A mund të vizitohen rrënojat e Titanikut nga njerëzit “e thjeshtë”? Mësojeni përgjigjen…

Për dekada me radhë, aventurierët kanë paguar shuma marramendëse për të vizituar rrënojat e Titanikut, duke marrë parasysh edhe faktin se kjo ekspeditë mund të shndërrohet në një tragjedi…

Duhen 8 orë dhe 250.000 dollarë për të arritur në atë që ka mbetur nga anija e famshme e Titanikut. Pra, rreth 611.55 km larg bregut të St. John’s, Newfoundland.

Të dielen e kaluar, pesë persona hynë në nëndetësen Titan, por humbën kontaktin vetëm 1 orë e 45 minuta pas zhytjes në ujë. Kjo duke u zhdukur pikërisht në atë vend ku ndodhi dhe fundosja e Titanikut.

Më shumë se një shekull pas fundosjes së anijes, interesi për Titanikun mbetet i jashtëzakonshëm.

Edhe pse shumica e shuajnë kureshtjen e tyre duke vizituar muzetë, ekspozitat dhe koleksionet e shumta dedikuar kësaj ngjarjeje, të tjerë janë të gatshëm të paguajnë për një biletë dhe ta shohin atë nga afër.

Mirëpo pavarësisht shqetësimeve dhe debateve të përhershme nëse kjo zhytje duhet të realizohet, për më shumë se 20 vjet guximtarë dhe eksplorues të shumtë kanë shkuar në atë destinacion.

Turizëm në rrënojat e Titanikut

Vetëm në vitin 1985, një ekspeditë e udhëhequr nga Explorer-at-Large National Geographic Robert Ballard dhe oqeanografi francez Jean-Louis Michel zbuluan vendin e fundit ku “pushonte” Titaniku. Në korrik 1986, Ballard vendosi një pllakë në anije, duke kërkuar që vendi të lihej i patrazuar në kujtim të më shumë se 1500 njerëzve që vdiqën atje.

Por kjo nuk ndodhi. Në vend të kësaj, konkurrenca se kush do të lejohej të nxirrte objekte nga anija, u ndez. Pjesërisht, ishte një përpjekje për të dokumentuar dhe ruajtur artefaktet. Por ishte gjithashtu një arsye për të fituar shifra të frikshme nga shitja e objekteve dhe ankandet publike.

Përpjekja e parë zyrtare e shpëtimit u ndërmor nga Titanic Ventures Limited Partnership në 1987, kur rreth 1800 artikuj u mblodhën dhe u konservuan.

Kompania ka kryer tetë ekspedita në anijen e Titanikut dhe ka nxjerrë në ankand më shumë se 5000 objekte të marra nga vendi. Duke përfshirë bizhuteri dhe një pjesë të shkallëve madhështore të anijes.

Kompanitë gjithashtu nisën të promovojnë dhe udhëtime të kushtueshme turistike për të parë nga afër rrënojat e Titanikut.

Studiues, eksplorues dhe madje edhe kineastët si James Cameron, i cili drejtoi filmin “Titanic” të vitit 1997, kanë bërë udhëtime të panumërta pranë rrënojave. Në vitin 1998, kompania britanike, Deep Ocean Expeditions, ishte ndër të parat që i shitën biletat publikut me 32,500 dollarë për të parë mbetjet e Titanikut.

Në vitin 2012, udhëheqësi i ekspeditës, Rob McCallum, tha se kompania po organizonte një raund të fundit turneu, pasi kishte zbritur në rrënoja 197 herë.

Veç saj, edhe kompani si Bluefish, Blue Marble etj, kanë kryer me dhjetëra zhytje. Ndërsa OceanGate, pjesë e së cilës edhe nëndetësja e humbur, kreu ekspedita të suksesshme në 2021 dhe 2022. Duhet theksuar se ka 18 zhytje të planifikuara deri në fund të vitit 2023.

Mbrojtja e Titanikut

Por çfarë ndikimi kanë këto ture në anijen 111-vjeçare? Titaniku u dëmtua ndjeshëm pas goditjes me shtratin e detit. Dalëngadalë, bakteret që hanë hekurin po e konsumojnë atë që ka mbetur.

Më pak se një dekadë pas gjetjes së rrënojave, po vihej re një përkeqësim i shpejtë. Në vitin 2019, një zhytje konfirmoi se pjesë të mëdha të anijes po shembeshin.

Sot, zona përreth është e mbushur me plehra si shishe birre dhe sode, zinxhirë dhe rrjeta ngarkesash.

Vizitorët gjithashtu kanë mbushur zonën me pllaka dhe memorialë. Në vitin 2001, një çift madje u martua mbështetur në harkun e famshëm të Titanikut.

Përpjekjet për të mbrojtur rrënojat po vazhdojnë. Për shkak se ndodhet në ujërat ndërkombëtare, duhet të ruhen sipas Konventës së UNESCO-s për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore Nënujore.

Në vitin 2020, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara ranë dakord të punojnë së bashku për të dhënë ose mohuar licencat për njerëzit që hyjnë dhe marrin objekte nga vendi ku ndodhi tragjedia./a2news

ObserverKult


Lexo edhe:

ARSYEJA PSE NUK KA ESHTRA NË RRËNOJAT E TITANIKUT

Ka shumë teori rreth historisë së fundosjes së Titanikut. Ajo që mbetet janë pyetje të pafundme pa përgjigje.

Rrethana të reja të asaj tragjedie ende zbulohen vit pas viti. Duke marrë parasysh pikën shumë të vështirë të hyrjes në të cilën ndodhen mbetjet e linjës oqeanike. Eksplorimi dhe analiza e vendit të ngjarjes kanë qenë mjaft të kufizuara. Ka ende shumë hapësirë ​​për hetim.

Titaniku ndodhet në rreth 3800 metra thellësi. Një pikë relativisht afër bregut kanadez të Newfoundland.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult