NGA: SHERIF BUNDO
E kuptoj shumë mirë që titulli i këtij shkrimi ngacmon dhe prek lidhjen e fortë të banorëve të qytetit të Tiranës me këtë qytet ku kemi lidhur jetën, ku kemi lindur fëmijët dhe ku presim dhe përcjellim deri edhe për në botën tjetër këdo që njohim dhe që duam. E kujtoj shumë mirë ndjesinë dhe dhimbjen që ndjejnë po t’u shkruash kështu banorëve të kryeqytetit por që janë me origjinë të vjetër nga Tirana dhe rrethinat e saj.
Por, këto lidhje të forta, deri edhe shpirtërore me këtë qytet, nuk duhet të na errësojë arsyen dhe të mos shohim me objektivitet gjithë zhvillimet që ndodhin rreth nesh dhe që kanë lidhje të gushtë me Tiranën dhe me perspektivën e saj. Dua të nënvizoj që në fillim të këtij shkrimi, që shpeshherë, ne, në mënyrë të veçantë ne intelektualët, përfshirë edhe mua, bëjmë gabim të rëndë kur heshtim sa herë bëhet fjalë për zhvillime të qyteteve ku gëlojnë qelizat e jetës sonë. Qytetet dhe zhvillimet urbane të tyre janë germat, me të cilat urbanistët dhe veçanërisht politikanët, shkruajnë historinë e shoqërisë. Por, mjerë kush e shkruan keq këtë histori dhe mjerë kush hyn në këtë histori për keq.
Tani po kthehem te përmbajtja e titullit të shkrimit. A po zhvillohet qyteti i Tiranës në mënyrë të tillë që e bën më të afërt qytetarin me të? A po marrin organet e qeverisjeve publike vendimet që na e bëjnë më të bukur jetën në të ardhmen? A po i menaxhojnë ata mjediset publike në mënyrën më të mirë të duhur? A zbatohen dhe a respektohen në Tiranën tonë kriteret dhe parimet klasike të urbanistikës? A po zhvillohet qyteti ynë në atë mënyrë që na garanton se jetëgjatësia në Tiranë do të rritet me siguri në të ardhmen?
Sigurisht, të dashur lexues të këtij shkrimi, unë, për shkak të kulturës sime profesionale, nuk jam në gjendje t’u jap përgjigje të plotë dhe aq më pak ezauruese të gjitha pyetjeve të mësipërme. Por, nuk mund ta konsideroj veten aq naiv sa të mendoj dhe të pranoj se Tirana jonë është duke u bërë një nga qytetet europiane më dinjitoze. Ashtu siç thonë, jo më vonë se para dy-tri ditësh drejtuesit cinikë të Tiranës. Por, le ta lëmë mënjanë cinizmin e tyre dhe le të përpiqemi të argumentojmë se zhvillimet urbane në kryeqytet nuk janë në atë drejtim që çdonjëri prej nesh do të dëshironte të ishin. Le të fillojmë me qetësi dhe me radhë:
A KEMI PAQE SOCIALE NË TIRANË?
Kushti i parë, karakteristika e parë që duhet të plotësojë një qytet për t’u konsideruar si qytet i preferuar për banim dhe të renditet ndër qytetet që ia vlen të sakrifikosh dhe lidhësh jetën me këtë qytet është klima e bashkëjetesës paqësore te komunitetet që e jetojnë qytetin. Vërtet, a ka bashkëjetesë miqësore, dashamirësi dhe solidaritet midis grupeve dhe shtresave të kryeqytetit tonë?
Dua shumë të besoj që përgjigjja e kësaj pyetjeje të jetë afirmative. Lus që të jetë kështu. Por, nuk mund të gënjej veten përpara kontrastit ekstrem midis lagjeve të kryeqytetit. Në periferi, lagje dhe vila luksoze që do t’i kishte zili Amerika, Franca, Anglia apo çdo vend tjetër i pasur dhe i zhvilluar. Jo se në këto vende nuk ka vila luksoze dhe nuk ka shtëpi luksi, jo se në periferi të tyre nuk ka lagje dhe banesa luksi. Por, nuk gjen gjëkundi një diferencë kaq të madhe, një largësi kaq ekstreme në jetesën midis lagjeve me vila shumë të shtrenjta në periferi të Tiranës, me lagjet tradicionale të Tiranës së Re, të Laprakës, të lagjes Ali Demi, apo të Alliasit.
Raporti i çmimit për metër katror banesë në këto dy skaje kalon 4/1. Kjo do të thotë që hendeku i dallimit thellohet. Kjo do të thotë gjithashtu që skajet e shoqërisë largohen përditë dhe më shumë dhe se hapësirën që është krijuar dhe hendekun që zgjerohet midis tyre nuk ka si ta zërë një shtresë tjetër, shtresa e mesme, e cila ndihet prej politikave po aq e anashkaluar sa edhe të varfrit. Në këto dy hapësira jetojnë edhe familjet që konsumojnë 1 euro për frymë në ditë. Ndoshta edhe më pak, por edhe familjet që konsumojnë mbi 100 euro për frymë në ditë. A mund të ketë paqe dhe mirëkuptim midis këtyre dy grupeve?
Nuk e kam fjalën për barazi dhe as për të përmbysur kategoritë, mbi të cilën janë hedhur themelet e shoqërisë ku jemi futur: prona private, tregu, kapitali dhe interesi. Nuk krahasoj një individ të pasur me një individ të varfër. Jo, kurrsesi jo. Jam duke folur për faktin se si po zhvillohet qyteti nga kjo pikëpamje. Jemi duke krijuar dhe zhvilluar një qytet me ndarje në lagje të pasura dhe në lagje të varfra, në lagje luksi dhe në geto, në periferi me standarde të larta dhe në qendër të varfër.
Ky është problemi. Ky problem një ditë mund të provokojë shqetësime akoma më serioze. Të mos harrojmë: të pasurit fitimet e tyre i nxjerrin duke u shitur produktet, mallrat dhe shërbimet të varfërve. Ky është ligji numër një i tregut: të gjithë luftojnë të shtojnë klientët dhe numri më i madh i klientëve është te poli i fukarenjve. A ka qëndrim miqësor shoqëria jonë dhe qyteti ynë ndaj këtij poli?
A ËSHTË I PASTËR QYTETI YNË?
Unë jam i bindur se kërcënimi më i madh shoqërisë po i vjen nga raportet abuzuese që ka ndërtuar njeriu me mjedisin dhe me natyrën. Sa më i ri të jetë në moshë një individ, aq më shumë jetë ka përpara për të jetuar dhe aq më i ndjeshëm duhet të jetë ndaj këtij shqetësimi. Edhe pse janë bërë hapa seriozë për pastrimin e qytetit dhe për menaxhimin e mbetjeve të ngurta në kryeqytet, përsëri në periferi shohim përditë kanale të mbushura me mbetje që ndotin ujërat dhe gjithçka që rrjedh drejt qendrës. Shohim zgjerimin e rrathëve të ndotjes me mbetje plastike dhe me hedhje të mbetjeve nga aktiviteti ndërtimor, sa që të jep përshtypjen e gjurmëve që ngelen mbas një zjarri që djeg gjithçka.
Mjafton të kalosh matanë lagjes së Kombinatit, të kapërcesh apo të vëzhgosh të dy krahët e lumit të Erzenit. Të bësh një shëtitje nga Bregu i Lumit dhe në zonën e Shkozës, të shohësh rreth e rreth Arbanës e në zona të tjera dhe do të konstatosh se Tirana me mbetjet e saj ushtron një presion shumë të madh mbi gjithë hapësirat që ka rreth e rreth sa që nëse deri dje këto zona e kishin fat që ishin në afërsi të qytetit, tani me siguri ndihen të ndotura për shkak të qytetit.
Më pëlqen shumë tratativa e re e bashkisë për të ndarë në origjinë mbetjet shtëpiake, por nuk ka një komunikim të qartë. Nuk ndihet dora e bashkisë në komunitet për të ndërgjegjësuar banorët, shkallët e pallateve, rrugicën e banorëve, lagjet e Tiranës, që këtë sjellje qytetare ta konsiderojnë nga njëra anë si detyrim qytetar dhe nga ana tjetër si detyrim ligjor.
