A e dini çka janë koordinatorët e intimitetit! Aktorë të famshëm kritikojnë ndërhyrjen, profesionistët shpjegojnë rëndësinë

Koordinatorët e intimitetit janë bërë një nga profesionet më të debatueshme të industrisë së filmit, mes vlerësimeve dhe kritikave të ashpra nga aktorë të njohur. Ndërsa disa i shohin si garantues të sigurisë dhe kreativitetit, të tjerë i konsiderojnë si pengesë për artin. Mes keqkuptimesh, profesioni ende po formësohet dhe kërkon të shpjegojë misionin e tij real.

Roli i koordinatorëve të intimitetit, një profesion i konsoliduar pas epokës #MeToo, është kthyer në një prej temave më të nxehta të industrisë së filmit.

Adelaide Waldrop, një nga koordinatorët më aktivë të këtij sektori, thotë se puna e saj shpesh keqkuptohet, deri në pikën që mendon t’u thotë të tjerëve se “është kontabiliste”, për të shmangur reagimet.

Ndërsa aktorë si Michelle Williams, Emma Stone dhe Alexander Skarsgård kanë folur me superlativa për rolin e koordinatorëve të intimitetit, të tjerë si Mikey Madison apo Gwyneth Paltrow i kanë kritikuar, duke sugjeruar se prania e tyre kufizon artin.

Sipas profesionistëve, këto deklarata ushqejnë një narrativë të gabuar. Waldrop thekson se puna e tyre është e gjerë: nga analizimi paraprak i skenarit, tek diskutimet konfidenciale me aktorët, identifikimi i traumave ose kufizimeve personale, menaxhimi i seteve të mbyllura dhe siguria fizike e aktorëve.

Koordinatorët tregojnë se shpesh aktorët kanë nevojë për mbështetje edhe për çështje më të thjeshta, si mospranimi i një pjese të trupit në kamera.

Skenat intime dikur trajtoheshin pa standarde të qarta, duke sjellë raste të rënda si ai i Maria Schneider në “Last Tango in Paris”, apo kërkesat absurde të regjisorëve që i detyronin anëtaret e stafit të rrëfenin përvojat e tyre seksuale për të ndihmuar një aktore të re.

Sot, skenat intime vijnë me rregulla, barriera të sigurisë dhe protokolle që e bëjnë setin më të sigurt për të gjithë. Megjithatë, profesioni mbetet objekt talljeje dhe keqinterpretimi.

Në një industri që ende po mëson si të trajtojë skenat intime me profesionalizëm, koordinatorët shpresojnë që debati publik të zbehet dhe të mbetet vetëm puna e tyre në mbrojtjen e aktorëve dhe standardizimin i një procesi që për dekada u la në hije.

ObserverKult


Lexo edhe:

Gabriel García Márquez, shkrimtari që e kuptonte thellë vetminë njerëzore