
A duhet të merremi me filozofi? A kemi një shkollë kombëtare mendimi? Përse duhet studiuar filozofia? Cilat janë të mirat e saj? A kemi nevojë të trajtojmë problemet tona nën dritën e filozofisë, të përshtatim dhe aktualizojmë në mënyrë kritike doktrinat filozofike, të krijojmë mendimtarët tanë, një shkollë tonën të të menduarit, të të ndjerit, të të sjellurit dhe të të vepruarit?
Plutarku thekson: “Filozofia duhet të jetë objekti kryesor i studimit, gati të shndërrohet në profesion dhe të mbizotërojë ndaj të gjitha fushave të tjera të studimit”. Po përse duhet të jetë objekt kryesor studimi?
Nga Ilir Cenollari
Së pari, filozofia në thelb është dashuri për diturinë, si e tillë, ajo bënë sintezën e mençurisë njerëzore. Filozofia zbulon thelbin e qenies, tregon unitetin e botës dhe rreket t’u jepë përgjigje problemeve kryesore të shoqërisë njerëzore. Vizioni i saj është gjithëpërfshirës dhe ngërthen estetikën, etikën, logjikën, metafizikën, moralin, ontologjinë, teologjinë.
Së dyti, filozofia jo vetëm është dashuri për diturinë, por edhe burim i diturisë, e cila nga ana e vet sjell progresin e shoqërisë njerëzore. Plutarku thekson: “Midis të mirave njerëzore, vetëm të mësuarit është i pashterrshëm dhe hyjnor. Dy janë thesaret e natyrës njerëzore: inteligjenca dhe arsyeja. Inteligjenca urdhëron arsyen, arsyeja bind inteligjencën. As njëra dhe as tjetra nuk i dorëzohen pasurisë, shpifja është e pafuqishme t’i njollosë, sëmundja t’i shembë përdhe, pleqëria t’i shterë. Vetëm arsyeja dhe inteligjenca ka privilegjin e rinimit të përhershëm të njeriut duke u plakur dhe koha që rrëmben gjithçka, e pasuron diturinë deri në çastet e fundit të jetës. Lufta gërryen e vë përpara gjithçka, por diturisë nuk ka se ç’t’i bëjë”.
Së treti, filozofia është “shkenca e jetës”, sepse na tregon se cilat janë burimet e moralit shoqëror, themelet solide mbi të cilat ngrihet shoqëria njerëzore: e vërteta, morali, drejtësia, maturia, jeta sociale dhe aftësia për të ndërtuar institucione.
“Nëpërmjet saj, – thotë Plutarku, – bëhet e mundur njohja e asaj që është e bukur, e turpshme, e drejtë, e padrejtë, sublime, groteske, e asaj që duhet të duam dhe të asaj që duhet t’i shmangemi, se si duhet të sillemi ndaj zotave, prindërve, pleqve, ligjeve, të huajve, më të rriturve, miqve, gruas, fëmijëve dhe shtëpiakëve”.
Filozofia na mëson të nderojmë perënditë, prindërit, pleqtë, t’u bindemi ligjeve, magjistratëve, të respektojmë miqtë, të jemi të urtë dhe të matur me gruan, të dhembshur me fëmijët, të drejtë me skllevërit, e ç’është më e rëndësishme, të mos dehemi nga bollëku dhe as të fundosemi nga fatkeqësia, të mos lajthitim pas dëfrimeve dhe as të rrëmbehemi nga zemërimi si një bishë e tërbuar. Të gjitha këto të mira na i jep filozofia, asnjë degë tjetër e shkencës.
F. Bacon thotë se adhurimi i filozofisë të shpie në ateizëm, por edhe në religjion. Ujërat e teologjisë dhe filozofisë përzihen rrugës ashtu siç përzihen shkaqet primare me ato sekondare, të dytat veprojnë mbi të parat dhe anasjellas, kështu përparon dija, e vërteta, bota, njerëzimi. Sokrati u vra, por koha i dha të drejtë dhe e ngjiti në fronin e perëndive.
Së katërti, filozofia tregon objektin e vërtetë të diturisë, qëllimin e jetës, shkaqet primare dhe ato sekondare, raportet mes shkencës, kulturës, besimit dhe qytetërimit, tregon se çfarë është vetëdija, ndërgjegjja dhe ndjenja e detyrës.
Ciceroni thotë se në çdo kohë, qoftë në jetën publike, qoftë në atë private, njeriu ka përherë një detyrë për të kryer dhe këtu qëndron bukuria e jetës. Mospërmbushja e kësaj detyre është akt i shëmtuar. Të gjithë filozofët kanë kërkuar atë që është më e mirë dhe më e përshtatshme për shoqërinë njerëzore. Cili do të guxojë të quhet filozof, nëse nuk jep mësime për mënyrën se si duhet të sillemi?
Zhan Zhak Ruso, në “Kontratën Sociale”, viti 1762, Libri i Parë, Kapitulli VIII, nënvizon rëndësinë e madhe të kalimit të njeriut nga gjendja natyrore në atë shoqërore. Kalimi në gjendjen shoqërore shënon një ndryshim të rëndësishëm, pasi në vend të instinkteve, hyn drejtësia dhe veprimet e njerëzve marrin karakter moral, që më përpara nuk e kishin. Zëri i detyrës dhe e drejta zëvendëson impulset fizike dhe lakminë. Njerëzit fitojnë liri morale, që i bëjnë zot të vetes, sepse impulsi i lakmisë është skllavëri dhe bindja ndaj ligjit, që ka vendosur vetë është liri. Njerëzit që janë të aftë të merren njëherësh me politikë dhe me filozofi, janë me fat dhe të plotësuar, pasi gëzojnë dy epërsi të mëdha: janë të dobishëm për atdheun e tyre falë aftësive administrative dhe ruajnë qetësinë e kthjelltësinë, falë marrjes me filozofi.
