përfaqëson një nga simbolet qendrore të veprës. E paraqitur e rrethuar nga njerëz që përpiqen ta presin, ajo mund të interpretohet si shenjë e vazhdimësisë së jetës, e lidhjeve ndërbreznore dhe e qëndrueshmërisë së bashkësisë. Akti i prerjes, përkundrazi, shënon kërcënimin ndaj kësaj vazhdimësie. Në këtë mënyrë, objekti simbolik ndërtohet mbi një marrëdhënie kundërshtie ndërmjet ruajtjes dhe shkatërrimit, jetës dhe ndërprerjes së saj. Funksioni i simbolit është i dyfishtë. Fillimisht ai krijon një enigmë narrative, ndërsa më vonë shndërrohet në objekt interpretimi. Deshifrimi i mbishkrimit latin nga Luigji e lidh pemën me familjen, dashurinë, jetën dhe besimin, duke e zhvendosur objektin nga statusi i një shenje të pashpjeguar drejt një simboli me funksion të përcaktuar njohës. Në terminologjinë e Bartit, ky proces mund të lexohet si kalim nga kodi hermeneutik i enigmës drejt zgjidhjes së saj, përmes së cilës informacioni i fshehur bëhet pjesë e vetëdijes së protagonistit. Megjithatë, shpjegimi i drejtpërdrejtë i simbolit e kufizon pjesërisht poliseminë e tij. Simboli fiton intensitet më të madh estetik kur kuptimi ndërtohet përmes marrëdhënieve të brendshme të tekstit, sesa kur përcaktohet përfundimisht nga një ndërhyrje shpjeguese. Ky raport ndërmjet simbolit dhe interpretimit përbën një nga çështjet më të rëndësishme të poetikës së romanit, sepse lidhet drejtpërdrejt me marrëdhënien ndërmjet diskursit artistik dhe atij ideologjik.

Një strukturë tjetër simbolike zhvillohet përmes marrëdhënies ndërmjet artit pamor dhe identitetit të Livias. Piktura nuk paraqitet vetëm si profesion apo prirje krijuese, por si kod i veçantë i vetëdijes së personazhit. Largimi i pikturave, zhdukja e objekteve të kujtesës dhe ndryshimi i organizimit të shtëpisë paralajmërojnë transformimin e marrëdhënieve familjare. Në këtë kontekst, reagimi i Lekës fiton domethënie të veçantë: “Unë dua që të shikoj rrëmujën e lodrave në shtëpi. Dua të shikoj shenjat e duarve e të gishtërinjve në mure. Pikturat e tua më mbushin me jetë.” (f. 68). Lodrat, gjurmët e fëmijëve dhe pikturat shndërrohen në shenja të pranisë njerëzore. Përmes tyre, hapësira familjare ruan kujtesën e përvojave të përbashkëta, ndërsa zhdukja e tyre perceptohet si ndërprerje e vazhdimësisë emocionale. Kjo marrëdhënie ndërmjet objektit dhe kujtesës e kthen hapësirën e brendshme të shtëpisë në një sistem shenjash të identitetit familjar.

Në nivelin figurativ, stuhia, drita, errësira, pema, rrënjët, shtëpia dhe udhëtimi përbëjnë një inventar relativisht të qëndrueshëm simbolesh. Stuhia lidhet me çrregullimin individual dhe shoqëror, drita me njohjen dhe shpresën, rrënjët me prejardhjen dhe kujtesën, ndërsa udhëtimi me kërkimin e një gjendjeje të re të vetëdijes. Përsëritja e këtyre figurave krijon marrëdhënie ndërmjet niveleve të ndryshme të rrëfimit dhe i jep veprës kohezion metaforik. Hapësira gjeografike merr gjithashtu funksion semantik. Holta, Shkodra, Buna, Italia dhe Dubrovniku ndërtojnë një gjeografi të lëvizjes, ku kujtesa historike ndërthuret me përvojën personale. Toponimet sigurojnë konkretësinë referenciale të rrëfimit, por njëkohësisht aktivizojnë marrëdhënie simbolike ndërmjet vendlindjes dhe mërgimit, qëndrueshmërisë dhe largimit, përkatësisë dhe tjetërsimit. Në këtë mënyrë, gjeografia e romanit shndërrohet në një sistem hapësirash me funksione të diferencuara kulturore dhe psikologjike.

Në rrafshin e ligjërimit, romani karakterizohet nga bashkëprania e regjistrit bisedor, refleksionit filozofik, rrëfimit historik dhe komentimit publicistik. Kjo heterogjeni krijon mundësi për shumëzërësi, por nuk realizohet gjithmonë me të njëjtën shkallë të individualizimit stilistik. Në disa episode, dialogët përmbajnë natyrshmëri dhe intensitet psikologjik; në të tjera, personazhet shndërrohen në bartës të argumentimeve të gjata, ku ligjërimi ideologjik mbizotëron mbi veprimin. Në kuptimin bahtinian, heteroglosia nuk nënkupton vetëm bashkëpraninë e regjistrave të ndryshëm gjuhësorë, por edhe përballjen e perspektivave shoqërore dhe ideologjike që ato përfaqësojnë. Në Livia, këto perspektiva janë të pranishme, por shpesh i nënshtrohen një hierarkie të qartë aksiologjike. Për rrjedhojë, romani shfaq prirje drejt shumëzërësisë në planin e materialit ligjërimor, ndërsa ruan një orientim relativisht monologjik në planin e vlerësimit ideologjik. Kufizimi kryesor estetik nuk qëndron te prania e refleksionit filozofik apo e diskursit shoqëror, por te shkalla e integrimit të tyre në strukturën artistike. Rrëfimi fiton intensitet kur idetë mishërohen në situata, karaktere dhe konflikte; ai e humbet një pjesë të dendësisë estetike kur interpretimi i ngjarjeve jepet përpara se ato ta zhvillojnë potencialin e tyre kuptimor. Kjo marrëdhënie ndërmjet rrëfimit dhe komentimit përbën një nga tensionet themelore të poetikës së veprës.

