reklamë

113-vjetori i Petro Markos, një shtëpi- muze për shkrimtarin? E bija: Ruaj shumë gjëra, janë pjesë e shpirtit tim!

valë petro marko

Një muze kushtuar Petro Markos, ku do të ruhen dorëshkrimet, dokumentet, kujtimet dhe gjurmët e një jete të jashtëzakonshme. Kjo ishte një nga idetë që mori jetë gjatë bashkëbisedimit me të bijën, Arianita Marko, në aktivitetin e organizuar me rastin e 113-vjetorit të lindjes së shkrimtarit.

Ishte viti 1989. Petro Marko ndodhej në spital, në gjendje jo të mirë shëndetësore. Pavarësisht kësaj, ai pranoi të japë një intervistë e sot, kjo intervistë është e vetmja që ruhet prej tij dhe që mbrëmjen e djeshme është sjellë para publikut në dokumentarin “Rroftë jeta” të realizuar dhe shfaqur në 113-vjetorin e shkrimtarit me skenar e regji nga Jerida Sakaj.

“Unë po mendoja që nuk kishte asnjë lloj dokumenti, asnjë lloj gjëje për të. I them një shoqes sime në televizion se babai është duke vdekur dhe nëse mund të bëhej diçka, një xhirim që të mbetej diçka. Erdhi ekipi dhe babai, megjithëse ishte shumë keq, pranoi. Me sa duket, e kuptoi që duhej të lindte diçka. Për fat të madh, ato pamje kanë mbetur.”, thotë e bija e shkrimtarit, Arianita Marko.

Sot, sfida është që kujtesa për Petro Markon të mos mbetet vetëm në pak regjistrime filmike dhe në faqet e librave. Në shtëpinë e familjes ruhen ende blloqe me shënime, dorëshkrime, ide për vepra të papërfunduara dhe dokumente që presin të zbulohen. Një arkiv personal, të cilin e bija e konsideron pjesë të shpirtit të saj.

Pikërisht këtu merr kuptim ideja e krijimit të një muzeu, në Tiranë ose në Dhërmi, vendlindjen e shkrimtarit. Një hapësirë që do të ruante jo vetëm veprën letrare, por edhe historinë njerëzore të Petro Markos. Ideja u propozua nga drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, i cili propozoi angazhimin e institucioneve shtetërore për ngritjen e një dhome muze ose shtëpie muze kushtuar shkrimtarit, si dhe organizimin e veprimtarive përkujtimore në Spanjë dhe Itali, në bashkëpunim me institucionet homologe.

“Do të duhej të kishte patjetër një muze… Në shtëpi kam shumë gjëra të babait, dorëshkrime, shënime. Janë pjesë e shpirtit tim. Një muze do të ishte shumë mirë.”, thotë Arianita Marko.

Arianita sjell ndër mend kujtime edhe nga shtëpia e madhe në Dhërmi, e ndërtuar me ëndrrën që aty të jetonin disa breza. Kujton oxhakun rreth të cilit mblidheshin fshatarët, jastëkët ku uleshin dhe lotët e tyre kur flisnin për të afërmit që kishin marrë rrugët e mërgimit.  Sipas saj, Petro Marko mbeti i lidhur me Dhërmiun, edhe kur rrethanat e larguan prej tij. Në kujtimet e së bijës, ai shfaqet edhe si njeriu që nuk bënte dallime mes njerëzve, që i mësonte fëmijët të uleshin e të hanin edhe në shtëpitë më të thjeshta, duke u përcjellë dashurinë dhe respektin për këdo.

“Babi është njeri që rrinte me të gjithë, që na ka mësuar t’i duam të gjithë. Që nga njerëzit më të thjeshtë. Unë jam rritur në një shtëpi ku na çonte Petro në një shtëpi që s’kishte asgjë, te shtëpia e pastrueses së shkollës, ku kishte një bukë me presh dhe me kos. Ashtu na mësoi të rrimë me këta njerëz dhe t’i duam.”, rrëfen e bija e Petro Markos.

Në shtëpinë e Arianitës ruhen ende blloqe të vegjël me shkrimin e imët të Petro Markos, shënime nga jeta e përditshme, mendime, poezi dhe plane për romane që nuk arriti t’i përfundonte. Mes tyre, një bllok që e mbante gjithmonë me vete dhe shënonte gjithçka që shihte e mendonte.

“Babi mbante në xhep gjithmonë një bllok kur shkonte te kafe ‘Tirana’ e gjithmonë shkruante dhe ka shënime, gjërat që ka parë, çfarë mendonte, poezi. Kujtime, që nuk i kemi të sistemuara, por kam për shembull ‘Qytetin e fundit’ të shkruar me dorë, që e ka bërë për dy javë…”, thotë Arianita Marko.

Për lexuesin shumë shpejt do të jetë në qarkullim edhe një libër i ri nga Petro Marko, “Fillesa”, ku përfshihen kujtime të tij, që nisin që në vitet e hershme, me origjinën./shqiptarja

ObserverKult


Lexo edhe:

Festivali i 65-të i Këngës në RTSH, dirigjenti Qinami zbulon detaje nga përgatitjet: Këtë vit dominojnë rock-u dhe baladat