
Pyetësorit të Prustit në ObserverKult i përgjigjet shkrimtari Mark Pashku:
Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
Lumturia e përkryer ndryshon prej moshës, prej statusit të individit, prej shumë faktorëve të tjerë. Besoj se për mua lumturi është ta jetoj jetën në qetësinë time dhe në pasionin tim. Por, formula ime e lumturisë së përkryer është: pasioni dhe sakrifica. Pak e vështirë për tu kuptua por jo çdo gjë për pasionin, jo çdo gjë të sakrifikohet, pra një koktej.
Cila është frika juaj më e madhe?
Gjatë gjithë jetës, njeriu përballet me frikën e cila ndryshon dimensionin e saj duke qenë njëra prej sfidave kryesore në jetën e pothuajse çdo njeriu. Varësisht se në cilën fazë të jetës është njeriu, varet edhe frika me të cilën ballafaqohet më së vështiri. Frika më e madhe imja është një thikë me dy tehe: mos ta lë në vetmi njeriun tim të zemrës, por as mos të mbes në vetmi. Ndoshta jam tepër i sinqertë 😊
Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
Nënën time, Ruken, pa asnjë dyshim. Ajo sot është 76 vjeçe, me një sëmundje të devijimit të shtyllës kurrizore, me lëvizje apo ecje të kufizuar, por që vullnetin e madh për jetën, për familjen, për lulet, për kujdesin ndaj familjes e babait e ka ashtu siç ka qenë kurë unë isha fëmijë. Ajo ka lindur tetë fëmijë, prej të cilëve pesë djem e dy vajza, ndërsa një nuk ia ka dalë që të rritet. Në kushte shumë të vështira, na ka mbajte shumë pedant, të veshur, të mbathur të ushqyer e të bashkuar.
Një ditë e zakonshme e saj ka qenë fjetja në orën dy pasmesnatës, për tu zgjuar në orën katër e tridhjetë minuta, për të shkuar me babain tim në peshkim me lundër, në Liqenin e Shkodrës. Pas kthimit nga peshkimi, ka vazhduar punën me bagëtinë që ka mbajtur, përgatitjen e fëmijëve për në shkollë, ushqimin për punëtorët e arave që ishin nga fshati Aqarevë i Drenicës, e pastaj dalja në ara bashkë me punëtorët deri në orët e pas mesditës. Pastaj, pritja e fëmijëve, ushqyerja e tyre, puna me bagëtinë, dhe kthimi në Liqenin e Shkodrës deri në orët e mbrëmjes, kur edhe vazhdonte puna për mbylljen e gjellëve brenda stallës.
Në mbrëmje, larja e fëmijëve, ushqyerja e të gjithëve, rreth pesëmbëdhjetë persona, pastrimi i shtëpisë e i teshave, dhe të gjitha me ujë të nxjerrë nga bunari, me që nuk kishte kushte të tjera. Edhe përkundër kushteve aspak të favorshme, ajo rriste lule të shumta e të lloj-llojshme, në kohën kur në fshatrat tona, pak kush u jepte rëndësi.
Në raftin e saj personal, ajo kishte gotat prej kristali për verë të kuqe, verë të bardhë, raki, shampanjë, ujë, lëngje etj. Enët i kishte të ndara aq bukur e aq mirë, sa që unë nuk arri të besoj se si ia ka dalë ta kuptojë botën e gastronomisë pa shkuar nëpër restorante luksoze e pa e shijuar luksin në asnjë lloj forme.
Fjalët e sajë për atdheun, për vendlindjen, për shqiptarinë, për Kosovën, për njeriun në përgjithësi, na kanë frymëzuar e na kanë mbështjellë me një filozofi tipike malësore e cila nuk ka ngjyresa as fetare e as përkulëse, sepse na ka mësuar se armikut në asnjë moment e në asnjë situatë mos me i thënë mik e as mos me u identifikua me të, duke na dhënë krenarinë për identitetin tonë kombëtarë shqiptarë, evropian e autokton. Padyshim, është personi i parë në ranglistën time të parë ku s’ka person të dytë në të, pastaj në listat e tjera mund të ketë edhe të tjerë. Ajo ka qenë, është dhe do të jetë burim i shpresës. Njeriu nuk ka nevojë për më shumë se kaq.
Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
Figura unike, palca e kombit arbëror – shqiptarë është Skënderbeu. Ne në Malësi e kemi një shprehje, “nuk e ka të shoqin”, andaj këtë se zëvendëson njeri në historinë tonë kombëtare, sa të thirremi shqiptarë. Nëse do të zgjidhja një figurë historike, ndoshta do të ishte Luigj Gurakuqi.
Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?
Mospërshtatja me frymën “moderne” të të bërit politikë. Ndoshta për mua personalisht, kjo do të ishte diçka që do të shërbente në ngjitjen time në karrierë, mirëpo kompromiset e kontratat me prangat që të heqin lirinë, nuk i kapërdijë dot. Uroj që të ma falin fëmijët e mi, por në fakt, unë asgjë tjetër nuk kam në plan të ju lë në trashëgimi, përveç frymës luftarake për të jetuar të lirë.
Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
Maska! Më tmerron. Njerëzimi sipas meje është ndërtuar mbi shtylla të paraqitjes fasadë, çka e urrej jashtë mase. Shumica dërrmuese e njerëzve jetojnë nën maskë, duke mos e mundur asnjëherë opinionin e botës e as duke mos u liruar nga prangat e të jetuarit për të tjerët. Bota ka nevojë për sinqeritet për të gjetur paqen dhe për të shijuar dashurinë. Sot, nuk ka më afërsi dhe nuk ka më dashuri. Jetojmë në kohën e interesit. Interesi dhe maska janë dy tumoret e shoqërisë sonë.
Në cilat gjëra e teproni?
Në shumë, besoj. E teproj me duhanin, që luftoj çdo ditë me të, që nuk do të doja ta pi. E teproj më distancën që kam me të afërmit e mi. Se di, se me sa gjëra tjera e teproj, sepse në shumë raste më duket se e teproj shumë me çdo gjë.
Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
Eh. I rritur në një ambient ku gënjeshtra është bërë vegël jetese, njeriu e gjen veten duke gënjyer edhe në situatat më të pa imagjinueshme. Ajo që është me rëndësi të ju them, është se prej sinqeritetit të tepruar shpesh kam vuajt. I kam ditur pasojat, i kam pranuar ato dhe jam përballuar qëllimisht më to. Mendoj se nëse gjërat i themi siç janë, vuajmë më pak. Do të gënjeja për të ruajt një sekret i cili nëse do të dilte në dritë, do të shkatërronte një familje ose një individ.
Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
Sa herë që kam shkuar të vizitoj vëllezërit në Amerikë, kthimi ka qenë një botë në vete. Në kthim, përherë isha sa i lumtur aq edhe i prekur, që unë po kthehesha në vendin tim të lindjes dhe nuk jam mërgimtar që të vij vetëm sa ta vizitoj.
Përveç këtij udhëtimi, përherë i shijoj udhëtimet kurë jam me Lizën, e tani edhe me fëmijët, Jonin dhe Vjosën të cilët janë mësuar me udhëtime.
Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
Në brendësinë time falënderuese, e them një frazë kishtare: “ O Zot unë nuk jam i denjë që të hysh në pullazin tim, por thuaje një fjalë të vetme e shpirti im ka për tu shëruar”. Kam shumë deshirë të jem falënderues ndaj asaj qemë ka dhuruar natyra, prindërit, gjaku, brezat, toka ime, njerëzit përreth që në mendësinë time rrumbullakojnë të pastrën, të dëlirën, Hyun. Këtë e rrëfeva për të treguar diçka që nuk e dinë shumë njerëz.
Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
Kurë kam zhgënjyer ndonjë mik timin, i cili në raste jetike më ka ndihmuar. Gjithsesi, unë nuk kam heqë dorë asnjëherë për ta dëshmuar se janë rrethanat ato që njeriu detyrohet të veprojë ndryshe.
Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
Asgjë nuk më ka lumturuar më shumë në jetë se sa lindja e fëmijës tim të parë, Jonit dhe prania e tij në jetën tonë. Ky moment i ka ngjarë pak momenteve që kam përjetuar në fazën time të shkëputjes fëminore me prehrin e nënës sime, momente që edhe sot kur i kujtoj ma zënë frymën. Familja është baza e dashurisë sime.
Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
Jam katerdhetë vjeçar, tash me 30 gusht. Jam i shqetësuar për disa gjëra që kanë të bëjnë me familjen e gjerë, por po mësohem, përndryshe jam kureshtar dhe i motivuar. Motivi nuk më ka munguar kurrë! Po kërkoj një moment të zhytëm në punën time të preferuar, të krijoj, pra të shkruaj librin që kam në dorë dhe të mësoj që të marr më shumë kohë për vetën. Besoj se ky është momenti i kthesës, sepse jam në moshën ideale për tu zhytë në botën time individuale, krijuese.
Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
Është një pjesë e karakterit e cila shpesh shihet si dobësi, e ajo është se unë i fal njerëzit shumë. Do të doja mos ta bëja, dhe këtë ta shprehja hapur.
Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
Arritja ime më e madhe është paqja familjare qe kam, harmonia në familje. Këtë e kam pas mision jete, që ta shikoj familjen time në paqe. Vetëm paqja dhe dashuria mund ta ndryshojnë botën, por për to dikush duhet të luftojë. Lufta ime për paqen familjare është arritja ime më e madhe. Për këtë nuk ndalëm asnjëherë!
Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
Kohën gjatë studimeve, do ta kisha jetuar ndryshe. Do të kisha shëtitur më shumë, do të kisha lëvizur më shumë dhe do të kisha përzgjedhur një përvojë ndryshe.
Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
Njeriu është qenia më e përsosur në këtë tokë. Prape do të zgjidhja të isha njeri dhe ndoshta, do të doja të isha grua, për ta jetuar jetën në dy dimensionet e saj.
Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?
Familja! Dashuria ime, Liza dhe familja ime e gjerë.
Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
Mjerimi më i madh është pasuria e tepruar. Ajo sjellë mjerimin më të madh.
Ku do të dëshironit të jetonit?
Në vendlindje kam jetuar se aty i kam prindërit, ëndrrat dhe dëshirën me ba diçka për vendin tim. Pra, dua dhe kam dashur të jetoj në Malësi, në Narhelm, pranë Liqenit të Shkodrës.
Cila është cilësia juaj më e veçantë?
Cilësia ime më e veçantë është se e dua jetën dhe shquhem për energjinë pozitive që transmetoj te shumica e njerëzve. Unë sapo zgjohem në mëngjes, gjëja e parë që bëj është të shikoj diellin, pyllin që kam pas shtëpisë dhe malin para derës. E dua jetën dhe buzëqeshi përherë.
Çfarë vlerësoni tek një burrë?
Vlerësimin që ka ndaj gruas së tij të zgjedhur!
Çfarë vlerësoni tek një grua?
Unë besoj se gruaja është më shumë se njeri, andaj prej gruas pres shumë. Vlerësoj forcën shpirtërore.
Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?
Gabriel Garsia Marquez. Ismail Kadare. Dan Brown. G. Orwell.
Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
Heronjtë në jetën e vërtetë janë vëllezërit e mi, prindërit dhe disa profesorë që jetojnë ashtu siç kanë shpjeguar ose shkruar.
Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
Jam vallëzues i talentuar i valleve popullore shqiptare, dhe madje valltar shumë i mirë.
Futbolli ka qenë pasion dhe dashuri për mua.
Nuk me mungon talenti!
Si do të dëshironit të vdisnit?
Për vdekjen kam menduar dhe mendoj, sa herë që dua të marr ndonjë vendim. Dëshiroj të vdes në duart e dikujt që më ka dashtë me zemër, dikush i familjes.
Cila është motoja juaj?
Motoja e jetës time ka qenë dhe mbetet: Jeta kalon shpejt, duhet vepruar, duhet lëvizur!
ObserverKult






