Oriana Fallaci: Të kam dashur siç nuk kam dashur kurrë asnjëherë…

Oriana Fallaci
Oriana Fallaci (29 qershor 1929 – 15 shtator 2006)


Dedikim i Oriana Fallaci, kushtuar Alekos Panagulis

“Në përqafimet e furishme apo të ëmbla nuk kërkoja trupin tënd, por shpirtin, ndjenjat, ëndrrat, poezitë e tua. Dhe ndoshta është e vërtetë që një dashuri nuk ka pothuajse kurrë një trup si objekt. Shpesh, një person zgjidhet për magjinë e pashpjegueshme, ose për atë që përfaqëson për sytë tanë, për bindjet tona, për moralin tonë.

oriana fallaci



Ndoshta nuk isha e dashuruar me ty, ose nuk doja të isha. Ndoshta nuk isha xheloze për ty, ose nuk doja të isha. Ndoshta i kisha thënë vetes shumë të vërteta apo gënjeshtra, por një gjë ishte e sigurt: të kam dashur ashtu siç nuk kam dashur kurrë një krijesë në botë. Siç nuk do të kisha dashur kurrë askënd. Një herë kam shkruar se dashuria nuk ekziston, dhe nëse ekziston është një mashtrim: çfarë do të thotë të duash? Do të thoshte atë, që tani po përpiqesha të imagjinoja të ngurtësuar, për Zotin, me pamjen e një qeni të shkelmuar për urinim në tapet, për Zotin të betohem! Të kam dashur, për Zotin!

Të kam dashur deri në atë pikë, sa të mos duroja idenë të t’lëndoj, ndërkohë që lëndohesha vetë. Të t’tradhtoja ndërsa të tradhtoja. Dhe duke të dashur ty, i doja të metat, gabimet, gënjeshtrat, shëmtinë, mjerimet, vulgaritetet e tua, kontradiktat e tua.
Dhe ndoshta nuk më ka pëlqyer karakteri yt, as mënyra jote e sjelljes, por të kam dashur me një dashuri më të fortë se dëshira. Më e verbër se xhelozia. Në një pikë kaq të paepur, në një pikë kaq të pashërueshme, sa nuk mund ta konceptoja më jetën pa ty.

oriana fallaci

Ti ishe pjesë e saj po aq sa fryma ime, duart e mia, truri im… Dhe heqja dorë nga ty do ishte sikur të hiqja dorë nga vetja, ëndrrat e mia që ishin ëndrrat e tua, iluzionet e tua që ishin iluzionet e mia, shpresat e tua që ishin shpresat e mia për jetën!

Dashuria ekzistonte. Nuk ishte një mashtrim, ishte më tepër një sëmundje. Dhe unë mund të tregoja të gjitha shenjat dhe dukuritë e kësaj sëmundjeje.

Nëse do të flisja për ty me njerëz që nuk të njihnin ose që nuk u interesonte, isha zënë përherë duke ua shpjeguar se sa i jashtëzakonshëm, i shkëlqyer dhe i madh ishe. Nëse kaloja një dyqan kravatash dhe këmishash, instinktivisht ndaloja të kërkoja kravatën që do të doje. Këmishën që do të shkonte mirë me një xhaketë të caktuar. Nëse do të haja në restorant do të zgjidhja pa e kuptuar pjatat që preferoje ti, dhe jo ato që preferoja unë.

Po të lexoja gazetën gjithmonë vija re lajmet që do të të kishin interesuar më shumë. Nëse më zgjoje në mes të natës me një dëshirë ose një telefonatë, bëja sikur isha zgjuar si fringuello që këndon që herët në mëngjes…”


*fringuello (Fringilla coelebs) – zog

Përktheu: Herman Çuka

ObserverKult

Lexo edhe:

ORIANA FALLACI: TI I PËRKET VETES DHE ASKUJT TJETËR…