Bukra Hysenukaj Kastrati: Tiranasit, nuk mund të mos i duash!

tiranasit ske si te mos i duash, blog nga bukra hysenukaj kastrati

U gjenda mes nji debati ku palët po përplaseshin me dhe pa argumente, mbi çfarë janë tiranasit. Jugorë të ngulur në Tiranë me instalimin e regjimit të Hoxhës, tregonin si e kishin gjetë dhe si e kishin lulëzuar këtë qytet dhe se si tiranasit ishin të pazhvilluar e të paaftë veçse për qejfe të vogla.

Nuk rri dot pa reaguar në raste të tilla, ku përgjithësimi dhe gjykimi nga pozita të zhdrejta, prodhojnë konkluzione që s’i shërbejnë të vërtetës. Tiranasit janë njerëz të mirë, të butë, të dashur e bujarë. Unë i kam gjetë këto vlera tek çdo familje tiranase që kam pasë fatin të njoh.

Do të duhej libër për të nxënë përshtypjet e mia për tiranasit, por po sjell pak nga eksperienca ime e bashkëjetesës me ta.

Kam jetuar e punuar mbi 10 vjet në trekëndëshin Selvi-Medrese-Shkolla e Kuqe, lagje e vjetër e Tiranës. Kthehesha e vetme në shpi pas mesnatës (kur mbylleshin gazetat atëherë) dhe kurrë nuk kam pas as shqetësimin më të vogël në ato rrugica që i dua fort.

Kam qenë qeraxheshë si banore dhe si e punësuar tek familjet tiranase dhe kurrë nuk na vunë në presion për pagesa shpesh të vonuara e ndoshta edhe të cunguara.

Ruaj respektin dhe mirënjohjen e pafund për familje si ajo e Tanush Mulletit, Myslym Ndroqit, Fatmir Kaikut, Begejt, Tafajt, Kokonozt apo Alimehmetët. Më kanë trajtuar si bijën e tyre.

P.sh. si mund të harroj kur jetoja me qera te familja Alimehmeti dhe e Zonja e shpisë, Vitorja, më sillte darkën nga shpia e saj kur më vinin familjarët. se unë vija vonë nga puna apo faktin që ime bijë rrinte në shpinë e tyre si te Nëna ime.

Këtë zemërgjerësi kam gjetur tek çdo familje që përmenda më sipër, mbiemra që përfaqësojnë Tiranën. Kurrë nuk jam ndjerë e gjykuar prej tyre si e ardhur, në një periudhë kur paragjykimi ishte vrasës.

Fundja çfarë duhet të kenë njerëzit më shumë se kaq për të qenë të mirë e për t’i dashur. Unë dëshmoj përjetimet e mia. Unë kam jetuar mirë e bukur mes tiranasve. Unë i dua tiranasit se më kanë bërë t’i dua.

Se cilët janë tiranasit në dimensione të tjera, e tregon historia, edhe pse e deformuar fatkeqësisht nga regjimi hoxhist.

Po, tiranasit janë dhe antikomunistë!

ObserverKult

Lexo edhe:

EDISON YPI: EJA, MOTËR, EJA SHPEJT SA ËSHTË GJALLË SHQIPËRIA…