Bashkia nuk ka në dorë shkopin magjik. Por, është detyrë e saj që midis shtrëngimit dhe ndërgjegjësimit të gjejë mjetet që t’i ftojë dhe t’i bëjë banorët ta konsiderojnë dhe vlerësojnë qytetin njëlloj si oborrin, avllinë, shkallët dhe mjediset e tjera brenda shtëpisë së tyre. Ka një konflikt të madh në sjelljet e individëve brenda banesës së tyre dhe jashtë saj. Kjo duket sikur kemi të bëjmë me dy njerëz të ndryshëm, me dy botë të ndryshme. Bashkia nuk është institucioni që ka për detyrë vetëm të mbledhë taksat mbi banesën, taksën për gjelbërimin, për shkollën, për parkimet, taksën e ndikimit në infrastrukturë të ndërtimeve të reja apo taksa të tjera bashkiake.
Këto bën mirë që i mbledh dhe këtu të mos tolerojë aspak. Bashkia duhet të bëjë funksionale qelizën e qytetit, infrastrukturat e saj. Nuk do ta pranoja askënd të thotë që pse pak është bërë në këtë aspekt? Po, pak madje, shumë pak. Ajo që më preokupon më shumë është fakti se strukturat e qeverisjeve publike nuk janë të qarta. Nuk kanë ndjesinë e përuljes ndaj publikut, sillen si pronarë të fondeve publike, ndërkohë që kanë vetëm statusin e menaxherit të përkohshëm të tyre.
Në më të shumtën e herëve rrëmbehen nga voluntarizmi, nuk aplikojnë filozofinë e konsultimit me komunitetet paraprakisht në çdo rast që merret një vendim që prek interesat e tij. Tirana, thoshte para disa ditësh një funksionar i lartë publik, është një qytet i nivelit europian. Çfarë hipokrizie! A ka vërtet një qytet europian që ujërat e zeza i shkarkon në të vetmin lumë që formohet nga mbetjet e zeza dhe kalon mes përmes qytetit? A e dinë drejtuesit e kryeqytetit që në muajt e verës duhet të përdorësh kundërgaz për të kaluar buzë Lanës?!
A ka vërtet një qytet të vetëm europian që vazhdon të mbajë për 40 vite mbi tarraca depozita me tonelata ujë që kërcënojnë jetën e njerëzve dhe që për to sensibilizohemi vetëm kur tronditemi nga ndonjë lëkundje tërmeti?! Mund të vazhdoj më gjatë me pyetje të tilla, por po e lë që këtë linjë ta vazhdojë vetë lexuesi.
TIRANA, NDOSHTA QYTETI ME TRAFIKUN MË PROBLEMATIK NË BALLKAN
Nuk di të them me saktësi nëse ka në Ballkan një qytet tjetër më problematik se Tirana lidhur me trafikun rrugor brenda qytetit. Më saktë do të ishte të thoshim që qyteti ynë është gjithnjë me trafik të bllokuar. Sot dihet dhe pranohet prej të gjithëve se Athina dhe Stambolli që kanë pasur probleme të mëdha me trafikun, kanë më shumë liri sesa Tirana. Kuptimin e vërtetë të kësaj e dinë ata që kanë fatin (e keq, sigurisht) të drejtojnë apo përdorin për nevoja pune dhe jetese një automjet.
Trafiku na merr kaq shumë kohë sa që në se këtë kohë që na merr trafiku, do ta përdornim për të bërë biznes do kishim me siguri edhe 30-40 % të ardhura më shumë. Nga kjo do kishte përfitim edhe shteti se do tatonte më shumë. Po qe se këtë kohë që na shpërdoron brutalisht trafiku në Tiranë do ta investonim duke lexuar libra apo duke mësuar, ne do të ishim ndër qytetarët më inteligjentë të Europës. Ndërsa po ta investonin duke ushtruar sporte nga Tirana do kishte yje në lloje të ndryshme sporti. Humbasim në trafik, gjënë më të shtrenjtë që kemi: kohën për të jetuar.
Shpërdorojmë kohën dhe në këtë mënyrë kemi shpërdoruar çdo lloj pasurie. Por, ajo që më preokupon më shumë lidhur me trafikun, është fakti se pse urbanistët apo vendimmarrësit publikë nuk kanë vizion të qartë për të ardhmen e trafikut të Tiranës? Botën e shtyjnë përpara idetë. Ato, idetë pra, janë lokomotivat më të mira dhe më të shpejta të trenit të progresit të shoqërisë. Sa ndërtimet e reja kanë marrë parasysh problemet e trafikut të Tiranës? Le të jem pak më shumë i qartë. Në Tiranë, janë ndërtuar dhe po ndërtohen grataçelat e Tiranës.
Numërohen mbi 20 të tilla, të cilat janë të përqendruara në hapësirat e qendrës së qytetit. Kuptohet: Aty është bërë presioni më i madh prej normave më të larta të fitimit dhe prej çmimit më të lartë të sipërfaqes së ndërtimit. Kjo dihet. Por, unë pyes: A kanë parashikuar urbanistët dhe vendimmarrësit publikë faktin që në një grataçelë të tillë me 45-50 kate, do instalohen familje, biznese, zyra, administratë, ambiente tregtare dhe objekte të tjera të karakterit social apo industrial, të cilat do të shtojnë shumë, por shumë, shumë, inventarin e automjeteve që do qarkullojnë në atë zonë ku ndërtohen këto kulla?
A e kanë parashikuar, dhe nëse po, si e kanë zgjidhur përmirësimin e trafikut të kryeqytetit këta teknicienë dhe politikëbërës? A i funksionon frymëmarrja qytetit tonë brenda tij?
Po marr vetëm një shembull: Përbri ETC (Qendrës Tregtare Europiane) po ndërtohet një godinë prej rreth 48 kate. Sipas disa përllogaritjeve nga një miku im inxhinier dhe urbanist, në të do të ketë 300-420 automjete më shumë. Ato do të kenë nevojë të hyjnë dhe dalin në çdo kohë në këtë impiant të madh ndërtimor. Ky shqetësim është i njëjtë edhe për ndërtimet e larta rreth ish-Hotel Dajtit, edhe për ndërtimet pranë Hotel Tiranës. Për ndërtimet pranë Bashkisë së Tiranës, për ndërtimet rreth sallës së seancave parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë, për ndërtimet në zonën e Bllokut, për ndërtimet rreth ish-Dhomës së Tregtisë etj.
Në anën tjetër, rrugët janë ato që kanë qenë. Trafiku në këto zona ka qenë dhe është tashmë i rënduar, madje mjaft. Rrugët e Tiranës vetëm janë ngushtuar nga ndërtimet e reja. Në këto rrugë tashmë të ngushtuara në krahasim me 20 vite më parë, po shtohet shumë numri i automjeteve edhe për shkak të kullave. Këto rreshta po i shkruaj sinqerisht me një dhimbje të madhe. Edhe krimineli më i madh nuk do t’ia punonte kaq keq qytetit ku kemi hedhur rrënjët e jetës.
Siç duket, inxhinierët dhe urbanistët e periudhës së paraviteve ‘90 kanë qenë më seriozë, më profesionistë, më inteligjentë dhe më kolegjialë në projektime dhe zbatimet inxhinierike. Nuk dëshiroj të fyej askënd, por nuk rri dot pa thënë: pse heshtni të nderuar inxhinierë dhe arkitektë, urbanistë dhe konstruktorë, politikanë dhe teknicienë? Ka ndërtime të larta në lagje të caktuara të qyteteve të mëdha të Europës, por ka zgjidhje perfekte që ndihmojnë qarkullimin dhe e lehtësojnë atë me nënkalime, me tunele, me akse dhe mbikalime të tjera, me rrugë me një kalim, me kufizime drastike për qarkullimin në çdo orar të një kategori të caktuar mjetesh etj., etj.
“Profesor, na kanë vjedhur diellin”, më thotë një zonjë e nderuar. Për ta vazhduar diskutimin që trajtuam më lart, po ju tregoj një ngjarje shumë dëshpëruese. Bashkëshortja e një ish-profesori tim të shkollës së lartë, kur e takova rastësisht, pasi i shpreha ngushëllimin për largimin nga jeta të të ndjerit profesor, kur e pyeta nëse vazhdojnë të jetojnë aty ku i mbaja mend unë edhe para 20 viteve, më tha: …”aty jetojmë por tani nuk e shohim asnjë minutë diellin gjatë 24 orëve. Na kanë vjedhur diellin, mor bir. Kjo binaja këtu përpara nuk na lë të shohim diellin asnjëherë”.
Unë pyes: pse u ushtrua kaq shumë dhunë me ndërtimet kaq të larta në qendër të Tiranës? Pse nuk u përqendruan të gjitha ndërtimet e larta në një lagje të re, të veçantë, të shkëputur të qytetit? Pse nuk u krijua një pol, apo një qendër e re urbane, për qytetin tonë të dashur? Pse nuk u krijua kështu Tirana moderne? A mund të krijohej një lagje e re e tillë në zonën e bulevardit të ri, në zonën e Astirit, në zonën e Kombinatit, në zonën e Yzberishtit, apo diku gjetkë? Pse nuk ia dhatë vetes shansin, ju të dashur vendimmarrës, që të quheshit krijuesit e Tiranës moderne apo të një lagjeje të tillë?!
Unë nuk jam urbanist. Por, mendoj se kodet e urbanistikës janë të thjeshta, përderisa kanë të bëjnë me jetën. Kanë të bëjnë me komoditetin e të jetuarit dhe me mirëfunksionimin e qytetit. Atëherë, pse grataçelat e larta nuk janë aq larg njëra-tjetrës, apo godinave që kanë në krah sa të mos pengojnë diellin t’i thotë mirëmëngjesi edhe dritareve të katit të parë të pallatit ngjitur?
Babëzia shkel çdo normë njerëzore dhe si e tillë ajo nuk llogarit asnjë rregull dhe normë teknike, mjedisore, urbane dhe humane. A ka më në fund një plan rregullues të Tiranës si qytet? Ndoshta është problemi im me shijen, por nuk më ka ngjitur asnjëherë investimi i ri i “Air Albania” me kompleksin urbanistik, të cilit i është salduar ky objekt. Kafshimi i hapësirave publike bëhet në mënyrën më të pamëshirshme.
Mashtrimi publik shitet si sjellje qytetare publike. Ndërtimi i grataçelës përbri ETC u parapari dhe u justifikua me ndërtimin e një këndi lojërash për fëmijë, që sot nuk ka asnjë funksion të tillë, edhe pse bashkia ndoshta e ka në listën e këndeve të lojërave. A e dinë më në fund banorët e një zone urbane të kryeqytetit se cili do të jetë fati i banesave të tyre mbas 20 apo 30 viteve? A krijon tipologjia e këtyre ndërtimeve investime të gjelbra në qytetin tonë të dashur?
Përpara se të shkruaja këtë shkrim kërkova të grumbulloja informacion mbi zhvillimet urbane në disa nga qytetet më të preferuara të Europës. Më rezulton se nuk ka qytete kaq rrëmujë sa Tirana. Po, ka qytete me ndërtime të larta. Por ato i kanë realizuar sipas një filozofie të caktuar, për t’u dhënë qyteteve dimensione të tjera. Dhe sigurisht, kanë ruajtur (konservuar) dhe respektuar traditën e qyteteve, historinë e tyre, kulturën e të jetuarit, bashkëjetesën. Në ndonjë rast, kur janë lejuar ndërtime pa kriter, kjo ka përbërë për ato qytete një kosto suplementare shumë të rëndë për t’i ridimensionuar ato. Këto kosto i paguajnë brezat që vijnë.
Kur prindërit me veprimet e tyre të gabuara penalizojnë fëmijët e tyre atëherë, pa asnjë hezitim ata duhet të konsiderohen si kriminelë. Po kështu, kriminelë duhet të konsiderohen edhe ata fëmijë që për shkak të paaftësisë së tyre keqmenaxhojnë apo shpërdorojnë atë që kanë trashëguar nga prindërit e tyre.
Në Tiranë kemi pasur një qendër qyteti, (sheshi historik “Skëndërbeu”). Nga ku vështrimi tretej pafund drejt Durrësit, drejt Dajtit, drejt malit të Krujës, apo drejt Kërrabës. Sot, në vend të tij kemi gropën “Skënderbeu”. Një qytet që nuk zhvillohet sipas një filozofie që vendos lidhje të ngushta shpirtërore me brezin e shkuar apo me brezin e tretë. Kjo nuk vendos dot lidhje shpirtërore as me të rinjtë.
PAGUAJMË PËR UJË TË PIJSHËM, POR QË NUK PIHET
Problemi i ujit të pijshëm është ndër gjërat më të rëndësishme për ta klasifikuar si të banueshëm dhe të preferuar për banim një qendër urbane. Furnizimi me ujë të pijshëm në Tiranë ka pasur dhe ka ende probleme shumë serioze. Megjithë progresin e prekshëm në rregullimin e furnizimit me ujë. Ndërkohë, rregullat e menaxhimit të ujit lënë shumë për të dëshpëruar. Teknikat dhe teknologjia e trajtimit të ujërave kanë avancuar kaq shumë sa duket qesharake dhe primitive. Duket e tillë në aspektin që ne paguajmë për të blerë shtrenjtë ujë të pijshëm që nuk pihet. Ndaj heshtja e publikut nuk duhet konsideruar si dakordësi. Sepse është e njohur mendësia që publiku hesht kollaj, por jo se bindet kollaj.
Shumica absolute e qyteteve europiane furnizojnë me ujë të pijshëm banorët e tyre nga ujërat nëntokësore apo nga ujërat e ricikluara. Tregtimi i ujit të pijshëm dhe ujit për kuzhinë është një nga veprimtaritë tregtare më intensive dhe më fitimprurëse në Tiranë, dhe jo vetëm. Nuk po rikthehem përsëri te depozitat. Por po qëndroj te këmbëngulja që duhet të manifestojnë organet e qeverisjes vendore. Kjo për ta filluar dhe përfunduar një reformë të caktuar.
A mund të themi se më në fund e kemi zgjidhur problemin e ujit të pijshëm dhe se uji nuk do të pengojë më infrastrukturat e tjera të kryeqytetit kur nuk kemi zgjidhur ujërat e zeza? Kur nuk kemi zgjidhur sistemimin e kabllove të elektrikut, të lidhjeve telefonike, të lidhjeve të internetit dhe në mjaft raste edhe të lidhjeve të antenave të sinjaleve televizive?
Fijet e kabllove qëndrojnë varur në rrugët e Tiranës. Janë si rrjetat e merimangave që presin të zënë në grackën e tyre viktimën e radhës. Nga ana tjetër, nëpër disa rrugica të qytetit tonë nuk depërton dot as zjarrfikësja dhe as ambulanca. Mos qoftë e thënë të ndodhin raste emergjente!
Tirana ka nevojë për shumë më shumë kapacitete parkingu
Sot, krahasuar me 7-8 vjet më parë, kemi vërtet më shumë kapacitete për parking. Por kjo nga njëra anë është e pamjaftueshme dhe këto ndërhyrje janë ndërmarrë vetëm në qendër. Ndërkohë, në brendësi të qytetit ka një asfiksi. Provo të parkosh në lagjen apo rrugën “Komuna e Parisit”, në rrugën “Myslym Shyri”, në lagjen “Ali Demi”, te Rruga e Dibrës, pranë spitaleve, në çdo segment të Unazës së Vogël, apo të unazës së vjetër.
Shtimi jashtë çdo lloj imagjinate i mjeteve të transportit vjen edhe për shkak të mungesës së nivelit të duhur të cilësisë dhe shpejtësisë në transportin publik urban. Apo për shkak të mungesës së mënyrave të tjera alternative të transporteve publike brenda qytetit. Qytetet me popullsi mbi një milion banorë, sikurse është Tirana, nuk mund të lihen në mëshirën e fatit të një transporti publik që duket sheshit që është duke dhënë shpirt. I cili nuk ka gjasa të përmirësohet përderisa po ngushtohen përditë rrugët dhe hapësirat nga ndërtimet pa kriter, por me leje.
MË NË FUND…
Në botën e financës, tema më e preferuar për diskutime në kohën e sotme është tema e mirëorientimit të investimeve dhe e përcaktimit të drejtimit të lëvizjes së kapitaleve dhe parasë. Bota e zhvilluar, në mënyrë të veçantë grupi i 20 vendeve më të zhvilluara të botës, ka shtruar si emergjente nevojën e orientimit të investimeve të gjelbra. Bota flet për financa të qëndrueshme dhe për ta përdorur pushtetin e parasë për të krijuar hapësira më miqësore për njeriun dhe qytete me të cilat vetë njeriu ndihet më mirë.
Konstatoj se në Tiranë, ka shumë që përpiqen të kërkojnë një mënyrë tjetër jetese. Larg qytetit të zhurmshëm, ndërkohë që ka dyndje dhe presion të madh të të ardhurve nga zonat periferike të vendit. Disa qytete dhe qendra të rëndësishme urbane deri dje tani po kthehen në gërmadha. Këtë fenomen nuk mund ta frenojmë, por unë mendoj se ky fenomen mund të menaxhohet më mirë.
Ka tiranas që kërkojnë të jetojnë diku ku qyteti nuk të vjedh kohën dhe qyteti nuk të vjedh diellin dhe ajrin. Ja ky është problemi. Po, nga se vijnë këto shqetësime? Unë mendoj se vijnë ngaqë qeveriset në mënyrë primitive. Nga mentaliteti se historia e çdo qyteti fillon nga zero sa herë ndërrohen kryetarët e bashkive. Kjo sëmundje shkaktohet nga mungesa e profesionalizmit, nga voluntarizmi, nga dominimi politik edhe në vendimmarrje për çështje thelbësisht profesionale dhe teknike, nga mungesa e frymës së ekipit dhe nga mungesa e drejtimit kolegjial apo mungesa e mirëfunksionimit të institucioneve.
Përpara se të jesh vendimmarrës dhe drejtues publik duhet të jesh qytetar i mirë, njeri i mirë. Institucionet janë kthyer në vegla qorre të individëve, të cilët diktojnë edhe rregullat e tregut.
Pra, dora e padukshme e Smithit, është zëvendësuar me dorën e hekurt të diktaturës voluntariste. Kjo sëmundje ka kontaminuar të gjitha qendrat e vendimmarrjeve. Dëgjohet aq shpesh prej ministrave, prej kryeministrave të radhës, prej kryetarëve të bashkisë, që për herë të parë po bëjmë këtë dhe atë. Aq sa të krijohet përshtypja se jeta në Tiranë paska filluar para disa muajsh dhe ne duhet vetëm të falënderojmë këta pushtetarë që nuk na lënë pa ajër dhe pa diell. Konstatohet menjëherë, mjaft dukshëm, në mënyrë dëshpëruese që në qeverisjen e kryeqytetit mungojnë konceptet elementare të shkencave të menaxhimit të sektorit publik.
Mjaft me këtë filozofi abuzive dhe sipërfaqësore. Vendimmarrësit gjykoj që duhet të marrin patjetër leksione mbi menaxhimin. Se qeverisjet nuk kanë lidhje me sjelljen si agallarë të drejtuesve, por me kulturën e të qenit shërbëtor i përulur ndaj atyre që të kanë besuar për një apo dy mandate fatet e qeverisjes së rregullave të bashkëjetesës në komunitet. Mos u cenoni qytetarëve që keni marrë përsipër të qeverisni dashurinë për qytetin ku kanë vendosur të jetojnë jetën.
Mos na e neveritni qytetin me sjelljet dhe mburrjet tuaja. Mos harroni se po na kalojnë vitet e jetës duke shpresuar gjithnjë që do bëhet më mirë. Por që nuk po shohim më mirë dhe kjo e dëshpëron akoma më shumë njeriun. Dhe, dëshpërimi që pushton njeriun prej zhgënjimit është shkalla më e lartë e mosbesimit. Është ajo e cila kthehet shumë shpejt në urrejtje. Mos e lejoni këtë. Uluni me këmbë në tokë. Kini mirësinë të dëgjoni profesionistët zotërinj politikanë dhe vendimmarrës. Edhe sot është vonë, por nesër do të jetë akoma më vonë.
ObserverKult
_ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _
Lexo edhe:
BUKRA HYSENUKAJ KASTRATI: TIRANASIT, NUK MUND TË MOS I DUASH!