reklamë

Kur shkenca dhe letërsia bashkëbisedojnë për misterin e qenies

Ndërthurja kuantike dhe ndërthurja e fateve njerëzore në romanin “Drita” të Mimoza Hafizit

Nga Fulvia Dollmeni Shtepani

Ka dukuri në univers që, sa më shumë shkenca përpiqet t’i shpjegojë, aq më shumë na zbulojnë thellësinë e misterit të tyre. Drita është një prej tyre: ajo është njëkohësisht fenomen fizik, bartëse e informacionit për kozmosin dhe një nga metaforat më të fuqishme të përvojës njerëzore. Pikërisht në këtë hapësirë ku njohja shkencore takohet me imagjinatën letrare vendoset romani “Drita” i Mimoza Hafizit, një vepër që na fton të reflektojmë mbi lidhjet e padukshme mes njerëzve, kujtesës, largësisë dhe misterit të qenies.

Shkenca i zbulon universit ligjet e veta, ndërsa letërsia i jep zë. Kur këto dy gjuhë takohen, universi pushon së qeni vetëm objekt studimi dhe shndërrohet në përvojë të ndërgjegjes njerëzore.

Shumë shkrimtarë të njohur janë frymëzuar nga kozmologjia, fizika kuantike, entropia, relativiteti dhe misteret e universit, duke i shndërruar idetë shkencore në vepra letrare të mrekullueshme. Në krijimtarinë e tyre, shkenca nuk është kufi i imagjinatës, por porta drejt së panjohurës. Italo Calvino te “Cosmicomics”, e përkthen kozmosin në fabul; Borges te “Aleph”, e përqendron pafundësinë në një pikë të vetme; Primo Levi te “Tabela periodike”, e shndërron kiminë në autobiografi të shpirtit; Thomas Pynchon te “Entropia”, e përdor entropinë si metaforë të shpërbërjes së botës; Carl Sagan, te  “Pika e blu e zbehtë”, na rikthen te vetëdija për brishtësinë dhe madhështinë e qenies njerëzore përballë pafundësisë kozmike.

Në këtë traditë të letërsisë botërore, të frymëzuar nga shkenca, romani “Drita”, zë një vend të veçantë. Ajo nuk na prezantohet  vetëm si fenomen fizik. Drita, bëhet një mënyrë për të eksploruar lidhjet e padukshme mes njerëzve, kujtesës, largësisë dhe misterit të ekzistencës. Shkenca nuk qëndron jashtë rrëfimit si një dije e huaj, por depërton në të, zgjeron horizontin e imagjinatës dhe i jep përjetimit njerëzor një dimension kozmik.

Këto vepra dëshmojnë, se arti dhe shkenca, nuk janë gjuhë që përjashtojnë njëra-tjetrën. Janë dy mënyra të ndryshme për t’iu afruar të njëjtit mister: botës dhe njeriut që përpiqet ta kuptojë. Shkenca kërkon të zbulojë ligjet e universit, ndërsa  letërsia, atë që ndodh brenda, nesh kur përballemi me to.

Përmes librave “Universi Blu”, “Pika Trëndafil” dhe “Në pritje të Supernovës”, autorja na ka ftuar ta shohim qiellin, jo thjesht si një hapësirë të largët, por si burim pyetjesh, emocionesh dhe reflektimesh. Ajo i ka hapur publikut dyert e një bote ku shkenca takohet me filozofinë dhe magjinë e dijes.

Në të njëjtën perspektivë, romani “Drita” na fton të ndjekim gjurmët e një prej dukurive më themelore të universit: dritës, kësaj aktoreje dhe mesazhereje kozmike, që sjell lajme nga thellësitë e hapësirës dhe të kohës. Drita nuk është vetëm ajo që na lejon të shohim botën, ajo është edhe mënyra përmes së cilës, universi na rrëfen historinë e vet.

Si fizikane, jam mësuar ta njoh dritën përmes ligjeve të fizikës, ndërsa si lexuese, në librin e Mimozës, e takojë atë në hapësirën e ndjenjave.  Dija nuk e shuan misterin, por përkundrazi, e bën atë edhe më magjepës .

Fotonet dhe lidhjet kuantike i përkasin fizikës, ndërsa lidhjet mes njerëzve, përbëjnë një dimension metaforik e letrar. Pikërisht, ky kalim nga ligji fizik te metafora njerëzore, është një nga idetë më interesante të romanit. Përmes simbolikës, zgjedhjes së emrave dhe përmbajtjes, *Drita* është një nga ata libra të rrallë që e vendosin shkencën në një kornizë thellësisht humane. Ai na shtyn të vëmë në dyshim, atë që mendonim se e njihnim, duke e mbështjellë me magjinë e dritës dhe duke e bërë universin, me enigmat e tij, pjesë të përjetimeve tona më të zakonshme.

Drita, është ndoshta një nga fjalët më të lashta dhe më të dashura të njerëzimit. Ajo është agimi pas natës, shpresa pas errësirës, njohja pas padijes. Ajo na lejon të shohim botën që na rrethon, fytyrën e tjetrit, të njeriut të dashur, dhe nganjëherë të zbulojmë edhe fytyrën tonë të brendshme. E ndërsa shkenca kërkon të kuptojë dritën, letërsia pyet se çfarë ndriçon ajo brenda nesh.

Ne fillin e narracionit, drita  nuk mbetet vetëm metaforë poetike, por shfaqet edhe si objekt i kërkimit shkencor. Çfarë ndodh kur fizika na zbulon, se ajo që duket e thjeshtë  është në të vërtetë, një nga misteret më të mëdha të universit?

Këtu nis udhëtimi që na propozon Mimoza Hafizi, në kufirin ku dija shkencore takohet me imagjinatën letrare, ku ligjet e natyrës, bëhen pyetje për njeriun, dhe ku universi në vend që të zvogëlohet nga shpjegimet tona, shfaqet edhe më i pafund.

Në roman, Bianka dhe Barde janë dy fotone të metaforës njerëzore, (bijat e Dritës, nënës së tyre biologjike). Me të njëjtën origjinë, ndërtojnë identitete të veçanta, dhe jetojnë në botë që nuk komunikojnë me njëra-tjetrën. Megjithatë, historia e tyre ruan një kujtesë të përbashkët, një fill të padukshëm që largësia nuk arrin ta këpusë.

 Pas tridhjetë e një  vjetësh, kur trajektoret e tyre kryqëzohen në Observatorin e Parisit, ribashkimi nuk është thjesht një ngjarje familjare. Ai shndërrohet në metaforë të fuqishme të ndërthurjes njerëzore: dy jetë të ndara zbulojnë se kanë qenë gjithmonë, pjesë e së njëjtës histori. Në çastet e fundit, Prof.Drita përjeton një dhuratë dashurie.  Përfundimisht, vetëm në  një shikim, ajo arrin t’i dallojë të dy vajzat së bashku, si në momentin kur i kishte braktisur . Fraza përmbyllëse e romanit na thotë shumë:

“Për 30 vjet, Drita qe as gjallë, as vdekur. Tani e vdekur, do të jetë përsëri gjallë.”

Trupi i saj shuhet dhe koha biologjike përfundon, por lidhja me të bijat, drita, që ajo ka sjellë në botë  vazhdon të jetojë tek to. Romani na sugjeron kështu, se lidhjet më të thella të qenies, ndoshta nuk maten me kilometra, por me gjurmën që lënë në ekzistencën tonë.

Këtu qëndron një nga interpretimet më të bukura të librit. Ndërthurja kuantike bëhet gjuhë poetike, për të folur mbi ndërthurjen e fateve njerëzore (Biankës  dhe Bardes),  pa e reduktuar letërsinë në fizikë.

     Si astrofizikane, autorja i njeh mirë pyetjet që shkenca i drejton universit, por si shkrimtare, ajo ndien se universi nuk është vetëm hapësira e largët mes yjeve dhe galaktikave. Ai është edhe hapësira e brendshme e njeriut, me mendimet, dëshirat, pritjet, frikërat dhe lidhjet e padukshme, që e bëjnë jetën tonë një histori të përbashkët.

Duke ndërthurur botën e fotoneve me atë të ndjenjave, autorja ndërton një urë, mes universit dhe njeriut, mes saktësisë së shkencës dhe lirisë së imagjinatës. Universi nuk mbetet më një hapësirë e largët, e vëzhguar përmes teleskopëve dhe ekuacioneve, por ai bëhet pjesë e përvojës sonë intime, një pasqyrë ku mund të kërkojmë kuptimin e ekzistencës.

Në zemër të këtij libri qëndron një nga dukuritë më mahnitëse të fizikës moderne. Le të përfytyrojmë dy grimca drite, dy fotone, të përfshira në një gjendje të përbashkët kuantike. Ato mund të largohen nga njëra-tjetra, të udhëtojnë në drejtime të kundërta e të ndahen nga largësi të mëdha. E megjithatë, kur kryhen matje, rezultatet e tyre shfaqin korrelacione që sfidojnë çdo shpjegim të zakonshëm. Nuk kemi të bëjmë me një supozim shkencor apo me fantazi shkrimtarësh e poetësh. Ndërthurja kuantike është një dukuri e studiuar dhe e vërtetuar eksperimentalisht, me rëndësi të tillë, sa u bë edhe objekt i çmimit Nobel në Fizikë, në vitin 2022.

Natyrshëm lind pyetja që e bën këtë temë kaq magjepse:

 A është realiteti më i ndërlikuar nga sa na tregojnë shqisat?

A mund të ekzistojnë lidhje që nuk kuptohen duke vëzhguar veçmas secilën pjesë, apo vetëm duke parë tërësinë?

Deri më sot, shkenca nuk na jep të drejtën të pohojmë se dy njerëz të larguar nga njëri-tjetri, komunikojnë në mënyrë kuantike, apo se dashuria funksionon sipas ligjeve të ndërthurjes së fotoneve. Letërsia, megjithatë, gëzon një liri tjetër. Ajo mund të marrë një mister të universit dhe ta shndërrojë në temë të zemrës njerëzore.

Jeta jonë e përditshme është e mbushur me largësi. Ka njerëz që nuk i kemi pranë, por mbeten pjesë e mendimeve tona, zëra që heshtin, por vazhdojnë të jehojnë brenda nesh, takime që mbarojnë në hapësirë dhe në kohë, por jo domosdoshmërisht, në zemër e në kujtesë.

Një nga fuqitë e letërsisë është, të zgjojë dëshirën për të menduar mbi lidhjet që nuk i shohim, mbi fijet e holla që bashkojnë fatet njerëzore.

Në këtë kuptim, titulli i librit Drita, fiton një domethënie të shumëfishtë: është drita e fizikës që udhëton në hapësirë, drita e dijes që na çon drejt së panjohurës, dhe drita simbolike e ndërgjegjes njerëzore, që na ndihmon të kuptojmë veten dhe tjetrin.

Më duket veçanërisht domethënës fakti që këtë udhëtim të trefishtë, na e propozon një shkencëtare shqiptare si Mimoza Hafizi. Ajo vjen nga një fushë ku saktësia është e domosdoshme, ku çdo hipotezë duhet të përballet me provën, dhe ku çdo përgjigje hap horizonte të reja pyetjesh. Në letërsi, nëpërmjet dyzimit te saj intelektual, autorja gjen një mënyrë tjetër, për të ndarë me ne, habinë e saj përballë universit.

           Në pamje të parë, shkenca dhe letërsia përdorin gjuhë të ndryshme. Shkenca kërkon të shpjegojë, letërsia të na bëjë të përjetojmë. Shkenca ndërton modele, letërsia ndërton botë. Por të dyja lindin nga e njëjta nevojë, nga dëshira për të kuptuar, atë që na rrethon dhe atë që jemi.

 Einstein thoshte: “Gjëja më e bukur që mund të përjetojmë është misteri. Ai është burimi i çdo arti dhe i çdo shkence.” Ky mendim duket sikur përmbledh edhe frymën e “Dritës”: Shkenca nuk e zhduk misterin, por na mëson ta shohim më thellë.

Einstein-i shprehej gjithashtu se: “Imagjinata është më e rëndësishme se dija. Dija është e kufizuar, ndërsa imagjinata përfshin gjithë botën.” Mirëpo, pa imagjinatë, shkenca nuk do të mund të hidhte hipoteza të reja, ndërsa  pa dije, imagjinata do ta kishte të vështirë ,të shndërrohej në zbulim. Pikërisht në këtë hapësirë mes dijes dhe imagjinatës, gjen frymëzimin e saj letërsia.

Carl Sagan, astronom dhe shkrimtar i madh, e përshkruante shkencën, si “një mënyrë të menduari, shumë më tepër sesa një grumbull njohurish. Ajo është një mënyrë për të pyetur, për të dyshuar dhe për të kërkuar me përulësi.

Edhe pse nuk flet drejtpërdrejt për fizikën, vargu i poetit  William Blake : “Të shohësh një botë në një kokërr rëre dhe një qiell në një lule të egër” (Les Augures d’innocence*), shpreh një të vërtetë të përbashkët për shkencën dhe letërsinë.  E tëra mund të fshihet në të voglën, ndërsa pafundësia mund të pasqyrohet në një fragment. Feynman, një nga fizikantët më të shquar të shekullit XX, shprehej: “Mund të them me siguri se askush nuk e kupton mekanikën kuantike.” Kjo frazë, në dukje e thjeshtë, mbart një mesazh të vlefshëm e aktual.  Përballë realitetit, edhe mendja më e ditur, duhet të ruajë modestinë dhe habinë.

Ky eter citimesh që shoqëron romanin “Drita” si sfond, dekor dhe jehonë, na ndihmon të kuptojmë se shkenca dhe letërsia takohen përmes një vështrimi të përbashkët. Aty ku njeriu përballet me të panjohurën, dhe përpiqet t’i japë formë, herë përmes formulës, herë përmes figurës, herë përmes një historie.

Këtu qëndron edhe bukuria e romanit. Ai nuk na fton vetëm të mësojmë për fotonet, fizikën kuantike apo misteret e universit, por mbi të gjitha, na fton të ruajmë aftësinë për t’u mahnitur.

Ideja që na mbetet në mendje, mbas leximit të romanit është se  njeriu nuk kënaqet vetëm me përgjigjet që di të japë. Ai jeton dhe përparon, edhe falë pyetjeve që nuk e lënë të ndalet, mistereve që e bëjnë kureshtar, dhe dëshirës për të kapërcyer kufijtë e dijes së vet.

Në këtë udhëtim, drita mbetet një simbol i mrekullueshëm. Ajo vjen nga larg, na sjell lajme për botë që mund të mos i shohim kurrë nga afër dhe, megjithatë, na lejon t’i njohim. Kur vështrojmë një yll të largët, përfytyrojmë dritën që ka udhëtuar gjatë për të mbërritur te sytë tanë. Shikimi bëhet kështu një takim mes së tashmes dhe së shkuarës, mes një bote të largët dhe çastit tonë njerëzor.

Sa poetike është kjo e vërtetë shkencore, dhe me sa mjeshtri autorja e ka integruar në roman. Ajo na kujton se njohja është gjithmonë një udhëtim! Drita niset nga burimi, përshkon hapësirën, dikush e pret dhe përpiqet t’i japë kuptim.

Ndoshta edhe letërsia është një dritë e tillë. Ajo niset nga mendja dhe ndjeshmëria e autorit, përshkon faqet e librit, dhe mbërrin te lexuesi, ku merr një jetë të re.

Duke lexuar këtë libër, i cili na ngacmon mrekullisht, për të na nxjerrë nga gjendja jonë e qëndrueshme (siç shprehet autorja), nuk shfletojmë vetëm faqet e një romani. Hapim një dialog mes shkencës dhe letërsisë, mes universit dhe njeriut, mes asaj që mund të provojmë, dhe asaj që mund të përfytyrojmë.

Dhe, mbi të gjitha, shtrojmë një pyetje që mbetet gjithmonë e gjallë në mendjet tona:

 –Sa shumë kohë i duhet dritës, të përshkojë pafundësinë e universit  për të na sjellë dëshminë e proceseve fizike, që shpalosen në skajet e tij të largëta?  

– Sa shumë  kohë  i duhet dritës së  brendshme të përshkojë qeniet tona, për të zbuluar lidhjet e padukshme që na bashkojnë midis nesh?

Ndoshta largësia mat hapësirën, por jo gjithmonë jehonën, që një prani lë në shpirt. Pas mistereve të gjithësisë, qëndron jo vetëm etja jonë për dije, por edhe nevoja e thellë njerëzore, për të kuptuar veten dhe lidhjen tonë me të.

Drita (fotonet) që vjen nga yjet, mbart gjurmët e një të shkuare të largët, ndërsa drita që letërsia zgjon brenda nesh, mund të ndriçojë të tashmen dhe të ardhmen.

Universi nuk është vetëm diçka që vështrojmë nga jashtë. Nëpërmjet nesh, një pjesë e tij ka arritur të mendojë për vetveten.

ObserverKult