
Nga Rozafa Shpuza
Ka fotografi që nuk i sheh veç me sy. I sheh me krejt çka ke përjetue ndër vite. Kjo asht njena prej tyne.
Dhjetë vjet kanë kalue prej asaj dite në Viti të Kosovës, prej atij tubimi të madh fotografësh e të rinjsh që u mblodhën rreth nji pasioni të përbashkët: artit të bukur të fotografisë. Një ngjarje e veçantë për përmasat, risinë, cilësinë dhe, mbi të gjitha, për vlerën që pati në përcjelljen e këtij arti te brezi i ri.
Sot, tue e pa këtë fotografi, më vjen mirë me mendue se sa shumë prej atyne fytyrave të reja kanë marrë udhën e tyne. Disa janë ba fotografë të mirënjohun, disa kanë hapë studiot e galeritë e veta, të tjerë kanë krijue festivale fotografie që rikthehen periodikisht, tue mbajtë gjallë atë frymë që dikur na mblodhi bashkë. Secili, në mënyrën e vet, ka vazhdue me e shkru historinë e fotografisë.
E ky takim kishte edhe nji arsye ma të thellë. I kushtohej kujtimit të Pimit, fotografit të talentuem të këtij qyteti të vogël të Kosovës, emni i të cilit u ba i njohun përtej kufijve të tij pikërisht përmes këtij eventi. Ndoshta arti e ka këtë dhunti të rrallë: me i mbajtë njerëzit pranë edhe kur ata nuk janë ma, me ua zgjatë jetën përmes kujtimeve, imazheve e gjurmëve që lanë.
Sa peshon nji fotografi? Nji copë letër, nji çast i ndalun, disa fytyra të rreshtueme para objektivit. E megjithatë, mbrenda saj mund të jetojnë dhjetë vjet, nji miqësi, nji qytet, nji njeri që mungon, andrra që kanë marrë udhë e rrugë që nuk i kemi ba ma bashkë.
Koha i ka lëvizë të gjithë prej vendit ku ishim atë ditë, por fotografia na kthen aty, për nji çast, pa na pyetë sa kemi ndryshue.
E ndoshta kjo asht mrekullia e saj: me na kthye jo aty ku kemi qenë, por te ajo që kemi ndie.
ObserverKult

Lexo edhe:






