A jemi të vetëm në univers?

universi
ViewStock / Getty Images

Qytetarët e gjithë globit, të martën e 12 korrikut (2022), u zgjuan me lajmin se teleskopi i NASA-s ka zbuluar se si dukej universi 13 miliardë vjet më pare.

Nga Laert Miraku

Qytetarët e gjithë globit u zgjuan këtë të martë (12 korrik 2022), me lajmin se teleskopi i NASA-s ka zbuluar se si dukej universi 13 miliardë vjet më parë. Fotoja është shumë e bukur dhe thuajse i ka mahnitur të gjithë. Pamja mahnitëse, u zbulua në një konferencë, në Shtëpinë e Bardhë nga Presidenti Joe Biden.

Ishte teleskopi Hapësinor James Webb, observatori më i fuqishëm i vendosur në orbitë, që e ka zbuluar imazhin. Teknologjia e re do t’i ndihmojë shkencëtarët që t’i përafrohen më shumë të vërtetës për krijimin e Universit. Para pak kohësh, në media u publikua lajmi se universi ku planeti tokë është pjesë, është rritur akoma më shumë.

Ndërkohë, shkencëtari i njohur Albert Ajnshtajn, rreth një shekull më parë, ka thënë diçka si kjo për universin: “Kur jeni brenda dhe shikoni jashtë, universi duket i pafund, por kur jeni në pjesën e jashtme duke shikuar brenda e shihni se gjithësia është e fundme.”

Pra a mundet që “universi ynë është duke lëvizur buzë një flluske të zgjeruar në një dimension” ekstra “rrethuar nga flluska të tjera, secila me universet e tjerë?” Atë që Albert Ajnshtajn ndoshta e imagjinonte (dhe e dinte) që para një shekulli, shkencëtarët tanë mund ta zbulojnë tani.

Përgjatë vitit 2022, ka pasur shumë lajme në medie, për zbulimet e vogla që kanë bërë shkencëtarët. Prej kohësh një pyetje e ka munduar njerëzimin në mbarë globin. A jemi të vetëm në univers? Nëse do të zvogëlonim më pak hapësirën, do të thonim a ka jetë aliene te galaktika jonë? Kësaj pyetje, po tentojnë t’i japin përgjigje shkencëtaret këtë vit.

Një jave më parë, në mediat ndërkombëtare, duke iu referuar sciencenews.org, raportuan se alienët mund të dërgojnë mesazhe në Tokë.

Një qytetërim alien inteligjent mund të transmetojë mesazhe kuantike në tokë. Studiuesit e Physical Review D, kanë raportuar se, grimcat e dritës, ose fotonet, mund të transmetohen në distanca të mëdha ndëryjore, pa humbur natyrën e tyre kuantike. Kjo do të thotë se, shkencëtarët që kërkojnë sinjale jashtëtokësore, gjithashtu mund të kërkojnë edhe mesazhe kuantike.

Rreth një muaj më parë, Kina pretendon se ka zbuluar sinjale që mund të kenë ardhur nga qytetërime të tjera jashtëtokësore.

Këtë e ka bërë të ditur profesori Zhang Tongjie, shkencëtar i Departamentit të Astronomisë, në Universitetin e Pekinit. Ai thotë se radioskopi kinez “Sky Eye”, ka zbuluar sinjale elektromagnetike, të ndryshëm nga të gjithë ata të zbuluar më parë. Profesori saktësoi se këto sinjale janë dyshime, sepse për të provuar studiuesit po punojnë për hetime të mëtejshme.

Sinjalet “aliene” u zbuluan nga “Syri i Qiellit Kinez”. “Syri i Qiellit Kinez” njihet si radioteleskopi më i madh dhe më i arrirë në botë. Ky radio-teleskop ndodhet në Kinën jugperëndimore. Për shkak të ndjeshmërisë së tij, konsiderohet si një nga më të përshtatshmit, për marrjen e sinjaleve jashtëtokësore. Për këtë arsye, Universiteti i Pekinit ka lidhur një marrëveshje me Universitetin e Berkeley-t që synon kërkimin dhe zbulimin e qytetërimeve aliene.

Është e palogjikshme të mendohet se jemi të vetmet qenie inteligjente në univers, thonë shkencëtarët. A ka jetë përtej planetit Tokë? Këtë nuk e vënë më në dyshim shkencëtarët.

Agjencia Amerikane e Hapësirës ka njoftuar se, në vjeshtë do të nisë një hetim nëntëmujor. Përfundimet do të dalin me një raport që do të bëhet publik. NASA i është bashkuar kërkimit dhe studimit të të ashtuquajturave objekte hapësinore të paidentifikuara, që quhen UFO.

Investigimi do të kryhet nga ekspertë shkencorë dhe ekspertë të aeronautikës. “Një nga rezultatet e këtij studimi, do të jetë që të gjithë të kuptojnë se, procesi shkencor është i vlefshëm për trajtimin e të gjitha problemeve, përfshirë edhe këto”, ka shpjeguar në një konferencë për shtyp Thomas Zurbuchen, administrator i NASA dhe autor i vendimi për të nisur investigimet.

Në media qarkullojnë pafund teori konspirative, që alienët kanë zbritur në planetin tokë dhe se mbajnë kontakt të rregullt më liderët e globit. Për këto tetori mund të shihni dokumentarë dhe filma. Por nëse i referohemi gjërave të faktuara dhe të pranuara nga të gjithë janë ato të renditura më lartë.

Ndërkohë ka dhe teori të tjera, se çështjet e alienëve hapen sa herë kur globi është në një krizë të madhe. Rritja e çmimeve dhe kriza për ushqim te vendet e varfra mund ndoshta do rrisë trazirat në planet.

Tjetër pyetje e njerëzve është se perse alienët nuk na kanë kontaktuar akoma. Kësaj pyetje u përpoqën që t’i japin një përgjigje të logjikshme shkencëtarët. Ndoshta modifikimet e planetëve në shkallë të gjerë, janë ato që duhet të kërkojmë.

Mos harroni se qytetërimi që gjejmë nuk ka gjasa të jetë një foshnjë teknologjike si ne. Nëse ajo mbijetoi dhe u mbijetoi të gjitha katastrofave, ajo do të jetë dhjetëra apo qindra mijëra vjet më e vjetër dhe më e avancuar se ne. Vetëm mbani mend se si ishim vetëm 200 vjet më parë.

Ndoshta ndërsa teknologjia jonë e valëve gravitacionale bëhet mjaft e avancuar për të zbuluar sinjalet e para të universit, ne do të fillojmë të zbulojmë manifestime më delikate të aktivitetit në hapësirë. Ndoshta ne mund të identifikojmë një planet me dhjetëra mijëra satelitë në orbitë, nga gjurmët e tij unike të valëve gravitacionale.

Tani kjo zonë është shumë e re, ndaj ka një rrugë të gjatë për të bërë. Por këto sinjale nuk zhduken siç zhduken sinjalet elektromagnetike dhe nuk ka asnjë mënyrë për t’i fshehur ato. Ndoshta në njëqind apo dy vjet do të jetë mjeti ynë kryesor për eksplorimin e hapësirës./gazetamapo.al

————————

Lexo edhe:

ORIANA FALLACI: TË KAM DASHUR SIÇ NUK KAM DASHUR KURRË ASNJËHERË…

ObserverKult