Së pesti, filozofia është burim i humanizmit dhe mbrojtësja e flaktë e tij.
Platoni thotë se shkenca dhe e vërteta janë imazhe të së Mirës Supreme, por jo e mira në vetvete, natyra e së cilës ua kalon ndjeshëm atyre, pasi ajo është burimi i shkencës, drejtësisë dhe vërtetës. Dielli jo vetëm ndriçon gjithë objektet e botës, por u jep edhe jetë atyre, ai lind, rrit dhe ushqen, po kështu dhe njeriu që tejkalon thelbin e vet në dinjitet dhe në fuqi.
Ideja e së Mirës Supreme është shkalla më e lartë e mençurisë, por ajo dallohet me vështirësi. Atë nuk mund ta zbulosh pa arritur në përfundimin se ajo është shkaku i gjithçkaje që ekziston në univers. Ajo është burimi i dritës, ajo krijon inteligjencën dhe të vërtetën. Sytë duhet t’i mbërthejmë mbi të, nëse duam të ecin në udhën e përparimit. Të mësosh, të dish është hyjnore, por kjo dituri është e dobishme ose jo, e mirë ose e dëmshme, sipas drejtimit që ne i japim.
Së gjashti: filozofia tregon thelbin e bukurisë së vërtetë dhe është burim i lumturisë njerëzore. Njerëzit – thotë Plutarku, – për t’u kujdesur për shëndetin, kanë krijuar shkencën e mjekësisë dhe gjimnastikës, por kundër vuajtjeve dhe sëmundjeve shpirtërore, nuk ka ilaç tjetër përveçse filozofisë.
Epikuri parashtron katër barna ose ilaçe për të shpëtuar nga vuajtjet shpirtërore, por dhe për të qenë i lumtur në jetë. Këto barna, që përkthehen në katër parime themelore janë: Zoti s’është për t’u pasur frikë; vdekja nuk shkakton vuajtje, e mira arrihet lehtë, e keqja mund të përballohet pa shumë vështirësi!
Epikuri nuk mohon ekzistencën e zotave, por nënvizon se hyjnitë janë krijesa të përsosura, të përjetshme dhe të pakorruptueshme, si të tilla nuk kanë asnjë arsye t’u bëjnë keq njerëzve, por as njerëzit s’kanë se ç’t’u bëjnë perëndive, pasi janë të pafuqishëm për ta bërë një gjë të tillë. Së fundi, filozofia na mëson se vetëm regjimet demokratike janë në gjendje t’u bëjnë ballë fuqive të huaja, të shmangin ndërhyrjet nga jashtë, pasi ato i mjaftojnë vetvetes, i nënshtrohen vetvetes, normave kushtetuese dhe qeverisëse, parimeve demokratike dhe kulturës kombëtare.
Po cilët quajmë filozofë? Sipas Platonit, filozofë quajmë ata që kanë një dashuri të pakufishme për të vërtetën, që njohin dialektikën, që kanë integritet të lartë moral, që janë të pakorruptueshëm, që kanë forcë të madhe shpirtërore, kujtesë të shkëlqyer dhe janë zemërgjerë.
Megjithatë, edhe nëse nuk i kemi cilësitë e mësipërme, kjo s’do të thotë se ne s’duhet të mendojmë, reflektojmë dhe krijojmë. F. Bacon këshillon se çdo njeri i ditur duhet të ushtrojë aftësitë e veta, gjykimet e veta pa u shqetësuar shumë se ç’kanë thënë ose bërë korifenjtë e shkencës, artit dhe filozofisë. Për shembull, Aristeteli ka shok vetëm veten, s’ka një të dytë si ai. Kjo s’do të thotë se filozofia ka vdekur, se mendimi ka vdekur, se krijimi ka vdekur, se studimi ka vdekur; t’i nderojmë mësuesit e njerëzimit ashtu siç duhet, por të ushtrojmë aftësitë tona në përputhje me zhvillimet dhe nevojat e kohës.
Jo gjithçka është thënë dhe bërë nga paraardhësit është e vërtetë, e përkryer, përfundimtare. Në fund të fundit, babai i çdo të vërtete është Koha. Dy bijat e saj, e Kaluara dhe e Reja (bija, e ardhmja) nuk i ngjajnë atit të vet se ato përpijnë njëra-tjetrën.
Antikiteti nxit kërkime të reja, e reja hedh poshtë atë që është arritur më parë! Këshilla që mund të jepet në këtë rast është kjo: mbahuni fort fillimisht mbi rrugët e çelura nga historia, e më pas vlerësoni se cila është rruga më e drejtë dhe më e mirë për t’u ndjekur. Gjithsesi, duhet thënë se antikiteti është rinia e njerëzimit, e botës dhe po të flasim sinqerisht koha e sotme është antikiteti se tashmë bota është plakur para kohe. Mund ta nisim rendin kohor dhe për së prapthi. E kotë të zgjatemi më tepër!
ObserverKult
lexo edhe:
Mrekullia e dashurisë! Edhe njeriun e egër, zemrak e bën zemërmirë, të ndjeshëm, të dhembshur…