A ishte Neroni perandor i keq, si është përshkruar?

Neroni ishte një perandor romak, që jetoi gjatë shekullit I të Erës Sonë. Ai ishte perandori i pestë dhe i fundit i dinastisë Julio-Klaudiane, e cila u themelua nga August Oktaviani. Neroni vlerësohet zakonisht, si një nga perandorët më të këqij dhe më mizorë në historinë e Romës së Lashtë.

Shumica e informacioneve që kemi sot rreth tij, vijnë nga veprat e Tacitit, Suetonit dhe Dion Kasit. Që të tre ata, kanë jetuar dhe shkruar pas mbretërimit të Neronit. Ata i përkisnin shtresës senatoriale, e cila e urrente shumë perandorin. Kjo shpjegon deri diku edhe portretizimin tejet negativ të Neronit në këto burime historike.

Por perandori Neron, duket se ka gëzuar njëfarë popullariteti midis shtresave të ulëta. Përveç historisë Romake, Neroni ka një vend të spikatur në historinë e Krishterimit, pasi përmendet si një persekutor i madh i Kishës Katolike, dhe konsiderohej shpesh nga të krishterët e hershëm si Antikrishti.

Neroni lindi më 15 dhjetor të vitit 37 në Antium, pranë Romës. Ai njihej në fillim me emrin Lusius Ahenobarbus, dhe ishte biri i Gai Ahenobarbusit dhe Agripinës së Re. Neroni kishte lidhje të ngushta me dinastinë Julio-Klaudiane, sidomos përmes nënës së tij.

Agripina ishte motra (dhe e dashura) e Kaligulës, dhe vajza e Agripina Plakës, mbesa e perandorit August. Kjo do të thoshte se Neroni ishte nipi i një perandori, pra i Kaligulës, dhe stërnipi i një tjetri, Augustit. Ndërkohë, Neroni kishte lidhje edhe me perandorin Tiber përmes gjyshit nga e ëma, Germanikus.

Pavarësisht këtyre lidhjeve, në fillim nuk besohej se ai do të kishte mundësinë që të bëhej perandor. Kur lindi Neroni, xhaxhai i tij Kaligula sapo kishte caktuar si pasues të tij Tiberin. Vetë ai pritej të mbretëronte për disa dekada. Në fakt, Kaligula sundoi vetëm për 4 vjet, para se të vritej në fillim të vitit 41.

Ai nuk kishte djem, dhe vajza e tij e vetme, Julia Drusila u vra, dhe pse ishte vetëm një vajzë e vogël. Ndaj ai u pasua nga Klaudi. Në atë kohë, Neroni ishte praktikisht një jetim. E ëma ishte internuar në Ishujt Pontianë në vitin 39, pasi dyshohej se kishte marrë pjesë në një komplot kundër Kaligulës.

Suetoni shkruan se Neroni u dërgua të jetonte me tezen e tij Lepida, ku ai kishte pranë 2 mentorë, një balerin dhe një berber. Një vit më vonë, i ati i vdiq nga edema. Kur Klaudi u bë perandor, kthehu nga ekzili mbesat e tij, Agripinën dhe motrën e saj, Julia Livilën.

Pas rikthimit të saj në Romë, Agripina u martua me Gai Pasienusin, një nga burrat më të pasur të qytetit. Suetoni pretendon se ai “kishte një pasuri prej 200 milionë sestercash”. Suetoni shton se pasi Pasienusi e bëri Agripinën trashëgimtare të pasurisë së tij, ai u vra për shkak të tradhtisë së saj.

Lëvizja e radhës e Agripinës, ishte ngjitja e të birit në fronin e Romës. Në vitin 48, Klaudi po qeveriste Perandorinë Romake prej 7 vjetësh. Në atë vit, perandori kishte ekzekutuar gruan e tij të tretë, Valeria Mesalina, pasi ajo u akuzua për komplot ndaj burrit të saj.

Përmes shumë intrigave, Agripina ia doli të rregullojë martesën midis Neronit dhe Klaudia Oktavias, vajzës së Klaudit në vitin 53. Perandori vdiq një vit më vonë, ndoshta i helmuar nga vetë Agripina. Dhe Neroni, që nuk kishte mbushur ende 17-vjeç, u bë perandori i ri i Romës.

Në atë kohë, ai nuk ishte ende “përbindëshi”, që përmend sot historia. Përkundrazi sundimi i tij u duk në fillim shumë premtues. Pjesa e hershme e mbretërimit të tij, konsiderohet një periudhë e qeverisjes së mirë, dhe punët e shtetit u trajtuan me efekasitet.

Por meritat për këtë nuk i takojnë dhe aq Neronit, sesa këshilltarëve të tij, Agripinë, Sekstusit, Afranius Burrus, kreut të Gardës Pretoriane, dhe Lucius Senekë, mentorit të Neronit. Gjatë 5 viteve të para të mbretërimit të tij, perandori Neron (ose më saktë, këshilltarët e tij), sollën disa ndryshime pozitive në shoqërinë romake.

Thuhet se Neroni uli taksat, i dha më shumë pushtet Senatit, i zëvendësoi përleshjet e gladiatorëve me poezi dhe gara sportive. Dhe madje u fali jetën atyre që komplotuan kundër tij.

Ndërsa këshilltarët e tij merreshin me administrimin e perandorisë, Neroni nisi të kënaqte pasionet e tij, të cilat me kalimin e viteve u bënë gjithnjë e më ekstravagante.

Duke qenë i pakënaqur me martesën e tij me Oktavian, ai nisi një lidhje me një ish-skllave, Klaudia Akten. Në vitin 55, Agripina u përpoq të ndërhynte në emër të Oktavias. Por ajo e kishte humbur ndikimin që kishte tek i biri. Kjo pjesërisht edhefalë inkurajimit që Seneka i kishte dhënë Neronit, për t’u çliruar nga tutela e nënës së tij.

Duke e kuptuar se së shpejti mund të humbiste ndikimin, Agripina vendosi të mbështeste ngjitjen më fron të Britanikusit, vëllarit të Oktavias. Por ky vdiq në vitin 55, i helmuar nga Neroni. Tri vjet më vonë, perandori tentoi të vrasë edhe nënën e tij Agripinën. Ai urdhëroi djegien e anijes me të cilën ajo po udhëtonte.

Agripina mbijetoi, por Neroni e vrau gjithsesi pak ditë më vonë. Pas kësaj ngjarje, perandoria po drejtohej de fakto nga Burrus dhe Seneka. Ndërkohë perandori ishte i lirë të ndiqte pasionet e tij. Kur Burrus vdiq në vitin 62, dhe Seneka doli në pension, ata u zëvendësuan nga Gai Tigelinus, njeriu i preferuar i Neronit.

Po atë vit, perandori u nda zyrtarisht nga Oktavia, dhe u martua me Popae Sabina. Pas promovimit të Tigelinus, Neroni miratoi një sërë ligjesh kundër tradhtisë, përmes të cilave u zbatuan shumë dënime me vdekje, mes të cilëve edhe 2 të afërm të mbijetuar të perandorit.

Në korrikun e vitit 64, shpërtheu Zjarri i Madh i Romës, që shkatërroi qytetin.

Ai incident krijoi legjendën se “Neroni këndonte, ndërsa Roma po digjej”, që lindi fillimisht si një thashethem. Në fakt, Neroni nuk ndodhej në Romë kur ra zjarri, por në Antium. Dhe ai ndihmoi për shuarjen  e tij. Pas zjarrit, Perandori Nero shfrytëzoi mundësinë për të ndërtuar Shtëpinë e Artë, një pallat i ri, që nëse do të kishte përfunduar, do të zinte një të tretën e qytetit.

Ishte pikërisht ky projekt ambicioz, që nxiti një tjetër thashethem, siaps të cilit Neroni e shkaktoi vetë zjarrin, që të mund të ndërtonte Shtëpinë e tij të Artë. Nga ana tjetër, Taciti raporton se plani rindërtues i Neroni, mori në konsideratë masat që do të parandalonin zjarre të përmasave ë tilla në të ardhmen.

Për shembull, lagjet duhet të ndërtoheshin me rrugë më të gjera dhe me godina me lartësi të kufizuar. Masat e tjera përfshinin furnizimin më të madh me ujë për qëllime publike, dhe  “pajisjet për kontrollimin e zjarrit, që duhej gjendeshin në ambjente publike”.

Teksa shumë njerëz bënë me faj Neronin për zjarrin shkatërrues, perandori arriti të gjente fajtorin tek të krishterët, që në atë kohë besohej gjerësisht se ishin të përfshirë në vepra të liga. Sipas Tacitit “një numër i madh të krishterësh u dënuan me vdekje, jo aq shumë për akuzën e zjarrvënies, se sa për urrejtjen ndaj tyre”, dhe “ata u mbuluan me lëkura kafshësh të egra, dhe u shqyen për vdekje nga luanët, ose u kryqëzuan”.

Për këtë akt mizor, Neroni u identifikua si Antikrishti. Vitin që pasoi, Neroni u bë objekt i një komploti për vrasjen e tij. Komplotistët u zbuluan, dhe shumë prej komplotuesve, përfshirë Senekën, u detyruan të kryejnë vetëvrasje. Por ishte tashmë e qartë, se Neroni po e humbiste me shpejtësi popullaritetin e tij në mesin e elites së Romës.

Në vitin 68, në Gali shpërtheu një rebelim nën drejtimin e vetë guvernatorit të saj, Gai Vindeks. Neroni nuk u përball me vendosmëri me revoltën, dhe ajo u përhap shpejt edhe në pjesët e tjera të perandorisë. Servius Galba, guvernatori i Hispanias, u shpall perandor nga legjionet romak, dhe ai e shpalli veten legat i Senatit dhe popullit romak.

Neroni u braktis nga Garda Pretoriane, dhe perandori u përpoq të arratisej. Por kur mësoi se Senati kishte urdhëruar arrestimin dhe ekzekutimin e tij, Nero zgjodhi të vetëvritej më 9 qershor të vitit 68. Sipas Suetonit, fjalët e fundit të Neronit ishin:Çfarë artisti po humbet bota!

Në fakt, sipas shumë burimeve të tjera, fjalët e fundit të perandorit ishin:”Tepër vonë!”, dhe “Kjo është besnikëri!”, drejtuar një centurion që i vendosi një garzëë rreth plagës, duke pretenduar se kishte ardhur për ta ndihmuar perandorin. / Ancient Origins – Bota.al