Në pjesën përfundimtare, konflikti zhvendoset nga përplasja ideologjike drejt përgjegjësisë individuale. Ballafaqimi i Lekës me fajin e vet e ndryshon strukturën e gjykimit moral, ndërsa falja merr funksionin e një procesi të vetënjohjes. Në dialogun me Anten artikulohet mendimi “Duhet ta falësh vetën. Mëso ta falësh fillimisht vetën, pastaj do të falësh edhe të tjerët.” (f. 116). Kjo thënie e vendos faljen në themel të transformimit psikologjik, sepse nënkupton jo vetëm rivendosjen e marrëdhënies me tjetrin, por edhe riorganizimin e marrëdhënies së subjektit me vetveten. Ky transformim përgatit skenën e pajtimit, ku komunikimi i drejtpërdrejtë fiton përparësi ndaj spektaklit publik. Në ballafaqimin përfundimtar, Livia deklaron: “Unë i dëgjova të gjitha. Nuk duhet të mi thuash përsëri dhe nuk ishte nevoja që kjo të bëhej me kamera televizive. Por, nëse ti tani vishesh e vjen të ulemi bashkë, besoj se ne do të merremi vesh pa dalë para botës për t’i treguar asaj se ne duhemi, si duhemi e pse duhemi.” (f. 119). Kjo zhvendosje nga hapësira publike drejt marrëdhënies ndërpersonale shënon një përmbysje të rëndësishme semantike: dashuria, e cila përgjatë romanit është bërë objekt i gjykimeve shoqërore dhe i përplasjeve ideologjike, rikthehet në dimensionin e saj të përjetuar. Në planin e organizimit narrativ, kjo zgjidhje e orienton konfliktin drejt një forme të katarsisit psikologjik, ku vetëdija transformohet përmes njohjes së fajit dhe pranimit të përgjegjësisë. Megjithatë, rikthimi i harmonisë nuk e zhduk plotësisht tensionin ndërmjet përvojës individuale dhe kodit ideologjik që organizon veprën. Pikërisht kjo marrëdhënie ndërmjet kompleksitetit të ngjarjes dhe prirjes për një zgjidhje të përcaktuar aksiologjikisht përbën një nga veçoritë dalluese të romanit. 

5. Përfundim

Romani Livia i Mark Pashkut përfaqëson një krijim letrar me ambicie të dallueshme tematike dhe strukturore, në të cilin drama familjare shndërrohet në parim organizues të një refleksioni më të gjerë mbi identitetin, kujtesën, lirinë dhe përgjegjësinë njerëzore. Në rrafshin narratologjik, vepra mbështetet mbi një strukturë ciklike të kalimit nga bashkimi në shpërbërje dhe drejt mundësisë së rikthimit, ndërsa në rrafshin semiotik karakterizohet nga një sistem opozicionesh, izotopish dhe simbolesh që sigurojnë vazhdimësinë kuptimore të rrëfimit. Marrëdhënia ndërmjet Lekë Bardhit si qendër e fokalizimit dhe Livias si qendër semantike e konfliktit përbën një nga veçoritë më domethënëse të organizimit të saj artistik.

Arritjet më përfaqësuese të romanit qëndrojnë në ndërtimin e konfliktit psikologjik, funksionalizimin simbolik të hapësirës, ndërthurjen e kujtesës individuale me atë historike dhe zhvillimin e procesit të vetënjohjes së protagonistit. Megjithatë, zgjerimi i digresioneve ideologjike, asimetria e perspektivave narrative dhe prirja për shpjegimin e drejtpërdrejtë të simboleve e kufizojnë herë pas here autonominë estetike të veprës. Në këtë pikë, marrëdhënia ndërmjet diskursit artistik dhe atij komentues mbetet një nga çështjet themelore të vlerësimit kritik.

Në një përcaktim përmbledhës, Livia mund të vlerësohet si roman shoqëror-psikologjik me përbërës alegorikë, fantastikë dhe eseistikë, identiteti artistik i të cilit ndërtohet mbi tensionin ndërmjet ngjarjes dhe idesë, përvojës individuale dhe diskursit shoqëror. Vlera e tij qëndron në përpjekjen për ta paraqitur krizën e marrëdhënieve njerëzore si krizë të vetëdijes, ndërsa mundësinë e kapërcimit të saj si proces të njohjes, të faljes dhe të përgjegjësisë së ndërsjellë.

Prishtinë, tetor 2026

ObserverKult


Lexo edhe:

Pyetësori i Prustit/ Mark Pashku: Liria si nevojë, dashuria si strehë!